| E marte, 05.03.2013, 10:29 PM |
Duke lexuar librin me poezi “S’të them dot lamtumirë” të
poetit Haxhi DIKOLLI
Një poezi në shtratin më të mirë të traditës poetike
Nga Hyqmet Hasko
Kur shfleton fletët e një libri të ri me poezi, gjëja e
parë që të bie në sy tek ky libër është se çfarë përfaqëson ai në raport me
pjesën tjetër të përvojës poetike të poetit, nga njëra anë dhe në raport me
pjesën tjetër të prurjeve të shumta të poetëve të tjerë, që lëvrojnë arën e
madhe e të pafund të poezisë shqipe, nga ana tjetër.
Tek Haxhi Dikolli janë të dyja kurbat në ngritje: edhe
kurba që shënon rritjen e tij në raport me veteveten e shpalosur në të tjera
akte poetike, edhe kurba krahasimtare me të tjerët, sivëllezërit e tij poetë, me të cilët ndryshon për faktin
se Dikolli nuk i ngjan askujt tjetër, përvevçse vetevtes.
“S’të them dot lamtumirë” është përmbledhja më e fundit
poetike e Haxhi Dikollit, një aventurë shkrimore përtej të zakonshmes, një
endje e bukur në trajektoren e trillit dhe ëndrrës së poetit, në kohën e
zgjimit të ndjesive dhe impresioneve, që i vijnë nga brenda, si një ftesë e
papërballueshme për të reflektuar poetikisht.
Dikolli duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr
penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e
shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq
të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e
trallisëse…
I vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë
guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika
poetike kolektive, Dikolli nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me
origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në
dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, e pasuron këtë traditë me imazhe
dhe struktura të reja poetike.
Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit
është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e
unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, ndikimet dhe
spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk shkruajnë veteveten,
nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të tjerëve.
Poezia e Haxhi Dikollit nuk vjen nga shtampat deklerative,
nga agjustimet dhe ilustrimet rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e
objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit, që vë në
lëvizje turbinën e mendimit për të prodhuar energjinë poetike, që na vjen me
anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë, plot ritme e temporitme të brendshme.
“Po është me fat edhe mëkati
E s’e bën dot kur e do ti
Duhet që qielli të pikojë
Dhe ti të jeshë një pikë shi”
(Poezia “Pikë shiu” fq.78)
Nga “pika e shiu” tek “pika e tij e dobët”, nga
“pëshpëritja” që i zgjon vdekja e komshiut të shkallës tjetër, tek magjia e të
ndodhurës “për herë të parë”, nga kumti i heroit antik Odiseu tek mesazhi hënor
i gruas së bukur të Rrugës “Fortuzi”, nga hijet që zgjaten në një muzg të
pafund e të paformë tek enigmat e mbetura “midis dy dashurive” etj., Dikolli
zbulon një botë të bukur, një botë të thyer, plot ngjyra dhe kontraste, një
botë jo në kornizë por në lëvizje, që e shpie poetin drejt magjijimit dhe, pse
jo, drejt zbulimit të kultit të lirisë persoanle dhe kolektive.
Dikolli është një lirik i ngrohtë, plot ritme jete dhe
ngjyra të përndezura, ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elemetët
klasikë me pak spërkatje të lehtë, një si tis moderniteti. Ai vizaton
shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyer të
shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit
poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, me një
pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.
Dikolli është poet i kërkimit të thellësive jo i
sipëfaqeve të lëmuara; ai është një bard i jehonave të unit të tij, të cilin e
integron në epokën globale të përditshmërisë, me dhimbjet, trillin, mallin,
idilin, vuajtjen, mungesat, zhvensdosjet fizike dhe shpirtërore, të kohëve dhe
hapësirave, nën harpën e një muzikalitetii të tejndezur lirik.
Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të
njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është
befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të
rrëmbejnë e të bëjnë për vete.
Pjalmi i folkut duket sikur e josh poetin të shkund
frymëzimin e tij mbi vargjet aq të ndjera dhe fine, shkruar me një elegancë të
admirueshme dhe me një lirizëm aq të ngrohtë dhe spontan, por ky folk thyhet e
bëhet disi “agresiv”, për shkak të teknikave moderne të vjershërimit, për shkak
të disa elementeve si ironia e hollë e
zhbiruese, që poeti i përdor si mekanizëm përforcues të aktit të tij
mediativo-lirik.
Ky shpalim i poetit, sjell me vete një aromë të veçantë
poetike, risinë e riciklimit të bukurisë, si një kumt ndjellës drejt harmonisë
dhe përsosmërisë, në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe
ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Në këtë vijë poeti mbjellë
farë buzëqeshjesh, dhimbjesh, malli, ëndërrimi, flirti, magjijimet e ditës dhe
mëkatët e natës, një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta
vizituar në çdo kohë…
Në qendër të këtij fokusimi është fjala njeri, raportet e
tij me të ngjashmin, me kohën, me bashkëkohësin, me anën hyjnore të botës, me
filozofinë e mbijetesës dhe të ecurisë së brezave.
Vargu i thjeshtë por elegant i Dikollit nuk kërcet, nuk
kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e
kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.
Tipopogjia poetike ku vendoset dhe përvijon shfaqjen e
fytyrës së tij Dikolli është ajo e trevës jug-lindore të vendit, ku iu kanë ardhur letrave tona
poetët më në zë si Lasgushi ynë, për të vijuar me Agollin, Dh. Qirjazi e plot të tjerë, deri tek më të rinjtë si S.
Rusi, Q. Muska e të tjerë.
Kur lexon me një frymë përmbledhjen poetike “S’të them dot
lamtumirë” të poetit Haxhi Dikolli, seç ke një dëshirë t’i kthehesh një leximi
të dytë e të tretë, duke zbuluar pas çdo rileximi një vatër të re ngasjeje dhe
qasjeje drejt asaj bukuria të praruar e farfuritëse, ku ngjyhet pena e poetit,
i cili na përcjell me aq sharm dhe elegancë vetveten të pjesëtuar e të
shumëzuar me aq shumë ëndrra dhe impresione…
Libra të tillë me poezi, si ky i poetit Haxhi Dikolli,
tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse dhe imazhinuese të poezisë së re
shqipe, e cila tashmë e çliruar nga jashtësitë dhe dogmatizmi, në një tendencë
të bukur për të kapur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të
vërtetë, të rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme,
tradicionalë, modernistë e postmodernistë, me përvojë ose fillestarë, që
gjithësesi janë vetveteja dhe të gjithë së bashku i japin pulsin e duhur artit
tonë poetik…