E enjte, 28.03.2024, 04:39 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Unaza magjike

E enjte, 07.06.2012, 07:05 PM


UNAZA MAGJIKE

Nga: KALOSH ÇELIKU

Aftësitë e paparishikuara të Nënës Parti i kemi ditur e njohur që nga koha e „artë“ komuniste. E rëndësishmja është, vetëm të dojë Nëna Parti dhe si me shkop magjik brenda një nate shndërrohesh në personalitet  i rëndësishëm politik, kulturor e shoqëror. Moti e kam parë një film artistik, kur personazhi kryesor vetëm e rrotullonte unazën në gisht dhe brenda disa sekondave kë të donte e bënte bretkosë. Përsëri e rrotullonte unazën dhe nga bretkosa, kur të donte e bënte njeri. Mrekullia e Zotit. Edhe Nëna Parti më duket mua se, e ka atë unazë magjike: „Salep-intelektualin“ e bën profesor Universitar, bariun e bën mjek, tollumbaxhiun - shkrimtar, hoxhën - analist politik, mjekun - kritik letrar, hajdutin - politikan. Them, me vete: Po, të mos ishte Nëna Parti, çka do të bëheshin këta kalorës të arratisur?! Një Zot e di, asgjë them prapë vetmevete: përveçse argatë trusakatë.

Kohën e fundit, në Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë i madh e i vogël janë në gara politike e kulturore parazgjedhore se, kush është patriot më i madh se shoku. Nëna Parti në pushtet me të madhe më tepër bën zhurmë kulturore, sesa aktivitete të arrira artistike e letrare. Javë për javë i ke nga dy e tri aktivitete kulturore: përurim të librave, hapje të ekspozitave, koncerte gala e festivale të këngës zbavitëse e popullore. Edhe shfaqjet teatrore me tekste të arnuara e vënje në skenë „shkelë e shko“, kemi gati për çdo javë. O Imzot, ku të gjej kohë t‘i përcjell gjithë këto „manifestime kulturore“ shqiptare?! Falë Zotit dhe partive politike, „shkel e shko“ në IRJ të Maqedonisë i kemi edhe tri teatro shqiptar që na i themeluan „veteranët e kulturës“ shqiptare: njërin Partia Komuniste e këta dy të fundit Nëna Parti. Tjetër punë është ajo se, atë që e themeloi Partia Komuniste në kohën e „vëllazërim-bashkimit“, tekefundit së paku e kanë trashëgim një gjysëm shtëpie të përbashkët me Teatrin turk. Teatrot e Nënës Parti edhe sot e kësaj dite janë qiraxhi si cergarët pa shtëpi. Publiku i tyre i zgjedhur dhe i rregullt dihet, janë politikanët. Gabimisht, ndonjëherë edhe mua më dërgojnë ndonjë ftesë. Mirë do të ishte të mos më dërgonin fare, shkaku se: kohën e fundit nuk ma kënaqin, po ma lodhin lapsin.

Ish ambasadori me profesion mjek, në ditën e sotshme merret edhe me kritikë letrare. I ka lënë „kërkimet shkencore“ për nesër, të mos them edhe profesionin humanitar të mjekut. Turret me të katra pas profesionit të politikanit. Përçudi, brenda një nate u bë „kritik letrar“. Alamet shkrimtarësh sjellë nga Mëmëdheu në IRJ të Maqedonisë. Mos them, gati të gjithë politikanë të arratisur që merren edhe me shkrime. Përmëtepër, ai edhe i hap këto përurime të librave me „kritikat“ e tij të përgjumura para kamerave televizive. Trurin „gjenial“ e vë në përdorim, folë jerm marrëzira në mes të Ditës Madhe. I lumtur në këto momente do të ishte vetëm ai, që është shurdhmemec. Asgjë të mos shohi me sy, asgjë të mos dëgjoj me veshë. Doktorziu si „kritik latrar i tabanit kombëtar“, është më i „lumturi“ nga të pranishmit në sallë. Mezi u duartrokitë reçensioneve të këtij „kritiku të madh letrar“ si mik i moçëm partiak, ish ministër i arsimit, ish ambasador i OKB -së në Gjenevë, që Nëna Parti kohën e fundit na e propagandon edhe si „kritik të madh letrar“ mbarëkombëtar. Dorën në zemër, letërsia botërore moti e ka pasur dhe e ka edhe mjekun shkrimtar, po jo sojin e këtij kalorësi të arratisur shqiptar. Publikisht e pyes këtë „kritik të madh letrar“, si do ta ndjente veten kur në sallën e operfimit në spital me thikat në duar mbi pacientin e sëmurë ta shihte një shkrimtar?!

Botuesi-autor edhe ai i shkreti përpiqet të thotë për librin e botuar si autor ndonjë fjalë të „madhe“. Përshëndetjet dhe urimet si zakonisht jehojnë në sallë: I përshëndes kryetarin e Nënës Parti, ministrat në Qeveri, kryetarin e komunës, ambasadorin e Shqipërisë dhe Kosovës, rektorin e Universitetit, akademikun e rregullt në sallë në këto „aktivitete kulturore“... E zgjasin diskutimin e tyre rreth librit - litarë. E tjerrin në Bit-Pazar si shtëllungë leshi. Përdredhin boshtin si ato plakat e Katundit në furkë ulur në shkam te pragu i derës. Dhe, frikë të kesh t’ua japësh në dorë mikrofonin. Edhe, nëse nuk ua jepë, vetë dalin dhe e rrëmbejnë si dhelpra pulën me kthetra majë peme e shtrijnë nën këmbë t’ia nxjerrin pupëlat. Burrat e botës nuk e dinë kur është mjaftë. Gjithë kohën bluajnë bosh mes dy gurëve egjër për miell në mulli.

Doktorziu në rendin e parë si „kritik letrar i tabanit kombëtar“, do të plasë nga inati: bukën para syve po ia marrin mjekët, tollumbaxhinjt dhe hoxhallarët. Nëna Parti i ka bërë lëmsh profesionet. Burri i botës durimin nuk mund ta bëjë zap, reagon me zë ndaj botuesit-autor mik shtëpie, që mezi iu dha rasti nga partizanët e Nënës Parti edhe atij më në fund t’i jepet në dorë mikrofoni: „Mjaftë më se nuk do ta lexojë askush librin!“ Botuesi-autor, e lë leximin e parathënies, po nuk është i kënaqur me ndërhyrjen e mikut, tashti fillon me spjegimin e „kryeveprës botërore“ me fjalë. Doktorziu, „kritiku letrar i tabanit kombëtar“ do të plasë nga inati. Falë Zotit, botuesi-autor më në fund e shteri „fjalorin e tij artistik“. Heshti. Doktorziu bashkë me partizanët partiak plot gëzim u ranë durve shuplakë duke kërcyer nga karriget.

Tashti, filluan pyetjet e të pranishmëve. Gazetarët, dihet janë të parët, bëjnë pyetje të thata patetike pa lidhje kotnasikoti. Fatkeqësisht, edhe përgjigjet i kanë patetike, të gjata e monotone. Botuesi- autor e ka qëllimin në tjetër vend, shfrytëzojë rastin të shes ndonjë libër. Deshi - s’deshi pajtohet me fatin. Edhe këtu, si për inat nuk i eci pazari. Partizanët e Nënës Parti, vështirë e ke t’i mashtrosh në ditën e sotshme me „flijime artistike“, nuk blejnë e as lexojnë libra. Gjithë jetën janë mësuar t’u falen librat si zarzavatet e kalbura në Bit-Pazar, që të mos i lexojnë kurrë, ose t’i hudhin ende pa dalë te dera në kontenierët e bërllokut.

Shembull ende i freskët: Në Shkup erdhi Kryetari i Partisë Neokomuniste me librin e tij „bestseler“. Patrioti i Vonuar për inat me dy „kryeveprat“ e tij pas Kumanovës e Preshevës shkoi deri në Shkodër për të marrë „çertifikatën e shkrimtarit“. Politikani i Arratisur, pas aktiviteteve dhe posteve politike të ambasadorit, më në fund mezi vendosi t’i kthehet letërsisë me tre libra erdhi në Shkup. Vetëm, përçudi sipas veprimeve „artistike“ gati thuaj të gjithë e kishin të vetmin qëllim: shitjen e librave të tyre si kashtën në grazhd popullit shqiptar. Punemadhe, që burrat e botës kanë qenë dhe ende janë partizanë partiak: kush kryetar partie, kryetar bashkie i Tiranës, ish ambasador në Paris. I fundit i shëtitur nëpër poste që nga koha komuniste: redaktor me dy-tri vende pune në gazetën e „vëllazërim-bashkimit“, drejtor i shoqatave „humanitare“ e zëvendës drejtor i Nënës Parti në MTV. Edhe nuk kanë gjithaq nevojë për para si shkrimtarët tjerë të „papunë“, po ja i rrenë mendja se këtu është ai „livadhi i premtuar“ nga shokët komunistë, ku mund të kullosësh pa frikë bar - tërfojë dhe rrasësh me grykë barkun e madh si tinar. Asgjë nuk ishin ato poste partiake, nuk u dolën sipas premtimeve partiake as çorbë turku, i lanë të „urët“ burrat e mejdanit gjithë jetën, nuk ua rrasën barkun. Populli është ai që e ngi jo vetëm barkun, po edhe syrin e urët të sojit të këtyre politikanve teknefesë.

Fatkeqësia: Mysafirët gati të gjithë i kanë partizanë të Nënës Parti. Fare pak, aty-këtu ndonjë shkrimtar sa për farë dhe së paku për të pushuar sytë. Shkrimtarët e „papunë“ blejnë libra, po nuk kanë para as për bukë. E, partizanët e Nënës Parti të shëtitur nëpër poste politike, jo që nuk blejnë libra, po ata edhe nuk lexojnë pa para në këtë kohë qorre për kulturën shqiptare...



(Vota: 287 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora