E diele, 28.04.2024, 04:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Korrespondencë me At Fishtën

E marte, 24.07.2012, 07:59 PM


DANIEL GÀZULLI

KORRESPONDENCË ME AT FISHTEN 

- Ripublikim -

(Me publikimin e shkrimit tim “Nanë Tereza”, mora një mesazh mjaft të pahijshëm nga G. A. Nuk e njoh, por tue ba një kërkim për të, gjeta tek libri i profesor Hamid Bushatit “SHKODRA DHE MOTET”, botue në Shkodër më 1999, këtë shënim për origjinen e familjes së tij: ushtarak nga Trabzuni i Azisë së Vogël).

MË KTHJELLO, BIRI IM !..

(Letër imagjinare prej At Gjergj Fishtës.)

Daniel, biri im.

Këtu, tek të shumtit, po vijnë lajme që nuk m’i rrokë mendja.

“Si, kështu, At Gjergj”? – do të thuesh ti.

Janë krejt të pangjashme çka më dëgjojnë veshët, mor bir.

Shumë vite ma parë, ata që vinin prej andej më shikonin me urrejtje. Çka duen në Parajsë këta që urrejnë? – mendoja me vete... Mirëpo, një ditë, tue pi kafe me Shën Pjetrin, me tha tue qeshë: Ata mendojnë se je ti që nuk duhet të jesh këtu. Të dinë për tradhëtar të Atdheut. Kështu u kanë thanë sundimtarët e Tiranës.    

Mandej erdh Luka, gjyshi yt e miku im, e më kthjelloi për shumëçka. Fort i mërzitun, më tha një ditë: “E dija që do të vija në Parajsë. Ferrin e lashë atje”. E më shtjelloi gjanë e gjatë shëmtimet e asaj kohe. Kishte marak për ju, Daniel, bir. I thash mos me u disprue, se asht mëkat, e se:

Mbas dimnit vjen pranvera,

Mbas borës blerimi del.

si ka pasë thanë Dom Ndreu.

Po lajmet që më vijnë tash nuk po m’i rrokë as mendja. Më thonë se shqiptarët kanë fillue me u vra prap në mes vetit, si në kohë të atij mbrapshtanit, Haxhi Qamilit.

Më thonë se asht vu gjithçka në shitje, sa nuk po ma ban goja me e thanë.

Se ata të patenzonët e djeshëm po e bajnë Shqipninë prap sallahane. Se në pushtet, po më thonë këta që vijnë këto njëzet vjetët e fundit, janë prap po ata tipa, baballarët gjaksorë, gjyshat katila, stërgjyshat mizorë, rritë me katila, me gjaksorë, me mizorë, me intriganta, me batakçi, vagobonda rrugash, anmiq të kulturës e të qytetnimit, njerëz krunde, veshë allafranga, po me mendësi qylah: e thonë se do ta udhëheqin Shqipninë simbas atij modeli, që grekët e lashtë e paten quejtë demokraci. E me bindë njerëzit se janë të lirë, si në demokraci ma, burrat zihen në Kuvend si gratë te pusi.

Nuk merret vesht, më thonë, kush asht vrasës e kush gjykatës, e se prap si motit, nuk sundon ligji, po Maliqi.

Më thonë se janë tha lisat e po harbojnë shkurret.

Se, nuk kam si me e besue (ma zen besë), po rrënojnë muret ilire e po ndërtojnë me ta mejhane.

Çka mos me t’u besue, më thonë se ka njerëz, që e mbajnë veten edhe për të dijshëm, që po venë gojë mbi Fatosa të Kombit, deri edhe mbi Gjergj Kastriotin e Nanën tonë Tereze. Vetë historia po ka të keq me i rreshtue ato fjalë vner që po thuhen për ta. Prej tanë botës vijnë këtu e kur marrin vesht se jam stërnip i Kastriotit, secili në mënyrë të vet, përkulet e më nderon edhe mue.

Se ka hipë një babëzitje, mor bir, që nuk po njeh ma kush as vëlla e as motër, as babë e as nanë, as Zot e as Atdhe. Shqyejnë në trup të drobitun të Shqipnisë, si ujqit e untë në ditë të dimnit në delen e shkretë.

Patem kujtue se mbasi shqiptarët hoqën fesin dhe yllin e kuq, po presin edhe thojt e nuk do të grabisin ma mallin e shtetit, që asht djersa e popullit. Po jo, më thonë se tash nuk vjedhin vetëm natën, por edhe grabisin edhe ditën për diell.

Thonë edhe se po i falen prap Sulltan Muratit e një punë sternipi të tij osmanllij; e thonë bile se jemi stërnipa të atij gjaksori, që mbushi prroj e lumej me gjak shqiptari. Po dëgjoj, mor bir, se thonë kështu edhe njerëz të dijshëm, deri edhe një qose me mjekërr. Çka nuk po ndodh atje! Edhe qoset u bane me mjekërr, por mbetën pa fytyrë e pa moral. thonë këta që vijnë këtu ndër të shumtë se, - s’kam as si me e besue, mor bir – se ka nga ata që në njëzet vjet kanë ndrrue njëzet e një herë Fe e Kombësi. Se shqiptari, mos e pastë thanë Zoti, asht ba që nuk e ka për gja me i ra mohit Atdheut, veç për pak dollarë a euro.

A mundet me qenë e vërtetë se kush merr diplomën në shkolla të nalta nuk e ka për detyrim me dijtë me shkrue emnin e vet? Mjaft të dijnë me folë, thonë,  s’ka pse u duhet me dijtë me shkrue. Injoranca, thonë, ka hipë në piadestal e urtia ka marrë shkop e strajcë dhe endet rrugëve si lypsare. Askush nuk ia hapë deren.

Çka po ndodh atje, pa qenë Zot ose çifut, nuk ke si me e kuptue.

Këtu, ku shkojmë jetën e amshume na të shumtit, nuk mund të mbërrijë asgja landore, po çka ban shqiptari, as vetë Zoti s’ia kapë hilet. Ka sjellë njeni dy fletore të përditëshme, që dalin njena në Tiranë e tjetra në Prishtinë. Lodhem me i këndue e nuk po i marr vesht as në gjuhë e sidomos në mendime se çka po duen me thanë. Fraza asht ndërtue prej fjalësh në shtatë gjuhë, që edhe pse i di te tana, nuk kuptoj asgja, se fjalët nuk i shkojnë njena tjetres. Asht si me futë në një enë kos te ftohte, hallvë të ngrohte e kakardhia delesh të ndejuna... Aty po, diçka kuptova, se Kosova ka fitue pavarësinë juridike, po ka humbë pavarësinë morale.  E liria pa moral shpejt birret edhe ajo.

Ti që je i kënduem, si më ka thanë Luka, m’i kthjello këto punë, bir im, se me çka po më dëgjojnë veshët, po bjerr edhe shpirtin, që nuk e bora në ditët ma të vështira të Shqipnisë.

DIKUSH PO MBJELL, AT!

(Përgjigje e vërtetë letrës imagjinare të At Gjergj Fishtës)

Si na ke mësue kur ishe në mes nesh, e si vijon të na mësosh përherë me veprat Tueja, që i gjetëm rishtas nëpër rrënoja, ma së pari na nuk do të dëshpërohemi. A nuk ishe Ti që na pate thanë gati një shekull ma parë: “Me u disprue asht mëkat”?

Të kanë thanë ata që kanë ardhë tek të shumtit se janë tha lisat e po harbojnë shkurret. I shembem vërtetë shumë lisa hijerandë At, se dikujt i banin hije. Po ti e di, këto troje kanë pasë lisa gjithmonë, lisa që nuk u janë dhanë stuhive, as atyne që erdhën nga shkretina arabe, as atyne që erdhën nga stepat ruse. E lisa do të ketë përherë këtu. Askush nuk i shemb dot ata lisa që na lanë Shqipninë, prej Gjergj Kastriotit, tek Ibrahim Rugova, edhe pse të shumtë janë zvarranikët që u sillen përreth, edhe pse duen t’na i lanë lisat në dritën e hanës e t’na u heqin diellin. Po ky asht vendi i diellit, kot e kanë. Ja, nuk do të jetë e largët dita që do t’i presim shkurret, do t’i çlirojmë lisat e moçëm prej tyne e lisa të ri do të lëshojnë përsëri shtat. Dikush po mbjell, At.

Nuk thahet, jo, ai lis ku asht shkrue emni Yt, At Gjergj, pse, si na thoje Ti

këtu e 102 vjet ma parë:

“Kanë me u rritë lisat, përse sopata as reja

S’e prekin landën, ku asht gëdhendë ai emën”.

Të paskën thanë edhe se ka shqiptarë, për faqen e zezë tonën, që po venë gojë deri edhe mbi Gjergj Kastriotin. Ashtu asht vërtetë, po vetëm gjuhën kanë shqip, janë muhaxhirë. E kujton si pat thanë ai miku Yt, Faik bej Konica:

“E thashë edhe tjatër herë: për mua, fara më e ndyrë e Shqiperisë janë muhaxhirët”. ….. Ata “Edhe bukën tonë hanë, edhe na lëshojnë….baltën e tyre përmbi mësallë! Të kishin pakë ment Shqipëtarët, nukë këmbejnë as një fjalë me këta zgjebët. Të mos ish kombi shqipëtarë një komb i poshtër e i ndyrë, i dërgojin muhaxhirët n’Anadoll, me një shkelm prapa!” Kështu thonte gjithë zemratë miku Yt Faik bej, po nuk do të jetë e largët dita, Ati im, që këta “muhaxhirë”, ose do t’i bajmë “suz”, ose atje do të thyejnë qafen, tej në shkretinat e Arabisë, se këtij i thonë Vendi i Shqiponjave, jo i zvarranikëve. Po kemi atje nalt, si të kanë thanë të ardhunit tek të shumtit, “ata të patenzonët e djeshëm që po e bajnë Shqipninë prap sallahane”; pse kanë ngelë përsëri “të patenzonë”, sot e kësaj dite. E nuk asht çudi që shumë prej tyne të jenë “muhaxhirë”, se ndrysh nuk do të silleshin kështu me “Mëmëdhenë”  e Naimit tonë. Ke qenë Nënkryetar i Parlamentit, nuk ka si të mos e mbajsh mend, kur bubullinte Mit’hat Frashëri: “E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallëkuarë qoftë ajo orë që solli këmbën e Asiatikut në Shqipëri,që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. 

Pesë shekuj shkuan mbi neve si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mëndjen dhe vetëdijën tonë, një kohë errësire që ment ndryshoi në ç’do ndjenjë njerëzije, ç’do cilësi njeriu të ndershëm.”

Qenka ma e lehtë të ndrrojnë malet, se njerëzit.

Të vështirë do ta kemi t’u presim thojtë atyne që, hip e zbrit, po përsëri të njëjtit “të patenzonë”, At i shtrejtë. Shumë të vështirë. Ata, po, ata po e ligun trupin e Shqipnisë, sa brijtë po i dalin. Janë disa shtetarë ngjyrash gjithfarë, që i ndrrojnë sa herë ua do punë, si kamaleonët, po vesin e të zhvatunit nuk e harrojnë. Se të vërtetën të kanë thanë, janë vetë ligji e vetë Maliqi. Në na mësofsh si t’ua bajmë hallin këtyne malukatëve, një vepër tjetër të madhe do t’i lije Atdheut, se nuk po u gjendet derman. 

Shumë e kanë këndue letrën tande këtu, At Gjergj. Një mik imi, që nga Piluri i Himarës, më shkruen gjithë marak, si do të të përgjigjem, a do të më bajë zemra të të prish qetësinë edhe atje ku je, në Parajsën e amshueme.  Se, më shkruen miku im, nuk asht e lehtë të merren vesht një i pavdekshëm siç je Ti, At i ndritun, me një të gjallë siç jam unë. I thashë, të mos shqetësohej: At Gjergji, i gjallë në mes të gjallëve, apo i pavdekshëm në mes të vdekunëve, një marak ka pasë e një marak ka edhe atje: Marakun e Atdheut. Do të qajmë hall me Të e t’i dëgjojmë fjalën e urtë.  Sepse jam i sigurtë që, edhe pse në jetë të amshueme:

“Nuk t’janë sosë fjalët e amla e plot urtì,

Edhe pse zani këputë, që dje na binte në zemër

Si tingull lire e tingllueshme, që prej s’largu

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!”

Fjala Jote asht këtu, At i ndritun, në mes nesh, e sillet herë e zemrueme, herë gjithë dhimbshuni:

“Porsi i ambli fllad i erës,

Që lëmon gjijët e drandofillit” –

po, sillet ajo, prej Sarande në Mitrovicë, prej Ulqini në Përmet e na jep shpresë se prap na Shqipninë do ta bajmë. E kemi kaq shumë nevojë ende për fjalën Tande, zemrimin Tand e dashuninë Tande, se shpesh po bjerrim udhën e drejtë.

Na pate thanë me kohë: “Tash që u ba Shqipnia duhen ba shqiptarët”.

Paska qenë ma e vështirë me ba shqiptarët, se Shqipninë, po na shpresat nuk do t’i humbim.

Nuk di a të kthjellova, At i shtrejtë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora