E premte, 26.04.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Dy net burg me Pano Taçin

E premte, 14.09.2012, 08:28 PM


DY NET BURG ME PANO TAÇIN

Nga: REMZI SALIHU

1.

Koha ngulmon me trashëgiminë e të mirës dhe të shëmtuarës, dhimbjes dhe qejfit të ngushtuar në heretizëm. Detyrimi ndjenjës shpërthen guximshëm papandehur në kërkimin e shpresës humbur. Ferri e shpie larg në vetminë e neurozës së historisë së përhumbur nëpër kohë, në burg. Fluturimi imagjinar i dëshirës së tij thyen grilat e intimes personale. Del prej vetes, pastaj hynë përsëri thellë në vete. Ateron stoikisht në qiell të hapur me pak dritë sfond, në kërkim të lirisë, në kërkim të dashurisë. Kurse në anën tjetër të medaljes së zymtë të jetës sistemi ulurin, hingëllon ose dënon, apo paditë në tollovi njeriun për njollosje të sistemuar. Hapësira gri vë zinxhirët e njëmendësisë dhe trupëzon forcën e regjimit të ashpër në kohë. Përditshmëri e sëmurë me skenë për psiko- patologjinë e Frodiane. Civilizimi si fuqi e autoritetit bashkëkohorë bën kërkesat e veta me ashpërsinë e bindjes kolektive. Drita përmbytet në errësirë. Prania e individit zverdhohet në neveri. Humbëtirë shoqërore shpërlahet brenda sojit të vet njerëzor. Grinden fshehtësitë e shpirtit me realitetin e vrazhdë të vetmisë. Rrugëtimi i hijes së qenies acaron bindjen e ekzistencës së vet në distancë, kurse  “blerim i thinjur” mbulon stinën e ikur me fjolla të bardha ëndrrash të pa realizuara nëpër vite të ikura padiktueshëm. Tragjik në jetë, por i pa përkulur në qëndresë. I pa diktuar gjatë kohë nga “vdekja e paguar” në terr shfarosës. Sfidim situate me muskujt e durimit. “Sa pak qiell” sa pak frymëmarrje për shtegtime të gjata. “Pani Plak” me dromca lirikash të tetuazhuara nëpër trup. Vezullon si siluetë nëpër dejtë e meditimit të çiltërt. Bagazh i rëndë motesh ia gërvishtin fshehurazi “shpirtin e zbathur” nëpër brigje të plaguara dallgësh të quajtur det jete të ngulfatur. Lë gjurmë ekzistimi të një përjetësie arti të mësuar nga tradita. Tabuti prej letre vendstrehimi i përhershëm i tij. Pak zhurmë, pak ritëm në simfoninë intime të çasteve të preferuara për dashuri. Mban peng prirjen e helmuar me narkozë të gjatë letrare. Në mëngjes, në mbrëmje nëpër kontejnerët e metaforave kërkon praninë e ekzistencës. Në asonancë i aborton koha e kufizuar nga mbarsmi i çiltërsisë së fjalës së thënë. Vargjet lindin spontanisht në metrikë. Në stacion “orgazmash” ngjizen motivet e rralla të frymëzimeve. Detyrimi bëhet normë e kurorëzuar në lirikë. Në “Muzg” lirohet nga vetmia, por burgoset në agim detyrimisht me shpirt të ndezur nga vargu e poezia. I pa kursyer në gjuhë dhe shprehje, Vargu intimes së tij “ Flokë në terr” të kallur, që mbanë gjallë  bukurinë dhe“hukamën e venusit në humnerën e thellë të përjetimit  “lakuriq”, në art poetik të realizuar mjeshtërisht. Me çiltërinë e shpirti krijon  “del-arin” e ndritur të guximit të përkushtuar për sakrifica. Ankthi i vetmisë së madhe nuk e përkul, As lakmitë urbane nuk ia burgosin dëshirën dhe shpresën, për shtegtim të mbarë në qiell të ndritur si hokatar, në bar nate. Ndjenja kureshtare i shpalonte kërkesa të mëdha, por kurë nuk tregonte urinë për diçka të munguar nga jeta. Qëndronte vertikalisht me motivet e gjetura në aurën mbrojtëse të dashurisë.

2.

Vene hiç nga kujtesa informacione të gjithanshme, me pak mundësi lirie për disa çaste në shpirt koha ndalet. Ndalet në zenitin e kujtesës, bashkë me ngjarjet që na rrethojnë. Njeriu ndërron vendin, del prej guaskës burgosur të  mërzisë,  për të lëçitur përtacinë e ditës së bezdisshme nëpër grila, ndërron kërkesat e veta kundrejt gjërave të tjera fantastike. Noton në dëshirën e kallur rinore nëpër çastet vijuese brenda realitetit dhe mendimit të imponuar nga rrethanat e kohës. Për ta vrarë monotoninë e dehur në tmerr ndërkëmbëzash e grilash të kurdisura nga intrigat dhe shpifjet e imponuara nga të tjerët, nga mjeshtrit e vdekjes së dhunshme. Hynë i vetmuar me pa përkulshmëri në pasqyrën e ndodhive të shumta. Politika bënte pauzë, poezia merrte frymë lirshëm me freskinë e kohës. Etika e punës ngrin nën “Rrap” afria e “Ashikut” saldohet me mall në oazën  e dashurisë së arsyes . Vjeshta sjell frytin e freskët të fisnikërisë festive përballë fortesave rigide. Merr flakë lirika. Është koha e poezisë  së pakufi. Kohë e grishjeve  të mëdha letrare në sofrën e bujshme të fjalës së gjallë midis poetësh...

Radioja vepronte me pengesa valësh, kanalet nuk kuptohen, jehona e frekuencave të stacioneve të pa qëlluara ishte e largët. Tingujt vinin të përçartë nëpër dhomë. Artikulimi i harmonisë ishte në shënjestër të kakofonisë së imponuar pa dëshirë. Nëpër grila të kufizuar mendimesh e bisedash dëgjohej vetëm zhurmë  e radios, transistorit të pa kontrolluar brenda katër mureve. Vargjet poetike nuk kanë censurë, kanë tension të lartë ironie. Leximi bëhej pa detyrim të sofistikuar të klisheut  manifestiv tradicional, por përzgjedhja bëhet spontane nga dëshira dhe shpresa e  gjithsecilit, pa kursyer fjalët e lakuriqësuar nëpër visaret urbane të kalldrëmit të Bit Pazarit, për t’i sjellë kësaj mbrëmje lirinë e ligjërimit poetik ...

Pano Taçi do të shohë gjithçka nga bira e ngushtuar e këtij kozmosi të fokusuar në mendje dhe në heshtje, të gjitha do t’i mbajë të burgosura për vete. Ai nuk flet. Një heshtje e madhe brenda mureve. Një panoramë ekzotike e mbrëmjes përshkon kujtesën  e tij. Një personalitet i pa përkulur sfidon kohën e acartë  nëpër historinë  e përmbushur me ngjarje e vuajtje të tejskajshme. Në ballin e tij të ngrysur me rrudha shtigjesh udhëkryqe vuajtjesh të shumta, dhe heshtje e vdekur brenda katër mureve. Përvojë që të shpie në piramidën e artit të veçantë të njeriut që di ta sundojë veten. Një figurë markante e durimit dhe guximit, që sjellë përvojë nga jeta vrazhdësitë e sistemit, ngjarjeve dhe skemave të trishta. Një ditar album ndjenjash  intime shfletohet midis nesh, duke kërkuar rehatinë e shpirtit nëpër vargje, para se të burgoset i arratisur në heshtje dhe gjykim kërkon hapësirë të pa kufizuar mendimi, nga fiksioni i rrethuar me ngjarje nëpër çiltërinë e vargut dhe mendimit të ngjeshur artistikisht shpërthen intimja e pakufizuar nga monotonia e realtetit. Me metaforat dhe krahasimet e tij, me maturinë e vargut dhe bashkë me satirat dhe erotizmin e tij të pa përmbajtur nga fjalët e rralla rrëshqasin spontanisht në ritmin e mprehtë  të ndjenjës së pa fuqishme, në kursim motivesh të “egra” me yndyrë erosi  nëpër unin lirik, duke sjellë veçanti artisti  e këngëtimi  nëpër etapa brishta kohore. Ai ishte dhe iku si njeri i veçantë, iku se “një të mirë s’e pa në këtë jetë”, por duke na lënë një fjalë të çiltër peng:

Do iki siç ikën çdo shpirt

Siç më iku edhe shpirti i nënës,

Çdo natë dal t’ia shoh sytë

Mes syve që i vinin rrotull hënës.

Kritik dhe i pa përkulur nga fenomenet që e trazonin ndjenjën dhe bindjen e tij prej poeti, njeriu, artisti, nëpër realitetin e shëmtuar të kohës. Nëpër cunamin politiko kulturorë të një mendësisë së kufizuar të vërshuar sistematikisht. Befasues me imagjinatën e tij kreative të vulosur e të shkruar nëpër notesët e shkalafitura nëpër xhepa. Hap shtigje temash e motivesh të preferua nga standardi artistik i traditës. Shkoi pas gjurmëve të mësuesit të tij, pas Lazgushit të madh dhe pas frymës së vargut popullor. Solli nga yjet dashuri, për dashnoret nëpër kasollet me intimitet shpirtrash të latuara me besnikëri. Plasoi  nga koha në kohë “vargje të yndyrshme”, me guxim absolut  të të shprehurit të çiltër. Fantazi e madhe e shpërlanë kujtesën e tij. Imagjinatë e frytshme sjell potencën e dëshirave të pa kufizuar që mbron me aurën e saj vagulluese nëpër kërkesat të thella e të fshehta intime. Poetik në arenë, me mallin dhe dëshirën e vet ndërton monumentin intim të lirisë dhe dashurisë  njerëzore. I përndjekur nga regjimi gjithnjë, gjoja se paska pasur sjellje të papëlqyeshme borgjeze, madje paska qenë propagandues dhe njeri i rrezikshëm për shoqërinë, që donte të ikte nga vendi. Helmues i kohës që i sillte zjarr mall e dashuri tek të rinjtë. Madje donte të ikë nga Atdheu që të shpëtojë kokën nga padrejtësitë. U burgosë dhe u internua shumë herë, por mbeti stoikisht gjallë me dashurinë e madhe për poezinë.

Kur u lirua nga burgu u burgos në lirinë e pa liruar, duke mbajtur e mbrojtur distancën e tij nga politika e përhershme në hapësirë dhe kohë. Tetuazhon para syve çdo gjë, që i imponohet në analogji të përkushtuar me sens në të qëndisur në mendje, për të sjellë  ritmin  e shumë nuancave të  “orgazmës urbane” që vibronte me kujdes artistik nëpër damarët e kohës përndjekjesh dhe duke shpërthyer lehtas në intimë, nëpër pore e ëndrra lirie. Prej zhurmës së motorit e deri te lehja e qenit dekorohet metafora e tij artistikisht me një kulturë të madhe kritike të njohjes së rrethit, të njohje së jetës dhe artit.

Poeti  sjell revizion arti me pyetje dhe përgjigje të shumta. Për të shpaluar fshehtësinë e brendshme ndez epshin rinor. Dhe në këtë  lakuriqësi relative hapësire univerzale ngjizen kërkesat intime të njeriut që ka shije për të bukurën. Çdo motiv bëhet një komunikim spontan i salduar me lexuesin dhe kërshërinë e tij. Arratisja nga e keqja është përgjegjësi individuale dhe shoqërore që meditimet të aterojnë lirë në një hapësirë pa kohë e orar . Vetëm përndjekja e shkrimit kurioz e çon autorin  në formësimin estetik të vargut, ku gërshetohen forma me përmbajtjen. Rima me ritmin e akorduar në harmoni të ngjeshur arti. Të gjitha vlerat ekzistuese kanë momente dhe kthesa nëpër etapa të ndryshme kohore. Kjo vërehet më së miri nëpër analizat e ndriçuara të shkrimeve të shumta ekzistuese për poetin. Pamja e larmishme e të gjitha atyre shkrimeve na futë nëpër një kolorit ekspresionist të njohurive të trashëguara nëpër etapa të ndryshme kohore. Me origjinalitetin e krijimeve të tij, poeti Pano Taçi ndërton aurën reflektuese të mbrojtjes së veçantë artistike, si dhe të apostrofimit të shpirtit në piedestal të pa mposhtur rebel., me kërkim të dashurisë së pa plotësuar tërësisht nëpër vite. Tragjik dhe sfidues i së keqes, makabres së dukshme, në terr dite e nate, me tatuazhin e trupëzuar në ndjenjë të apostrofuar njerëzore. Liria dhe erosi i tij janë boshte të shijes së kultivuar në artin e mësuar nga artistë e mjeshtër të verifikuar të poezisë. Pano Taçi qe njëri ndër poetët më skandaloz dhe të vendosur për t’i qëndruar  besnik poezisë dhe dashurisë së tij, ishte Çarls Bukovski shqiptar, që lejonte intervista vetëm nga gratë. Vetëm atyre  ua zhvishte këmishën e fshehtësive të veta të thella, për jetën dhe artin që kultivonte e vërteta.

3.

Pos poezive erotike dhe satirike, një pjesë të vargjeve të frymëzuara ia kushtoi edhe atdheut, të cilin e donte ndryshe nga të tjerët, nga ajo mënyrë e vrazhdë që ia kishin plasuar dhe ndërtuar në ndjenjë sistemi dhe të tjerët. E donte atdheun, siç e donte ai të pa cunguar nga “sëpata e kobit”:

Ah kjo tokë Arbërore

Lis Dodone me pesë dega

Si pesë gishta të një dore

Prerë e ndarë në pesë brenga

 

Ç’sopatë kobi ia krasiti

Lisit degët me pesë copa

Tehun për gjak ja kaliti

Në Berlin, putane  Evropa.

Janë vargje që shpalojnë kuptimin e mirëfilltë të  bindjes së poetit për trojet etnike e të cunguara tmerrësisht nga trungu shqiptar. Truallin Arbërorë e donte ta shoh si tërësi të degëzuar natyrashëm, prandaj brenga e tij e madhe nuk ishte brengë e mall i pa kuptimtë, por një dhembë e tmerrshme që e shqetësonte dhe neveriste nga dita në ditë. Ai nuk donte kufizime shtresash shoqërore nëpër kufijtë e kufizuar e trilluar të truallit shqiptar. Edhe pse i pa strehë për vete, duke jetuar mizorisht në skamje, bile edhe vitet e fundit të jetës i kaloi, si nëpër tendat e romëve, pa një përkujdesje normale njerëzore, por kërkonte stoikisht çati  të fortë për atdheun e vetë, që “putane Evropa” e kishte lënë ngushtë, në këtë formë të kufizuar e të cunguar “kobi”, me pasoja të mëdha politike e ekonomike robi. Të jetosh në vendin më të bukur të Ballkanit, me kushte gjeostrategjike mjaftë të leverdishme për ekonomi, kulturë dhe zhvillim tërësorë shoqërorë, dhe të jesh me standard të kufizuar kushtesh jetësore të skajshme, për këtë etni të ndarë nëpër shumë shtete e skaje, është një kufizim i mbrapsht dhe papjekuri strategjike globale e shoqërore.

Në poezinë tjetër “Populli im vulëhumbur” Pano Taçi do ta qortoj gjithsecilin që shanë popullin e vet, sepse edhe kur gabon, ai ka përherë të drejtë, ngase është populli më i lashtë i kësaj ane të quajtur Evropë. Ja si thotë poeti në një strofë katër vargëshe me rimë të abab kryqëzuar:

Mos ma shani popullin që i bje gjoksit ,

Kujdes, se me kallash t’ju qëllojë s’përton,

Paçka se nga qulli u dogj e i fryn kosit,

Ai prapëseprapë për rrenacakët voton.

Mënyra dhe lloji i diturisë së poetit, ashtu siç ngjizet mjeshtërisht në kuptueshmëri, flet shumë për të arriturat e jetës së re. Bëhet një jetë me çiltërsi të trashëguar. Pa u shminkuar nga klishetë e shumta të traditës. Horizonti i poezive të poetit Pano Taçi nuk është një lëndinë eksperimentale, por është një shtegtim i frymëzuar me vëmendje që i ka sjellë poezisë gjuhën dhe formën e vet të veçantë, me një qëllim e synim, që ato të qarkullojnë lirshëm, pa ndonjë censurë të imponuar nga jashtë. Aty ngjizet një diskurs që përmbledh kuptim emocional të salduar me luciditet të përmbushur me ndjenja dhe mendim të ekzaltuar poetik, që vibron nga dëshira e brendshme për të arritur efekt të caktuar tek lexuesi. Poezia e Panos ka një nuancë trasencendale nga përvoja e të tjerëve. Ai me mjete poetike të përzgjedhura që metaforikisht shpalojnë shpresën  dhe fatkeqësinë e individit të projektuara sipas ndjenjës dhe përjetimeve të veta, pikërisht nga jeta dhe fryma e realtë e njeriut, shoqërisë. Ato në një far mënyre do të shëmbëllejnë si ditar poetik të përjetuara të poetit nëpër etapa kohore. Ai në vargjet e tij mbarështon një gjuhë dhe shprehje të kapshme e të kuptueshme, nga ndonjëherë po thuaj se ato vargje i laton lirshëm edhe me perde të dukshme humori e satire. Ky poet preferonte stilin e vet të këngëtimit, të  ndërtuar me veçanti mjeshtërore dhe me një simbolikë të kapshme e të gjetur për të gjithë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora