Kulturë
Julia Gjika: Intervistë me Edira Merlika Hepburn
E hene, 04.06.2012, 01:16 PM
NJE VAJZE SHQIPTARE NE BOTEN E MODES
(Intervistë me Edira Merlika Hepburn)
Në të gjitha
gjërat pa rëndësi thelbësor është stili e jo sinqeriteti.
Në të gjitha
gjërat e rëndësishme jo sinqeriteti por
stili është qenësor
Oscar Wilde
Nga Julia Gjika
Në shkurt
të vitit 2011, një shqiptar mik i familjes, zoti Evgjen Merlika, më dërgoi një fletë
të gazetës New York Times në të cilën ishte fotografuar vajza e tij Edira, në daljen
nga sfilata e firmës Ralph Lauren për të cilën ajo punon. Fotografi ishte Bill
Cunningham, 82-vjeçari reporter më i njohur i kësaj gazete. Mu mbush zemra me gëzim
per faktin që një vajzë e re shqiptare tërhoqi vëmendjen e tij e akoma më tepër
më lindi kurioziteti të di diçka më tepër për këtë vajzë, për të cilën pata
lexuar disa rrjeshta në kujtimet e babait në librin e botuar në Shqiperi, “Një jetë
në diktaturë”. Nëpermjet babait u lidha me Edirën e zbulova që ajo punon si
menaxhere në fushën e modës që në vitin 2000 pasi u laureua në Universitetin
Bocconi në Milano. Ne vitin 2005 kishte marrë pjesë në shrimin e librit “Në kërkim
të një horizonti të ri kulturor” (autori është Ardian Ndreca) duke përshkruar
punën e saj dhe pastaj në vitin 2006 ka mbajtur një rubrikë në revisten “Spektër”
mbi gratë e famshme për stilin në botë. Fatkeqësisht pas 3 numrash rubrika e
saj u mbyll sepse, siç ja shpjegoi redaksia, shqiptarët nuk janë të interesuar
në historinë e stilit por më tepër ata duan të dine ç’farë është në trend, ç’farë
ngjyrash pëlqehen e ç’farë veshjesh. Edira nuk pranoi të shkruante diçka të ndryshme
nga ideja e saj sepse ajo beson që Shqiperia sot ka nevojë të mësoje historinë e stilit, sepse shija e së bukurës
e së rafinuarës nuk vjen nga mundësia e harxhimit të parasë por nga një ndjenjë
e shpirtit që krijohet e kultivohet me kohë. Kultura nuk është kurrë tepër.
Kjo eshte
intervista që ajo më dergoi me shpresën që arritjet e saja të jenë frymëzim e
shpresë për të rinjtë shqiptarë në Shqipëri e kudo në botë të cilët duhet të besojnë
se asgjë nuk është e pamundur në qoftë se dëshirohet e ndiqet me punë serioze e
të ndershme. E kaluara është e rëndësishme por shpresa në të ardhmen është akoma
më e rëndësishme për brezin e ri. Duke lexuar këtë intervistë ndjeva një dhimbje
therrëse për të kaluarën e saj dhe një revoltë për faktin që vlerat e përmendura
prej saj nuk zenë asnjë vend në Shqipërinë e pas diktaturës. Në shumicën e
gazetave, revistave, kanaleve televizive në Shqipërinë e sotme, vijohet t’u bëhet
jehonë bëmave të njerëzve që punuan për forcimin e diktaturës komuniste, sikur
ajo të ishte një kohë suksesesh të mëdha, sikur këta njerëz ishin e janë heronj,
etj. Nga ana tjeter vëndin e parë në famë e kanë pjesëtarët e Vëllait të madh e
të tjera emisione që mbeten larg vlerave të vërteta e ngulin në mendjen e
rinise nje pamje të shtrembëruar të suksesit. Edira është stërmbesa e Mustafa
Merlika Krujës, atdhetar, i cili i
kishte shërbyer atdheut me përkushtim 29 vjet (1910-1939) dhe u konsiderua
armik e tradhëtar, sepse pranoi të shërbente vetëm 13 muaj si kryeministër i
Shqipërisë së pushtuar nga fashizmi italian, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Ai u dënua me vdekje në mungesë prej gjyqit të popullit më 1945, kurse familjarët
u trajtuan mizorisht burgjeve e kampeve të përqendrimit në kohën e diktaturës. Si
këto viktima, ka pasur shumë... Jeta e tyre duhet njohur, për ta duhet shkruar
shpesh e më shpesh. Njohja e vuajtjeve të tyre, e qëndresës së tyre, do të na
ndihmojë të bëhemi qytetarë më të lirë, më demokratë, më të vlefshëm për shoqërinë
dhe atdheun. Ma sa duket fara e mirë nuk prishet e kështu sot mund të flasim me
krenari për stermbesën e Mustafa Krujës që, brenda mundësive të veta, jep
kontributin për ngritjen e dinjitetit shqiptar në botën në të cilën ajo jeton.
Edira
Merlika, lindi në Lushnjë më 29 qershor 1976 e jetoi në një kamp internimi në Grabian
të atij rrethi deri në moshën 14-vjeçare. Është vajza e parë e Evgjen Merlikës,
nipi i Mustafa Merlika Krujës, dhe Teuta Agollit, të cilët përveç saj patën një
vajzë, Elenën e një djalë, Besandrin. Prindët punonin si puntorë bujqësie. E ëma,
rrobaqepëse për pasion, është e para që i përciell dashurinë për stofërat, qëndisjet
dhe gjithshka që i përket botës së veshmbathjes. Ajo dhe gjyshja italiane, e
diplomuar në letërsi, do të jenë modelet e saj të vetëme të stilit gjatë fëmijërisë.
Më 1990
vjen në Itali, ku shkruhet në një Lice Klasik, prej atij në Universitetin Luigi
Bocconi të Milanos, ku diplomohet në Ekonomi Aziendale me specializimin Fashion
Management dhe një tezë mbi pozicionimin e një marke luksi. Njëherësh thellon
vetë kulturën e modës duke studiuar Historinë e Veshjeve e të Modës, thellim që
vazhdon gjithmonë me një pasion të pamasë.
Mbas diplomimit arrin të sendërtojë ëndrrën për të punuar në botën e modës, duke filluar nga Costume National, për të kaluar disa muaj më vonë tek Valentino e pastaj tek Ralph Lauren, ku sot është drejtoreshe e koleksioneve të gruas per Europen. Jeton e punon në Milano.
Si mund të më përmblidhni punën tuaj?
Unë punoj në sektorin që quhet merchandising. Merrem me përmbajtjen e koleksioneve që ndjek së bashku me stilistët që në lindje per tu siguruar që po krijojmë diçka që do të pëlqejë e do të shitet. Pas vizatimit të koleksionit vendos buxhetin e harxhimit mbi ç’do veshje që krijojmë. Kjo është ana më e vështirë sepse kemi të bëjme me shifra shumë të larta. Natyrisht kërkohet ndjenjë e shijes dhe e stilit e pastaj sigurisht aftësi me numurat. Gjithmonë mendojme se ç’farë do të veshin njerëzit pas 12 muajsh e pra duhet një farë vizioni i së ardhmes. Sigurisht nuk është e lehtë, si grua e nënë, të jem shpesh larg familjes për shkak të punës por me ndihmën e prindërve arrij të sistemoj gjithçka.
Si është
një ditë tipike në zyrë?
Arrij në punë
ne orën 9, pas 50 minutash në tren sepse banoj jashtë qytetit. Zakonisht kohën
e trenit ja kushtoj leximit ose punës. Gjatë ditës kam zakonisht mbledhje, njëra
pas tjetrës, me pjesëtarët e grupit tim të punës. Zakonisht koha e vetme që kam
për vete është ora e drekës në qoftë se edhe ajo nuk zihet me punë. Dreka zgjat
jo më tepër se 10 minuta. Pastaj mbledhje përsëri deri në orën 6. Në atë orë dal
sepse dua të vrapoj në shtëpi tek familja ime.
Kur udhëtoj
në Evropë zakonisht zgjohem në orën 5.30 për të marrë fluturimin e parë. Një shofer
më shoqëron në aeroport e pastaj vjen të më marrë në darkë. Jemi bërë miq tanimë. Zakonisht gjysma e kohës
i kushtohet vizitave të dyqaneve e gjysma mbledhjeve. Koha nuk mjafton kurrë për
të kuptuar të rejat e fushës sonë.
Kur shkoj
në
Ndonjëhere
kur nuk jam kaq e zënë përdor kohën e lirë për të bërë shopping, ose më mirë akoma
për të vizituar vëndet.
Shpesh herë më thonë që kjo punë është fantastike sepse nuk e dinë se sa forcë fizike e mendore duhet që të jesh gjithmonë në maksimumin e vetes, nga ana fizike e të përgatitjes, për të mos folur për anën dipllomatike.
Si vendosët të hyni në fushën e menaxhimit të modës?
Fusha e
modës dhe e stilit është pjesë e fushës më të madhe të bukurisë. Siç thotë Dostojevskij
: Bukuria do ta shpëtoje botën. Megjithëse jam e bindur që ai flet për bukurinë
shpirtërore, besoj se ka diçka të mirë e të lartë edhe për ndjenjën estetike.
Që kur
isha e vogël kam pasur një prirje për të kundruar veshjet, bukurinë, që pothuajse
gjithmonë lidhet me ëmbëlsinë në kujtimet e mia. Kam pasur fatin të kem pranë si
modele në këtë fushë gratë e familjes sime. E para, stërgjyshja ime nga ana e
babit, Caje Merlika, grua fisnike në shpirt e në trup. Gjithmonë e veshur me te
zeza (i vdiq djali i katërt, Besimi, më 1944 në moshën 19 vjecare, së shkretës
nënë) me lëkurë të bardhë si bora, aspak llafazane, e zhytur në kujtimet e saj,
pra asnjëherë e vetme, e dashuruar mbas nesh.
Pastaj
gjyshja ime Elena Gjika, gruaja më e jashtëzakonshme që kam parë. Nuk ishte vetëm
me kulturë e me sjellje të shkëlqyer, e cila kur fliste, ua mbyllte gojën
burrave në shoqërinë maskiliste shqiptare, por dhe me një shije të veçantë, të prirur
mbi thjeshtësinë e sjellë në kulm (less is more) që nuk kuptohej aspak në Shqipërinë
e asaj kohe, ku stili nuk njihej. Duke kujtuar veshjet e saj e duke parë fotografitë,
më duket se kam para meje një pararendëse të veshjeve të Armanit ose të Pradës
së viteve të arta. Ajo kishte mbetur e lidhur me vitet 40-të të shekullit XX,
vitet më të bukura të jetës së saj e kështu vdiq.
Pastaj
vjen nëna ime, flladi i pranverës që hyri në familjen Merlika me fytyrën e një zane.
Kurrë ajo nuk u paraqit në tryezë pa bërë një tualet të lehtë e pa u veshur në mënyrë
të shkëlqyer. Sapo kthehej nga fusha e balta, i kushtonte kohën e duhur
tualetit të saj e si për magji shndërrohej në një zonjë të mrekullueshme. Kishte
një mënyrë të veçantë në kombinimin e ngjyrave, krejt ndryshe nga nënat e
shoqeve të mia. Un e vështroja pa folur e kënaqesha me bukurinë e saj.
Megjithëse komunizmi i vuri si detyrë Vendit të
shkelte estetikën e bukurinë, si shprehje të huaja mikroborgjeze, me ne nuk
arriti të fitojë. Nëna ime mësoi të qepte, sepse nuk duronte dot që vajzat e
saja të visheshin me rrobat standarde të MAPO-ve tona. Gjithçka që vishnim ne
krijohej nga duart e saj e të gjyshes. Natyrisht, ishim fëmijët e veshur më mirë,
edhe si pasojë e rrobave, që njerëzit e gjyshes dhe xhaxhai i babit me të shoqen
na dërgonin bujarisht, me gjithë doganën e lartë që na detyronte shteti të paguanim. Kjo bëhej shkak për akoma më shumë urrejtje për
disa shpirtra të këqij njerëzish që jetonin rreth nesh. Unë isha ndihmësja e nënës
në rrobaqepsi. Mësova, që në moshën pesë vjeçe, të qep e qëndis e kështu nëna
qepte me makinë e unë e ndihmonja me dorë. Në pak kohë ajo u bë një nga
rrobaqepëset më të njohura në Grabjan. Un isha “këshilltare” për modelet që do
të qepnim. Kështu u njoha me stofrat.
Kur erdha në Itali fillova të shoh revistat e dyqanet e dëshiroja të bëhesha stiliste. Vazhdova t’i thelloj njohuritë në fushën e modës në kohën e lirë, për zbavitje. Kur mbarova Liceun desha të shkoj në Londër për të studjuar stilizëm, por babai dhe nëna nuk deshën. Studjo ekonomi – më thanë – e pastaj bëj ç’farë të duash. Kështu përfundova në Bocconi, universiteti më i mirë në Itali për ekonomi, me gjithë koston e lartë që kërkonte e që paguajta edhe falë bursave që fitova. Kur mbarova Bocconin, që është një business administration school, e kuptova që rruga ime do të ishte një tjetër. Do të punoja në fushën e modës, jo si stiliste, por si menaxhere. Nuk do të isha ajo që vizatonte, por ajo që merrej me organizimin e biznesit. Ky është boshti kryesor i veprimtarisë sime sot.
A ke marrë pjese në sfilata dhe në cilat firma?
Ka 11 vjet që marr pjesë rregullisht në sfilatat e firmave për të cilat kam punuar, Valentino e Ralph Lauren. Përveç këtyre kam marrë pjesë në sfilata të tjera si Alexander McQueen, Versace, Pucci.
Ka personazhe që të kanë lënë mbresa gjatë këtyre viteve?
Sigurisht.
Disa prej tyre nuk janë të njohur por mund të them që kam pasur fatin të punoj
në një rreth njerëzish shumë të përgatitur nga ana kulturore e nga ana e
menaxhimit, njerëz te ndriçuar nga të cilët kam mësuar shumë.
Nga personazhet e njohur më e veçanta ishte e ndjera Isabella Blow. Kur arrinte tek sfilatat e Valentinos të gjithë sytë ishin për të. Dukej sikur vinte nga një bote tjetër. Pastaj Anna Wintour, drejtoreshën e Vogue të Amerikës, grua e akullt. Gjatë sfilatave shoh shpesh fytyrën e saj duke pritur një buzeqeshje të vogël, që zanonisht nuk arrin. Nga burrat ai që më ka lëne një mbresë të vëçantë është Tom Ford, burri absolutisht më elegant që kam parë. Edhe ai duket sikur i përket një bote tjetër.
Kur jeni martuar, ku e njohët bashkëshortin, si quhet?
Burri im quhet Graeme Hepburn, është francez nga nëna e skocez nga babai. Jemi njohur në vitin 2006 e jemi martuar në 2010. Kur punoja në Valentino ishim në të njëjtin pallat e shiheshim gjithmonë në ashensor, deri sa një ditë, një e njohur e të dyve na organizoi një takim. Kisha menduar veten si grua që nuk do të martohej kurrë por si githmone jeta na bën surpriza.
Si quhet vogëlushi juaj, sa vjeç është, ku ka lindur?
Alexander Hepburn, djali ynë, lindi më 23 qershor 2009 në qytetin Angera afër Sesto Calende ku jetojmë ne. Sot është gati tre vjeç.
Deri tani që shkruhemi bashkë, ç’farë shihni si suksesin tuaj më të madh, në punë, në jetë?
Suksesi
im më i madh është familja ime e sidomos djali, dhurata e Zotit. Në fushën e
punës, besoj se ka qënë sukses të arrij të depërtoj me nder e punë serioze në ambiente
që janë, zakonisht, shumë të mbyllura e snobiste. Për më tepër, duke qënë shqiptare
e duke kujtuar sa i keq ishte opinioni për shqiptarët në vitet që un fillova
punën n’Itali. Kam arritur të kem çaste të bukura si ditën që Valentino vuri në
sfilatë fustanin që kërkova un, kur takova Ralph Lauren për herë të parë, kur
princesha
Shqetësoheni kur punët nuk u shkojnë ashtu si ju i projektoni?
Pak po, por pastaj e mbledh vehten e kërkoj të kuptoj shkakun. Kur kupton shkakun, shpesh ke në dorë zgjidhjen e problemeve.
A kini sakrifikuar ndonjëherë ?
Sigurisht
dhe kjo më ka bërë më të fortë. Sakrifica është shkollë jete. Kur jetonim në
Kur u vendosët në qytetin Latina, si ju pritën italianët, çfarë ndihme konkrete patët?
Kur ikëm
nga Shqipëria shkuam në Itali, ku na priti vëllai i gjyshit tim, dmth djali i
Mustafa Merlikës që kishte ikur për arsye shëndetvsore jashtë Shqipërisë gjatë Luftës
së dytë botwrore. Ai dhe bashkëshortja e tij na pritën në
Për mua
viti i parë ishte traumatik. Programet e shkollës ishin shumë të vështira. Unë vija
nga një botë tjetër, nuk kisha studjuar letërsi italiane, anglishten,
greqishten e vjetër apo latinishten. Të tjerët disa nga këto lëndë i kishin bërë
më përpara. Ditën e parë që më panë, mbetën të çuditur sepse prisnin një zezake
(nuk kishin dëgjuar kurrë për Shqipërinë, mendonin se ishte shtet në Afrikë). Kur
dëgjuan që unë nuk kisha bërë ato lëndë filluan të qeshnin, të bindur se nuk do
t’ia delja dot. Por si thotë Alfieri desha, gjithmonë desha, desha me shumë forcë
e kështu, pas 5 vjetësh, mbarova shkollën me notat më të larta, shumë më mirë se
gjithë ata që qeshnin me mua. Shqipja më ndihmoi shumë për greqishten e
latinishten. Gjyshja më ndenji afër e studjoi me mua çdo ditë, vëllai i gjyshit
më ndihmoi me anglishten.
Mësuesit habiteshin se si një shqiptare mund të përkthente nga latinishtja pa fjalor më mirë se italianët, që e kanë praktikisht gjuhën e tyre e se si mund të njihja disa autorë të huaj më mirë se mësuesja ime e letërsisë.
Si ka ndihmuar trashëgimia kulturore? Ç’farë vlerësoni nga kultura e popullit shqiptar, nga Kruja e të parëve, pastaj nga Milano?
Kurreshtja
është një nga elementët kryesorë që, besoj, se më kanë bërë të eci përpara. Këmbëngulja
e puna, pa u kursyer kurrë, pa e dhënë veten për të lodhur, kanë gjithashtu
pjesën e vet. Nuk e di nëse këto mund të jenë cilësi të një populli, apo më tepër vetiake. Fatkeqësisht, qytetin e
Krujës, për të cilin kaq herë pata dëgjuar të flitej, e pashë vetëm pak kohë para
se të largohesha nga Shqipëria e ndjenja që më lindi qe më tepër emocioni për
faktin se po shihja ku kanë lindur e janë rritur stërgjyshi e stërgjyshja, për
historinë e jetës së tyre të lidhur me këtë qytet, jo të jetës sime.
Milano,
ashtu si Parisi, Londra, Gjeneva, Stambolli, Roma, Madridi, Barcelona, Moska,
St. Peterburgu, Athina, New York qenë për mua zbulimet që pata fatin të bënja. Këta
qytete më mësuan sa i rëndësishem është qytetërimi e ku arrijnë popujt që kanë pasur
fatin të jenë djepa kulture. Kultura përkthehet në dashuri për vendin, pra në arkitekturë
e të gjitha artet vizive, në respekt për njeriun e gjithçka lidhet me mënyrën për
t’a bërë jetën sa më të këndshme e të bukur, duke ngritur vlerat e mirëqënies e
të shpirtit.
Qyteti im
i preferuar është Parisi. Magjia e Place Vendome në orën tre të natës, kur është
e vetmuar e pa njeri më ka shoqëruar për vite, kur kthehesha nga zyra në hotel,
gjatë javëve që punoja në
Akoma nuk kam pasur rastin të shoh muzeun etnografik të Tiranës, por njoh kostumet tona kombëtare. Janë një pjesë e rëndësishme e traditës që duhet të mirëmbajmë e vlerësojmë. Më vjen keq që Shqipëria, në vrapimin drejt “modernizimit”, harroi të mbrojë si duhet traditën e saj historike dhe arkitekturën. Duke parë disa nga qytetet tona duket sikur jemi pa rrënjë.
Ç’ keni dëgjuar prej prindërve për rrënjët tuaja familjare?
Prindërit
kanë qënë gjithmonë shumë të kujdesshëm me ne fëmijët, përsa i përket historisë
së kaluar familjare. Në fillim, kur sapo fillova të kuptoj, vura re se në kopësht
na flisnin për historinë e Vendit në mënyrë krejtësisht të ndryshme nga çfarë dëgjoja
në shtëpi. Pak nga pak, pas arrestimit të babit, e kuptova që e vërteta ishte
ajo që dëgjoja në shtëpi e unë, si fëmijë, duhej t’a mbaja të ndrydhur atë të vërtetë
e të mos flisja për të me askënd jashtë familjes. Jashtë shtëpisë përjetohej
adhurimi për komunizmin, brënda saj urrejtja për të.
Sa më tepër
rritesha, aq më interesante ishte të dëgjoja historinë e familjes sonë e të miqve
të saj nga goja e gjyshes e gjyshit apo e
miqve. Sa herë që ata flisnin unë strukesha mbi divan për të mos humbur
as edhe një fjalë. Ishte një histori e mbushur me dinjitet, dashuri për kombin,
për kulturën, ndershmëri, respekt, sakrifica.
Sa e ndryshme ishte jeta për të cilën ata flisnin para burgim-internimeve nga ajo që jetonim ne!
Vitet e vështira në internim, besoj kanë pasur edhe momente gëzimi?
Gëzimi më i madh ishte harmonia e pamasë që zotëronte në shtëpi. Gjyshja, gjyshi, babi, mami, un, motra dhe vëllai ishim 7 vetë që formonin një familje të përsosur, pa zënie, pa mërí, vetëm dashuri e zëmërgjërësi ndaj njëri tjetrit. Kjo ka qënë mburoja që na mbronte nga klima e tmerrshme e luftës së regjimit kundrejt nesh.
Pra edhe për ju në ato vite aq të vështira paska pasur një hektar qiell, ditë me paqe qiellore?
Disa çaste
mbetën në mëndje si mrekullira të Zotit për ne: kthimi i babit nga burgu dhe
lindja e vëllait, së bashku me vdekjen e Enver Hoxhës. Si mund të harroj çastin
e parë kur pashë detin në moshën 10 vjeçare? Sa herë që mblidheshim me dajat
ose familjen e xhaxhit të babit ishte festë. (Nuk ndodhte që të afërmit e tjerë
të vinin shpesh sepse kishin frikë)
Për të mos folur për ditën kur e lashë Shqipërine për të ardhur në Itali, në shtator 1990.
A mund të më tregoni ndonjë moment nga më të dhembshurit, ose më të shëmtuarit, që u ka mbetur në mëndje?
Me
momentet e trishtuara lista do të bëhej tepër e gjatë. I pari çast ishte ai kur
arrestuan babin. Isha shumë e lidhur me të e kur e morën e nuk kthehej më në shtëpi
besoj se kam përjetuar një nga traumat e para të jetës. Pastaj shpërngulja në Grabjan,
në një mbasdite tetori, sipër rimorkios së një kamioni dhe stërgjyshja e ulur
mbi një stol me fytyrë të trishtuar. Sëmundja e motrës, menjëherë pas
arrestimit të babit, që e detyronte nënën të shkonte në këmbë deri në spitalin
e Lushnjes, (distanca me qytetin ishte
Çaste të hidhura ka pasur gjithashtu, kur në Grabjan, fëmijë të vegjël na ngacmonin, mua e motrën me fjalë kundër familjes e babit tim që ishte në burg; kur na tërhiqnin flokët, na shanin, na fyenin e na pështynin vetëm për të na poshtëruar. Un isha vetëm 6 vjeçe, motra ime Elena 4. Mbaj mënd se një ditë, mbas disa vitesh që ishim në Grabjan, u ktheva në shtëpi duke qarë me dënesë, sepse një djalë, bir i një familjeje komuniste nga të parat e fshatit, më kishte ndalur e më kishte thënë fjalë të tmerrshme për mua e familjen. Atëherë nëna më tha: Kur ti qan i bën ata të lumtur, mëso të mos qash! Një tjetër herë, po i njëjti djalë, më ndali para një pallati, kur po shkoja tek mësuesi im, herët në mëngjes, të merrja çelësat për të hapur klasën për pastrimin. M’u kujtuan fjalët e nënës, shtrëngova dhëmbët dhe eca para për të treguar se nuk isha trembur. Ai ma bllokoi rrugën duke nxjerrë këmbën para meje. Unë e pashë në sy e nuk di se si e gjeta forcën, për t’i dhënë një shqelm e për t’i a mbathur vrapit. Që atëherë nuk më ngacmoi më. Edhe të tjera herë më është dashur të fitoj respekt duke përdorur forcën time. Shpesh herë e pyesja veten: Pse këta njerëz gjenin kënaqësi kur silleshin aq ashpër e poshtërsisht ndaj nesh. Ndaj njerëzve që nuk u kishim bërë asnjë të keqe?
Nuk dua t’u kujtoj kohët e vështira që keni kaluar në fëmininë tuaj, por mendoj se është edukative për lexuesit të dihen se si i keni kapërcyer disa momente të vështira. Kam dëgjuar se gjyshja juaj Elena, lutej për të gjithë ju. Ç’kujton ti, nga kjo gjyshe heroinë, nga babai juaj i paepur, nga nëna juaj e sakrifikuar?
Gjyshja
ime lutej shumë. Lutja ishte e vetmja armë që i kishte mbetur. Feja e besimi i
saj i madh, mendoj që e kanë mbajtur gjallë në ato vite të vështira. Shpesh herë,
kur ishte vetëm, (ajo besonte se ishte vetëm por unë e strukur aty e dëgjoja) ajo
fliste me nënën e vëllain e vet sikur ata të ishin afër saj. Kujtimet për
gjyshen janë shumë, e ndoshta, një ditë do të kem kohë të shkruaj diçka për të.
Ajo ishte tepër e ndryshme nga shoqëria në të cilën jetonim. Më kujtohet se me
sa edukatë e respekt sillej me çdo njeri që takonte. Kur shkonim tek rradha e çezmes
për të mbushur ujë, përshëndeste e kur fliste me gratë e tjera i quante ato
zonja. Nuk i harroj dot fytyrat e këtyre grave që nuk kishin dëgjuar kurrë të quheshin
zonja, por vetëm shoqe. Ka shumë episode të tjera që do t’i mbaj për librin
tim, disa që ishin shumë qesharake, por të gjitha tregojnë që gjyshja ime vinte
nga një botë tjetër e çfardo që ajo bënte, kjo gjë dilte në pah. Ajo e kishte
merak të madh edukatën e mbesave, sidomos sjelljen tonë dhe formimin kulturor. Një
ditë e dëgjoja që i thoshte gjyshit: Petrit, po rriten vajzat e nuk dinë të luajnë
në piano!. I vinte keq që komunistët e ndanë nga pianoja e saj e dashur, po
akoma më keq i vinte që mbesat e saj nuk patën mundësi të mësonin pianon si ajo.
Babai im
gjithashtu ka qënë e është një person shumë i veçantë. Mësimet e tij i merrnim
drejtpërsëdrejti nga shembulli i tij. Sa dashuri për kulturën në familje! Sa
shumë e turpshme, na mësuan, që është injoranca, asgjë nuk e justifikon atë. Babai
e kishte shumë të qartë që leximi ishte dera drejt kulturës, prandaj na nxiste
gjithmonë drejt tij. Biblioteka në shtëpi ishte e madhe e un mund të lexoja ç’farë
të doja. Isha 9 vjeçe kur fillova të lexoja vepra të Hygoit, Stendalit, Kadaresë
dhe Komedinë Hyjnore me vizatimet e Gustav Dores. Shumë bisedime bëheshin ndërmjet
gjyshërve dhe prindëve për tema kulturore e ne femijët duhej vetëm të dëgjonim.
Ky ka qenë një mësim i madh, të hapnim veshët e të mbyllnim gojën. Babai më ka
dhënë një nga mësimet më të rëndësishme të jetës: Dëgjo gjithmonë ndërgjegjen tënde
e mendo me kokën tënde!. Akoma sot e falënderoj për këtë.
Nëna ime gjithashtu është një grua e mrekullueshme. Ajo ishte shumë e re kur u martua me babain e që atëherë jeta i dha çaste shumë të vështira. Humbja e djalit të parë në lindje, një vit pas martesës, duke rrezikuar jetën, sëmundja e motrës sime kur ishte e vogël, arrestimi i babait, jeta e re në Grabjan me dy pleq e dy vajza të vogla. Ajo u bë trungu që mbajti shtëpinë mbi vete. Shpesh e shoqëroja në udhëtimet e tmerrshme në Spaç, tek burgu për të takuar me babin. Duhej shumë kohë të mbërrinje atje e ne na merrnin makinat e rastit. Mami ishte 25-26 vjeçe e burrat e shikonin shumë. Ajo trembej e më mbante dorën fort. Unë e pyesja veten pse trembej kaq shumë por nuk ja shpjegoja dot vetes. Për shkak të martesës me babin, motrat e saj nuk e panë për vite me rradhë nga frika, gjithashtu dhe një pjesë e kushërinjve. Ajo kurrë nuk e dha veten për këtë gjë, por gjithmonë na thonte se neve ishim jeta e saj. Vetëm një herë e pashë që qante, pak kohë përpara rënies së komunizmit, kur u martua mbesa e saj e parë që e donte shumë e ajo nuk u ftua në dasëm. Nuk ka asnjë dyshim që familja Merlika ka një borxh të madh kundrejt nënës sime, e cila flijoi rininë e saj për ta përtërirë këtë familje, ashtu si e përtëriti me ne, tre fëmijët Merlika.
A mund të flisni diçka për gjyshërit tuaj?
Më tepër
se prindërit në edukimin tim kanë ndikuar gjyshërit e mi. Besoj se ata kanë qënë
një nga dhuratat më të bukura që më ka falur Zoti. Gjyshi, që kishte mbaruar
fakultetin e inxhinjerisë elektrike në
Jam
rritur me citatet e autorëve latinë, me diskutimet për historinë e popujve,
sidomos të Ballkanit, me biseda për politikën shqiptare e me historinë e stërgjyshërve,
Mustafa Merlika (gjyshi i babait nga i ati) e Sotir Gjika (gjyshi i babait nga
nëna e tij) e të grave të tyre, si edhe të të gjithë rrethit të familjes e të miqve.
Babai e nëna,
gjithashtu, më dhanë shembullin e tyre, sepse mbaruan gjimnazin me nota të shkëlqyera.
Babi nuk mundi ta vazhdonte shkollën e lartë, por ai ia dha vetë kulturën
vehtes duke lexuar. Edhe sot akoma më mrekullon me njohuritë që ka në fusha të ndryshme.
Kur mendoj që të gjithë këtë kulturë e ka përvehtësuar në kohën e lirë, pas punës
së rëndë cfilitëse në ndërtim, që e filloi që 16 vjeçar, më duket e pabesueshme.
Nëna ime,
ditën që lindi vëllain tonë, kur ne shkuam ta shohim në shtëpinë e lindjes së fshatit,
i kërkoi babait një libër.
Pra leximi e kultura ishin e vetmja mënyrë për të mbijetuar në shkretëtirën e ideve e të shpirtrave të Shqipërisë komuniste.
A mund të flasim për motrën tënde Elena?
Motra ime
e vogël, Elena, e cila meriton një libër në vete e sigurisht, me pak fjalë, nuk
do të jetë e lehtë të përmbledh esencën e tij, lindi në Pluk më 17 mars 1979. Ishte
fëmija që babai e nëna e konceptuan duke pritur arrestimin e babait, me frikën që ai do të mbetej i burgosur me
vite. Ç’farë kurajoje duhet në situata të tilla, për të menduar një jetë të re.
Elena, qe një fëmijë i qetë e i lumtur në muajt e parë të jetës. Kishte 18 muaj
kur babai u arrestua e ne u shpërngulëm në Grabjan. Që e vogël ka vuajtur shumë
me shëndetin, sepse një infeksion në veshka që nuk u kap me kohë u komplikua
shumë dhe e bëri të vuajë si nuk e meriton një fëmijë. Prindërit e mij ishin të
pikëlluar sepse autoritetet vendore dhe eprorët e tyre të degës punëve të mbrendëshme
që i urdhëronin ata, nuk i jepnin leje të shkonin të vizitonin fëmijën në spitalin
e Lushnjës. Kjo gjëndje vazhdoi për gati dy vjet e qe një nga shprehjet më flagrante
të dhunës çnjerëzore që Sigurimi i shtetit ushtronte edhe mbi fëmijët e pafajshëm,
duke i dënuar me mungesë ndihme shëndetësore, gjë të cilën asnjë ligj ndërkombëtar
nuk e pengon edhe për kriminelët më të mëdhenj.
Elena qante çdo natë e sa më tepër kalonte
koha, aq më tepër bëhej e fortë e duronte dhimbjet me sytë e saj të mëdhenj të mbushur
me lotë. Ende sot motra ime paguan pasojat e atij krimi shëmbullor të komunistëve
(ajo sot është në dializë). Në Grabjan ishte e ngjitur mbas meje e bashkë kemi
kaluar shumë nga ato çaste të paharruara, në të cilat sharjet e fanatikëve
kriminelë pa tru na mbulonin. Natyrisht e gjithë familja ka pasur gjithmonë një
kujdes të veçantë për Elenën. Ajo ishte shumë ndryshe nga un e sigurisht, ndër
ne të dyja, ishte motra “simpatike”, ajo që hynte në shtëpitë e evgjitëve e
hante me ta, ajo që puthte të gjithë, edhe një qen të vogël të fqinjëve, i
donte të gjithë, krejtësisht ndryshe nga unë, që isha ajo e egra, ajo që nuk
duronte askënd t’a prekte ose t’a
puthte, ajo që kishte merak e nuk futej në asnjë shtëpi të të tjerëve, ajo që gjykonte
gratë nga lloji i këmbëve që kishin (çudi, herën e parë që shihja një grua e vështronja këmbët, në qoftë se ato nuk më pëlqenin nuk i
afrohesha dot). Për mua ajo qe shoqja e
vërtetë, me të cilën ndamë gjithçka, ashtu siç është ende sot, kur asnjë shoqe apo konfidente nuk zë vendin
e motrës në shpirtin tim. Ajo ishte shumë
e zonja në shkollë, e para e klasës, megjithëse mësuesi i saj i klasës së parë,
që e nxori në tabelë nderi pa ditur kush ishte, desh përfundoi i rjepur për së gjalli
për këtë akt drejtësie.
Motra, si
e gjithë familja ime, u bashkua me mua e gjyshen në Itali në vitin 1991 në moshën
12 - vjeçare. Mbaroi në
Motra
jeton në Milano me të fejuarin e saj. Shpesh vijnë tek ne, për të kaluar çaste
të këndëshme. Vazhdon të vuajë nga veshkat e, me sjelljen e saj të kurajshme
ndaj sëmundjes, na jep, çdo ditë, një mësim të vyer jete.
Ajo e un shpesh herë jemi shkëmbyer nga njerëzit që na kanë marrë për njëra tjetrën. Kemi flokë të shkurtëra e me onde, sy ndërmjet së blertës e gështenjës, shprehës, të njëjtën gjatësi, të njëjtin trup. Vashdojmë të shkëmbejmë veshjet. Vazhdojmë të shkëmbejmë librat, idetë, zbulimet. Ajo është nëna e dytë e djalit tim që e adhuron.
Sa vjeç është vëllai, si quhet, a është në shkollë apo në punë?
Vëllai im Besandër lindi në Grabjan më 11 Mars
1984. Ardhja e tij qe gëzimi më i madh i
viteve të internimit. Un isha 8 vjeçe kur lindi, pra mbaj mënd çdo hollësi të lidhur
me të. Ishte fëmija më i bukur që më kishin parë sytë. Më në fund djali i
pritur në këtë familje prej vitesh, trashëgimtari i vetëm i emrit. Sandro ose
Besi, siç e quajmë, qe që në fillim një fëmijë shumë çapkën e njëkohësisht jashtzakonisht
i zgjuar. Gjyshërit e adhuronin plotësisht. Kur erdhi në Itali ai ishte 7 vjeç e
kohët e para qenë të vështira, sepse ai nuk fliste italisht e fëmijët nuk e
pranonin në mes tyre. Pastaj kur mësoi gjuhën, brënda 4-5 muajsh, u bë kapidani
i të gjithë shokëve. Ai mbaroi Liceun shkencor në
A mban lidhje me Shqipërinë?
Shumë pak, praktikisht me pak shokë e disa të afërm.
Hobi juaj?
Sigurisht leximi. Nga teologjia tek filozofia, tek letërsia, deri tek biografitë e njerëzve të famshëm, sidomos të grave. Fati i njerëzve është shumë i çuditshëm prandaj më pëlqejnë jetëshkrimet. Përveç leximit më pëlqen të punoj në kopësht, të bëj aktivitet fizik si vrapim, gjimnastikë, not, ski. Shtëpia dhe puna për mobilimin e saj është gjithashtu në shënjestër. Ëndrra ime është të kem kohë më tepër për të shkruar.
Ç’farë pëlqeni e ç’farë kritikoni tek njerëzit?
Kultura ështe një nga aspektet më të rëndësishme që së bashku me inteligjencën e mirësinë e shpirtit bëjnë njeriun. Personalisht jam e tërhequr natyrisht nga eleganca që nuk ka të bëjë me bukurinë. Bukuria është një dhuratë, eleganca është gjysëm e lindur, gjysëm e kultivuar, merita e vërtetë i takon kulturës dhe shpirtit mbi të cilët duhet të punojmë gjithë jetën në qoftë se nuk duam ta hedhim shkurreve eksistencën tonë.
Duke parë pozicionin tuaj a mendoni se gruaja në emigracion arrin tek suksesi?
Sigurisht mendoj se është e mundur. Ka shumë shëmbuj në këtë drejtim, mendoni për suksesin e madh të emigranteve ruse në Parisin e viteve 20 e sidomos të grave te aristokracisë ruse qe patën një rol shumë të rëndësishëm per modën (drejtoresha e parë e maison Chanel ishte ruse). Shoqëria perëndimore po kalon një moment të veçantë në të cilin krijon pak talente sepse mirëqënia i ka bërë njerëzit të mendojnë se gjithçka në jetë është e lehtë. E shoh kur bëj intervista me vajza e djem të ri për të punuar me mua. Nuk kënaqem kurrë me përgatitjen e tyre. Dinë shumë pak por kanë pretendime të larta e nuk duan sakrificën. Kjo botë ka nevojë për njerëz me flakë në shpirt jo për njerëz që flenë me sy hapur. Për të zotët do të hapet gjithmonë rruga në sektorin privat
Edira me
dergoi nje poezi kushtuar babit te saj, te cilen e
KRISHTLINDJE 2002
Ty baba, me gjithë dashurinë e mirënjohjen time.
Faleminderit Edira, ishte kenaqei e vecante bashkebisedimi me ty.
Intervistoi Julia Gjika
Prill – Maj 2012