Faleminderit
Fritz Radovani: Lukë Kaçaj - Fisniku i Bajzës
E premte, 16.11.2012, 07:59 PM
LUKË
KAÇAJ
SHKAMBI I
DALTUEM, QË RA PREJ BJESHKËVE TË NÊMUNA
Në 100
vjetorin e Pavarsisë…
Nga Fritz RADOVANI
Bajza e
Kastratit të Shkodres, me 24 Shkurt 1924 i fali artit shqiptar një shkamb që
pat daltue prej Atyne Bjeshkëve të Nêmuna, ku kanga me “Lahutë” nuk ka kurrë
mort! Ky filiz i njomë i lemë në një shtëpi malesh kreshnike me emnin Lukë
Kaçaj, do të rritet e do të bahet lis sa bota e qytetnueme me na e pasë lakmi.
Lukë Kaçaj fëmijë i kushtohet Urdhnit të Fretenëve të Vegjel, dhe vjen në
kolegjin e Françeskanëve të Gjuhadolit në Shkoder, ku do të ndjekin edhe
mësimet në Liceun “Illyricum”... Mjeshtri i madh i muzikës At Martin Gjoka,
asht Ai që i vuni shenjën e muzikës në ballë djaloshit të rij nga Alpet që me
ujin e burimeve të tyne i sollen artit Shqiptar një nga figurat ma të
spikatuna, që zani i Tij do të mrekullojë edhe Boten...
Nen
kujdesin e At Filip Mazrrekut, një tjeter frat i telentuem, Luka do të mësojë
me luejtë në armonio, organo dhe vjolinë. “Ato vite Ai i kujtonte si kohen ma
të bukur të jetes së Tij”, ka shkrue në një monografi të shkurtë nxanësi i Tij,
muzikologu dhe artisti i njohun Loro Sata, të cilit i jam referue per me shkrue
këta pak rreshta per të Madhin Lukë Kaçaj në këte 100 vjetor.
Në vitin
1946, kur po permbytej mbarë Shkodra nga komunizmi, At Mati Prennushi thrret në
Kuvend baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e bahet ma e rrezikshme per
xhakoj ashtu si per ne, prandej merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë
ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë
të mbyllet nga komunistët..” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, në
prezencen e At Konrrad Gjolaj, në vitin 1996, në Shkoder).
“Kjo
këshillë e At Matisë dhanë babës tim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në
1946” thonte Luka me mirnjohje... Ndonse, veshtirsitë e jetës Lukës nuk iu
ndanë asnjëherë.
Luka
niset per Tiranë porsa hapet Liceu Artistik. Komisioni i pranimit mbetë i
habitun nga pergatitja kulturore muzikore e Lukës. Pranohet në 1947 në
orkestren e Radio Tiranës, por mbas dy muejsh pushohet nga puna si “ish nxanës
i françeskanëve”, dhe shkon hamall në një magazinë në Yzberish. E ndihmon
kompozitori Kristo Kona, aso kohe deputet, tue e angazhue me korin e
Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me
njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe
në mënyrë të persosun gjuhen amtare, tue i vue në perdorim të vazhdueshem me
leteratyren botnore dhe kryeveprat e saja ma të njohunat, si pasojë e studimeve
fillestare, në vitin 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në
konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., me një grup muzikantësh shqiptarë.
Luka
paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit
u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”...E nuk do të vonojë kur
Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka
i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue
mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten.
Në një
turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të
gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj
Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i
Rosinit, ku populli moskovit e pershëndeti “tue e krahasue të një niveli me
interpretimin e Shaljapinit, po në atë skenë”.
Në vitin
1966...Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!
Luka
gjithnjë shihej tue i ba një pyetje vetes: “Mos vallë... ky asht fundi im...!?”
Parandjente
até që do të ngjiste me 28 Maji 1973...kur sigurimi i shtetit do ti vinte
hekrat në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve
të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të
popullit arrestohet si armik i tij...”
Lukë
Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e
terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e
pafajshem të vetin, por denimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5
vjet heqje lirie...Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At
Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij
“Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Nuk munguen as dishmitarët...
Ana,
zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.
Luka u
lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978, per të vazhdue dënimin e Tij në burgun
e “madh” me të gjithë popullin shqiptar. Artisti i Madh ishte pa punë. Dyert ishin
të mbylluna! Një ditë një shef kuadri “zemermirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe
per ty, vetem hamall...”
Luka
tregonte: “Vetem në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe
buken per vete dhe per Anen...Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dermonte
shpirt e zemer!”
Vazhdoi
disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë... Në vitin 1988, e bukra Ana, që
nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të
saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun
në Botë, me sy të ngulun tek Luka!
Me 7
Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të
Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen
praninë e Tij.
Luka me
të vertetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës,
tue i dhanë edhe vlerat e veta malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka
ishin pjesë nga jeta e Tij.
Në kjoftë
se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja
Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me
rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturen shqiptare Europjane,
që ra e u ba ortek nga majet e Atyne Maleve e që na i thrrasim Bjeshkët e
Nêmuna, e ...
Ky vigan i pavdekshem ishte Lukë Kaçaj...