Faleminderit
Don Lush Gjergji: Nobelistja Shqiptare e Paqes - Nëna Tereze (1979)
E hene, 10.12.2012, 07:00 PM
NOBELISTJA SHQIPTARE E PAQES - NËNA TEREZE (1979)
NGA DON LUSH GJERGJI
Jubileu i 100 – vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë,
çlirimit të Popullit tonë nga sundimi shekullor turko-otoman, është një
“infuzion” i gjakut të ri në krijimin e përcaktimeve dhe bindjeve historike dhe
aktuale. Bota shqiptare disi është
“lëvizur” gjithkund, si në trojet tona, ashtu edhe në diasporë, nëpërmjet
botimeve, promovimeve, seminareve, simpoziumeve, akademive, koncerteve dhe shumë
veprimtari tjera, që kishin një synim të përbashkët gjithëshqipat: njohjen e së
kaluares gjatë këtyre 100 vjetve, të figurave që kanë kontribuar për të tashmen
dhe për të ardhmen tonë.
Një vend i spikatur dhe i pamohueshëm i takon edhe familjes
Bojaxhiu, sidomos Kolë Bojaxhiut, i cili përpos bamirësit, ndërtimtarit, tregtarit,
ishte edhe patriot i dalluar në disa fushëveprime: në ndërtimin e Teatrit të
Shkupit, në projektimin dhe finansimin e hekurdhës Shkup-Kosovë, në përkrahjen
e shkollës shqipe pranë famullisë së Zemrës së Krishtit në Shkup, në
bashkëpunimin e ngushtë me Imzot Lazër Mjedën dhe me atdhetarët e shquar dhe të
dalluar për liri dhe pavarësi, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Sabri Qyrtezi e shumë të tjerë.
Kujtimi i marrjes të Shpërblimin Nobel për Paqe të
Nobelistes Shiptare - Nënës Tereze, saktësisht në ditën e sotme, më 10 dhjetor
1979, pra, para 33 viteve, është një ditë e madhe dhe e bekuar për të gjithë
Shqiptarët, sepse Bija-Motra dhe Nëna Tereze është e para shqiptare Nobeliste e Paqes.
Kjo befasoi
botën atëherë, sepse shumë njerëz pyteshin: çka ka bërë Nëna
Tereze për paqe në botë?
Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin
e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulurë, për njerëz që ishin
të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër. Ajo
veçmas ishte në mbrojtje të jetës së fëmijëve të palindur, si dhe të atyre që
tashmë ishin në buzë të vdekjes.
Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënës Tereze për paqe nga
“Katedra e Paqes” në Oslo:
·
“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.
·
“Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.
·
“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.
Dhe vazhdoi kështu: “Në
botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urretje, mjerim dhe mu për këtë duhet të
fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim... Dashuria lind në familje,
sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka... Kur
marrë në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai
kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i
padëshiruar, i padashur, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Ky lloj
varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në
mes të këtyre nejrëzve... Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë
vuajtje të njerëzve... Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tejtrin me buzëqeshje,
sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë...”. [i]
Një kënaqësi
plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës
së mjerimit, ajo e cila vërtet kishte merituar këtë titull të lartë, e cila
ishte flijuar dhe dhuruar për të mirën e të gjithëve pa asnjë dallim apo
përjashtim kombëtar, racor, gjinor, kastor apo fetar.
Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për
marrëdhënie me Kishë dhe për Shkollim, ndër të tjera dëshmoi: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here,
vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe t’i jipet
bamirëses së njerëzimit... mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit,
sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin
të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe
nevojat e tij... Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë... Nëna Tereze
është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë...”.[ii]
Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, dr.
John Sannes-i, në aereoportin e Osllos, gjatë përcjelles së Nënës Tereze për kthim
në Kalkutë, ndër të tjera theksoi:“Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka
marrë Dhuratë: ne apo Nëna Tereze? Ne i falënedrojmë asaj, që e ka pranuar këtë
Shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të
lartë... Qysh tani lypset menduar për kandidatët e vitit të ardhshëm. Mbas
Shpërblimit të Nënës Tereze do të jetë mjaft vështirë ta gjejmë një personalitet
të dimensioneve të ngjashme si Nëna Tereze...Më mirë dhe më thjeshtë do t’ishte
që ajo prapë ta fitonte këtë Dhuratë” (këtë e tha duke qeshur, ndoshta si
mahi, vr. ime).[iii]
Nëna Tereze e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të
varfërve, për t’i ndihmuar të varfërit ndër më të varfër, duke vërë në qendër
të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe
NJERIUN.
Kështu kishte dëshmuar para mbarë botës se “ Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të
ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufinjve të kohës
dhe të hapësirës, të nacionit dhe religjionit, të kasteve dhe të ngjyrave...
“Recepti” i
Nënës Tereze është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, i mundshëm dhe përshtatshëm
për çdo njer: “Punë të vogla me dashuri
të madhe”.
Dhe në mbarim më lejon “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëjë edhe juve pjesëmarrës
të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori
1979. Isha në përcjellje të Imzot Nikë
Prelën, ipeshkvin tonë /1918-1996/. Dolëm për ta pritur Nënën Tereze në
aereoportin e Osllos. Me Nënën Tereze ishte edhe vëllau i saj, Lazër Bojaxhiu,
dhe bija e tij, Age lind. Bojaxhiu-Guttadauro. Pra, një familje e vogël
shqiptare.
Kur na pa dhe u përshëndetëm, me shumë befasi, na pyeti
kështu: “A keni ardhur këtu vetëm për
mua?”.
Imzot Nikë Prela, në stilin e tij hokatar, i tha :”Jo,
por kemi ardhur për t’i parë bukuritë
natyrore rë Norvegjisë”.
Nëna Tereze, e gëzuar, me sy të përlotur, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si
t’kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të
mira!”.[iv]
Ndër temat që i shtronim në biseda të gjata dhe të
përmallshme edhe në orët e vona të natës, ishte doemos edhe çështja kudo në
botën shiqptare, Kosova, mbi të gjitha Shqipëria.
Ja përgjigja e Nënës Tereze: “Unë nuk di çka të them, sepse nuk di çka ngjanë atje. Një gjë vetëm e
dijë: UNË MUND TË THEM VETËM SE LUTËM
SHUMË PËR SHQIPËRINË, QË ZOTI T’IU JEPË DRITË PËR TË PARË SE NËSE DËSHIROJNË TË
JETOJNË NË PAQE, ATËHERË DO TA DOJNË NJËRI-TJETRIN...”[v]
Gjatë Konferencës për shtyp ajo ndër të tjera tha dhe e
shkrojiti me dorën e saj në gjuhën shqie: “UNE GJITHMON E KAM NË ZEMËR POPULLIN
TEM SHQIPTAR. SHUM LUTI ZOTIN QI PAGJA E TIJ TË VJEN NË ZEMRAT TONA, NË GJITHA
FAMILJET TONA, NË GJITH BOTËN. LUTUNI SHUM PËR FUKARAT E MI – DHE PËR MUA DHE
MOTRAT E MIJA.
UNE LUTEM PËR JUVE.
M. TEREZA BOJAXHIU”, OSLO; 10/12/79.”. [vi]
Në pyetjen time: “Çka
domethënë së pari për Ju, për motrat Tuaja dhe për të varfërit Shpërblimi Nobel
për Paqe?”
Nëna Tereze tha: “Për
mua dhe motrat tona asgjë posaçe, asgjë s’do të ndryshojë në Shoqërinë tonë.
Kjo Dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë,
janë vetëm për të varfëritë tanë... Kjo është si një kontribut i madh i paqes,
sepse tekembramje sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishmet për paqe...Pa dashuri nuk do
të kemi kurrë paqe.”[vii]
Nëna Tereze
pa dyshim është ajo që pas Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, e bashkon
shpirtërisht dhe kulturalisht kudo popullin Shqiptar, është Ambasadorja e
historisë, traditës, kulturës, me shekuj edhe fesë tonë të përbashkët.
Për ne ka rëndësi të madhe jo vetëm nderimi, falënderimi, dashuria ndaj Nënës
Tereze, por nëpërmjet jetës dhe frymëzimit të saj, zbatimi i dashurisë për
njëri-tjetrin, apo si shprhej ajo bukur: “PËR ZOTIN DASHURI dhe PËR VËLLAUN NJERI”.
Sivjet, në 100 vjetorin
e Pamvarësisë së Shqipërisë, duhet falënderuar së pari Zotin, për mbijetesën
tonë shumëshekullore, për batica dhe zbatica që patëm, për gjithë ata që janë
flijuar dhe dhuruar për të mirë tonë të përbashkët historike dhe aktuale.
Nëna Tereze thoshte: “JEPE PJESËN MË TË MIRË TË VETVETES“, e ajo është kujdesi,
nderimi, falënderimi, frymëzimi, dashuria, zemra, që na bënë të lumtur së
bashku me të tjerët dhe për të tjerët.
Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës,
Nobelistja Shqiptare e Paqes - Nëna jonë
Tereze!
Qendra për Arsimim dhe Këshillim Profesional “Gjon
Nikollë Kazazi”, Gjakovë
[i] Gjergji dr. Lush, Nëna jonë Tereze, botimi
i dytë, Drita, Ferizaj, 1990, fq. 201-205; Më gjerësisht lexo fjalimin e Nënës
Tereze në Oslo, 10 dhjetor 1979, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe,
fq. 196-205.
[ii] Po aty, fq. 213.
[iii] Po aty, fq. 213-214.
[iv] Gjergji dr. Lush, vep. e cit. fq.
208.
[v] DRITA 12/1979, fq. 8; Më gjerësisht
loexo: DRITA, Po aty, fq. 1-9.
[vi] Po aty, fq. 9.
[vii] Gjergji dr. Lush, vep. e cit. , fq. 290.