Udhëpërshkrim
Caio Werneck: Engjëll Koliqi sjell freski me muzikën burimore shqiptare
E hene, 31.03.2008, 08:03 PM
NË PROGRAMIN E RREGULLT TË PREFEKTURËS SË BELO HORIZONTES – E DIELA KULTURORE, NË PARKUN QENDROR TË KRYEQYTETIT MINEIR:
Engjëll Koliqi sjell freski me muzikën burimore shqiptare
Të pranishmit, që kishin mbushur sallën karakteristike të parkut qendror të kryeqytetit tonë, të dielën e fundit të marsit janë befasuar këndshëm, me ligjëratën e veprimtarit kosovar, mbi muzikën burimore shqiptare, e posaçërisht me tingujt e ëmbël dhe shumë joshës të instrumentit tipik shiptar – çiftelisë. Shumë nga ata i kanë kërkuar organizatorit Sergio Fantini, që këso freskishë t'u sjellë sa më shpesh.
Caio Werneck
Nga Caio WERNECK
Belo Horizonte, 31 mars 2008. – Dje, në të dielën e fundit të marsit, përgjegjësi i veprimtarive publike kulturore të Prefekturës së kryeqytetit tonë – Sergio Fantini, për dashamirësit e kulturës, në parkun qendror të qytetit, kishte sjellur një befasi shumë të këndshme, që – siç thanë shumë nga të pranishmit – do të mbahet mend për një kohë të gjatë. Kësaj radhe, E Diela Kulturore e Belo Horizontes, që tashmë është një veprimtari e rregullt kulturore në parkun tonë qendror, në sallën karakteristike (të rrumbullakët), i ishte besuar Institutit për bashkëpunim mes Brazilit e Kosovës – BRAKOS.
Ishte e vogël salla për t'i pranuar të gjithë të interesuarit për muzikën burimore shqiptare, prandaj njerëzit e përcillnin programin special të së dielës kulturore edhe nga dritaret |
Edhe në këtë ligjëratë speciale, Prof Koliqi ishte i shoqëruar nga Profesoresha jonë e nderuar dhe nga të gjithë e respektuar – Dr Vera Lúcia Alves Neves, jo vetëm në rolin e përkthyeses, por që edhe ajo ka dhënë shpjegime të mira për traditat shqiptare e sidomos për vlerat e mirëfillta të bashkëjetesës me tolerancë e harmoni të shqiptarëve të Kosovës, me pjesëtarët e kombeve të tjera që jetojnë atje, duke i lidhur edhe me shembullin e gjashtë yjëve të barabartë në Flamurin e Republikës së Kosovës.
Prof Engjëlli, duke folur për traditën muzikore burimore ndër shqiptarët, ka thënë se në shekuj ky komb i lashtë, që nga Iliria, ka qenë i detyruar që më së shumti të këndojë këngë kushtrimi për luftëra çlirimtare, këngë epike për heronjtë e dëshmorët e kombit, për tragjeditë... Këto këngë janë krijuar para shumë shekujsh. Quhen këngë popullore, sepse autori i tyre nuk dihet. Ato – ka thënë ligjëruesi – janë përcjellë brez pas brezi, pothuajse të pandryshuehsme. Pak ndryshime janë vërejtur vetëm në shqiptimet rajonale dhe në theksimet e heronjëve e dëshmorëve rajonalë. Këngët burimore shqiptare – ka thënë Koliqi – kryesisht janë kënduar si këngë vokale. Pastaj kanë filluar këndime me lahutë, me fyell e me çifteli.
Çiftelia është një instrument me dy tela - i thjeshtë, por me një muzikalitet shumë të ëmbël, që ka shoqëruar këngëtarin popullor nëpër shekuj. Ky instrument është karakteristik, vetëm në kombin shqiptar dhe kombet tjera nuk e kanë. Nuk është i fabrikuar, por punohet gjithnjë nga dora e njeriut shqiptar. Ëmbëlsia e tingujve të çiftesisë, viteve të fundit po kombinohet shumë bukur edhe me orkestrat popullore dhe me ato të muzikës rock e pop, ndër shqiptarë. Nën tingujt e këtij instrumenti shqiptarët, për shumë shekuj edhe kanë vallëzuar bukur – ka thënë ligjëruesi.
Interesim i jashtëzakonshëm i të pranishmëve për muzikën burimore shqiptare |
Në fund të ligjëratës së tij, shumë interesante, Prof Engjëll Koliqi ua ka treguar çiftelinë të pranishmëve, të cilët, së pari janë mahnitë me punën e bukur dhe dekorimin e saj me simbole kombëtare. Pastaj, Ai ka luajtur melodi instrumentale dhe ka kënduar këngë trimërie dhe këngë nga motive dasmash, me çiftelinë e tij të bukur. Edhe këndimi i Tij është pëlqyer jashtëzakonisht nga të pranishmit, të cilët në fund e kanë lutur organizatorin e këtij programi – Sergio Fantini-n, që të sigurojë sa më shpesh programe të tilla të këndshme.
Prof Engjëlli duke ligjëruar, i përkthyer nga Profesoresha Vera |
Prof Engjëll Koliqi duke kënduar me çifteli |
Edhe në këtë ligjëratë Z. Koliqi shpalosi Flamurin e Republikës së Kosovës |
Engjëlli shfleton librat në bibliotekën mobile në park |
Pamje e bukur nga parku qendror i kryeqytetit |