E merkure, 04.12.2024, 01:14 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Kakome, mallkimi i një emri

E enjte, 24.01.2008, 09:44 PM


Shkruan: Ben Andoni

Dreqin e di sepse në Shqipëri për të parë një gjë të bukur duhet të vuash. Por, kështu është. Kështu edhe do jetë, mbase. Ndryshe nuk do mund të quhej e bukur. Çdo gjë, që është në duart e natyrës është e bukur, derisa “erdhi njeriu dhe e bëri si sitë e tij”. Kur e kam dëgjuar nga një plakë e Jugut me destemelin e zi, më është dashur të sjell nëpërmend Testamentin e Vjetër, pastaj Virgjilin. Kurse ditëzeza, në jetë të vet, nuk kishte lexuar kurrë, vetëm se kishte shtënë vaj rregullisht për shenjtorët e Testamentit të ri në kishën e fshatit, ndërsa sa i përket Virgjilit...Aha. Dhe, kishte kullotur lopët në një bokërimë, tutje në fshat, dhe në kthim kishte mbartur ujë me bucelë.
...
Kurse lopët dhe mëshqerrat, që kullosin të patrazuara në gjirin e Kakomesë, pak kilometra në veri të bregut të Sarandës, e kanë ndalur kohën. Nuk kanë bari, e si në kohët mitike kullosin të azdisura. Kur shikojnë njerëz janë të kureshtuara pa fund. Gjindja me katër këmbë shikon gjindjen me dy këmbë. Ne me Maksin nuk ua heqim sytë. Taksisti sarandiot, që i ka flokët e lyer, na bën me dije se kështu ka qenë gjithmonë këtu. Si në kohën e Odisesë- na thotë. Kemi lënë bashkë qytetin më jugor të Shqipërisë, dhe 12 kilometra më në veri të saj, një kthesë ndanë një tabele e rregullt turistike, na ka lajmëruar se tutje është Manastiri i Kakomesë. Këtu është pikëndarja dhe se duhet t’i thuhet lamtumirë Qytetërimit, sepse tabela është e vetmja gjë që të lidh me turizmin institucional në këtë vend. Teksa përshkojmë një grykë, pak nga pak dalim në Gjirin e Kakomesë. Dy shenja rrotash na zbythin pak, sepse jemi vetëm në mes të një territori që nuk e njohim. Por, dy gjuetarë, që dalin befas me disa veshje të gjelbra laramane zbuluesish, janë të vetmit, që hasin në pak qindrat metrat deri në breg. Pastaj rrënoja repartesh ushtarake, një kryq i bardhë, një mol i vogël. Dikur zbarkuan anglezët dhe i përzunë partizanët apo ku anglezët bashkëpunuan me shqiptarët, një version tjetër. Maksi, që bën ciceronin kompetent nuk ndalet. I di të gjitha. “Në kohë të Qametit (viti 1997) vinin të fortë nga Saranda dhe vrisnin me automatikë ndonjë lopë dhe pastaj e merrnin me skaf në qytet”, na tregon Qametin e jermit shqiptar. Që atëherë kanë marrë frikë bagëtitë e gjora, thotë. Por, lopët disa ngjyrëshe të ulura në bisht, pak u bën përshtypje. Të tjera ecin të patrazuara, bash para nesh, sikur mos të ekzistojmë. Kurse, bimësia ndalet para tarracave të para të një shpati. Në të djathtë, sipër, është manastiri, që mban të njëjtin emër, mes një tokë krejt të zhveshur. Është e vetmja gjë të cilën mund ta vizitosh në këtë vend. Për 20 minuta, teksa i ngjitemi bokërimës, përfundojmë realisht në një nga veprat e kultit më të arrira në Jug.

Manastiri i Kakomesë

Manastiri i Kakomesë, që e kapim nga një rrugë mushkash, duke dihatur pak, është si roje mbi gjirin me të njëjtin emër. Nga këtu, ushtarët grekë dikur me nderim ushtarak, kanë përcjellë poshtë në mol një nga Ungjijtë e vjetër, që kanë qenë në këtë vend. Thuhet se është përcjellë në Muzeun Benakis, por këtu në këtë humbëtirë, tash nuk mund ta konfirmojë askush. Manastiri, që duket aq i vogël, nga poshtë është i madh dhe me të gjithë aksesorët. Por zhgënjyes për ceremoninë me ushtarët. Brenda tij kanë mbetur kisha dhe dy ndërtesa me interes, por gati të rrënuara. Dhe, mbishkrime. Ushtarët e Socializmit, edhe këtu, kanë lënë gjurmët e tyre. Jemi futur tek ai pasi kemi kaluar të çarën e një muri të lartë guri, që është i mbrojtur mirë dhe i hapur në anën jugperëndimore. Nga aty duket gjiri nga sipër. Një hyrje e veçuar e bën më të bukur gjirin. Bash në verilindje të këtij kompleksi është një kullë trekatëshe. Kurse Blloku i gurtë i shkallëve, që të çon në katin e dytë, është i shkëputur nga trupi i kullës dhe hyrja ka të ngjarë që të jetë bërë me urë druri të lëvizshme. Në qoshen veriperëndimore të manastirit është një dykatëshe, me plan pak të thyer. Një fik i madh ka mbirë aty dhe kuptohet të pëgërat e bagëtisë. Dikur shkruhesh në një shkrim teknik se kishte një harkadë me pilastra, ndërsa në katin e dytë kolona prej guri. E veçanta e manastirit ishte se kishte shumë elementë arkitektonikë si harqe, kolona, korniza, pragje dritaresh, që sot janë rrënuar. Sot, nuk meshohet dhe vetëm në 15 gusht në një festë lokale, ky vend popullohet. Nuk është i braktisur, këmbëngul Maksi. Por, duhen të paktën 500-600.000 euro, që të arrish në kualitet ruajtje që të mos jetë thjesht për qetësimin e shpirtrave por të jetë dhe një monument historik, më thotë më pas një nga krerët e fshatit, që kanë menduar gjoja për të. “Fshatrat tona janë në disa kuota shumë liberale. Nuk janë besimtarë të fortë dhe të devotshëm”, do më shtojë seriozisht. Teksa rrotullohemi të vetmuar, Maksi e ka një justifikim dhe për këtë: Çdo njeriu këtu? Është bukur, por kujt i hyn në punë. Vërtetë kujt mund t’i hyjë bukuria në këtë vend. Si për ironi, nga poshtë, deti tregon se ky vend kaq i bukur e ka mallkimin thjesht se është i bukur. Soditja dhe shëtitja në të e ka një fund. Me të njëjtin gëzim, që i jemi ngjitur, pak më vonë- po me aq i zbresim këtij vendi. Kur mbërrijmë puna e parë është të ri-miqësohemi me kafshët. Por ato nuk afrohen. E shikojnë si armik njeriun, që pas vitit 1997. Mbase gjithmonë njeriu ka qenë armik për to.

Në fshat

Pak kilometra më andej gjendet Nivica, fshati, që ka pronësinë mbi gjirin. Kemi mbërritur kryetarin e komunës në kohën limit në të dalë të fshatit, e tash ndanë një rrapi, Ladi një burrë gati 40 vjeçar, rreket të na tregojë të gjithë qerthullin e Kakomesë. Është një nga militantët dhe tash edhe kreu administrativ i këtij vendi. Ka filluar një shkollë artistike, por nuk e ka mbaruar. Flet me ngut, sepse e kemi kapur para një mbledhje të KRTS-së lokale. E fillon nga mitologjia dhe e mbaron me të sotmen. Për ironi i ka kthyer kurrizin fshatit, ashtu si Nivica detit, ndërsa para ka fushën e gjerë dhe rrugët e gurta të fshatit kudo. Problemi i Kakomesë u bë i njohur, kur fshatarët e Nivicës i bënë bllokadë forcave policore për pronat e tyre. “Për fat të mirë ne kemi tapi nga viti 1902 deri më 1945 dhe dokumenta tepër origjinale, sepse në kohën e Zogut kemi pasur një konflikt për një pyll, që është në kufi të kësaj zone. Ne e kemi humbur atë territor. Ky territor është 200 ha dhe sipërfaqja e mbetur është 3000 ha”. Kjo humbje u ka dhënë një as, që nuk e lënë sot e kësaj dite banorët dhe që tash janë të bindur se do e mbajnë. Kryetari i Komunës Kumi, ku përfshihet dhe Kakomeja sqaron qetazi: “Shteti për fatin e keq mendon sesi mund t’u japë 3000 ha këtyre fshatarëve, kur mund t’u japë atyre më mirë që kanë lek dhe kanë mundësi të japin ryshfete dhe të blejnë ministra”. Fillon nga Saranda dhe mbaron në gjirin e Kakomesë, prona e 129 familjeve, që pretendojnë pronësinë mbi bregdetin. “Kemi humbur procesin administrativ, por kemi administruar të gjithë materialin arkivor dhe jemi në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë dhe s’kam asnjë iluzion që do të fitojmë këtu, por do të fitojmë në Strasburg, si ka ndodhur me të tjerë. Janë përgatitur materialet dhe ankimimi dhe shpresojmë që brenda 2-3-4-5 vjetëve të fitojmë atje, kur të humbim këtu”, ma bën të qartë. I bie që 70 ha territor, që nëse jepet me një çmim qesharak prej 30-40 eurosh për metër katror të duhen 400-500 vjet të shlyhet vlera e tokës, dhe kjo është vjedhje e hapur, sipas tij. Nuk kuptoj asgjë nga matematika e tij, por masterplani i bregdetit, që është një filozofi e caktuar, përbën një dështim dhe një inciativë që nuk do realizohet kurrë, sipas fshatarit. E ngërçi dihet është njohja e pronave dhe vendimmarrja e pushtetit lokal, sepse ata janë të përballur me realitetin. Nuk e kuptoj sesi mund të bëhet turizëm nëse do të parcelizohet, por ankthi i pronave dhe prona private është një tjetë shenjë, që këtu nuk ecën asgjë...Ladi tashmë është në limite. Nxiton. Do të ikë.

Lufta 1

Në një sulm të koordinuar, një nga komandot më të mëdha sulmuese të Flotës Mbretërore, gjithmonë e vendosur në Detin e Adriatikut (me emrin e koduar “HOUNDERFORCE”) zbarkoi nga luftanija “BLACKMORE”, në gjirin e Kakome-së, 10 kilometra në veri të Sarandës, më 22 shtator 1944.
Ndërkaq, partizanët shqiptarë të brigadave të XII, XIV dhe IXX penetruan deri në kufirin lindor të Sarandës, në komunën e Delvinës, në të njëjtën kohë kur më poshtë, në jug, në Greqinë veriperëndimore, Gjenerali Zervas luftonte për të marrë nën kontroll qytetin e Igumenicës.

Pak zhgjëndër dhe histori

Komuna ka 10.000 banorë në 9 fshatra, që janë Piqeras, Lukovë, Nivicë, Borsh, Corrak. Janë 55 kilometra vijë bregdetare, që kjo komunë, e ka shumë më tepër edhe se shteti Slloven, që tash po habit Bashkimin Evropian me progresin e vet. Është mallkim më ka përsëritur burri dhe në ikje, sepse e ka kapur tollovinë që ka krijuar. Por pak i ka bërë përshtypje. Më tregon variantin e tij të legjendës së Zeusit, Herës, Iosë, Hermesit. Ndaj mali që fillon nga Kakomeja dhe këtej quhet Hermes...është bërë Cermes, më thotë. Në kohën e dyndjeve bullgare kanë lëvizur emri dhe një lexues i mirë i Iliadës mund të bëjë këtë analizë, që e kam nga një kujtesë historike, më cilëson në fund. Në fakt legjenda është më e thjeshtë dhe është në Peloponez. Shqiptarët, që e kanë zhvendosur me kohë Olimpin në Tomor, e kanë gjetur një zgjidhje dhe për këtë vend. Sipas historisë, Hera, mbretëresha e zotave në Olimp urdhëroi Argosin, që të ruante Ion-të dashurën e re të Zeusit. Për të ruajtur atë nga zemërimi i Herës, Zeusi e kishte kthyer në mëshqerrë. Kështu që Hera, që ishte aq e zgjuar, urdhëroi Argosin që të ruante mëshqerrën. Zeusi nuk ishte i kënaqur. Ai dërgoi Hermesin që të përzinte mostrën. Hermesi arrinte të përzinte Argosin, ndërsa këtu detajet shpërndahen në varësi të burimeve të mitit. Disa thonë që Hermesi e vuri Argorin në gjumë me ninulla, ndërsa të tjerët që Hermesi e vrau mostrën....Por, që atëhere sipas këtij njeriu, Kakomeja, ku u zhvilluan ngjarjet është e mallkuar. Në këmbë na thotë dhe gjërat e fundit...

Për Kakomenë, si është përdorur

Është përdorur nga dy krahët e politikës dhe banorët janë të ndërgjegjshëm, se janë përdorur. “Ne e kemi përdorur dhe unë e kam ditur, që edhe kjo pjesë e politikës nuk do të na japë më shumë se ajo dje, por për të arritur qëllimin duhet të zgjidhesh të keqen më të vogël. Ne në këtë moment zgjodhëm të keqen më të vogël dhe u bëmë palë me këta, që tash janë në pushtet dhe unë jam në vendimmarrje pikërisht me ata krah të politikës që është në pushtet dhe pa këto kompromise nuk mund të isha atje ku jam sot dhe ku mund të marr vendime për aq sa mundem unë sot..Dhe mua më takon dhe të marr vendime për të bllokuar por edhe për të çuar më tej. Fshatrat turistikë janë një iniciativë e dështuar që në nisje”, ka cilësuar në monologun e tij të pafundmë. Drejtuesi i fshatit dhe tash i komunës për të kundërshtuar vendimin e Kakomesë mblodhi 50 veta nga fshati, për ti bërë rezistencë këtij vendimi. Por ti bësh rezistencë kryeministrit apo qeverisë është shumë e vështirë me një fshat që është larg, thotë kryetari. Tash ikën vërtetë. Koha është e vrenjtur, por nga pak ka filluar të çelet. Mbi Rrapin e madh degët të kërleshura me njëra-tjetrën veshtojnë dhe kanë filluar të luajnë ngadalë.

Lufta 2

Në ditët në vazhdim me përmirësimin disi të motit, dhe luftimet erdhën në ngritje. Kështu në 9 Tetor, trupat e Flotës Mbretërore vazhduan luftimin dhe beteja arriti pikën kulmore me luftime nëpër rrugët brenda Sarandës gjë që çoi në dorëzimin e Gjermanëve. Rreth 620 ushtarë armiq u zunë rob (midis tyre kishte shumë Austriakë dhe Polakë). Nga pala angleze, u vranë 5 oficerë, 9 ushtarë dhe u plagosën 64 të tjerë.
Sidoqoftë drama nuk mori fund këtu. Në mbrëmjen e 11 Tetorit qendra e Sarandës u trondit nga një shpërthim i fuqishëm. Në kundërshtim me konventën e Gjenevës, komandanti gjerman kishte përllogaritur shpërthimin në qendrën e qytetit, pas tërheqjes së trupave të tij. Të zemëruar Anglezët do të paditnin më pas gjermanët për këtë thyerje të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ditën në vijim, më 12 Tetor, Gjermanët në Korfuz kapitulluan. Vetëm dy ditë më vonë në 13 Tetor, partizanët hynë në Delvinë, ku rreth 100 gjermanë të tjerë ranë rob.
Po atë ditë partizanët shqiptarë u ankuan pranë Shtabit të Aleatëve që trupat e “HOUNDERFORCE” kishin kryer plaçkitje në Sarandë.
...
Enveri injoroi krejt burimet historike dhe çlirimin e qytetit ua atribuoi partizanëve, kurse roli i Anglezëve, sipas tij, ishte kufizuar vetëm në goditjen me artileri nga kalaja e Ali Pashait në Likurs. Sesi shkoi nuk dihet. Por fshatarët vazhdojnë që të ankohen, për një zonë që është tutje larg, ndërsa Kakomeja është shumë pak e arritshme për njerëzit që duan të kapin një mrekulli. Maksi nxiton dhe tash ka filluar pazarin e rrugës. Ndërsa ne, të kënaqur, i bindemi meskinitetit të tij të neveritshëm. Dreqin e merr vesh, pse është kështu në këtë vend.
Materiali historik i Luftës marrë nga shkrimi i Richard Hodges për Çlirimin e Sarandës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora