Kulturë
Hyqmet Hasko: Poetika e Kadaresë
E marte, 10.07.2012, 07:59 PM
Poetika e Kadaresë, midis mitologjisë dhe kompleksit frojdian
Nga Hyqmet Hasko
Në kuptimin
e rrugës së re që çel, në kohëhapësirën e letrave estetike, ardhja e një poeti
të vërtetë në letrat e një kombi është, si të thuash, si ardhja e një profeti. Kjo,
pasi me fatin e tij janë të mpleksura
Kur
Ismail Kadareja do të vinte në letrat shqipe, posaçërisht në poezi, ngrehina e
kësaj të fundit kishte pësuar një soj devijimi nga destinacioni arkitipal i
artit poetik, për shkak të kufizimeve të hapësirës që lypte ajo, me anë të metodës
së realizmit socialist. Tam-tamet e revolucionit, hovet e agimeve të vrullshme
nuk mund të përcillnin më emocion, pasi arti poetik kërkonte horizonte të reja
botëvështrimi dhe kualitete të reja të figurave dhe trajtave të tjera të strukturave
të poezisë.
Kadareja
erdhi në kulmin e kësaj krize estetike dhe tentoi –një tentaivë serioze dhe e
suksesheme, të hapte shtigje të reja nga ku mund të kalonte emocioni poetik, si
një nga emocionet më të vjetra dhe më të bukura të njerëzimit. Edhe sot, pas
pesëdhjetë e ca vitesh, kur tashmë dimensionet e figurës së tij kanë marrë përmasa
globale, ai vazhdon të shkruajë poezi, duke na befasuar me freskinë dhe
modernitetin, imazhinizmin dhe zhdëvjelltësinë e strukturave poetike.
Që me vëllimin
e tij të parë me poezi “Frymëzime djaloshrare“, Kadareja udhëton në një rrugë të
veçantë, falë dy cilësive të forta të personalitetit të tij artistik: falë talentit
të shquar dhe falë guximit estetik, për t’i tejkaluar sinoret jashtëletrare të kohës,
guxim pa të cilin një artist i fjalës nuk mund të shkojë askund, jo më të bëjë epokë,
siç bëri dhe vazhdon të bëjë ky poet dhe shkrimtar i shquar me veprën e tij të gjërë
dhe të larmishme.
Në aspektin
estetik, përveçësia e tij u kthye në etalon të artit poetik, për shkak të zhbirimeve
të holla e të thella që poeti bën në psikologjinë kolektive të botës shqiptare,
në mitologjinë, parahistorinë, historinë dhe kujtesën kombëtare, me të cilën
ushqehet poezia e tij, një majë e kërkimit dhe eksplorimit shqisor, ndjesor,
perceptues dhe të mesazheve me të cilat ai e mbruan bukën poetike.
Kadareja
erdhi në botën poetike shqiptare me një zë krejt ndryshe, që nuk unifikohej në atë
kor entuziazmi fiktiv, zërat e të cilit rrekeshin të na bindnin me figura të dobëta
e stampa prolikse për lumturinë e “njeriut të ri“, në epokën e socializmit
ngadhënjimtar. Brenda një kohe të shkurtër, emri i tij u bë emri përfaqësues i
vlerave më autentike të poezisë së vërtetë shqiptare, një zë origjinal dhe i
papërsëritshëm në të gjitha kohët, i cili vazhdon të na japë kënaqësi edhe sot
pas më shumë se një gjysëm shekulli sprovash të shkëlqyera poetike, me të njëjtën
fuqi dhe sugjestion, si atëherë para shumë kohësh, kur doli së pari në rrugën e
poezisë dhe tentoi të hynte në sinore të pashkelura, plot të papritura të bukura,
plot befasime por dhe plot rreziqe.
Vështirë të
ketë ndonjë kritik letrar apo studiues që të mos i ketë kushtuar vëmendje
poezisë së Kadaresë dhe në analizat e tyre ajo është çmuar fort nga të gjithë,
për kualitetin e lartë estetik, për fuqinë e imazhit, freskinë e figurës,
transhendencën e mesazheve etj. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit,
ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar. Arti poetik
kadarejan ndan kohën poetike shqiptare në dy kohë, para dhe pas Ismail Kadaresë.
Më shumë se
pesëdhjetë vjet udhëtim poetik, janë shumë për kohën e njeriut normal, por për
kohën e poetit, për atë shpërthim të hovshëm ndjesish dhe figurash, të denja për
majat e hapësirave poetike të botës shqiptare, një kohë e tillë është pak. Poetit
të madh, siç është dhe Kadareja, nuk do
t’i mjaftonte as përjetësia për të derdhur hovet e tallazitura të shpirtit të tij
ankthioz e të dyzuar, ku kacafyten e përleshen ndjenja të forta dhe përqasje
epokale kohësh dhe hapësirash të tejngarkuara gjeopolitike. Ky udhëtim, i cili
ka ndodhur në dy epoka, krejt të të ndryshme, për të mos thënë të kundërta në jetën
e vendit të tij, në kohën e diktaturës dhe të tranzicionit demokratik, ka sjellë
me vete perla akuarelesh poetike, vizatime me dorë të lirë, ku natyra dhe
shpirti shqiptar, me gjithë thyerjet dhe skajet ulëritëse, mishërohen e
transfigurohen një optikë të fuqishme, plot dritëhije dhe mister.
Kadareja
e ka mbartur atdheun e tij në vargje (si dhe në gjithë llojet dhe gjinitë letrare
me të cilat ka debutuar në letrat shqipe), si një gur Sizifi, por ndryshe nga
heroi mitologjik, poeti ynë e ka çuar gurin gjer në majë dhe nuk e ka lënë të rrokulliset
e të bjerë poshtë. Që nga kjo majë, plot shkëlqim dhe hijeshi, duket një botë e
thyer dhe plot drama e pëplasje jetësore, shqiptari që ikin në muzg me hijen e
pushkës si zgjatim i shtyllës vertebrale, kohërat që bëjnë paradë, herë me plagë
e herë me lule në duar, gjithmonë ankthioze e të kobshme për kombin shqiptar. (Shqipëria/
një lëndinë e qeshur/ shkëlqejnë bajonetat).
Herë me
anë të zhbirimeve të holla frojdiane, ku erotizmi si gjendje dhe si eksplorim
merr fuqi kurative kolektive, herë me petkun transhendent të mitit, Kadareja e
mbart kohën e tij në gjithë shtrirjen e saj horizontale dhe vertikale, krijon
rrathë koncentrikë paradigmash poetike që vijnë duke u zgjeruar nga baza në piramidë
dhe anasjelltas.
“Ti ike
udhës së pafundme,
ku
zverdhin drurët gjetherënës.
Mbi
gjokse pellgjesh tani tundet
I arti
medaljon i hënës”.
(Poezia “Pa
ty”)
Nga kjo
vjeshtë frojdiane ku skicohet një siluetë e ndrojtur dashurie erotike, e cila të
vizatohet në shpirt, e trishtë dhe joshëse, grishëse dhe refuzuese në të jëjtën
kohë, poeti kalon në të tjera poezi në mesazhe universal madhore, me përmasa
globale, që të emocionojnë me peshën e gjetjes dhe të gjendjes ideo-emocionale
që mbartin:
“Njëzet e
katër luftra bëri,
Njëzet e
katër vdekje theu.
çka
mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte
natën Skënderbeu.
(Poezia “Portreti
i Skënderbeut”)
Kadareja
endet midis mitit dhe realitetit, midis mitologkisë trannshendente dhe
kompleksit frojdian, duke na përcjellë mesazhe të fshehta lirie e qytetërimi, në
një kohë kur ata ishin “mollë e ndalueme’ dhe për to mund të pagujae haraç,
deri dhe me jetë.
Poezia e
Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip
gjatë një gjysmë shekulli, ku sintetizohet dhe kulmon vendosmëria e shkrimtarëve
të brezit të viteve '60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej
paraardhësve. “Frymëzime dialoshare (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Endërr
industrial” (1960), “Shekulli im” (1961), “Poemë e blinduar” (1962), “Përse
mendoben këto male” (1964), “Shqiponjat fluturojnë lart” (1966), “Motive me
diell” (1968), “Koha” (1976), “Shqipëria dhe tri Romat”, përbëjnë titujt
kryesorë të veprës poetike të Kadaresë, e cila nga njëra përmbledhje në tjetrën
vjen duke u përsosur në formë dhe përmbajtje, me elemente të rinj dhe të spikatur
vjerëshërimi..
Ismail
Kadare, ndryshe nga Agolli, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq
pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës
monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e
njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse
në të gjitha poemat e shkruara në vitet '60 -'70 ka një gërshetim të mjeteve të
reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të
historisë:
Poezia e
Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa
ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare,
është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës
shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia
e Kadaresë është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga
qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së
të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa
hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta
të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj
Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte
mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç
mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën
shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj
dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar:
Përgjithësisht
poezia e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë
së dikurshme. Kadare synon, përmes poezisë së tij, ta çlirojë njeriun shqiptar
prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i
lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i
saj:
Dhe kur
binin në prille a në vjeshtra
Nëpër
brinja të shtrirë, nëpër lugje,
Si me
zjarre të vegjël të pëtjetshëm
Era loste
me xhufkat e kuqe.
(Nisja e
shqiptarëve për në luftë)
Poema
epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë,
si "Përse mendohen këto male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart",
pastaj me "Shekulli i 20-të", "Poemë e blinduar", "Shqipëria
dhe tri Romat" e vepra të tjera.
Poezia e
Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi
poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet
në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht
poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla,
si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në miedise të ndryshme.
Kadare në
problematikën e poezisë shqipe, krijoi emërtesën e "temës së madhe". dhe
jo vetëm kaq, ai e ktheu në mit atë, duke e bërë mbizotëruese në jetën letrare
të vendit për më shumë se dy dekada. Para së gjithash poezinë e Ismail Kadaresë
e intereson ajo që shpesh quhet gojëdhënë kombëtare ose mit i origjinës. Sfidat
më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar janë stacione të poezisë së
tij.
Kadare i
shkroi disa prej veprave të tij më të rëndësishme në vargje të lira, duke përvetësuar
vlera të rëndësishme të vjershërimit tradicional, prej De Radës deri tek
Migieni. Në fillimet e veta ishte i ndikuar prej poezisë ruse, veçmas prej Majakovskit.
Poezia intime e Kadaresë është mjaft e ngrohtë, e drejtpërdrejt, një bashkëbisedim
me të dashurën që përgiithësisht është larg si vend apo si kohë dhe të cilën e
kërkon ose me anë të rikthimit tek miti tradicional ose te kujtesa frojdiane (erotike)
si grishje për rikthjimin e kohëve të arta. Nga ana tjetër, poezia intime e
Kadaresë zotërohet nga jonet e mallit për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë
gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën
studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për
vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.
Me veprën
e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në rreth 32 gjuhë të huaja)
ai e bëri të pranishme Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj
shekullore.
Kadareja
që në vitet '60 shënoi kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e
tij, duke tejkaluar me finesë dhe stil të mbushur me elemente risie, kompleksin
ideologjik që e pati frenuar, kufizuar dhe madje atrofizuar letërsinë shqipe të
kohës. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara
dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara
dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne,
qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të
vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t'i shpëtojë syrit të shkrimtarit
të madh.
E gjithë vepra
e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe
shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës,
sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.
Kadareja
operon me figura mitologjike si Laookonti, Prometeu, por dhe me stilema e simbolika
gjeo-historike unifikuese (dyzet kombe varg nën dëborë ngrijnë), duke risjellë të
përpunuar mesazhin poetik, si zgjim të transifiguruar të realitetit jetësor,
duke qenë në këtë drejtim vijues i platformës së Rilindjes sonë kombëtare, por
në sensin e modernitetit nacionalist.
Në përmbledhjen
e fundit poetike “Ca pika shiu ranë mbi qelq“ duket se muza kadarejane jo vetëm
nuk është zbehur, por ka arritur kulmin, në magjinë e çlirimit të vargut,
strofave dhe konstrukteve poetike nga çdo lloj censure apo autocensure, në kushtet
e lirisë dhe të shoqërisë së hapur. Poeti është në majë të një bote sa reale e
solide, aq flu e virtuale, të cilën e vizaton me ngjyra të gjalla, me një penel
alla vangogian, plot thyerje dhe befasime të buura poetike.
Natyrisht
që ka shumë faktorë që e bëjnë poezinë e Kadaresë, si dhe gjithë botën e tij të
shkrimeve, një poezi elitare, një art elitar, i lakmuar për çdo poet e letrar
serioz, në mos për t’u arritur (pasi kjo është tepër e vështirë), të paktën për
t’u ndjekur si rrugë, në tentativën për të mësuar nga përvoja e një mjeshtri të
madh. Por ajo që mund të evidentohet si unikale dhe vulëvënëse në këtë aventurë
kurajoze poetike, mund të konsiderohet rikthimi dhe transfigurimi i figurave
mitologjike të botës shqiptare, për të hequr paralele në kohë dhe për të ndërtuar
imazhe përqasëse që bashkëshoqërohen me asosacione bashkëkohësie.
Tashmë Kadaeja është më shumë se një shkollë poetike, më shumë se një shkollë letrare dhe kërkimi në aktin e tij të shumëfishtë estetik, posaçërisht në atë poetik, mundëson një rivlerësim të letrave tona, sidomos ato të realizmit socialist, që megjithë kufizimet dhe përjashtimet e kohës, tek Kadareja< Agolli, Arapi, Spahiu, Reshpja e ndonjë tjetër, gjeti apostujt e një arti të ri elitar...