E premte, 26.04.2024, 06:02 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Rrecaj: Shumëçka po zihet ...

E marte, 08.01.2013, 09:01 PM


Shumëçka po zihet ose shqetësim protokollar i radhës?

Nga Blerim Rrecaj

Mendoj pak për dy-tri ditët e fundit të vitit 2012 që e lamë pas dhe për një javë të këtij viti. Mendoj dhe për ca shënime “mish-mashe” që lashë për këto ditë që shkuan.Para dhe pas Krishtit, Erës së Re, para dhe pas...Si thanë e si themi edhe një herë: Vit i ri me probleme të vjetra që na vërtiten kokës. Për shkrimin e Migjenit: “Urime për vitin 1937”. Dhe kemi parasysh thëniet e njohura: “Asgjë s’ka më fantastike se realiteti” ose “Jeta është përralla më e bukur”. Dhe mund të vazhdojmë edhe me ndonjë “ose” tjetër. Sidoqoftë ditë të zakonta. Të thjeshta. Të përbëra. Rutinore. Kaherë po flasim për këtë e atë kohë për “kohën e pakohë” që mbretëron. Për “ditët e errëta, tëpad(r)itësuara”. Bozë (bozën të mirë patëm pirë në ëmbëltoren Ballkan në Mitrovicë…)prej ndejave, bisedave. Fjalëve si rafale automatiku. Të vërtetave ,gënjeshtrave, thashethemeve, shtrembërimeve, keqcitimeve me e pa qëllime, mospërmbajtjes, ngutisë, pështjellmërisë, përshkëllimërisë…  Endacakëri e zakonshme internetit, faqeve të gazetave, kafeneve, rrugës, lëndinës, llugës… Hedhje sysh anketave, sondazheve, hulumtimeve, statistikave, përqindjeve… Pamje edhe përtej xhamave të dritareve. Vështrime  edhe përtej brendësisë e jashtësisë, afërelargpamëse. Ndodhemi këtu, atje diku  mes vetmisë e llafazanërisë, (mos) shtegdaljes që e quajmë alternative . Ndjenja të përziera na ngjajnë me ndonjë pamje qielli me kthjelltësi e vranësi,  me re duke notuar mes kaltërsisë e hirtësisë. Dielli e hëna, yjet mes reve duken e zhduken. E tokës, nuk mungojnë ngjarjet, ndodhitë, vakitë, fjalët e pamjet që transmetohen medieve për atë se ç’po ngjet  në “fshatin global”, botës për të cilën ca thonë që është e vogël, ca të tjerë se është e madhe, e dikush thotë se është aq sa është. Dhe ngjarje shumë, material e brumë për të shkruar edhe një fletë paksa, aq sa mundemi  të gdhendur e duke përmendur diç në stilin e një flete ditari të kalamendur. Dhe gjëra që na vërtien nëpër kokë.Shumëfishim e llojlloshmëri hallesh. Sa e sa ngjarje e data përvjetorësh krenare e të hidhura. Dhe bëj një zëvendësim të një fjale të thënë: “Posto të të them se cili je”. Dhe nga postimet në murin e facebook-ut e shoh atë që ka bërë Shoqata e Sociologëve të Kosovës, e ky postim përbëhet nga fotografia e Paolo Coelhos i cili sandalet e tij është duke ia dhuruar dikujt që ka nevojë për to, me fjalët:  “Bota ndryshon me shembullin tënd, jo me opinionin tënd”. Kjo foto e kjo fjali janë të ngjashme me një tregim të tij. Kjo shoqatë thotë se dallimet sociale po shtohen me të madhe dhe kjo paraqet shqetësim për gjumin që s’po na del. Dhe edhe përballemi me një mori ngjarjesh  e informacionesh të tjera që na ngacmojnë e turbullojnë emocionalisht. Themi na “mbyti” interneti,facebook-u dhe mbase jemi  disi të detyruar  të hedhim kokat nëpër  këto strehëza teknologjike që hiç se dijmë se ç’dëme ose ç’fitime, kemi nga to. Dikush përmend klikimet si mundësi përfitimi, e shpjegimpështjellimi  vazhdon se s’di se kjo a vlen edhe për Kosovën, duke përmendur “gam gam style”. E varet se si  dijmë  e për çfarë i përdorim. ”JMB;’Ë/VBRTYHNB U 5EDDTXC FETDTF7FDMCGBDTJK”. Derisa përsias filozofiko-retorikisht kështu djali im i vogël gati trevjeçar shkon dhe e heq  mbushësin e telefonit dhe derisa unë shkoj ta vë mbushësin në rrymë  e telefon ai vije dhe hedh “ formulën” që e vura në thonjëza. Dhe edhe një herë i kthehem kësaj që fillova të thoja e që e lashë dhe siç duket s’do ta lë më në stilin nise-bitise…Si çka po ndodh sot në Gjakovë, protesta fillon e përfundon, çka do të ndodh me 17 janar (datë që na sjell ndërmend vdekjen e Skënderbeut, vrasjen e vëllëzërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, datë që po thonë e vazhdimit të dialogut në Bruksel me ndërmjetësuesen në mes), në Preshevë me lapidarian e UÇPMB-së, çka u tha e po thuhet  për “Agimit të artë”, për fyerjet që na bëri e siç e tha një historian, grekët s’kanë heronj e për këtë mundohet që heronjtë e kombeve të tjerë t’i  përvetësojnë. Dikush i tha “Agim i Th(artë)” e dikush “Agim i zi”… Sa janë të sinqerta deklaratat e këtij apo atij e sidomos të njerëzve pushtetarë për bashkim kombëtar. Nga shoku im facebooku lexoj një poezi që nuk ishte menduar të shkruhej si poezi, siç na njofton vetë autori Ismet Januzi i cili pak a shumë kështu thotë: se ashtu siç jemi duke vrapuar për të festuar do të jemi ne ata të njejtit që do të vrapojmë për ta mbrojtur Pavarësinë e flamurin, kudo, në çdo kohë.  Derisa shumëçka po zihet, shumëkush për shumëçka po  pyet si për shembull: Pse Rudina Xhunga shkroi shkrimin(për të cilin reaguan ata që reaguan duke e quajtur me të drejtë (sh)krim turpërues sepse fjalët  e saj janë lëshuar, në stilin e Dick Martit e Karla del Pontes, për të kërkuar falje edhe shqiptarët ndaj një armiku pushtues, ): “Serbi afër teje”  dhe pse Nexhmedin Spahiu i doli në mbrojtje me shkrimin e tij (Shkrimin e Rudinës e quan dinjitoz dhe pos tjerash thotë: ” Prandaj, Rudina përpiqet të dëshmojë se jo vetëm serbët u kanë “hipur” shqiptarëve gjatë historisë, por edhe shqiptarët u kanë “hipur” serbëve me raste) : “Rudina Xhunga dhe dallimi Kosovë-Shqipëri”.

Ditët vijojnë e mediet vazhdojnë të na  “bombardojnë” me shumë të ngjara, që ndodhin, sajohen, inskenohen.  Për shkuarjen e Adem Demaçit për t’u uruar serbëve Kërshëndellat, por dyert e kishës së Prizrenit të mbyllura për të. Demaqi do të provoj dhe dyer të manastireve të tjera dhe në ndonjërin nga ta do të ngre një dolli. Çka shohim e çka dëgjojmë tjetër. Se Policia e Kosovës  që ishte duke siguruar shefin e Zyrës së Serbisë për Kosovë, Aleksandar Vulin, ka arrestua nëntë truproje të tij, shkaku i mbishkrimeve në bluzat e tyre. Dhe lajme, informacione, lajme,informacione, lajme të (pa)konfirmuara, që lënë nën hije njëri tjetrin. Po shohim e po dëgjojmë se ku po kërcet e ku po pëlcet. Ku po ushëtinë e ku po shpërthen. Ku po vetëtinë e ku po bubullinë. Rrufetë në qiell të kthjellët e në qiell të vranët ku e mbi kë po bijnë… Me çka ta përfundoj këtë përsiatje të radhës  që mbase është një shenjë dokumenti sa për të thënë diçka e që  mund edhe të themi për të sikurse për marrjen e ndonjë diploma se ta lë aty se s’kërkon të ha e të pi…me ndonjërën nga thëniet a me lutjen Faik Konicës, duke përmendur shkrimin e tij “Shqipëria dhe turbullimet e Ballkanit” apo intervistën e Hysamedin Ferajt: “Vetja jonë ka ikur në drejtim të panjohur”, apo…



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora