E premte, 26.04.2024, 04:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Afresku poetik i feminilitetit

E enjte, 13.12.2012, 08:20 PM


Afresku poetik i feminilitetit

Rreth dy përmbledhjeve poetike “Protobernzat e shpirtit” dhe “Dashuri engjëllore” të poetes Deshira Haxhi

Nga Hyqmet Hasko

Deshira Haxhi, autore e dy përmbledhjeve me poezi, “Protobernzat e shpirtit” dhe “Dashuri engjëllore” të mirëpritura nga lexesi dhe kritika, është një zë poetik i veçantë, me një tematikë të përveçme, ku spikat një lirizëm spontan dhe figuracion i pasur, me një teknikë të zhdërvjellët të përcjelljes së imazhit dhe të mesazheve të saj estetike.Ajo e përvijon individualitetin e saj poetik në vijim të traditës më të mirë të asaj lirike, të ëmbël e të ngrohtë, fine e të magjishme, që vjen që nga Lasgushi ynë i madh, mbreti pa krorë i lirikës shqipe, e vijon deri në kohën tonë, në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare të shkrimit poetik. Në vëllimin poetik “Protobernzat e shpirtit” ka një dehje të poetes me fjalën e ëmbël dhe kumbuese poezi, një raport midis reales dhe transhendentes, midis unit dhe jashtësisë, midis të ndodhurave të autores dhe përditshmërisë sonë, të ngarkuar me mall, trishtim, idil, vetmi dhe kërkime të pareshtura në shpirtin e së bukurës. Këto vizatime pasurohen në spektrin e ngjyrave dhe linjave, toneve dhe imazheve në librin e dytë të poetes “Dashuri engjëllore”, ku ka një prirje të autores drejt filozofimit dhe abstragimit poetik. Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell kjo poete, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve. Poetja “luan” me gjërat, në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë përditshmërinë dhe raportet e saj me veteveten, me unin dhe jashtëunin, me ata që e rrethojnë, duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, ku ajo gjen trajtat dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë. Fryma e poezisë së Haxhit është një frymë fenminile, një natyrë e pastër, kurajoze për t’i vështruar gjërat në sy dhe në thelbin e tyre filozofik, plot lëng dhe ngjyra të gjalla jete, ku përvijohet përvoja më e mirë e traditës poetike shqiptare, por dhe thyerjet e saj, moderniteti si një cilësi në rritje, sidomos në kohën tonë, kur nuk ka më pengesa jashtëletrare për shkrimin e poezisë së vërtetë. Haxhi shpalos në aktin e saj poetik një jetë në kërkim të vlerave dhe dimensioneve më të pastëra e më të qashtëra të qenies njerëzore, duke krijuar rrathë koncentrikë që priten në një pikë, në dashurinë e saj për të bukurën, për shpirtin e lirë dhe të dashuruar me dimesionet e gjithçkaje për të cilën ia vlen të jetohet e të sakrifikohet. Autorja shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit, përdor vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, por herë herë dhe të lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në cfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta). Deshira Haxhi, siç dhe thamë diku shkarazi, ka në themel të aktit të saj poetik unin si protagoniste lirike, marrëdhëniet e këtij uni me botën e jashtme që e rrethon, me kohën dhe bashkëkohësin, me problematikat sociale, etike dhe ekzistenciale, me të cilat ballafaqohet në rrugëtimin e saj poetiko-filozofiko-metafizik. Ajo lot si me tekstin e drejtëprëdrejtë, si komunikim direkt, ashtu dhe me fjalët dhe stilemat simbolike e parabolike, që përdor për të hyrë në raporte “të fshehta” me lexuesin, duke shprehur në mënyrë nëntekstuaale, pra me anë të të nënkuptuarës kodet e shpirtit të lirë. Poezia e Haxhit është një poezi mozaik, ku enumeracioni, zhvendosjet e gjendjeve në kohë dhe hapësirë, kërkimet spontane e të vetvetishme në dukuritë që ajo i njeh mjaft mirë, janë pjesë e kameras së saj vëzhguese e interpretative poetike. Ndoshta e veçanta e artit poetik të Haxhit ka të bëjë me përjetimin e thellë që ajo i bën gjendjes poetike, me llavën që i zien nga brenda dhe nuk mund ta lerë pa e nxjerrë jashtë, në sipërfaqe, në strofa dhe vargje të ndjerë, që bëhen mesazhierë të kredos së saj. Në këtë shtrirje zë vend sa, bie fjala, Gjirokstra, vendlindja e trazimeve të saj, aq miti i Doruntinës, malli dhe idili i kohëve të ikura, që tani e ia trazojnë shpirtin si kujtesë, himni i heshturi dëshirës, bota e fjetur dhe përndjeksja dhe vrasësja e stuhive, etj. Jetojmë në pritje!Dritën kërkojmë hijeshsi të ish' jeta një drejtëz,pa ditur ku do arrijmë...Poetja e shkrin në një ndjeshmërinë e saj feminile, me ngjyrat dhe dehjet e natyrës, me gjendjet dhe peizazhet lëvizëse, gëzimin fërfëllitës të barit në pranverë dhe dhjetëra gjëra të vogla, që e rrethojnë, duke ia bërë jetën më të bukur dhe më të plotë. Dëshira Haxhi nuk i njeh pozat dhe shtirjet, por thjeshtë e me një ndjeshmëri spontane, me shqetësimin e natyrshëm, që ia mban ndezur llambushkat e shpirtit, na shetit nëpër një gjeografi të thyer stinësh dhe kohësh, gjendjesh emocionale dhe përjetimesh, kujtesash dhe historishë. Ajo të befason me çdo varg e strofë, të mrekullon me çdo poezi, me fuqinë dhe magjinë e figurës, me lirshmërinë e paraqitjes së situatave poetike, me saktësinë dhe origjinalitetin e gjetjeve, me rrezonancën e fortë që përçojnë mesazhet dhe filozofia e artit të saj poetik. Leximi i poezisë femërore, kur ka brenda sharmin dhe feminileitin, siç ndodh me peoznë e Deshira Haxhit, të zgjon kënaqësinë e një zbulimi të bukur, ku parakalojnë ndjesitë dhe përjetimet më fine, të përcjella me një sharm të veçantë estetik. Poezia e Haxhit bën pjesë në poezinë e re shqipe që shkruhet nga femrat më të talentuara të brezit të saj, një brez vërtet i veçantë, që shkruan jo me me fjalë, vargje e strofa, por me pejëza shpirti, duke pasur si kryefjalë të aktit poetik dashurinë, dashurinë me shkronja të mëdha, në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale, që nga gjërat e imëta e të vogëla që na falin dhe iu falim përkujdesje e dashuri çdo ditë, gjer tek më të mëdhatë e më sublimet, që fisnikërojnë e shenjtërojnë jetën e secilit prej nesh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora