E shtune, 27.04.2024, 12:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Poetika e Kadaresë

E marte, 10.07.2012, 07:59 PM


Poetika e Kadaresë, midis mitologjisë dhe kompleksit frojdian

Nga Hyqmet Hasko

Në kuptimin e rrugës së re që çel, në kohëhapësirën e letrave estetike, ardhja e një poeti të vërtetë në letrat e një kombi është, si të thuash, si ardhja e një profeti. Kjo, pasi me fatin e tij janë të mpleksura fort rrënjët e fatit kolektiv të një kombi, dramat nacionale dhe kthesat historike, sidomos në kohëra udhëkryqesh të trishta, si ajo që kaluam ne shqiptarët, në gjysëmshekullin e regjimit monist.

Kur Ismail Kadareja do të vinte në letrat shqipe, posaçërisht në poezi, ngrehina e kësaj të fundit kishte pësuar një soj devijimi nga destinacioni arkitipal i artit poetik, për shkak të kufizimeve të hapësirës që lypte ajo, me anë të metodës së realizmit socialist. Tam-tamet e revolucionit, hovet e agimeve të vrullshme nuk mund të përcillnin më emocion, pasi arti poetik kërkonte horizonte të reja botëvështrimi dhe kualitete të reja të figurave dhe trajtave të tjera të strukturave të poezisë.

Kadareja erdhi në kulmin e kësaj krize estetike dhe tentoi –një tentaivë serioze dhe e suksesheme, të hapte shtigje të reja nga ku mund të kalonte emocioni poetik, si një nga emocionet më të vjetra dhe më të bukura të njerëzimit. Edhe sot, pas pesëdhjetë e ca vitesh, kur tashmë dimensionet e figurës së tij kanë marrë përmasa globale, ai vazhdon të shkruajë poezi, duke na befasuar me freskinë dhe modernitetin, imazhinizmin dhe zhdëvjelltësinë e strukturave poetike.

Që me vëllimin e tij të parë me poezi “Frymëzime djaloshrare“, Kadareja udhëton në një rrugë të veçantë, falë dy cilësive të forta të personalitetit të tij artistik: falë talentit të shquar dhe falë guximit estetik, për t’i tejkaluar sinoret jashtëletrare të kohës, guxim pa të cilin një artist i fjalës nuk mund të shkojë askund, jo më të bëjë epokë, siç bëri dhe vazhdon të bëjë ky poet dhe shkrimtar i shquar me veprën e tij të gjërë dhe të larmishme.

Në aspektin estetik, përveçësia e tij u kthye në etalon të artit poetik, për shkak të zhbirimeve të holla e të thella që poeti bën në psikologjinë kolektive të botës shqiptare, në mitologjinë, parahistorinë, historinë dhe kujtesën kombëtare, me të cilën ushqehet poezia e tij, një majë e kërkimit dhe eksplorimit shqisor, ndjesor, perceptues dhe të mesazheve me të cilat ai e mbruan bukën poetike.

Kadareja erdhi në botën poetike shqiptare me një zë krejt ndryshe, që nuk unifikohej në atë kor entuziazmi fiktiv, zërat e të cilit rrekeshin të na bindnin me figura të dobëta e stampa prolikse për lumturinë e “njeriut të ri“, në epokën e socializmit ngadhënjimtar. Brenda një kohe të shkurtër, emri i tij u bë emri përfaqësues i vlerave më autentike të poezisë së vërtetë shqiptare, një zë origjinal dhe i papërsëritshëm në të gjitha kohët, i cili vazhdon të na japë kënaqësi edhe sot pas më shumë se një gjysëm shekulli sprovash të shkëlqyera poetike, me të njëjtën fuqi dhe sugjestion, si atëherë para shumë kohësh, kur doli së pari në rrugën e poezisë dhe tentoi të hynte në sinore të pashkelura, plot të papritura të bukura, plot befasime por dhe plot rreziqe.

Vështirë të ketë ndonjë kritik letrar apo studiues që të mos i ketë kushtuar vëmendje poezisë së Kadaresë dhe në analizat e tyre ajo është çmuar fort nga të gjithë, për kualitetin e lartë estetik, për fuqinë e imazhit, freskinë e figurës, transhendencën e mesazheve etj. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit, ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar. Arti poetik kadarejan ndan kohën poetike shqiptare në dy kohë, para dhe pas Ismail Kadaresë.

Më shumë se pesëdhjetë vjet udhëtim poetik, janë shumë për kohën e njeriut normal, por për kohën e poetit, për atë shpërthim të hovshëm ndjesish dhe figurash, të denja për majat e hapësirave poetike të botës shqiptare, një kohë e tillë është pak. Poetit të madh, siç  është dhe Kadareja, nuk do t’i mjaftonte as përjetësia për të derdhur hovet e tallazitura të shpirtit të tij ankthioz e të dyzuar, ku kacafyten e përleshen ndjenja të forta dhe përqasje epokale kohësh dhe hapësirash të tejngarkuara gjeopolitike. Ky udhëtim, i cili ka ndodhur në dy epoka, krejt të të ndryshme, për të mos thënë të kundërta në jetën e vendit të tij, në kohën e diktaturës dhe të tranzicionit demokratik, ka sjellë me vete perla akuarelesh poetike, vizatime me dorë të lirë, ku natyra dhe shpirti shqiptar, me gjithë thyerjet dhe skajet ulëritëse, mishërohen e transfigurohen një optikë të fuqishme, plot dritëhije dhe mister.

Kadareja e ka mbartur atdheun e tij në vargje (si dhe në gjithë llojet dhe gjinitë letrare me të cilat ka debutuar në letrat shqipe), si një gur Sizifi, por ndryshe nga heroi mitologjik, poeti ynë e ka çuar gurin gjer në majë dhe nuk e ka lënë të rrokulliset e të bjerë poshtë. Që nga kjo majë, plot shkëlqim dhe hijeshi, duket një botë e thyer dhe plot drama e pëplasje jetësore, shqiptari që ikin në muzg me hijen e pushkës si zgjatim i shtyllës vertebrale, kohërat që bëjnë paradë, herë me plagë e herë me lule në duar, gjithmonë ankthioze e të kobshme për kombin shqiptar. (Shqipëria/ një lëndinë e qeshur/ shkëlqejnë bajonetat).

Herë me anë të zhbirimeve të holla frojdiane, ku erotizmi si gjendje dhe si eksplorim merr fuqi kurative kolektive, herë me petkun transhendent të mitit, Kadareja e mbart kohën e tij në gjithë shtrirjen e saj horizontale dhe vertikale, krijon rrathë koncentrikë paradigmash poetike që vijnë duke u zgjeruar nga baza në piramidë dhe anasjelltas.

“Ti ike udhës së pafundme,

ku zverdhin drurët gjetherënës.

Mbi gjokse pellgjesh tani tundet

I arti medaljon i hënës”.

(Poezia “Pa ty”)

Nga kjo vjeshtë frojdiane ku skicohet një siluetë e ndrojtur dashurie erotike, e cila të vizatohet në shpirt, e trishtë dhe joshëse, grishëse dhe refuzuese në të jëjtën kohë, poeti kalon në të tjera poezi në mesazhe universal madhore, me përmasa globale, që të emocionojnë me peshën e gjetjes dhe të gjendjes ideo-emocionale që mbartin:

“Njëzet e katër luftra bëri,

Njëzet e katër vdekje theu.

çka mangut linte ditën Gjergji,

Plotësonte natën Skënderbeu.

(Poezia “Portreti i Skënderbeut”)

Kadareja endet midis mitit dhe realitetit, midis mitologkisë trannshendente dhe kompleksit frojdian, duke na përcjellë mesazhe të fshehta lirie e qytetërimi, në një kohë kur ata ishin “mollë e ndalueme’ dhe për to mund të pagujae haraç, deri dhe me jetë.

Poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli, ku sintetizohet dhe kulmon vendosmëria e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve. “Frymëzime dialoshare (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Endërr industrial” (1960), “Shekulli im” (1961), “Poemë e blinduar” (1962), “Përse mendoben këto male” (1964), “Shqiponjat fluturojnë lart” (1966), “Motive me diell” (1968), “Koha” (1976), “Shqipëria dhe tri Romat”, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë, e cila nga njëra përmbledhje në tjetrën vjen duke u përsosur në formë dhe përmbajtje, me elemente të rinj dhe të spikatur vjerëshërimi..

Ismail Kadare, ndryshe nga Agolli, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet '60 -'70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë:

Poezia e Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e Kadaresë është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.

Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar:

Përgjithësisht poezia e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon, përmes poezisë së tij, ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj:

Dhe kur binin në prille a në vjeshtra

Nëpër brinja të shtrirë, nëpër lugje,

Si me zjarre të vegjël të pëtjetshëm

Era loste me xhufkat e kuqe.

(Nisja e shqiptarëve për në luftë)

Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si "Përse mendohen këto male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", pastaj me "Shekulli i 20-të", "Poemë e blinduar", "Shqipëria dhe tri Romat" e vepra të tjera.

Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në miedise të ndryshme.

Kadare në problematikën e poezisë shqipe, krijoi emërtesën e "temës së madhe". dhe jo vetëm kaq, ai e ktheu në mit atë, duke e bërë mbizotëruese në jetën letrare të vendit për më shumë se dy dekada. Para së gjithash poezinë e Ismail Kadaresë e intereson ajo që shpesh quhet gojëdhënë kombëtare ose mit i origjinës. Sfidat më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar janë stacione të poezisë së tij.

Kadare i shkroi disa prej veprave të tij më të rëndësishme në vargje të lira, duke përvetësuar vlera të rëndësishme të vjershërimit tradicional, prej De Radës deri tek Migieni. Në fillimet e veta ishte i ndikuar prej poezisë ruse, veçmas prej Majakovskit. Poezia intime e Kadaresë është mjaft e ngrohtë, e drejtpërdrejt, një bashkëbisedim me të dashurën që përgiithësisht është larg si vend apo si kohë dhe të cilën e kërkon ose me anë të rikthimit tek miti tradicional ose te kujtesa frojdiane (erotike) si grishje për rikthjimin e kohëve të arta. Nga ana tjetër, poezia intime e Kadaresë zotërohet nga jonet e mallit për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në rreth 32 gjuhë të huaja) ai e bëri të pranishme Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Kadareja që në vitet '60 shënoi kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij, duke tejkaluar me finesë dhe stil të mbushur me elemente risie, kompleksin ideologjik që e pati frenuar, kufizuar dhe madje atrofizuar letërsinë shqipe të kohës. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t'i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.

E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.

Kadareja operon me figura mitologjike si Laookonti, Prometeu, por dhe me stilema e simbolika gjeo-historike unifikuese (dyzet kombe varg nën dëborë ngrijnë), duke risjellë të përpunuar mesazhin poetik, si zgjim të transifiguruar të realitetit jetësor, duke qenë në këtë drejtim vijues i platformës së Rilindjes sonë kombëtare, por në sensin e modernitetit nacionalist.

Në përmbledhjen e fundit poetike “Ca pika shiu ranë mbi qelq“ duket se muza kadarejane jo vetëm nuk është zbehur, por ka arritur kulmin, në magjinë e çlirimit të vargut, strofave dhe konstrukteve poetike nga çdo lloj censure apo autocensure, në kushtet e lirisë dhe të shoqërisë së hapur. Poeti është në majë të një bote sa reale e solide, aq flu e virtuale, të cilën e vizaton me ngjyra të gjalla, me një penel alla vangogian, plot thyerje dhe befasime të buura poetike.

Natyrisht që ka shumë faktorë që e bëjnë poezinë e Kadaresë, si dhe gjithë botën e tij të shkrimeve, një poezi elitare, një art elitar, i lakmuar për çdo poet e letrar serioz, në mos për t’u arritur (pasi kjo është tepër e vështirë), të paktën për t’u ndjekur si rrugë, në tentativën për të mësuar nga përvoja e një mjeshtri të madh. Por ajo që mund të evidentohet si unikale dhe vulëvënëse në këtë aventurë kurajoze poetike, mund të konsiderohet rikthimi dhe transfigurimi i figurave mitologjike të botës shqiptare, për të hequr paralele në kohë dhe për të ndërtuar imazhe përqasëse që bashkëshoqërohen me asosacione bashkëkohësie.

Tashmë Kadaeja është më shumë se një shkollë poetike, më shumë se një shkollë letrare dhe kërkimi në aktin e tij të shumëfishtë estetik, posaçërisht në atë poetik, mundëson një rivlerësim të letrave tona, sidomos ato të realizmit socialist, që megjithë kufizimet dhe përjashtimet e kohës, tek Kadareja< Agolli, Arapi, Spahiu, Reshpja e ndonjë tjetër, gjeti apostujt e një arti të ri elitar...



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora