E premte, 30.07.2021, 12:04 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Turizmi malor ne Shqiperi

E shtune, 20.10.2007, 06:02 PM


Nga Jehona Mesi

Interesi për të vizituar malet e Shqipërisë nuk është i ditëve të sotme. Turistë apo udhëtarë të huaj, janë magjepsur prej tyre dhe kanë memorizuar të gjitha mbresat e udhëtimeve në shënimet që kanë mbajtur. Tani interesi për këto udhëtime apo turizmin malor duket se po ringjallet dhe këtij qëllimi i shërben edhe guida “Linja e gjelbër shqiptare 2007”, një udhëtim mes atraksioneve mahnitëse të natyrës në brendësi të Shqipërisë, për ata që e duan turizmin eksplorues dhe të shëndetshëm. Një turizëm për të katër stinët.

Nga Thethi, një ndër vendet më të veçanta të Alpeve të Veriut, në jug, aty ku shtrihet madhërishëm “Syri i kaltër”. Nga vizita te Parqet Kombëtare, te formacionet mbi strukturat pritëse të zonave malore. Nga akomodimi dhe kuzhina shqiptare te zbavitja dhe mundësitë e argëtimit përmes sportit. Të gjitha këto janë pjesë e “Guidës malore 2007”, e cilësuar si “Albania Green line”, (Linja e gjelbër shqiptare”, një botim i “Blu Agency”, që vihet në shërbim të turistëve vendas dhe të huaj, të apasionuar pas pushimeve në mal. Shqipëria ka qenë një vend i bukur edhe atëherë kur nuk njihej nga të huajt, ajo është e bukur edhe sot që ka filluar të eksplorohet gradualisht prej tyre dhe prej vetë shqiptarëve në të gjitha stinët. Sot, jemi të plotësuar me nevojat informative për bregdetin e mrekullueshëm të Shqipërisë. Tashmë në treg gjenden informacione të mjaftueshme nga operatorë të ndryshëm publicitarë dhe turistikë, edhe shtetërore dhe private që kanë përcjellë mjaft detaje për bregdetin.

Tani ka ardhur koha që t’i jepet një frymëmarrje edhe pjesës së brendshme të Shqipërisë, asaj që në gjuhën turistike quhet “linjë e gjelbër”, ose “turizëm i gjelbër dhe i bardhë”. Këtij qëllimi i shërben “Linja e gjelbër shqiptare”, 2007, që vjen menjëherë pas publikimit të “Linjës blu 2007”, pikërisht nga të njëjtët autorë, “Blu Agency”.

Autorët duke qenë të vetëdijshëm se në këtë pikë Shqipëria është akoma më e virgjër sesa në vijën e saj bregdetare, tashmë të populluar ndjeshëm, kanë marrë përsipër të udhëheqin pushuesit, udhëtarët, eksploratorët apo aventurierët drejt një rrugëtimi të këndshëm dhe interesant. Përmes guidës ata jo vetëm ftojnë që të zbulojnë vise të reja, por edhe të marrin prej tyre sa më tepër kënaqësi. Gjithashtu autorët kanë marrë përsipër të jenë të sinqertë deri në fund me lexuesit, ata nuk ngurrojnë të tregojnë për mangësitë e infrastrukturës, apo mungesën e strukturave masive akomoduese. Por nga ana tjetër vënë në dukje se ka kaq shumë atraksione natyrore, saqë vështirësitë e rrugëve diku-diku nuk do të ndjehen shumë, nga bukuritë që ofrojnë ato në të dyja anët e tyre.

Në fund të fundit fjala eksplorim mbart në vetvete një shkallë të caktuar vështirësie që eksploratori e merr parasysh kur niset drejt aventurës.

Në guidën “Linja e gjelbër 2007”, prezantohen kryesisht Parqet Kombëtare të saj, ku fshihen pasuri të paçmueshme që ia vlen të vizitohen të paktën një herë. Aty trajtohen Parqet Kombëtare të Thethit, të Luginës së Valbonës, Lurës, Zall Gjocaj, Qafë Shtamës, Dajtit, Divjakës, Malit të Tomorrit, Bredhit të Hotovës, Bredhit të Drenovës, Prespës, Llogarasë dhe Butrintit. Por jo vetëm Parqet Kombëtare. Guida trajton edhe mjaft vende të tjera piktoreske, të cilat ndonëse nuk e gëzojnë statusin e Parkut Kombëtar ruajnë brenda tyre mistere të natyrës dhe një mikpritje të mrekullueshme, saqë është e pamundur që të mos kesh dëshirë t’i vizitosh. Të tilla janë Lugina dhe fshati Bogë, fshati i Razmës, krahina e Kelmendit, fshatrat e Voskopojës, Dardhës, Vithkuqit, Boboshticës deri tek pika natyrore e Syrit të Kaltër, që përmbyll edhe faqen e fundit të guidës. Në guidë janë lënë mënjanë abstraksionet e tjera të tipit kulturor, historik, arkeologjik., etj, sepse për këto lloje është përcjellë shumë informacion, ndërkohë që fokusi i librit në fjalë është përqëndruar tek parqet, lumenjtë, liqenet, shpellat, pyjet, kanionet e malet e shumta e kryelarta.

Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë edhe përshkrimi i strukturave pritëse të këtyre zonave për aq sa disponohen, duke shpresuar që të ndihmojë sadopak, në zgjedhjen e vendit për të bërë një ndalesë, për të pushuar dhe për t’u ushqyer, ndërkohë që turistët shpenzojnë kohën e tyre të aventurës nëpër rrugët e Shqipërisë.

Përmes guidës “Linja e gjelbër 2007” mësojmë se akomodimin dhe kuzhinën, në pikat e lartpërmendura e gjejmë në të gjitha format, që nga ushqimi natyral dhe i thjeshtë i shtëpisë, e deri tek pjatat më të sofistikuara të kuzhinave ndërkombëtare. Shtëpitë e banorëve të veriut e sidomos të Alpeve, kanë hapur dyert për vizitorët e atjeshëm, duke mos e lënë aventurën vetëm në dorën e kampingjeve, ndërsa në zonat e tjera të Shqipërisë, mund të gjendet komoditeti i vërtetë nëpër fshatra turistikë, hotelet dhe komplekset e ndryshme, të cilët duke qenë në fazën fillestare të investimit, kanë vendosur të ofrojnë cilësinë më të lartë të shërbimit standard.Kjo guidë përmbledh çdo material që i duhet një udhëzuesi të tillë.

Të bombarduar me informacion, që vjen kryesisht për bregdetin shqiptar dhe si njerëz që nuk e kemi shumë të zhvilluar kulturën e shfrytëzimit të malit, “Linja e gjelbër”, jo vetëm që informon për shumë vende një pjesë të të cilave mund t’i kemi dëgjuar apo mund t’i kemi parë në hartë, pa e ditur se sa shumë interes paraqesin, por edhe të nxit dëshirën të nisesh menjëherë atje për t’u bërë pjesë e këtij zbulimi të virgjër. Mjafton të shohësh fotografitë e përmbledhura në guidë, gjelbërimin, pyjet, alpet, honet, ujëvarat, lumenjtë, shtëpitë karakteristike, florën dhe faunën e pasur, njerëz me shpirt sportivë që ushtrojnë sportet deri tek më ekstremet duke shfrytëzuar relievin e thyer e të vështirë të këtyre zonave, dhe menjëherë kupton se turizmi malor është po kaq interesant sa ai bregdetar, për të mos thënë edhe më i shëndetshëm.

Pak fjalë për guidat

Pas viteve ’90 kur të huajt filluan ta vizitojnë Shqipërinë, guida njerëzore nuk mjaftonin më për të përmbushur kërkesat e tyre për të njohur vendin tonë. Kështu lindën guidat e para turistike që përshkruanin natyrën e bukur të vendit, qendra historike, kulturore dhe arkeologjike. Ato u thithën menjëherë nga të apasionuarit pas vendit të shqipeve. Jo vetëm shqiptarët por edhe shumë të huaj filluan të shkruajnë për Shqipërinë dhe destinacionet e saj turistike. Kishin lindur nevojat për më shumë informacion. Informacioni duhej të ishte i të gjitha llojeve, kohët e fundit edhe praktik, për strukturat pritëse që akomodojnë turistët e shumtë. Tërësia e informacionit dhe sidomos saktësia dhe prakticiteti i tij, janë shumë të rëndësishëm për turistët. Kjo është një praktikë që ata e njohin prej shumë herët po ta krahasosh me vendin tonë, i cili nuk është shumë i mësuar me përdorimin e guidave, duke i besuar më shumë rastësisë, zgjedhjes së momentit e sidomos, reklamës gojore, më e besuara e të gjithave.

Por, a është vërtet një praktikë e re krijimi i guidave turistike në Shqipëri? Po t’i referohemi kohës, do të thoshim se ky fenomen nuk ka lindur pas viteve ‘90, por të paktën rreth viteve ’30- ’40. Një libër i tillë i orientonte turistët (atëherë të pakët në numër), se si të vizitonin Veriun e Shqipërisë. Ai ishte i shkruar në gjuhën gegërisht dhe titullohej “Malet e Shqipnis”. Foto të bukura nga Alpet Shqiptare ilustrojnë tekstin shumë praktik dhe tregojnë edhe momente, edhe banorë vendas që kanë pozuar për këtë guidë.

Kultura turistike paska filluar shumë herët dhe jo rastësisht për Veriun e Shqipërisë, ose siç mund t’i themi sot, turizëm malor apo i gjelbër. Dikur deti nuk afrohej dot si mundësi turistike, ndërsa Alpet ishin një alternativë e mirë për piknik, ekskursione apo aktivitete të ndryshme, atëherë të pakta. Duke iu rikthyer Guidës sonë, “Linja e gjelbër 2007”, është një libër praktik interesant dhe i dobishëm për njerëzit që pëlqejnë natyrën dhe duan ta eksplorojnë atë. Mundësitë që libri ofron janë të shumta. Vendi ynë ka fatin e mirë të dhuruar nga natyra, të mbajë në gjirin e tij rreth 700 monumente natyre, një pjesë e të cilave ndodhen brenda zonave me bukuri përrallore e peizazhe fantastike, të denja për piktorët dhe medituesit, por edhe për udhëtarët e guximshëm dhe ata që e kanë në shpirt aventurën. Është një guidë për njerëzit pasionantë! 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora