Mendime
Enkol Gjëlliqi: Perëndimi i një partie
E enjte, 20.12.2012, 08:01 PM
ÇASTE NGA
PERËNDIMI I NJË PARTIE
(përgjim)
NGA ENKOL GJËLLIQI
- Ky që
sapo mori fjalën është i biri i saj, ndërda kjo vetë është e bija e atij që e
grushtoi partine për vdekje – i tha Rrapushi Demushit, në çastin kur skandali
po shpërthente me erë m…
- Mbylle ore shk… m… se ta tregoj unë tash të birin e saj e të bijën e tij – me zë paksa të ngritur iu ngërmua Çaushi.
Që në
frazën e tretë të folësit në fjalë (të birit të së bijës së atij që e kishte
grushtuar partinë për vdekje) debati mori kahjen drejt debaklit, për të
përfunduar në shkapërderdhje të partisë, duke vulosur në faqet e kronikës së
fundit të historiatit storiet e përmbushura me sharje, shpifje… me eshtëra të
thyera e me fluska gjaku.
Mikrofonat
e shërbimeve tona kanë regjistruar të gjitha sharjet e shpifjet, të gjitha
ofshamat e klithjet, por ekspertët tanë, të frikësuar nga esgtërat e thyera e
nga fluskat e gjakut, shumë nga mikrofonat dhe audio e video shiritat i kishin
harruar – të përziera me eshtërat e thyera dhe me copat e inventarit të
shkatërruar të selisë së partisë.
Kryetari,
i cili mezi kishte shpëtuar i gjallë, në intervistën më të vështirë të
karrierës së tij politike, ndër të tjera tha: “Zonja e shoqe dhe zotërinj e
shokë! Me fajin e gazetarëve të çoroditur dhe me pabesinë e këtij populli
injorant që nuk ana i dha votat, rrathët e brëndshëm dhe të jashtëm të partisë
sonë pëlcitën, dhe papritmas përjetuam fundin e një tradite të një politike
internazionaliste. Në të vërtetë, ky është fundi i një tradite të një partie me
emër, por kurrsesi fundi i politikës sonë internazionaliste e largpamëse – deri
në Athinë e në Beograd dhe deri në Moskë e në Pekin. Anëtarët e partisë që sapo
perëndoi do të shpërndahen, për të vepruar denjësisht, nëpër partitë simotra,
kurse unë vetë do të avancohem në trupin drejtues të internacionales. Pas një
kohe do të piqen kushtet, me përmirësimin e rrethanave të brëndshme e të
jashtme, dhe ne do e ribëjmë partine, me emër të ri dhe me përbërje të re
anëtarësh dhe kuadrosh politike. Unë do jem prapë ai që do e drejtoj timonin.
Edhe ky shk… populli do mbushet mend e do na i japë votat, kështuqë do e bëjmë
një severi internazionaliste dhe do i vëjmë rregullat tona politike e
qeverisëse, sipas kërkesave të partnerëve tanë internacionalistë. Kam edhe shumë gjëra për t’i thënë, por… “.
Pas
mbarimit të kësaj interviste u shkaktua edhe një rrëmujë dhe humba edhe notesin
tim, kështuqë këto që i shkrova janë të gjitha që mbajta në mend nga mbledhja
e fundit e shkatrrimtare e partisë që deri dje ishte në pushtet, mbi kurrizin e
popullit.