E marte, 19.03.2024, 04:13 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Vatranët e Me(xh)zhgoranit të Tepelenës

E premte, 07.09.2012, 07:07 PM


Vatranët e Me(xh)zhgoranit të Tepelenës

(Dokumente historike në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë)

Nga Keze Kozeta Zylo

Të zbulosh rrënjët e të parëve dhe të ecësh në gjurmët e tyre aq patriotike është një nga amanetet që duhet përmbushur...

Ndonëse të ushqyer qysh në fëmijëri me krenarinë e të parëve tanë Mezhgoranas, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer për Kombin, përsëri dokumentimi i disa gjërave tepër me vlerë me kanë marrë kohë për t’i gjetur..., edhe pse ka shumë të tjera që janë ende të pazbuluara...

Ka qenë ëndrra e familjes sime si dhe e shumë shqiptarëve të tjerë për të gjetur të parët e tyre që emigruan në dhera të huaja.

Këtë amanet e kishja marrë me vehte në Amerikë e detyruar të largohesha nga Atdheu në shkurtin e vitit të mbrapshtë të 97-ës.

Ishte amaneti i prindërve të mi për të gjetur gjyshin Hamit Veiz Mexhgorani dhe vellain e tij Muhamet Veiz Mexhgorani (në atë kohë shumica e emigrantëve vendosnin dhe emrin e vendit nga vinin dhe të babait të tyre) si dhe të shumë Mezhgoranasve të tjerë që kishin ardhur për një jetë më të mirë në fillim të shekullit XX, dhe po ashtu të xhaxhait nga nëna Shaban Muharrem Beçishti, nga vendlindja e Ali Pashë Tepelenës.

Nuk ka më emocion dhe një ringjallje të shumëfishtë të dashurisë për etërit kur si në një film të shfaqen 23 veta nga Mezhgorani në një libër kaq me vlerë, kaq historik siç është Kalendari i Vatrës i motit 1918, të cilën e botoi Federata Pan shqiptare “Vatra” e Amerikës dhe e editoi At Fan S. Noli.

Në Kalendarin e Vatrës të motit 1918 m’u shfaqën si në një ekran 23 Mezhgoranas dhe unë e magjepsur si mbesa e tyre iu putha duartë me radhë gjyshërve zemërzjartë, vatranëve mezhgoranas si: Jace Asllan Mexhgorani, Azis Hisen Mexhgorani, Tahir Xhafer Mexhgorani, Hamit Veis Mexhgorani (Gjyshi im), Isuf Fejzo Mexhgorani, Emin Fejzo Mexhgorani, Hysni Jahja Mexhgorani, Maliq Zenel Mexhgorani, Sadik Ismail Mexhgorani, Sadik Shaban Mexhgorani, Ramadan Qerim Mexhgorani, Rakip Maksut Mexhgorani, Avdi Banush Mexhgorani, Gani Myrteza Mexhgorani, Sadik Bajram Mexhgorani, Ali Skendo Mexhgorani, Telha Husen Mexhgorani, Sadik Muhamet Mexhgorani, Saliko Muhamet Mexhgorani, Haxhi Selim Mexhgorani, Muharrem Nexhip Mexhgorani, Rexhep Hajdar Mexhgorani, Halil Zeman Mexhgorani.

Këta emra aq të degjuar për gjithë popullin mezhgoranas, ku shumë prej tyre janë trashëguar nga fëmijët e tyre fisnikë, kishin pasur një folezë të veçantë në zemrat e Mezhgoranasve, një folezë që nuk do të prishet kurrë...

Ata me bujari shqiptari kishin mbështetur kauzën e Fan S. Nolit dhe të Faik Konicës i cili ky i fundit ishte gjak me Ali Pashë Tepelenën për këtë arsye nënshkruante edhe me mbiemrin Konitza-Tepeleni.

Edhe pse e rritur në bukurinë magjepsëse të Mezhgoranit që natyra i ka dhuruar malin lirik të Trebeshinës, Shëndëllinë dhe Golikun për karshi si dhe lumin gurgullues të Vjosës që kalon poshtë tyre, natyrshëm si fëmijë bënim pyetjet si: “Pse gjyshërit tanë u kthyen nga Amerika dhe erdhën në Mezhgoran, duke lënë çdo gjë të mirë që iu ishte afruar atje”?  Menjëherë prindërit tanë na përgjigjeshin se ata e donin shumë Atdheun dhe e kishin mbi çdo gjë, ndryshe në se shumë prej tyre nuk do të ktheheshin vendi do të asimilohej...Fshati ynë nga ajo pasuri që ata sollën ndërtuan më së shumti shtepitë dy katëshe me oborre gjithë lule ku kundërrmonte trëndafili i kuq kërmez, me tavane të bukura, mure me gur të skalitur dhe rrugica me kalldrëme...  O Zot c’kështjella të forta më dukeshin kur në darkë mbylleshin portat e drunjta me çengel të hekurt dhe qentë besnikë bënin roje pranë tyre.   Ndërsa në mëngjes ose në muzg kur kishin mbaruar të gjitha punët shumë prej tyre pinin kafetë pranë sofateve dhe tregonin me nostalgji për histori të ndryshme si dhe për Nolin, ku disa prej prindërve të tyre kishin sjellë libra prej tij, por luftërat, muhaxhirlleku dhe shumë drama të tjera ua kishin djegur dhe vjedhur...

Ndoshta shume prej vatranëve të Mezhgoranit nuk i takova kurrë, as gjyshin tim nga babai, por jetova për disa vite me radhë me Shaban Muçi Beçishtin që ka qenë në Boston, (xhaxhain e nënës sime, i cili e rriti atë, bashkë me katër jetimë të tjerë) një burrë i pashëm, patriot, ish kryeplak i Beçishtit i cili në atë kohë tregonte se kur u vra Avni Rustemi, Fan Noli iu kishte thënë që të vendosnin nga një shirit të zi në krah, në shenjë nderimi dhe respekti për aktin heroik që kreu në Paris duke ja numëruar në lule të ballit tradhëtarit të Kombit Esad Pashë Toptanit.

Vatranët e Mezhgoranit të Tepelenës morën pjesë aktivisht deri në shpalljen e Pavarësisë.  Fëmijët e këtyre vatranëve tregojnë se për të mbledhur fonde për Kombin vinte nga Vatra patrioti dhe poeti intelektual Ramiz Harxhi emigrant nga Gjirokastra ku këta i jepnin pa kursim napolona me flori.  Ai me mirësjellje e kulturë sa here i takonte në kuvende iu thoshte: Na flisni o shqiptarë!  Edhe në Bandën Kombëtare “Vatra” ishin dy mezhgoranas Gani Myrteza Mexhgorani dhe Zeman Mexhgorani, për të cilët Mezhgoranasit tregonin se kur Banda Kombëtare e Nolit kaloi pranë fshatit tonë për të arritur në Kërcyrë u tund gjithë dynjaja, u tundën malet nga jehona e festës së Pavarësisë nën tingujt e egzekutimit të Bandës muzikore ardhur nga Amerika.  Gani Myrteza Mexhgorani është i vëllai i Fehim Bej Mezhgoranit, delegatit të Tepelenës në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, avokat në hartimin e Juridiksionit ligjor në qeverinë e Ismail Vlorës, që e shkëputi atë nga Perandoria Osmane, kryeredaktor i gazetës “Zgjimi” në Greqi, mik i Sami Frashërit, Faik Konicës etj…

Deri më sot disponoj këto të dhëna në lidhje me kontributin e popullit të Mezhgoranit për Vatrën e Nolit dhe të Kombit, të cilët iu përgjigjën thirrjes së Nolit shkruar mjeshtërisht në poemën “Jepni për nënën” nëpërmjet vargjeve si: Ç'thot' ajo e ve e gjorë/ Mbretëreshë pa kurorë/ Faqe-çjerrur/ lesh-lëshuar/ Shpirt e zëmër përvëluar/ Gjysm' e vdekur/ O Shqiptarë/ Nënës mos ia bëni varrë/ Mbahu, Nëno, mos kij frikë/

Se ke djemtë n'Amerikë/.

Duke pare emrat e tyre në Kalendarin e vatrës të motit 1918, faqe 194, si në lidhjen më poshtë:

Kalendari i Vatrës i motit 1918

ndjej krenarinë dhe dashurinë e magjishme të njerëzve që kanë dhënë kontribut për Atdheun e tyre dhe në të njëjten kohë përulem me respekt për të gjithë ata që iu perkushtuan Vatrës së Nolit, për rrjedhojë dhe vatranëve të Mezhogoranit të Tepelenës, ndërsa si pasardhëse e tyre kam obligim për të ndihmuar dhe kontribuar në çështjen kombëtare.

Shtator, 2012

Staten Island, New York



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kozeta Zylo: Bisedë me aktorin Anil Frashëri Kozeta Zylo: Të mëshiron, natyrisht... Keze Kozeta Zylo: Bisedë me nipin e Ilia Dilo Sheperit, z. Eduard Dilo Kozeta Zylo: Dhe rrojnë vdekëtarët... Keze Kozeta Zylo: 4 vjetori i Shoqatës Mjekësore Keze Kozeta Zylo: Zëri i vargut të Ali Podrimes lëshon tinguj qiellorë me fuqi hyjnore... Kozeta Zylo: Vetëm Gjuha Shqipe në Diasporë na lidh me Kombin, siç lidh dhe zhvillon “umbilical cord” bebin me nënën… Keze Kozeta Zylo: Shqiptarët Kuq e Zi morën pjesë gjallërisht në Paradën Internacionale në Manhattan Kozeta Zylo: Bisedë me shkrimtaren ish të internuar znj. Bajame Hoxha - Çeliku Kozeta Zylo: Lamtumirë nga Nju Jorku, Pano Taçi Keze Kozeta Zylo: Udhëtonit ju Hyjnesha… Kozeta Zylo: Kryevatrani zemërzjarrtë, tepelenasi Shefqet Kamber Bënça Keze Kozeta Zylo: Lamtumirë poetit të Kosovës! Keze Kozeta Zylo: Aktivisti i shquar z. Mark Gjonaj shpalli zyrtarisht kandidaturën për në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut Keze Kozeta Zylo: Festa e 7 Marsit dhe 80 vjetori i ditëlindjes së shkrimtarit të shquar z. Naum Priftit Keze Kozeta Zylo: Bisedë me përkthyesin e mirënjohur anglez z. John Hodgson Keze Kozeta Zylo: Kujtimet si fletëz libri Keze Kozeta Zylo: Koncert i muzikës klasike në Manhattan për 4 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqiperisë Keze Kozeta Zylo: Të mjaltat kujtime Keze Kozeta Zylo: Bisedë me poetin nga Vlora z. Dalan Luzaj

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora