E premte, 26.04.2024, 11:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Nderim për Prof. Shefik Osmanin

E marte, 24.07.2012, 08:31 PM


NDERIM  PËR PEDAGOGUN  DHE STUDIUESIN, 

PROF.SHEFIK OSMANI

(Meditim në studion e Radio-Kontakt dhe disa vlerësime kolegësh)

Nga: Prof. Murat Gecaj

1.

Në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të kryeqytetit, u takova përsëri sot me arsimtarin veteran dhe studiuesin Isa Halilaj, “Mësues i merituar”. Po kujtonim së bashku me nderim jetën dhe veprimtarinë e çmuar  arsimore e pedagogjike, me shumë studime e botime të prof.dr. Shefik Osmanit, i cili u nda përgjithnjë nga jeta, këto ditë.

Sakaq, më ra zilja e celularit dhe m’u paraqit e njohura e kahershme e imja, zj. Jolanda Lilaj, drejtore e Radio-Kontakt, në Tiranë. Ajo kishte marrë njoftim për ngjarjen e hidhur të mësipërme dhe na kërkonte të shkonim në studio e të flisnim në një emision të posaçëm, për jetën dhe veprimtarinë e prof.Sh.Osmanit. Sigurisht, ftesën  e saj e pranuam dhe u nisëm menjëherë për atje.

Rasti e kishte sjellë që kjo radio të ndodhet në një ndërtesë disakatshe, ku banon edhe miku im, Isaja. Gjatë rrugës, ne sollëm përsëri në kujtesë vizitën e paradohshme në shtëpinë e prof. Shefikut e takimin aty edhe me bashkëshorten, “Mësuesen e Popullit” Urti Osmani. Me atë rast, megjithëse ai ishte mjaft i sëmurë,  bëmë disa foto së bashku, që i kemi kujtim të paharruar. Gjithashtu, po në atë kohë, me Isanë folëm në emisionin “Dritë e Diturisë”, në Radio-Tirana, ku është redaktore Kozeta Hoxha dhe përgjegjës departamenti, poeti i njohur Jaho Margjeka. Kështu pra, ne ishim të mbushur me mbresa dhe emocione për të folur përsëri për një nga figurat e njohura të arsimit tonë kombëtar dhe të pedagogjisë shqiptare.

Të shoqëruar nga Jolanda, në studion e  “Radio-Kontakt”, Isja dhe unë rikujtuam përsëri shërbimet e çmuara të  prof.Sh.Osmanit, në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Natyrshëm që nuk do ta riprodhojmë  tërë bisëdën tonë këtu, por shënoj se ne u ndalëm në këto aspekte kryesore të jetës së tij:

-Pas mbarimit të studimeve të larta jashtë vendit, ai shërbeu me përkushtim në shkollat pedagogjike, që përgatitën dhe aftësuan mësuesit e ardhshëm, në vendlindjen Shkodër, në Peshkopi e Tiranë;

-U dallua në detyrat e caktuara, gjatë kohës që shërbeu inspektor  në Ministrinë e Arsimit e Kulturës dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, po aty dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor;

-U mor me kërkime, studime e botime të thelluara në fushën e arsimit, në vitet kur  ishte bashkëpunëtor shkencor, në Institutin e Studimeve Pedagogjike;

-Përveç qindra botimeve, në gazeta e revista të ndryshme, publikoi rreth 40 botime të tij, me temë arsimin kombëtar shqiptar dhe pedagogjinë bashkëkohore, ndësr të cilat disa janë tekste mësimore;

-Ishte autor i veprës unikale në Shqipëri, “Fjalori i Pedagogjisë”, për të cilin meritoi “Çmimin e Republikës”;

-Ishtë bashkautor në veprën madhore “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, me kryeredaktor Akademikun Bedri Dedja;

-Dha ndihmesë të pakursyer në redaksinë e arsimit, për veprën e Akademisë së Shkencave të RSH-së, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”;

-Bashkë me Urti Osmanin, ai u dallua në botimet e veçanta dhe punën nga afër, në ndihmë të nxënësve në Diasporën Shqiptare, si në Zvicër, Suedi e tjerë;

-Me tema e referate, ishte pjesëmarrës në simpoziume e konferenca shkencore, kombëtare e rajonale, në Shqipëri dhe jashtë saj, për çështje të arsimit, pedagogjisë e didaktikës shkollore. Por kështu, i ndihmoi studiuesit e rinj për punimet në fushën e arsimit, të cilët më vonë morën grada e tituj shkencorë;

-Edhe në vitet e pensionit, dha ndihmesën e tij të çmuar në kryesinë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, ku mori nismën e dhurimit falas të botimeve të autorëve të ndryshëm, për shkollat e kryeqytetit e më gjerë;

-Po kështu, ishte veprimtar aktiv në Institutin Shqiptar të Mendimit e Qytetërimit Islam, në Tiranë dhe në redaksinë e revistës së tij kulturore-shkencore, “Univers” e tjerë.

-Për gjithë këtë veprimtari të shumanshme, u nderua me dekorata e urdhëra të ndryshëm dhe me titullin “Mësues i merituar”.

Ja, në përgjithësi, këto ishin çështjet, për të cilat u ndalëm, në nderim të prof.Shefik Osmanit, gjatë emisionit kushtuar atij, në “Radio-Kontakt”.

2.

Por, gjithashtu, në këtë emission, ne përmendëm e dëshmuam, se ai ishte njeri i mirë, i afruar dhe i dashur me ish-nxënësit, kolegët e të njohurit e shumtë. Prandaj, ata e pritën me hidhërim ndarjen nga jeta të tij. Këtë gjë e kanë shprehur me mesazhe të ndryshme edhe përmes Internentit. Më poshtë po japim vetëm pak nga mendimet e shprehura:

-Prof. Kolë Tahiri, Bruksel-Belgjikë: “Na erdhi keq pa masë, familjarisht, për këtë lajm të hidhur. Pranoni ngushllimet tona për humbjen e prof. Shefikut, mikut, shokut dhe bashkëpunetorit tonë të përbashkët. Lutem, ua përcillni ngushllimet tona znj. Urti e vëllait, prof.Tomorit”;

-Dr. Ramiz Zekaj, drejtor i AIITC-Tiranë: “Lusim Zotin që ta mëshirojë Profesorin tonë të nderuar, Shefik Osmani! Ai do t’i mungojë AIITC, por edhe kulturës e shkencës shqiptare”.

-Prof. Hamit Boriçi-Tiranë: “Dje e mora në Golem lajmin e hidhur për ndarjen e nga ne të profesor Shefikut! Sot e hapa kompjuterin dhe lexova shkrimin tuaj, kushtuar atij.  Është gjë e mirë, kur i përjetësojmë këto figura të shquara të arsimit dhe të shkencës shqiptare…Ju falënderoj edhe për këtë ndihmesë, vlera e të cilës do të rritet, në kohët që vijnë!”

-Dr.Azis Gjergji-Tiranë: “Lamtumirë, sekretari poliglot i redaksisë së arsmit, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”-2! Ishte një njeri i mirë, mik i dashur, shok i paharruar i bisedave të mençura dhe me humorin e paparë shkodran”;

-Ndue Sanaj-Shkodër: “U nda nga jeta një njeri, në kuptimin e plotë të fjalës. Prof.dr. Shefik Osmani ishte mik i të gjithëve, ishte mik edhe i Shoqatës  Atdhetare “Dukagjini”, sepse kultura e gjerë e tij nuk e lejonte të mos ishte objektiv i kohës. Me libra dhe studime të tij, ai ndriçoi figura të tilla, si Atë Luigj Marleka…Prof.dr. Shefik Osmani, me veprën e tij, mbetet i gjallë, se të gjithë ne kemi çfarë të marrim nga jeta dhe vepra e tij”.

Tiranë, 24 korrik 2012



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora