| E marte, 24.07.2012, 08:31 PM |
NDERIM PËR PEDAGOGUN
DHE STUDIUESIN,
PROF.SHEFIK
OSMANI
(Meditim në studion e Radio-Kontakt dhe disa vlerësime kolegësh)
Nga: Prof. Murat Gecaj
1.
Në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të kryeqytetit,
u takova përsëri sot me arsimtarin veteran dhe studiuesin Isa Halilaj, “Mësues
i merituar”.
Sakaq, më ra zilja e celularit dhe m’u paraqit
e njohura e kahershme e imja, zj. Jolanda Lilaj, drejtore e Radio-Kontakt, në
Tiranë. Ajo kishte marrë njoftim për ngjarjen e hidhur të mësipërme dhe na kërkonte
të shkonim në studio e të flisnim në një emision të posaçëm, për jetën dhe
veprimtarinë e prof.Sh.Osmanit. Sigurisht, ftesën e saj e pranuam dhe u nisëm menjëherë për
atje.
Rasti e kishte sjellë që kjo radio të ndodhet në
një ndërtesë disakatshe, ku banon edhe miku im, Isaja. Gjatë rrugës, ne sollëm
përsëri në kujtesë vizitën e paradohshme në shtëpinë e prof. Shefikut e takimin
aty edhe me bashkëshorten, “Mësuesen e Popullit” Urti Osmani. Me atë rast,
megjithëse ai ishte mjaft i sëmurë, bëmë
disa foto së bashku, që i kemi kujtim të paharruar. Gjithashtu, po në atë kohë,
me Isanë folëm në emisionin “Dritë e Diturisë”, në Radio-Tirana, ku është
redaktore Kozeta Hoxha dhe përgjegjës departamenti, poeti i njohur Jaho
Margjeka. Kështu pra, ne ishim të mbushur me mbresa dhe emocione për të folur përsëri
për një nga figurat e njohura të arsimit tonë kombëtar dhe të pedagogjisë
shqiptare.
Të shoqëruar nga Jolanda, në studion e “Radio-Kontakt”, Isja dhe unë rikujtuam përsëri
shërbimet e çmuara të prof.Sh.Osmanit, në
fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Natyrshëm që nuk do ta
riprodhojmë tërë bisëdën tonë këtu, por
shënoj se ne u ndalëm në këto aspekte kryesore të jetës së tij:
-Pas mbarimit të studimeve të larta jashtë
vendit, ai shërbeu me përkushtim në shkollat pedagogjike, që përgatitën dhe aftësuan
mësuesit e ardhshëm, në vendlindjen Shkodër, në Peshkopi e Tiranë;
-U dallua në detyrat e caktuara, gjatë kohës që
shërbeu inspektor në Ministrinë e
Arsimit e Kulturës dhe redaktor në gazetën “Mësuesi”, po aty dhe në Shtëpinë
Botuese të Librit Shkollor;
-U mor me kërkime, studime e botime të thelluara
në fushën e arsimit, në vitet kur ishte
bashkëpunëtor shkencor, në Institutin e Studimeve Pedagogjike;
-Përveç qindra botimeve, në gazeta e revista të
ndryshme, publikoi rreth 40 botime të tij, me temë arsimin kombëtar shqiptar dhe
pedagogjinë bashkëkohore, ndësr të cilat disa janë tekste mësimore;
-Ishte autor i veprës unikale në Shqipëri, “Fjalori
i Pedagogjisë”, për të cilin meritoi “Çmimin e Republikës”;
-Ishtë bashkautor në veprën madhore “Historia e
Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, me kryeredaktor Akademikun Bedri
Dedja;
-Dha ndihmesë të pakursyer në redaksinë e
arsimit, për veprën e Akademisë së Shkencave të RSH-së, “Fjalori Enciklopedik
Shqiptar”;
-Bashkë me Urti Osmanin, ai u dallua në botimet
e veçanta dhe punën nga afër, në ndihmë të nxënësve në Diasporën Shqiptare, si
në Zvicër, Suedi e tjerë;
-Me tema e referate, ishte pjesëmarrës në
simpoziume e konferenca shkencore, kombëtare e rajonale, në Shqipëri dhe jashtë
saj, për çështje të arsimit, pedagogjisë e didaktikës shkollore. Por kështu, i
ndihmoi studiuesit e rinj për punimet në fushën e arsimit, të cilët më vonë
morën grada e tituj shkencorë;
-Edhe në vitet e pensionit, dha ndihmesën e tij
të çmuar në kryesinë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, ku mori nismën e
dhurimit falas të botimeve të autorëve të ndryshëm, për shkollat e kryeqytetit
e më gjerë;
-Po kështu, ishte veprimtar aktiv në Institutin
Shqiptar të Mendimit e Qytetërimit Islam, në Tiranë dhe në redaksinë e revistës
së tij kulturore-shkencore, “Univers” e tjerë.
-Për gjithë këtë veprimtari të shumanshme, u
nderua me dekorata e urdhëra të ndryshëm dhe me titullin “Mësues i merituar”.
Ja, në përgjithësi, këto ishin çështjet, për të
cilat u ndalëm, në nderim të prof.Shefik Osmanit, gjatë emisionit kushtuar
atij, në “Radio-Kontakt”.
2.
Por, gjithashtu, në këtë emission, ne përmendëm
e dëshmuam, se ai ishte njeri i mirë, i afruar dhe i dashur me ish-nxënësit,
kolegët e të njohurit e shumtë. Prandaj, ata e pritën me hidhërim ndarjen nga
jeta të tij. Këtë gjë e kanë shprehur me mesazhe të ndryshme edhe përmes
Internentit. Më poshtë po japim vetëm pak nga mendimet e shprehura:
-Prof.
Kolë Tahiri, Bruksel-Belgjikë: “Na erdhi keq pa masë, familjarisht, për
këtë lajm të hidhur. Pranoni ngushllimet
tona për humbjen e prof. Shefikut, mikut, shokut dhe bashkëpunetorit tonë të
përbashkët. Lutem, ua përcillni ngushllimet tona znj. Urti e vëllait,
prof.Tomorit”;
-Dr.
Ramiz Zekaj, drejtor i AIITC-Tiranë: “Lusim Zotin që ta mëshirojë
Profesorin tonë të nderuar, Shefik Osmani! Ai do t’i mungojë AIITC, por edhe
kulturës e shkencës shqiptare”.
-Prof. Hamit Boriçi-Tiranë: “Dje
e mora në Golem lajmin e hidhur për ndarjen e nga ne të profesor Shefikut! Sot e
hapa kompjuterin dhe lexova shkrimin tuaj, kushtuar atij. Është gjë e mirë, kur i përjetësojmë këto
figura të shquara të arsimit dhe të shkencës shqiptare…Ju falënderoj edhe për
këtë ndihmesë, vlera e të cilës do të rritet, në kohët që vijnë!”
-Dr.Azis Gjergji-Tiranë: “Lamtumirë,
sekretari poliglot i redaksisë së arsmit, në “Fjalorin Enciklopedik
Shqiptar”-2! Ishte një njeri i mirë, mik i dashur, shok i paharruar i bisedave
të mençura dhe me humorin e paparë shkodran”;
-Ndue Sanaj-Shkodër: “U nda nga jeta një njeri, në kuptimin e plotë të fjalës. Prof.dr. Shefik Osmani ishte mik i të gjithëve, ishte mik edhe i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, sepse kultura e gjerë e tij nuk e lejonte të mos ishte objektiv i kohës. Me libra dhe studime të tij, ai ndriçoi figura të tilla, si Atë Luigj Marleka…Prof.dr. Shefik Osmani, me veprën e tij, mbetet i gjallë, se të gjithë ne kemi çfarë të marrim nga jeta dhe vepra e tij”.
Tiranë, 24 korrik 2012