| E hene, 04.06.2012, 01:39 PM |
Unë synoj
që poezia ime të mbrrijë te të gjithë njerëzit për të komunikuar me ta ide dhe
emocione
Nga Albert Zholi
1 - Kohët
e fundit Teatri Metropol (Qendra Kulturore Tirana) organizoi mbrëmjen poetike
EJA TË DUHEMI nga VOJSAVA NELO, me interpretimin e disa prej aktorëve më të njohur
shqiptar. Ç’mund të na thoni për të? Si u ndjetë në këtë mbrëmje?
Ajo që mund
t’ju them, që në krye të herës, është se jam ende nën “efektin” emocional të asaj performance të bukur dhe të asaj
jehone artistike që vazhdon të ndihet ende në shpirtin tim (edhe pse kanë kaluar
disa javë) duke më mbushur me një lloj kënaqësie të plotë, që krijuesi e kërkon
pasi ka investuar ndër vite.
Jo se nuk
e kam marrë herë tjetër, përkundrazi, por çdo herë ka kënaqësinë e vet, ngarkesën
e vet emocionale, risinë e vet. Në këtë këndvështrim, ajo mbrëmje pati të veçantën
e vet, risinë e vet, mjafton të përmend faktin se performancat poetike, midis të
cilave edhe performanca EJA TË DUHEMI me poezinë time, janë realizuar në kuadër
të 100- vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar; qoftë dhe për faktin se
artistë të përzgjedhur të skenës shqiptare, në Teatrin e Metropolit, mbërthyen
një sallë që hera-herës të krijonte përshtypjen se nuk frymonte, ose frymonte
aq qetë, aq ngadalë, sa ti nuk arrije ta dalloje, ta merrje vesh. Pra, edhe pse
kanë kaluar disa javë, përjetoj ndiesinë e habitshme sikur jam ende ndënë atë kupol,
e ende ndiej Margaritën, Yllkën, Fatosin, Rozin, Anilën, Kastriotin të përcjellin
vargjet e mia dhe një dashuri, që do ta quaja, të veçantë, (ja dhe nje risi….) Përjetoj
ndiesinë sikur s’bëjnë gjë tjetër, veçse enden midis vargjeve të mi, brenda muzës
sime, duke gjetur më të mirën për vete dhe për mua, prej asaj muze që ua kam dhënë
të tërën, pa rezervë, pa droje, pa frikë, deri në thellësi të qenies; pa
anashkaluar asgjë, pa fshehur asgjë, duke shpërfaqur një tërësi gati
emblematike, gati të rrallë.
Dhe tani
që ne flasim, mua më duket se ata janë aty, brenda asaj muze dhe atij teatri që
ka filluar të më duket si një tempull i madh arti. Ai kështu ndoshta ka qenë,
po s’kam qenë unë brenda tij, s’ka qenë poezia ime, s’ka qenë Vojsava me poezinë
e saj EJA TË DUHEMI.
2 -
Shumë herët
e për të mbrritur tek përzgjedhja e poezisë sime për këtë mbrëmje, përzgjedhje
që e kam titulluar EJA TË DUHEMI, kam punuar plot një jetë. Mjafton të përmend
faktin se libri im i parë “Kur çelin ëndërrat“ është botuar në vitin 1977. Pra, plot 35 vjet mbushur me punë e përpjekje
për krijimtari letrare.
Plot 35
vjet, (pa llogaritur kohën më parë, që gjithashtu është e ngjeshur me përpjekje
dhe dëshirë, me luftë dhe emocion), me poezi dhe botën e saj që sa është privilegj,
të paktën në dukje, aq edhe sakrificë, punë dhe lodhje që mund t’i dijë mirë ai
që bën rrugën që kam bërë unë, apo që e ka bërë dhe e bën bashkë me mua. Plot vështirësi,
pengesa e kapërcime pengesash që, siç them në një poezi të “Gërshetit...“, nuk do t’i kisha kapërcyer, “po
të mos ishin krahët e erës....” .
Një jetë e
tërë me emocione pozitive dhe negative, me dashamirës e dashakeqas, arritje dhe
dështime, e përsëri arritje, një realitet e gjitha kjo kohë, kjo jetë më saktë,
që, sa të mbush me gëzim dhe sodisfaksion, aq edhe të zhyt në meditim e përjetime
të afërta e të largëta, prej nga shpesh del e cfilitur, por gjithësesi ajo që ke
zgjedhur të jesh. Më saktë, që ke lindur të jesh. Nuk do të doja të isha tjetër,
kurrësesi jo, dhe e kam refuzuar edhe kur më është ofruar, sepse siç thotë nobelistja
polake Visllava Simborskaja, (ndarë nga jeta para pak kohësh), ...“bëj pjesë në
atë grup njerëzish të përzgjedhur, në grupin e të të mikluarve të fatit”.
3 - Ku
synon Vojsava me poezinë e saj?
Si
shumica e autorëve përpiqem të eksploroj në zonat më drithëruese të shpirtit
njerëzor, në ato pjesë që unë njoh, ndiej, përjetoj. Kërkoj nëpër rrënjët e
mia, duke u përpjekur vazhdmisht për të qenë unë dhe vetëm unë, Vojsava; për të
qenë sa më origjinale. Gjej vendin këtu të citoj Dritëro Agollin, i cili, në parathënien
e “Gërshetit..., shkruan: “Vojsava Nelo ështe një poete e vërtetë, një poeteshë
origjinale, e veçantë... Poezia e saj është
e natyrshme, e bukur ... Vjershat e saj janë vjersha të një femre delikate, të brishtë, të ndjeshme...
Në poezinë e saj tingëllon një harmoni në lëvizje. Nuk është një harmoni si
sendet në një dhomë, por një harmoni me shpirt... Ka identitetin dhe
figuracionin e saj, metaforat dhe mjetet e tjera artistike. Është një poezi që nuk
të lë indiferent, po të bën për vete. Është spontane dhe të kujton atë që thotë
Tolstoi, shkrimtari gjenial i shek. XIX, “krijimtaria është si teshtima, që kur
të vjen, nuk e mban dot”. Nuk e mban dot, sado ta shtrëngosh hundën. Dhe Vojsavës
i vjen për të shkruar dhe shkruan poezi siç e ndjen, siç e përjeton nga shpirti”.
E ndërsa citoj Dritëroin, më vjen ndërmend nobelisti grek Elitis, i cili thotë
“Të jesh origjinal, duhet te kërkosh atje ku ti je; atje ku ti jeton; atje ku
ti merr frymë, atje ku ti ke rrënjët e tua” . - “E rëndësishme është - thotë ai,
- që në fund të gjesh autonominë personale dhe atë çka është akoma më e rëndësishme
të vërtetën tënde. Ja, këtë përpiqem të bëj unë; të poetizoj “të vërtetën “ time.
Të vërtetën artistikisht. Nëse do jesh pranë meje dhe do vësh re, do dallosh se
unë jetoj përmes gjendjeve emocionale që alternohen pafundësisht, duke më krijuar
atë çast fatlum që lind poezinë, e cila vjen prej shpirtit tim. Pastaj ulem e
merrem me të, punoj pa u lodhur dhe pa u tërhequr t’i rris përmasat, bukurinë,
dhe t’i jap një karakter sa më universal. Ndonëse shkruhet në vetën e parë, (parapëlqimi
im), ajo nuk kufizohet në caqet e ndiesive, emocioneve, dhimbjeve e brengave
vetiake. Poezia ime është vetiake, po aq sa është universale, dhe kjo falë strukturave
artistike, figurave letrare, ritmit dhe harmonisë për të cilën synoj që, më shumë
të ndihet, se sa të duket. Përpiqem pra t’i rris përmasat, t’i jap një tingëllim
sa më artistik dhe një karakter, siç thashë, sa më universal. Nuk di sa ia dal,
por di që ka lexues që e pëlqejnë poezinë time, që e duan. Prej vitesh poezia
ime ka ushqyer dhe ushqen repertorin poetik te Artistes së Popullit, Margarita
Xhepa, hera-herës të Roza Anagnostit apo Hajrie Rondos. Ka prekur Bujar
Asqeriun apo Suela Konjarin, që para pak kohësh ngjiti poezinë time ne skenën e
Teatrit Kombëtar.
Ku synoj
unë me poezinë time? - pyesni ju. Unë synoj që poezia ime, siç e thash edhe pak
më lart, të mbrrijë tek të gjithë njerëzit, të komunikojë me të gjithë njerëzit.
4.- Vojsava,
ne shkuam drejt e te mbrëmja jote poetike, dhe kjo kuptohet pse, po tani do të donim
diçka nga fëmijëria juaj? Si ka qenë ajo? Si e kujton, si e shikon ti kur kthen
kokën për ta parë?
Një nga
impresionet më të forta për fëmijërinë time, e pamundur të më shqitet, në trajtën
e një imazhi të fortë, më saktë mirazh, është mirazhi që ja, ja, dhe tani që ju
më pyetët sapo m’u shfaq, ja, shihe, e dallon dot? Unë e dalloj mirë. Është mirazhi
sikur unë sapo dal nga ujrat, sapo lind. Sapo lind pikërisht aty, në det e nga
deti. Nga ujrat e kaltërta, prej një barku të kaltër që më nxjerr në dritë, përmes
një drite, përmes një kaltërsie dhe përmes një bukurie, që është e parrëfyer,
nuk arrin ta artikulosh. Një lindje që vjen përmes një gjëmimi të kaltër e të bardhë
njëherazi, të shkumëzuar si në legjenda, mbushur me frymëzime të habitshme, të
ëmbla, të vogla e të mëdha, të tilla që, nuk do të shterrnin plot një jetë,
madje do të jehojnë përtej saj... Mund të duket e çuditshme kjo, po në fund të fundit,
“…tek e çuditshmja qëndron poeti”, - thotë Elitis.
Ja, këtë sjell
ndër mend, kjo shfaqet në parafytyrën time, sapo dikush më pyet apo do të dijë diçka
për fëmijërinë time, siç bëtë dhe ju. Kjo është. Shkurt, kam lindur në det,
prej deti, dhe shpesh jam aty, notoj e kaloj nga njëra dallgë në tjetrën pa
frikë, pa ndrojë, po si krijesë e tij. Ndryshe, si mund të kapërceheshin gjithë
ato dallgë që më është dashur të kapërcej?! Ato dallgë e vargmale dallgësh që më kanë dalë përpara?! Kini qenë ndonjëherë
në det, je gjendur ndonjëherë përballë dallgësh? Dallga, ndodh të të mbyt dhe
kur është e vogël, e lehtë, pa le e madhe. Kurse mua jo. Mua nuk më mbyt, sepse
ta thash, kam lindur prej tyre, dhe si bijë e tyre, me ruajnë e më nxjerrin në brigje,
të tillë, që unë, as i di e as do të mund t‘i dija, pa le t’i arrija. Ky është Fati.
Fati im, ajo që tha pak më lart Simborskaja. Çdo njeri ka të vetin. Unë pata
detin. Midis valëve të kaltërta, të qeshura apo dallgëve të egra, të shkumëzuara;
këtu vërtitet jeta ime, të paktën deri më sot kështu ka ndodhur; është vërtitur
midis këtyre të dyjave: valëve dhe dallgëve…
Mund të duket
si shumë romantike kjo, por aty e shoh unë lindjen time, ngjizjen time; aty e
vendos. Ndryshe nuk ka si shpjegohet lidhja e madhe që kam unë me detin,
dashuria dhe nostalgjia e thellë. Nuk e kam këtë raport me malin, edhe pse jeta
e solli të jetoja vite midis tyre. Nuk u lidha dot. Nuk u shndërrua në raportet
shpirtërore. Lidhja ime me malin mbeti një raport i sipërfaqshëm, i largët,
hera-herës i mezipërballuar, megjithëse në një poezi them: ”malet e mia/ ju dua
sa s’thuhet/ ju kurrë s’më latë vështrimprerë/…
(“Malet e mia”, “E qeshur” 1985). Për të shpjeguar më mirë këto raporte,
raportin me detin dhe malin, më vjen ndërmend një poezi që titullohet “Zënkë“ e
që thotë:
- S`ka si
mali! - këmbëngulte im shoq.
Unë kërceva
përpjetë.
Me detin?!
Me detin
as që krahasohet dot.
Ah, deti!
Deti është
jetë.
S`ka si
mali!
………………………………
S`ka si
deti!
………………………………
Lartohej
njëri.
Gjëmonte
tjetri.
Pastaj në
heshtje
nënshkruam
“armëpushim”.
Brenda
gjoksit të tij
Mali.
Deti,
brenda
gjoksit tim.
(“Mbretëroj”,
poezi, 1995)
Ja këto
mund të thoshja për momentin për fëmijërinë që, për një shkrimtar, është baza e
tij, ku ai, shkrimtari, ushqen idetë e tij. Sa më e pasur të jetë ajo me
mbresa, kujtime, impresione, aq më mirë për atë që dëshiron të bëhet shkrimtar.
Me kureshtjen e jashtëzakonshme, me pse-të e pafundme (që nuk më shterrin as
sot), një fëmijë mëson shumë, dhe gjithçka që mëson, që njeh, që vëzhgon, e
arkivon në kujtesë. Një fëmijë kurioz, siç kam qenë dhe jam, pasi shkrimtari
ruan në vetvete një lloj fëmijërie të përjetshme, një fëmijëri që të tjerët nuk
e ruajnë dot, nuk e kanë, grumbullon shumë dhe pa e ditur, krijon atë që shpesh
quhet “zahireja e shpirtit”. Kështu ka ndodhur dhe me mua. Kështu kam qenë dhe
kështu jam unë; një fëmijë kurioz e i vëmendshëm, një kuriozitet që më ka
pasuruar, prandaj unë them se, fëmijëria ime është pasuria ime, themeli i artë i asaj që bëj dhe shkruaj.
5- Dëgjuam
diçka rreth fëmijërisë suaj. A mund të na thoni diçka rreth familjes? Për bashkëpunimet,
për realizimet, për problemet apo vështirësitë?
Po, mund
të them shumë rreth familjes sime, po do përpiqem ta përmbledh në pak rrjeshta.
Ajo përbehet nga unë, bashkëshorti im dhe dy fëmijët e mi, Genti dhe Artemida
Jakllari. Gentiani është doktoruar në SHBA,
Universiteti i Kalifornisë dhe aktualisht punon pedagog në një nga
universitetet e Francës. .
Bashkëshorti
im, Adem Jakllari, është pedagog në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Letërsisë
dhe vajza, pas diplomimit vitin që shkoi për drejtësi në Universitetin e Bolonjës,
ka filluar si stazhiere në një studio ligjore në Bolonjë, Itali. Por për
Artemidën më lejoni të shtoj pak gjëra që lidhen me pasionin dhe prirjet e saj
artistike. Është një e dhënë që Artemida e ka dëshmuar herët. Mjafton të përmënd
këtu pjesëmarrjen e saj në konkurisn kombëtar të revistës për fëmijë “Filizat” në
vitin 1995 dhe çmimin e dytë që ajo fitoi, për poezi. Ka qenë një gëzim për të,
por dhe për ne, që atëhere mendonim se ndoshta letërsia do të ishte e ardhmja e
saj. Më tej do të vinte konkursi letrar në Salerno, Itali, qyteti ku Artemida
kreu studimet e mesme, një konkurs midis shkollave të mesme të këtij qyteti. Në
këtë konkurs Artemida ishte fituesja e çmimit të dytë, përsëri në poezi. Po kur
mbaroi Institutin Linguistik dhe erdhi koha për të vendosur se cilat do të ishin
studimet e larta për të, ajo zgjodhi jurisprudencën.
Pse kjo
zgjedhje? Ndoshta do vi një ditë e Artemida do ta sqaroj vet, por sot ajo është
në hapat e parë, e sapodalë nga bankat universitare, në përpjekje serioze për
fillimin e punës dhe konsolidimin e vetes në profesionin që zgjodhi.
6- Në fushën
e krijimtarisë ku ndiheni më mirë si poete apo si shkrimtare?
Mirë ndihem
në të dyja. Secila ka vendin dhe rëndësinë e vet, po si gjini të ndryshme, kanë
ndryshimet e tyre. Kanë të përbashkët se të dyja janë art, letërsi, por secila
ka profilin e vet, formën dhe strukturën e veçantë, mjetet artistike të realizimit,
të ndryshme, prandaj i dua të dyja, prandaj i lëvroj të dyja dhe kam nevojë për
të dyja. Ndërsa poezia është çast, “emocion” që ezaurohet aty për aty, vjen aty
për aty e aty për aty do kapur, me romanin ndodh ndryshe. Romani nuk është një krijim
i aty për atyshëm. Romani do kohën e gjatë të ngjizjes deri sa të vijë koha e
lindjes, dhe lindja gjithashtu është një proçes më vete, jo i lehtë, madje i vështirë.
Ky proçes ndodh tek unë, prandaj unë shkruaj romane, një gjë që vjen, jo që e kërkoj.
Romani është një eksplorim i gjatë, i
vazhdueshëm dhe shtrati i tij, i gjërë. Unë e pëlqej. Në ujrat e tij zhytem
vetvetiu, natyrshëm, me kënaqësi, sa herë ndodh që subjektet janë formësuar dhe
kanë nevojë të lindin, të vinë në jetë, të shkruhen. Romani më jep mundësi të shumta
si në lidhje me ngjarjet, me subjektet, ashtu dhe me personazhet. Për të gjitha
këto e dua dhe e shkruaj, por s’ka diskutim që thelbi im, identiteti im, mbetet
poezia, madje kjo ndihet edhe në roman. Poezia është si të thuash gjithë qenia
ime. Ajo buron nga shpirti im dhe unë e shkruaj siç më vjen, natyrshëm, pa kërkime,
pa sforco, prandaj them se poezia që unë shkruaj është shpirt, dhe si poete
besoj se bëj pjesë tek ata poetë “që mbështeten tek shpirti”.
Dhe për
ta mbyllur po them atë që e kam thënë dhe herë tjetër se, për mua si autore, të
dyja gjinitë janë të rëndësishme; me të dyja ndihem mire, të dyja më japin mundësi
për t’u shprehur, por poezia flet, siç thash me gjithë qenien time, me gjithë shqisat
e mia, me gjithë ekzistencën time, prej shumë e shumë kohësh, e besoj dhe për
shumë e shumë kohë…
7- Si ka
qenë jeta jote, aktiviteti yt letrar dhe shoqëror në sistemin komunist?
Në një sistem
si ai që mendojmë se kemi lënë pas, si shumë aspekte të jetës shoqërore, ose më
saktë, si e tërë jeta e cunguar, pa dritë, pa ajër, pa frymë, edhe individi dhe
aktiviteti i tij, s’mund të ishte ndryshe veçse i cunguar, pa ajër, pa dritë,
pa frymëmarrje, pa ngjyrë. Megjithatë kemi gjalluar. Kam shkruar e botuar aq sa
mund të botonte një letrare e re që jetonte në një provincë të largët me
probleme e privacione që veç një Zot i di e, që ndërkohë, shihte shumë ëndërra,
që kishte shumë dëshira, kërkesa e synime e, që, për t’i realizuar punonte shumë.
Ky ka qenë aktiviteti im kryesor: puna. Puna ka qenë forca ime, aktiviteti im i
parë dhe i fundit, dhe prandaj nuk kam rreshtur së punuari, as në atë sistem,
as në këtë sistem. Dhe kjo për arësyen e thjeshtë: kam besuar se me punë arrihet
gjithçka. Dhe vazhdoj ta besoj, “për çudi”, megjithëse me një redaktim “të vogël”
se, me punë edhe nëse nuk arrin gjithcka, diçka do të arrish patjetër. Por unë do
t’i qëndroj fort asaj të parës, me stoicizëm do t’i qëndroj dhe herët apo vonë,
do të arrij gjithçka, do ta mbrij ëndërrën e thurrur, dëshirën e flaktë, kërkesën,
synimin, me punë dhe vetëm me punë, dhe që është poezi dhe vetëm poezi. Poezi
jo vetëm thjesht si gjini letrare, kjo po se po, por poezi në tërësinë e
ambicjeve të mia të bazuara. Kam besuar se puna dhe arritjet do të më nxirrnin
në dritë.
Me përmbysjen
e atij sistemi besova se ranë përfundimisht, “barrierat” absurde të deridjeshme
që nuk të linin të arrije atë që dëshiroje, dhe, në bazë të punës që bëje, do të mbërrija aty ku të çonte ëndërra, ndaj iu lëshuam
punës akoma më me vrull, që me plurarizmin e mendimit, por...
Megjithatë,
unë vazhdoj t’i nënështrohem aktivitetit tim kryesor, punës, duke thithur ajrin
e lirisë, të një shoqërie të lirë demokratike, e bindur se do të arrij patjetër
dhe, ndërsa përthith dritën e madhe të lirisë, asaj lirie që e deshëm dhe
ivestuam aq shumë, sa mundëm, ndihem e frymëzuar deri në thellësi të qenies dhe
shkruaj..., e shkruaj..., e shkruaj...
Këtë kam
bërë dje, këtë po bëj sot, këtë do bëj dhe nesër.
8- Sot a
e mendoni se të qënit në administartë është profesioni juaj më i mirë që ju ka
dhënë qetësi shpirtërore, emër dhe të ardhura të mira?
Asnjëra
nga këto që artikuluat ju, dhe aq me pak qetësi shpirtërore?! Nuk bëhet fjalë,
shumë-shumë mund të thuhet e kundërta, për të ta prishur qetësinë dhe kjo ndodh
rëndom kur ti shkruan, je poet, je artist.
Në administratë
ndodh të gëlojë mediokriteti; një poezi apo diçka tjetër e kësaj natyre stonon,
prish punë, acaron dhe ky stonim, kjo prishje pune, ky acarim, kthehet në bumerang
për ty. Të hap problem, si puna e atyre mizave në piskun e vapës, që, ndonëse s’të
bëjnë ndonjë gjë të madhe, s’të lënë rehat, por të prishin atë që thamë, qetësinë.
Ndërsa ata, mediokrit, të paaftët, mund të vrasin miza sa të duan, shumicën e
kohës, e megjithatë, s’ua prish askush “qetësinë“. Mund të vrasin miza, mund të
pinë kafe e bëjnë llafe sa të duan, mund të marrin sa të duan nëpër gojë, të shpifin,
të trillojnë apo ku di unë çfarë, e prapë nuk ua prish njeri “qetësinë”.
Nuk e di
pse, po kështu ndodh dhe mua më është mbushur mendja se poeti duhet më pak nga
të gjithë, çmohet më pak nga të gjithë, respektohet më pak nga të gjithë, në një
kohë që poetët, thuhet, ndriçojnë me mendjen dhe zemrën e tyre. Dhe unë kështu
besoj. Ata janë hapsira e bukur, ndoshta më e bukura në kulturën e një vendi. Quintesenca
e inteligjencës së një kombi, - thonë, - dhe unë prapë e besoj. Besoj se ata që
i kanë thënë dhe i thonë, thonë të vërtetën, por nëse i përball këto të “vërteta”
me realitetin, me ndjeni, por, më tingëllojnë patetike, një patetikë e gjallë,
madje edhe më keq: gjëpura. (E përsëris, më ndjeni).
Unë personalisht,
aktualisht, ndihem relativisht mirë, dhe kur them ndihem mirë nuk kam parasysh
pozicionin që kam në administratë, jo. Unë nuk jam as në pozicionin që kam qenë
vetëm afro dy vjet pas mbarimit të studimeve universitare.
Kur them
se ndihem mirë, kam parasysh tjetër gjë; një sjellje njerëzore, të kulturuar,
një edukatë qytetare, një respekt dhe qëndrim human për vlerën, për njeriun e
trazuar, për të mos e trazuar edhe më.
9-Çfarë vlerësoni
më shumë tek njerëzit?
Mirësinë.
Një njeri
i mirë, një shok i mirë, një mik i mirë, një i dashur i mirë, një bashkëshort i
mirë, ta bën jetën të mirë. Ndryshe, nëse dalim, tek antonimi i saj, i mirësisë,
mund të merret lehtë me mend. Prandaj, për mua, e besoj jo vetëm, pa mirësinë s’ka
vlerë asgjë. Ji shkrimtar i madh sa të duash, aktor i madh, filozof i madh,
shpikës i madh, muzikant a poet i madh ji, nëse nuk je njeri i mirë, për mua
edhe vlera e asaj që ti shkruan, e asaj që ti bën, që krijon, bje shumë, humbet.
Për mua është shumë e rëndësishme se kush “fshihet” pas kostumit firmato, pas
karrikes së lustruar apo poltronit të lartë.
Të gjitha
venë e vinë, po midis shumë vlerave që ka e duhet të ketë njeriu, e që janë të shumta,
e që janë të rëndësishme të gjitha, e që janë të çmuara të gjitha, po, unë çmoj,
vlerësoj, veçanërisht mirësinë.
10 -Motua
në të cilën udhëhiqeni në jetë?
Dashuria.
Dashuria për jetën, për fëmijtë e mi, për familjen time, për muzën dhe krijimin.
Për tokën ku kam lindur, për vendlindjen time, për rrugën ku eci çdo ditë, për
njerëzit dhe miqtë e mi, për lexuesit dhe adhuronjësit. Për planetin tim. Për
ajrin, dritën, detin dhe qiellin kur kaltëron, diellin dhe yjet. Për hënën që më
magjeps pafundësisht… E për shumë e shumë dashuri të tjera, të vogla dhe të mëdha
që mbushin jetën, zemrën, shpirtin tim. Ndërsa, nëse doni të dini për
kryedashurinë, ajo është djali dhe vajza ime, Gentian dhe Artemida Jakllari,
boshti rreth të cilit vërtiten të gjitha dashuritë, të vogla e të mëdha, e përditshmja,
e përnatshmja, vetë jeta.
Faleminderit
Vojsava për intervistën...
Faleminderit
juve që më dhatë mundësinë të komunikoj me lexuesin tuaj, të shprehem, të rrëfej
disa prej momenteve të jetës dhe punës sime, veçanërisht asaj letrare dhe
artistike.