E premte, 26.04.2024, 12:06 PM (GMT+1)

Mendime

Intervistë me kryetarin e Frontit për Bashkim Kombëtar, Prof. Dr. Bashkim Mitrovica

E merkure, 02.04.2008, 06:37 PM


INTERVISTË EKSKLUZIVE PËR "SHQIPËRIA SOT" ME KRYETARIN E FRONTIT PËR BASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR (FBKSH), PROF.DR.BASHKIM MITROVICA

01.04.2008: Zoti Mitrovica, ju përshendes në emër të redaksisë së faqes "Albania Today"/"Shqipëria Sot".

1. Kur u krijua Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH) dhe pse?

Përgjigja:

Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH) është krijuar më 4 dhjetor 1999, mënjëherë pas shpërbërjes së UÇK-së, që ishte çlirimi dhe bashkimi kombëtar, për të cilin betim kishin rënë djemtë dhe vashat shqiptare, themeluesit e UÇK-së, si Adem e Hamëz JASHARI me të gjithë familjet e tyre, Abedin REXHA, Luan e Shkelzën HARADINAJ, Zahir PAJAZITI, Hakif FEJZULLAHU, Edmond HOXHA, Sadri ZENELI, Fehmi e Xhevë LLADROVCI, Ilaz KODRA, Bahri FAZLIU, Agron RRAHMANI, Ismet JASHARI-KUMANOVA, Agim RAMADANI, Muhedin ALIU, Beqir LIMANI etj...
Arsyeja e krijimit të AKSH-së ishte një dhe e vetme, çlirimi dhe ribashkimi i të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar, me emrin SHQIPËRI.
 
2. Pse Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH) ka marrë drejtimin politik të AKSH-së?

Përgjigja:

Nëse UÇK nuk kishte një formacion politik, që do ta drejtonte politikisht luftën, të cilën realisht UÇK e fitoi në poligonet e dyluftimeve, por e humbi në poligonet e tavolinave diplomatike, siç ishte Rambuje dhe Parisi, si më pas edhe Konçuli e Ohri, shokët tanë, ndër të cilët është edhe ideologu i ribashkimit kombëtar, Mr. Gafurr ADILI, gjykuan se duhej krijuar një formacion politik kombëtar, i cili politikisht do ta drejtonte AKSH-në, e cila do të vepronte vetëm atëherë kur për këtë do të gjykonte FBKSH, sepse lufta fillon me mjete politiko-diplomatike dhe pastaj vazhdon me mjete demokratike të dhunës (kur shteren mjetet politiko-diplomatike) dhe në fund përsëri përfundon me mjete politiko-diplomatike. Pra, FBKSH paraqet trupin, AKSH dorën e djathtë, SKSH dorën e majtë dhe FKSH paraqet këmbët.
Por, i gjithë ky trup e ka edhe një kokë, dhe kjo kokë e ka edhe një tru, që është Sekretariati Vendimmarrës i Kryesisë Qendrore të FBKSH-së, ku krahas Kryetarit të Përgjithshëm të FBKSH-së, i cili në momente lufte është edhe Komandant Suprem i AKSH-së, dhe të gjithë kryetarëve të 7 zonave të FBKSH-së bënë pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të AKSH-së, edhe Shefi i Drejtorisë Qendrore të SKSH-së dhe Shefi i Këshillit Qendror të FKSH-së. Dhe, AKSH që është dora e djathtë e FBKSH-së vepron vetëm kur t'i thotë truri i FBKSH-së, Sekretariati Vendimmarrës i Kryesisë Qendrore të Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar.

3. Prej krijimit të saj e deri sot, sa aksione i ka ndërmarrë AKSH-ja, për çlirimin e trojeve shqiptare nga jugu në veri, nga lindja në perëndim? Nuk mendoj këtu vetëm në paraqitjen e saj, por dhe në goditjen e saj mbi forcat armike, serbe, maqedone, malazeze, dhe greke. -Them, kështu, sepse opinioni i brendshëm dhe i jashtëm e di se ju luftoni për ribashkimin territorial të Shqipërisë Etnike.

Përgjigja:

Fuqia apo forca e një formacioni politik-ushtarak, siç është FBKSH dhe strukturat e tij, ndër të cilat është edhe AKSH, nuk matet vetëm me aksione, por ajo matet edhe me rezultatet e atyre aksioneve, apo më mirë më thënë edhe me ndikimin e këtyre aksioneve në avancimin e çështjes kombëtare shqiptare. Bazuar në këtë që thashë më sipër, lirisht mund t'iu them se të gjitha aksionet e AKSH-së kanë qenë në kohë të duhur dhe kanë dhenë rezultate edhe në avancimin e çështjes kombëtare shqiptare, ndër të cilat si pikësynim apo nyje gordiane ka qenë dhe mbetet Kosova.
Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH), që nga themeli i saj e deri më tani ka 8 dëshmorë, por mos harroni se në vitin 2003, kur në Tiranë u arrestua Z. ADILI, armiqtë serbo-maqedonas kanë numëruar mbi 20 policë dhe ushtarë të vrarë në fushëbetejat me AKSH-në.
Besoj që shumë shpejt, për të gjitha detajet e këtyre ngjarjeve, opinioni publik kombëtar dhe ndërkombëtar do të njoftohet përmes librit të Mr. Gafurr ADILI: PËRBALLJA E FBKSH ME BE, libër që përshkruan takimin 4 orësh (në zyrat e hetuesisë së Burgut 313 të Tiranës) midis Z. ADILI dhe Shefes së Bashkimit Evropian për Ballkanin, Znj. Viktoria WALKER, libër ky që hedh dritë mbi shumë të vërteta, jo vetëm për FBKSH-në dhe strukturat e tij, por edhe mbi të gjithë politikën shqiptare dhe ndërkombëtare.

4. Fuqia e një ushtrie a qëndron në aksionet e saj apo me pretendimet dhe deklaratat e saj?

Përgjigja:

Fuqia e një ushtrie nuk matet vetëm me aksione por ajo matet edhe me vigjilencën dhe disiplinën që ajo respekton karshi urdhërave politike dhe veprimeve luftarake që ia përcakton dhe trason formacioni politik që e drejton atë, siç është Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH). Pra, ne shqiptarët dhe në rastin konkret as FBKSH dhe AKSH nuk vuajmë për luftëtarë të lirisë, sepse ato i kemi me bollëk, por vuajmë për drejtues politikë dhe ushtarakë, të cilët po arrijmë t'i krijojmë, gjë kjo që është dëshmuar pas vitit 2004, kur strukturat tona arritën që të eliminojnë bandat kriminale (me maska) që i organizonin agjenturat sllavo-greke, qëllimi i të cilave ishte që ta komprometonin AKSH-në, dhe duke kompromentuar AKSH-në te shqiptarët të vrisnin edhe idealin e ribashkimit kombëtar shqiptar. Këtë beteje e fituam me sukses, dhe në të ardhmen do t'i fitojmë edhe betejat e tjera, siç kemi ditur që t'i fitojmë edhe betejat me bandat e Serbisë, ndër të cilat ishte edhe banda "Car Lazarët", dhe shumë shpejt bashkërisht do të festojmë festën e madhe, festën e ribashkimit kombëtar shqiptar.

5. Më në fund, pas shumë rrenave, politikanët shqipfolës shpallën pavarësinë e Kosovës. A u kry edhe amaneti i dëshmorëve me këtë "pavarësi", siç po propagandojnë ata?

Përgjigja:

Edhe në fillim të kësaj intervistë e ceka se kush ishte betimi i dëshmorëve të kombit. Pra, "pavarësia" e Kosovës është hapi i parë drejt fitores përfundimtare, ribashkimit kombëtar shqiptar. Obligimin ndaj kombit dhe atdheut e kanë përmbushur vetëm dëshmorët e kombit, dhe ne të gjallët duhet ta vazhdojmë rrugën e tyre. Dëshmorët e Kombit nuk kanë luftuar për "Pakon Ahtisaari", prandaj kërkoj që askush të mos manipulojë me betimin e tyre. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj.

6. A është Kosova shtet i pavarur e sovran pas "shpalljes së pavarësisë"?
 
Përgjigja:

Kosova nuk është shtet i pavarur dhe sovran. Ajo është protektorat i OKB (me emrin UNMIK) dhe BE-së (me emrin EULEX), por rëndësi ka vetëm një element, që me këtë rast edhe "de jure" Serbia humb juridiksionin (lexo: pushtimin dhe kolonializmin klasik) mbi Kosovën, kurse 99% e "Pakos Ahtisaari" është në dem të Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare.
 
7. A ka përmirësuar Evropa Plake padrejtësinë shekullore ndaj shqiptarëve me njohjen e pavarësisë së Kosovës?

Përgjigja:

Assesi Evropa Plake nuk e ka korrigjuar gabimin dhe padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve. Gjithashtu, përderisa vetëm kombit shqiptar vazhdon t'i mohohet "E drejta e vetëvendosjes", një e drejtë universale kjo, e garantuar në dhjetëra konventa dhe rezoluta të OKB-së, si dhe përderisa Kosovës (me "Pakon Ahtisaari") i kushtëzohet e drejta e bashkimit me një shtet tjetër, në rastin konkret me Republikën e Shqipërisë, paraqet një rast "sui generis" në të drejtën pozitive ndërkombëtare, që nuk është asgjë tjetër pos një shkelje flagrante dhe një padrejtësi ndaj kombit shqiptar, gjë kjo që na bind se Evropa Plake ka ngelur po ajo Evropë që ishte dikur dhe kam bindjen se do të dështojë, sepse Ballkanin vazhdon ta lejë si një "fuçi baruti", gjë kjo që ka rrezikuar dhe vazhdon të rrezikojë, jo vetëm Evropën Plake por edhe më gjerë.

8. Në anën strategjike të veprimit politiko-diplomatik, çështja shqiptare duhet shtruar në mënyrë të ndarë në mënyrë të ndarë thela-thela (sipas ndarjes territoriale) apo në mënyrë globale si çështje unike?

Përgjigja:
 
Rregullisht dhe sistematikisht kemi deklaruar se paqja dhe stabiliteti në Evropë mund të krijohet vetëm nëse kjo paqeje dhe ky stabilitet arrihet në Ballkanin "fuçi baruti" dhe jo përmes projekt-dokumenteve të llojit "Pako Ahtisaari". Nëse kreatorët e kësaj Pako ne shqiptarëve na thonë se është një privilegj që i është bërë Kosovës, atëhe10rë ne them pse ky privilegj nuk po i bëhet edhe Serbisë, Malit të Zi, "Maqedonisë" dhe Greqisë, kur dihet fakti se Kosova nuk është shtet aq multietnik (ku nuk jetojnë as 5% minoritete) sa janë shtetet e sipërcekura: Serbia, Mali i Zi, "Maqedonia" dhe Greqia?
 
9. Pse çështja shqiptare ka karakter kolonial dhe cila është zgjidhja e qëndrueshme e saj?

Përgjigja:

Çështja shqiptare ka karakter kolonial sepse më tepër se 70% të trojeve Shqipërisë Etnike vazhdojnë të mbahen të pushtuara dhe të kolonizuara, jo vetëm nga pushtuesit serbë, malazias, sllavo-maqedonas dhe grekë, por edhe nga OKB dhe BE, që është Kosova Protektorat, sepse pasuritë e saj (të tyre) shfrytëzohen nga pushtuesit dhe kolonizatorët e trojeve të Shqipërisë Etnike. Pra, trojet shqiptare vazhdojnë të mbeten koloni, edhe në shek. XXI, kur kolonializmi ka përfunduar edhe në Afrikën e Jugut. Ky është turpi i Evropës Plake.

10. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë ka deklaruar se vetëm me ndarjen funksionale të Kosovës sipas marrëveshjes së propozuar me UNMIK-un, evitohet lufta. A është kjo deklaratë serbe paralajmërim për një luftë të re në Kosovë?

Përgjigja:

Besoj keni dëgjuar dhe lexuar deklaratën e Zëdhënësit Politik të FBKSH-së, Mr. Gafurr ADILI, me titull "NDARJA E KOSOVËS DHE LOJA DOMINO...!" Me tepër se aq sa flet ajo deklaratë nuk besoj se ka nevoje t'iu flas.

11. Si do të reagojë Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH) në rast se OKB-ja pranon marrëveshjen e propozuar nga Serbia për ndarjen etnike të Kosovës?

Përgjigja:
 
FBKSH nuk do të pranojë që shqiptarët të humbin asnjë pëllëmbë të trojeve shqiptare dhe do të dijë të reagojë në kohën e duhur. Me këtë rast duhet të paralajmëroj se kohet e ricopëtimeve të trojeve shqiptare (siç ka ndodhur edhe në të kaluarën) po na shfaqen edhe tani në shek. XXI, por të gjitha këto plane antishqiptare për FBKSH-në dhe strukturat e tij do të jeshin të papranueshme dhe do të përpiqemi që t'i fitojmë këto sfida dhe beteja që do të na shfaqen edhe në të ardhmen e afërt.
 
12. Këto ditë, Shqipëria administrative u mbush me tym e vaj si pasoje e tragjedisë së Gërdecit. Cila ishte nënshtresa e fshehtë e kësaj tragjedie dhe si komentoni se edhe në momentin e fundit, qeveria Berisha ka hedhur poshtë çdo faj të vet mbi të?

Përgjigja:

Nuk duhet të habitemi pse ndodhin këto gjëra, këto tragjedi, në Shqipërinë tonë të rrudhur, sepse situata dhe raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, siç ishte periudha e viteve 1991-1992 dhe 1997.
Armiqtë tanë sllavo-grekë kanë vepruar dhe veprojnë në Republikën e Shqipërisë. Edhe tragjedia e Gërdecit ishte dora e agjenturave sllavo-greke. Shumë shpejt, kjo do të zbardhet, dhe për këtë detyrë madhore po punojnë edhe strukturat inteligjente të FBKSH-së, Sigurimi Kombëtar Shqiptar (SKSH). Por, nuk dua të spekuloj para kohë, sepse pas përfundimit të hetimeve Shefi i Drejtorisë Qendrore të SKSH-së, Prof. Dr. (Kolonel) Çlirim Presheva, do të na informojë me një deklaratë publike.
 
13. A është dashur të shkatërrohet municioni i Republikës së Shqipërisë dhe pse u bë një veprim të tillë nga ana e qeverisë shqiptare?

Përgjigja:

Nuk kam koment për këtë pyetje, dhe nuk e kam për turp që t'iu them kështu, sepse për këtë pyetje besoj se më mirë do të mund t'iu përgjigjej Zoti ADILI, i cili jeton dhe vepron në Tiranë.

14. Politikanët shqipfolës hodhën idenë e një "komonuelth" (commonwealth) ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës, por hodhën poshtë bashkimin fizik të kufijve. Pse faktori politik zyrtar nga të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar ka hedhur një qendrim të tillë antikombëtar dhe cili është qendrimi i FBKSH-së?

Përgjigja:

Politikanët shqiptarë, si të Tiranës ashtu edhe të Prishtinës, janë politikane biznesi, prandej edhe flasin vetëm për bashkime të kapitaleve, të biznesit, midis R. së Shqipërisë dhe R. së Kosovës, dhe harrojnë të flasin apo edhe të marrin inisiativa për bashkimin kulturor, bashkimin shpirtëror, bashkimin e teksteve mësimore, bashkimin e dy akademive të shkencave (asaj të Tiranes dhe të Prishtinës), dhe për krijimin e Unionin Shqipëri-Kosovë. Nëse Kosovës (përmes "Pakos Ahtisaari") i ndalohet bashkimi me Shqiperine, atehere pse politika zyrtare e Tiranës dhe e Prishtinës tëmos krijojnë Unionin Shqipëri-Kosovë, përmes të cilit do të arriheshin bashkimet e mësipërme, ndër të cilat edhe bashkimi i kapitaleve?!

15. A duhet që shqiptarët të presin integrim në BE për t'u ribashkuar apo duhet të ribashkohen e më pas të integrohen në BE?

Përgjigja:

Integrimi i shqiptarëve copa-copa në BE nuk e realizon bashkimin e shqiptarëve, përkundrazi rreziku permanent është që Republika e Shqipërisë të mos pranohet në BE dhe Kosova dhe Serbia bashkarisht të integrohen ne BE.
Nëse do të ndodhë kjo, atëherë edhe ajo 1% pozitiv i "Pakos Ahtisaari" do të eliminohet dhe Kosova do të kthehet në një neokoloni e Serbisë.

Mesazhi juaj z.Mitrovica, për lexuesit e faqes "Albania Today" dhe për mbarë popullin shqiptar.

Përgjigja:

Të na besojnë në idealin tone, sepse gjithçka po shkrijmë për ta ribërë Shqipërinë.
Nëse politikanët shqiptarë të Tiranës, të Prishtinës dhe të Shkupit po shkrijnë Shqipërinë për të krijuar pasuri, jo vetëm për veten e tyre por edhe për nipërit e mbesat e tyre, ne të FBKSH-së po veprojmë siç dikur vepronin rilindasit tanë: po shkrijmë pasurite tona për ta ribërë Shqipërinë, prandej edhe kërkojmë besimin dhe ndihmën e popullit tonë, në këtë rruge plotë sakrifica por tepër sublime.

Faleminderit!

Përgjigja:

Edhe unë iu faleminderoj përzemërsisht.
Prishtinë, 31 mars 2008.

Intervistoi: Teuta Gjika - anëtare e redaksisë e "ALBANIA TODAY"/ "SHQIPËRIA SOT"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora