E premte, 26.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet poetja, shkrimtarja, Vojsava Nelo

E hene, 04.06.2012, 01:39 PM


Unë synoj që poezia ime të mbrrijë te të gjithë njerëzit për të komunikuar me ta ide dhe emocione

Nga Albert Zholi

1 - Kohët e fundit Teatri Metropol (Qendra Kulturore Tirana) organizoi mbrëmjen poetike EJA TË DUHEMI nga VOJSAVA NELO, me interpretimin e disa prej aktorëve më të njohur shqiptar. Ç’mund të na thoni për të? Si u ndjetë në këtë mbrëmje?

Ajo që mund t’ju them, që në krye të herës, është se jam ende nën “efektin” emocional   të asaj performance të bukur dhe të asaj jehone artistike që vazhdon të ndihet ende në shpirtin tim (edhe pse kanë kaluar disa javë) duke më mbushur me një lloj kënaqësie të plotë, që krijuesi e kërkon pasi ka investuar ndër vite.

Jo se nuk e kam marrë herë tjetër, përkundrazi, por çdo herë ka kënaqësinë e vet, ngarkesën e vet emocionale, risinë e vet. Në këtë këndvështrim, ajo mbrëmje pati të veçantën e vet, risinë e vet, mjafton të përmend faktin se performancat poetike, midis të cilave edhe performanca EJA TË DUHEMI me poezinë time, janë realizuar në kuadër të 100- vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar; qoftë dhe për faktin se artistë të përzgjedhur të skenës shqiptare, në Teatrin e Metropolit, mbërthyen një sallë që hera-herës të krijonte përshtypjen se nuk frymonte, ose frymonte aq qetë, aq ngadalë, sa ti nuk arrije ta dalloje, ta merrje vesh. Pra, edhe pse kanë kaluar disa javë, përjetoj ndiesinë e habitshme sikur jam ende ndënë atë kupol, e ende ndiej Margaritën, Yllkën, Fatosin, Rozin, Anilën, Kastriotin të përcjellin vargjet e mia dhe një dashuri, që do ta quaja, të veçantë, (ja dhe nje risi….) Përjetoj ndiesinë sikur s’bëjnë gjë tjetër, veçse enden midis vargjeve të mi, brenda muzës sime, duke gjetur më të mirën për vete dhe për mua, prej asaj muze që ua kam dhënë të tërën, pa rezervë, pa droje, pa frikë, deri në thellësi të qenies; pa anashkaluar asgjë, pa fshehur asgjë, duke shpërfaqur një tërësi gati emblematike, gati të rrallë.

Dhe tani që ne flasim, mua më duket se ata janë aty, brenda asaj muze dhe atij teatri që ka filluar të më duket si një tempull i madh arti. Ai kështu ndoshta ka qenë, po s’kam qenë unë brenda tij, s’ka qenë poezia ime, s’ka qenë Vojsava me poezinë e saj EJA TË DUHEMI.

2 - Po kur dhe si filloi Vojsava të dashurojë letërsinë?

Shumë herët e për të mbrritur tek përzgjedhja e poezisë sime për këtë mbrëmje, përzgjedhje që e kam titulluar EJA TË DUHEMI, kam punuar plot një jetë. Mjafton të përmend faktin se libri im i parë “Kur çelin ëndërrat“ është botuar në vitin 1977.   Pra, plot 35 vjet mbushur me punë e përpjekje për krijimtari letrare.

Plot 35 vjet, (pa llogaritur kohën më parë, që gjithashtu është e ngjeshur me përpjekje dhe dëshirë, me luftë dhe emocion), me poezi dhe botën e saj që sa është privilegj, të paktën në dukje, aq edhe sakrificë, punë dhe lodhje që mund t’i dijë mirë ai që bën rrugën që kam bërë unë, apo që e ka bërë dhe e bën bashkë me mua. Plot vështirësi, pengesa e kapërcime pengesash që, siç them në një poezi të  “Gërshetit...“, nuk do t’i kisha kapërcyer, “po të mos ishin krahët e erës....” .

Një jetë e tërë me emocione pozitive dhe negative, me dashamirës e dashakeqas, arritje dhe dështime, e përsëri arritje, një realitet e gjitha kjo kohë, kjo jetë më saktë, që, sa të mbush me gëzim dhe sodisfaksion, aq edhe të zhyt në meditim e përjetime të afërta e të largëta, prej nga shpesh del e cfilitur, por gjithësesi ajo që ke zgjedhur të jesh. Më saktë, që ke lindur të jesh. Nuk do të doja të isha tjetër, kurrësesi jo, dhe e kam refuzuar edhe kur më është ofruar, sepse siç thotë nobelistja polake Visllava Simborskaja, (ndarë nga jeta para pak kohësh), ...“bëj pjesë në atë grup njerëzish të përzgjedhur, në grupin e të të mikluarve të fatit”.

3 - Ku synon Vojsava me poezinë e saj?

Si shumica e autorëve përpiqem të eksploroj në zonat më drithëruese të shpirtit njerëzor, në ato pjesë që unë njoh, ndiej, përjetoj. Kërkoj nëpër rrënjët e mia, duke u përpjekur vazhdmisht për të qenë unë dhe vetëm unë, Vojsava; për të qenë sa më origjinale. Gjej vendin këtu të citoj Dritëro Agollin, i cili, në parathënien e “Gërshetit..., shkruan: “Vojsava Nelo ështe një poete e vërtetë, një poeteshë origjinale, e veçantë...  Poezia e saj është e natyrshme, e bukur ... Vjershat e saj janë vjersha  të një femre delikate, të brishtë, të ndjeshme... Në poezinë e saj tingëllon një harmoni në lëvizje. Nuk është një harmoni si sendet në një dhomë, por një harmoni me shpirt... Ka identitetin dhe figuracionin e saj, metaforat dhe mjetet e tjera artistike. Është një poezi që nuk të lë indiferent, po të bën për vete. Është spontane dhe të kujton atë që thotë Tolstoi, shkrimtari gjenial i shek. XIX, “krijimtaria është si teshtima, që kur të vjen, nuk e mban dot”. Nuk e mban dot, sado ta shtrëngosh hundën. Dhe Vojsavës i vjen për të shkruar dhe shkruan poezi siç e ndjen, siç e përjeton nga shpirti”. E ndërsa citoj Dritëroin, më vjen ndërmend nobelisti grek Elitis, i cili thotë “Të jesh origjinal, duhet te kërkosh atje ku ti je; atje ku ti jeton; atje ku ti merr frymë, atje ku ti ke rrënjët e tua” . - “E rëndësishme është - thotë ai, - që në fund të gjesh autonominë personale dhe atë çka është akoma më e rëndësishme të vërtetën tënde. Ja, këtë përpiqem të bëj unë; të poetizoj “të vërtetën “ time. Të vërtetën artistikisht. Nëse do jesh pranë meje dhe do vësh re, do dallosh se unë jetoj përmes gjendjeve emocionale që alternohen pafundësisht, duke më krijuar atë çast fatlum që lind poezinë, e cila vjen prej shpirtit tim. Pastaj ulem e merrem me të, punoj pa u lodhur dhe pa u tërhequr t’i rris përmasat, bukurinë, dhe t’i jap një karakter sa më universal. Ndonëse shkruhet në vetën e parë, (parapëlqimi im), ajo nuk kufizohet në caqet e ndiesive, emocioneve, dhimbjeve e brengave vetiake. Poezia ime është vetiake, po aq sa është universale, dhe kjo falë strukturave artistike, figurave letrare, ritmit dhe harmonisë për të cilën synoj që, më shumë të ndihet, se sa të duket. Përpiqem pra t’i rris përmasat, t’i jap një tingëllim sa më artistik dhe një karakter, siç thashë, sa më universal. Nuk di sa ia dal, por di që ka lexues që e pëlqejnë poezinë time, që e duan. Prej vitesh poezia ime ka ushqyer dhe ushqen repertorin poetik te Artistes së Popullit, Margarita Xhepa, hera-herës të Roza Anagnostit apo Hajrie Rondos. Ka prekur Bujar Asqeriun apo Suela Konjarin, që para pak kohësh ngjiti poezinë time ne skenën e Teatrit Kombëtar.

Ku synoj unë me poezinë time? - pyesni ju. Unë synoj që poezia ime, siç e thash edhe pak më lart, të mbrrijë tek të gjithë njerëzit, të komunikojë me të gjithë njerëzit.

4.- Vojsava, ne shkuam drejt e te mbrëmja jote poetike, dhe kjo kuptohet pse, po tani do të donim diçka nga fëmijëria juaj? Si ka qenë ajo? Si e kujton, si e shikon ti kur kthen kokën për ta parë?

Një nga impresionet më të forta për fëmijërinë time, e pamundur të më shqitet, në trajtën e një imazhi të fortë, më saktë mirazh, është mirazhi që ja, ja, dhe tani që ju më pyetët sapo m’u shfaq, ja, shihe, e dallon dot? Unë e dalloj mirë. Është mirazhi sikur unë sapo dal nga ujrat, sapo lind. Sapo lind pikërisht aty, në det e nga deti. Nga ujrat e kaltërta, prej një barku të kaltër që më nxjerr në dritë, përmes një drite, përmes një kaltërsie dhe përmes një bukurie, që është e parrëfyer, nuk arrin ta artikulosh. Një lindje që vjen përmes një gjëmimi të kaltër e të bardhë njëherazi, të shkumëzuar si në legjenda, mbushur me frymëzime të habitshme, të ëmbla, të vogla e të mëdha, të tilla që, nuk do të shterrnin plot një jetë, madje do të jehojnë përtej saj... Mund të duket e çuditshme kjo, po në fund të fundit, “…tek e çuditshmja qëndron poeti”, - thotë Elitis.

Ja, këtë sjell ndër mend, kjo shfaqet në parafytyrën time, sapo dikush më pyet apo do të dijë diçka për fëmijërinë time, siç bëtë dhe ju. Kjo është. Shkurt, kam lindur në det, prej deti, dhe shpesh jam aty, notoj e kaloj nga njëra dallgë në tjetrën pa frikë, pa ndrojë, po si krijesë e tij. Ndryshe, si mund të kapërceheshin gjithë ato dallgë që më është dashur të kapërcej?! Ato dallgë e vargmale dallgësh  që më kanë dalë përpara?! Kini qenë ndonjëherë në det, je gjendur ndonjëherë përballë dallgësh? Dallga, ndodh të të mbyt dhe kur është e vogël, e lehtë, pa le e madhe. Kurse mua jo. Mua nuk më mbyt, sepse ta thash, kam lindur prej tyre, dhe si bijë e tyre, me ruajnë e më nxjerrin në brigje, të tillë, që unë, as i di e as do të mund t‘i dija, pa le t’i arrija. Ky është Fati. Fati im, ajo që tha pak më lart Simborskaja. Çdo njeri ka të vetin. Unë pata detin. Midis valëve të kaltërta, të qeshura apo dallgëve të egra, të shkumëzuara; këtu vërtitet jeta ime, të paktën deri më sot kështu ka ndodhur; është vërtitur midis këtyre të dyjave: valëve dhe dallgëve…

Mund të duket si shumë romantike kjo, por aty e shoh unë lindjen time, ngjizjen time; aty e vendos. Ndryshe nuk ka si shpjegohet lidhja e madhe që kam unë me detin, dashuria dhe nostalgjia e thellë. Nuk e kam këtë raport me malin, edhe pse jeta e solli të jetoja vite midis tyre. Nuk u lidha dot. Nuk u shndërrua në raportet shpirtërore. Lidhja ime me malin mbeti një raport i sipërfaqshëm, i largët, hera-herës i mezipërballuar, megjithëse në një poezi them: ”malet e mia/ ju dua sa s’thuhet/ ju  kurrë s’më latë vështrimprerë/… (“Malet e mia”, “E qeshur” 1985). Për të shpjeguar më mirë këto raporte, raportin me detin dhe malin, më vjen ndërmend një poezi që titullohet “Zënkë“ e që thotë:

 

- S`ka si mali! - këmbëngulte im shoq.

Unë kërceva përpjetë.

Me detin?!

Me detin as që krahasohet dot.

Ah, deti!

Deti është jetë.

 

S`ka si mali!

………………………………

 

S`ka si deti!

………………………………

 

Lartohej njëri.

Gjëmonte tjetri.

Pastaj në heshtje

nënshkruam “armëpushim”.

Brenda gjoksit të tij

Mali.

Deti,

brenda gjoksit tim.

 

(“Mbretëroj”, poezi, 1995)

 

Ja këto mund të thoshja për momentin për fëmijërinë që, për një shkrimtar, është baza e tij, ku ai, shkrimtari, ushqen idetë e tij. Sa më e pasur të jetë ajo me mbresa, kujtime, impresione, aq më mirë për atë që dëshiron të bëhet shkrimtar. Me kureshtjen e jashtëzakonshme, me pse-të e pafundme (që nuk më shterrin as sot), një fëmijë mëson shumë, dhe gjithçka që mëson, që njeh, që vëzhgon, e arkivon në kujtesë. Një fëmijë kurioz, siç kam qenë dhe jam, pasi shkrimtari ruan në vetvete një lloj fëmijërie të përjetshme, një fëmijëri që të tjerët nuk e ruajnë dot, nuk e kanë, grumbullon shumë dhe pa e ditur, krijon atë që shpesh quhet “zahireja e shpirtit”. Kështu ka ndodhur dhe me mua. Kështu kam qenë dhe kështu jam unë; një fëmijë kurioz e i vëmendshëm, një kuriozitet që më ka pasuruar, prandaj unë them se, fëmijëria ime është pasuria ime,  themeli i artë i asaj që bëj dhe shkruaj.

5- Dëgjuam diçka rreth fëmijërisë suaj. A mund të na thoni diçka rreth familjes? Për bashkëpunimet, për realizimet, për problemet apo vështirësitë?

Po, mund të them shumë rreth familjes sime, po do përpiqem ta përmbledh në pak rrjeshta. Ajo përbehet nga unë, bashkëshorti im dhe dy fëmijët e mi, Genti dhe Artemida Jakllari. Gentiani  është doktoruar në SHBA, Universiteti i Kalifornisë dhe aktualisht punon pedagog në një nga universitetet e Francës.  .

Bashkëshorti im, Adem Jakllari, është pedagog në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Letërsisë dhe vajza, pas diplomimit vitin që shkoi për drejtësi në Universitetin e Bolonjës, ka filluar si stazhiere në një studio ligjore në Bolonjë, Itali. Por për Artemidën më lejoni të shtoj pak gjëra që lidhen me pasionin dhe prirjet e saj artistike. Është një e dhënë që Artemida e ka dëshmuar herët. Mjafton të përmënd këtu pjesëmarrjen e saj në konkurisn kombëtar të revistës për fëmijë “Filizat” në vitin 1995 dhe çmimin e dytë që ajo fitoi, për poezi. Ka qenë një gëzim për të, por dhe për ne, që atëhere mendonim se ndoshta letërsia do të ishte e ardhmja e saj. Më tej do të vinte konkursi letrar në Salerno, Itali, qyteti ku Artemida kreu studimet e mesme, një konkurs midis shkollave të mesme të këtij qyteti. Në këtë konkurs Artemida ishte fituesja e çmimit të dytë, përsëri në poezi. Po kur mbaroi Institutin Linguistik dhe erdhi koha për të vendosur se cilat do të ishin studimet e larta për të, ajo zgjodhi jurisprudencën.

Pse kjo zgjedhje? Ndoshta do vi një ditë e Artemida do ta sqaroj vet, por sot ajo është në hapat e parë, e sapodalë nga bankat universitare, në përpjekje serioze për fillimin e punës dhe konsolidimin e vetes në profesionin që zgjodhi.

6- Në fushën e krijimtarisë ku ndiheni më mirë si poete apo si shkrimtare?

Mirë ndihem në të dyja. Secila ka vendin dhe rëndësinë e vet, po si gjini të ndryshme, kanë ndryshimet e tyre. Kanë të përbashkët se të dyja janë art, letërsi, por secila ka profilin e vet, formën dhe strukturën e veçantë, mjetet artistike të realizimit, të ndryshme, prandaj i dua të dyja, prandaj i lëvroj të dyja dhe kam nevojë për të dyja. Ndërsa poezia është çast, “emocion” që ezaurohet aty për aty, vjen aty për aty e aty për aty do kapur, me romanin ndodh ndryshe. Romani nuk është një krijim i aty për atyshëm. Romani do kohën e gjatë të ngjizjes deri sa të vijë koha e lindjes, dhe lindja gjithashtu është një proçes më vete, jo i lehtë, madje i vështirë. Ky proçes ndodh tek unë, prandaj unë shkruaj romane, një gjë që vjen, jo që e kërkoj. Romani është një eksplorim  i gjatë, i vazhdueshëm dhe shtrati i tij, i gjërë. Unë e pëlqej. Në ujrat e tij zhytem vetvetiu, natyrshëm, me kënaqësi, sa herë ndodh që subjektet janë formësuar dhe kanë nevojë të lindin, të vinë në jetë, të shkruhen. Romani më jep mundësi të shumta si në lidhje me ngjarjet, me subjektet, ashtu dhe me personazhet. Për të gjitha këto e dua dhe e shkruaj, por s’ka diskutim që thelbi im, identiteti im, mbetet poezia, madje kjo ndihet edhe në roman. Poezia është si të thuash gjithë qenia ime. Ajo buron nga shpirti im dhe unë e shkruaj siç më vjen, natyrshëm, pa kërkime, pa sforco, prandaj them se poezia që unë shkruaj është shpirt, dhe si poete besoj se bëj pjesë tek ata poetë “që mbështeten tek shpirti”.

Dhe për ta mbyllur po them atë që e kam thënë dhe herë tjetër se, për mua si autore, të dyja gjinitë janë të rëndësishme; me të dyja ndihem mire, të dyja më japin mundësi për t’u shprehur, por poezia flet, siç thash me gjithë qenien time, me gjithë shqisat e mia, me gjithë ekzistencën time, prej shumë e shumë kohësh, e besoj dhe për shumë e shumë kohë…

7- Si ka qenë jeta jote, aktiviteti yt letrar dhe shoqëror në sistemin komunist?

Në një sistem si ai që mendojmë se kemi lënë pas, si shumë aspekte të jetës shoqërore, ose më saktë, si e tërë jeta e cunguar, pa dritë, pa ajër, pa frymë, edhe individi dhe aktiviteti i tij, s’mund të ishte ndryshe veçse i cunguar, pa ajër, pa dritë, pa frymëmarrje, pa ngjyrë. Megjithatë kemi gjalluar. Kam shkruar e botuar aq sa mund të botonte një letrare e re që jetonte në një provincë të largët me probleme e privacione që veç një Zot i di e, që ndërkohë, shihte shumë ëndërra, që kishte shumë dëshira, kërkesa e synime e, që, për t’i realizuar punonte shumë. Ky ka qenë aktiviteti im kryesor: puna. Puna ka qenë forca ime, aktiviteti im i parë dhe i fundit, dhe prandaj nuk kam rreshtur së punuari, as në atë sistem, as në këtë sistem. Dhe kjo për arësyen e thjeshtë: kam besuar se me punë arrihet gjithçka. Dhe vazhdoj ta besoj, “për çudi”, megjithëse me një redaktim “të vogël” se, me punë edhe nëse nuk arrin gjithcka, diçka do të arrish patjetër. Por unë do t’i qëndroj fort asaj të parës, me stoicizëm do t’i qëndroj dhe herët apo vonë, do të arrij gjithçka, do ta mbrij ëndërrën e thurrur, dëshirën e flaktë, kërkesën, synimin, me punë dhe vetëm me punë, dhe që është poezi dhe vetëm poezi. Poezi jo vetëm thjesht si gjini letrare, kjo po se po, por poezi në tërësinë e ambicjeve të mia të bazuara. Kam besuar se puna dhe arritjet do të më nxirrnin në dritë.

Me përmbysjen e atij sistemi besova se ranë përfundimisht, “barrierat” absurde të deridjeshme që nuk të linin të arrije atë që dëshiroje, dhe, në bazë të punës që bëje, do të  mbërrija aty ku të çonte ëndërra, ndaj iu lëshuam punës akoma më me vrull, që me plurarizmin e mendimit, por...

Megjithatë, unë vazhdoj t’i nënështrohem aktivitetit tim kryesor, punës, duke thithur ajrin e lirisë, të një shoqërie të lirë demokratike, e bindur se do të arrij patjetër dhe, ndërsa përthith dritën e madhe të lirisë, asaj lirie që e deshëm dhe ivestuam aq shumë, sa mundëm, ndihem e frymëzuar deri në thellësi të qenies dhe shkruaj..., e shkruaj..., e shkruaj...

Këtë kam bërë dje, këtë po bëj sot, këtë do bëj dhe nesër.

8- Sot a e mendoni se të qënit në administartë është profesioni juaj më i mirë që ju ka dhënë qetësi shpirtërore, emër dhe të ardhura të mira?

Asnjëra nga këto që artikuluat ju, dhe aq me pak qetësi shpirtërore?! Nuk bëhet fjalë, shumë-shumë mund të thuhet e kundërta, për të ta prishur qetësinë dhe kjo ndodh rëndom kur ti shkruan, je poet, je artist.

Në administratë ndodh të gëlojë mediokriteti; një poezi apo diçka tjetër e kësaj natyre stonon, prish punë, acaron dhe ky stonim, kjo prishje pune, ky acarim, kthehet në bumerang për ty. Të hap problem, si puna e atyre mizave në piskun e vapës, që, ndonëse s’të bëjnë ndonjë gjë të madhe, s’të lënë rehat, por të prishin atë që thamë, qetësinë. Ndërsa ata, mediokrit, të paaftët, mund të vrasin miza sa të duan, shumicën e kohës, e megjithatë, s’ua prish askush “qetësinë“. Mund të vrasin miza, mund të pinë kafe e bëjnë llafe sa të duan, mund të marrin sa të duan nëpër gojë, të shpifin, të trillojnë apo ku di unë çfarë, e prapë nuk ua prish njeri “qetësinë”.

Nuk e di pse, po kështu ndodh dhe mua më është mbushur mendja se poeti duhet më pak nga të gjithë, çmohet më pak nga të gjithë, respektohet më pak nga të gjithë, në një kohë që poetët, thuhet, ndriçojnë me mendjen dhe zemrën e tyre. Dhe unë kështu besoj. Ata janë hapsira e bukur, ndoshta më e bukura në kulturën e një vendi. Quintesenca e inteligjencës së një kombi, - thonë, - dhe unë prapë e besoj. Besoj se ata që i kanë thënë dhe i thonë, thonë të vërtetën, por nëse i përball këto të “vërteta” me realitetin, me ndjeni, por, më tingëllojnë patetike, një patetikë e gjallë, madje edhe më keq: gjëpura. (E përsëris, më ndjeni).

Unë personalisht, aktualisht, ndihem relativisht mirë, dhe kur them ndihem mirë nuk kam parasysh pozicionin që kam në administratë, jo. Unë nuk jam as në pozicionin që kam qenë vetëm afro dy vjet pas mbarimit të studimeve universitare.

Kur them se ndihem mirë, kam parasysh tjetër gjë; një sjellje njerëzore, të kulturuar, një edukatë qytetare, një respekt dhe qëndrim human për vlerën, për njeriun e trazuar, për të mos e trazuar edhe më.

9-Çfarë vlerësoni më shumë tek njerëzit?

Mirësinë.

Një njeri i mirë, një shok i mirë, një mik i mirë, një i dashur i mirë, një bashkëshort i mirë, ta bën jetën të mirë. Ndryshe, nëse dalim, tek antonimi i saj, i mirësisë, mund të merret lehtë me mend. Prandaj, për mua, e besoj jo vetëm, pa mirësinë s’ka vlerë asgjë. Ji shkrimtar i madh sa të duash, aktor i madh, filozof i madh, shpikës i madh, muzikant a poet i madh ji, nëse nuk je njeri i mirë, për mua edhe vlera e asaj që ti shkruan, e asaj që ti bën, që krijon, bje shumë, humbet. Për mua është shumë e rëndësishme se kush “fshihet” pas kostumit firmato, pas karrikes së lustruar apo poltronit të lartë.

Të gjitha venë e vinë, po midis shumë vlerave që ka e duhet të ketë njeriu, e që janë të shumta, e që janë të rëndësishme të gjitha, e që janë të çmuara të gjitha, po, unë çmoj, vlerësoj, veçanërisht mirësinë.

10 -Motua në të cilën udhëhiqeni në jetë?

Dashuria. Dashuria për jetën, për fëmijtë e mi, për familjen time, për muzën dhe krijimin. Për tokën ku kam lindur, për vendlindjen time, për rrugën ku eci çdo ditë, për njerëzit dhe miqtë e mi, për lexuesit dhe adhuronjësit. Për planetin tim. Për ajrin, dritën, detin dhe qiellin kur kaltëron, diellin dhe yjet. Për hënën që më magjeps pafundësisht… E për shumë e shumë dashuri të tjera, të vogla dhe të mëdha që mbushin jetën, zemrën, shpirtin tim. Ndërsa, nëse doni të dini për kryedashurinë, ajo është djali dhe vajza ime, Gentian dhe Artemida Jakllari, boshti rreth të cilit vërtiten të gjitha dashuritë, të vogla e të mëdha, e përditshmja, e përnatshmja, vetë jeta.

Faleminderit Vojsava për intervistën...

Faleminderit juve që më dhatë mundësinë të komunikoj me lexuesin tuaj, të shprehem, të rrëfej disa prej momenteve të jetës dhe punës sime, veçanërisht asaj letrare dhe artistike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora