E shtune, 20.04.2024, 12:23 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Rrugë e shkurtër për në Ulqin…

E diele, 29.07.2007, 10:09 PM


Flora NIKOLLA

Kur lë pas Urën e Bunës, një urë e vjetër, e ndërtuar me dërrasë e konstruksione metalike, futesh në një udhë të ngushtë, shtruar me asfalt. Rruga ecën me zig zake dhe makinat që përkunden sa djathtas majtas nën diellin kapricioz të një fund korriku të përshfaqin dashamirësisht ndërtime të reja.

Rrugina e asfaltuar të çon drejt pikës kufitare te Muriqanit, e çelur në majin e vitit 2002, rreth 15 kilometra larg qytetit të Shkodrës, në veri të vendit, e cila për gjatë disa vjetëve shërbeu si pikë ushtarake dhe si një barrierë që ndante kufijtë toksorë mes dy vendeve, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ajo u mbyll si pikë kufitare në vitin 1948 të shekullit të kaluar ndërkohë që çelja sërish e saj mbas 54 vjetësh u konsiderua si një lehtësi për lidhjet ndërkufitare mes këtyre zonave e më gjerë. Se për të mbërritur në Ulqin me parë të duhej të përshkoje rreth 100 kilometra nga pika kufitare e Hanit të Hotit, një pikë tjetër kufitare që të çon në Malin e Zi. "Rregullimi i rrugës na ka lehtësuar tregtinë ", thotë shoferi i një makine, tip Mercedes, një mesoburrë nga Shkodra, i cili bën disa herë në ditë rrugën nga Shkodra për në Muriqan. "Të paktën 3000 shtetas në ditë dhe 1 mijë makina" kalojnë pikën kufitarë të Muriqanit, shprehet Bashkim Çokaj, komandant i kësaj pike kufitare i cili pohon se gjatë 10 ditëve të fundit përmes pikës së Muriqanit kanë hyrë në Shqipëri edhe shumë emigrantë shqiptarë që punojnë në vende të Europës, të konsideruara të largëta si Anglia, Belgjika etj.

Vlora, një shqiptare nga Kosova tregoi se kishte qëndruar një javë në Ulqin dhe pjesën tjetër të pushimeve dëshironte ta kalonte në bregdetin shqiptar. "Ende nuk e kam vendosur se ku do të shkoj, por e di se bregdeti i Shqipërisë është shumë i bukur", u shpreh ajo. Ndërsa Xhafer Zeneli, një shqiptar i Mitrovicës i cili jeton si emigrant në Gjermani thotë se, " i kishte kaluar pushimet në qytetin bregdetar të Durrës" "Ishte një fantazi, ", thotë ai nën diellin këmbëngulës, teksa bënte gati makinën për të kaluar në pikën e kufirit të Malit të Zi Por mes qindra udhëtarëve, në pritje për të hyrë në Shqipëri, ndodheshin dhe shtetas shqiptarë, kryesisht pushues që ktheheshin nga Kroacia apo Italia, si dhe shtetas të huaj nga vende të ndryshme të botës.

Është mesi i ditës atëhere kur dielli nxeh më shumë se kurrë, kur vulat ne pasaportë të japin lejen të kalosh në pikën kufitare të Sokobinit, një lokalitet i cili ndodhet në rrethinat e qytetit të Ulqinit, i banuar kryesisht nga shqiptarë. Makina tani ecën pa zig -zake, ndërsa rrallë e tek të shfaqen fshatra, të cilët kryesisht janë të banuar nga shqiptarë.

Det i pastër dhe shumë libra ...!!!

Ulqini shfaqet papritmas.

I dyzuar mes lartësisë që ofron relievi i tij shkëmbor dhe butësisë së krijuar nga bregu i detit, Ulqini, qyteti i lashtë ilir, shtrihet nga Kepi i Mendrës në veri deri ku lumi Buna derdhet në Detin Adriatik. I konsideruar si një nga qytetet më të vjetër të pellgut të Adriatikut, për shkak të pozitës së tij gjeografike që nga parahistoria e deri ne fund të shekullit të XIX, ai ka qënë i joshur nga shumë pushtues. Disa kanë qëndruar gjatë në këtë qytet , disa më shkurt, por të gjithë, ndërsa viziton sot Ulqinin, duket se kanë lënë gjurmët e tyre.

Pjesë e Perandorisë Romake, më pas e asaj Bizantine, në shekujt XII-XIV pjesë e perandorisë Serbe, kohë nga e cila kanë mbetur shume kisha, Ulqini u mor nga Venedikasit në vitin 1415. Aktualisht, Ulqini banohet nga rreth 30 mijë banorë, dhe mbi bazë të statistikave llogaritet që rreth 7 përqind e Malit të Zi të jenë shqiptarë. Historikisht banorët e këtij qyteti kanë qënë të lidhur me aktivitetin e tyre si detarë, tregtarë dhe zejtarë.

Mbas vendimeve të Kongresit të Berlinit (1880) , Ulqini me periferitë e tij deri në lumin Bunë iu bashkua Malit të Zi, aherë një republikë vogël e përbërë nga 650 000 mijë banorë. Pikërisht në këtë periudhë njihen edhe shpërnguljet më të mëdha të ulqinakëve drejt qytetit të Shkodrës dhe rrethinave të saj. Sipas të dhënave historike, rreth 81 trungje familjesh migruan nga Ulqini, ndërkohë që bombardimi i vitit 1944 shënoi një migrim të dytë të madh nga Ulqini drejt Shkodrës.

Për mbi 40 vjet ulqinakët që jetonin në Shkodër u ndaluan nga vendlindja e tyre dhe qyteti i tyre u kthye për ta në një gojëdhënë të ndaluar. I njohur në antikitet me emrin Colchinium dhe më pas i përmëndur nga historiani romak Tit Livi me emrin Olcinium , sipas shumë gjasave, Ulqini mendohet të jetë banuar nga banorë që i takonin fisit ilir të labeatëve , i cili shtrihej rreth Liqenit të Shkodrës, dikur Liqeni i Labeatëve.

Ai mori pamjen që ka ende sot, si një qytet-plazh buzë detit Adriatik rreth viteve '70, kur udhëheqësi jugosllav Tito, kreu një sëre investimesh në këtë zonë. Banorët e këtij qyteti tregojnë se, edhe shtëpitë e vendosura në Kalanë e Ulqinit , ku janë gjetur gjurmët më të lashta të këtij qyteti, u rehabilituan pikërisht në këtë periudhë. Të veshura me rrasa guri gri, ato duken me se të mirëmbajtura, ndërsa një shoqatë është krijuar enkas për të mbrojtur këtë pasuri ku si vlerë vërtet e rrallë konsiderohet një beden ilir, i gjetur në shtresat e thella të platesë së kalasë. Në një bllok guri, i ruajtur në bedenin mesjetar, i cili dominon mbi gjirin dhe Molon e Ulqinit figuron ende një reliev me konture primitive dhe arkaike, i cili sipas historianëve, paraqet perëndinë lokale të detit, apo zotin ilir të detit si mbrojtës të këtij qyteti bregdetar.

Por që kur u pushtua për herë të parë nga turqit në vitin 1393 ai hyri në sferën e ndikimit orientalo-islam dhe nën këtë ndikim u themeluan shumë objekte fetare. Në maj të një viti më parë,(2006) në një referendum, rreth 55.4 përqind votuan pro pavarësisë së Malit të Zi duke shënuar shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë dhe njëherazi edhe pavarësinë e Malit të Zi, ku jetojnë veç shqiptarëve dhe malazezëve dhe boshnjakë dhe romë etj. Sot Ulqini i është kushtuar kryesisht turzimit. Teksa ecën rrugëve të tij jo pak ulqinakë me drojë dhe dashamirësi të ofrojnë dhoma pushimi. "Jeni mysafirë në Ulqin, urdhëroni nga shtëpia", thotë një mesogrua, e cila nuk heziton të japë edhe çmimin ( 25- 30 euro apo 9 euro për krevat). "Bëjmë edhe ulje", këmbëngul ajo teksa tregon shtëpinë e saj veshur me gjelbërim dhe lule. Shifrat tregojnë se në këtë mes vere Ulqini ka arritur në 100 mijë banorë , ndërkohë që në dimër qyteti ka apo nuk ka 40 mijë banorë. Por jo pak syresh të tregojnë se vite më parë Ulqini në verë ka arritur edhe në 140 mijë vetë. "Tash na i ka marrë njerëzit Shqipëria me plazhet e saj", thotë një banor i këtij qyteti, i cili e jep shtëpinë e tij çdo verë me qera. Kryesisht i konsideruar si një plazh shkembor, por edhe ranor (plazhi i Madh rreth 13 kilometra i gjatë), për gjatë shumë viteve në Ulqin pushonin kryesisht shqiptarët e Kosovës dhe më pak të Maqedonisë. Vetëm në vitin 1999 , Ulqini filloi të preferohej dhe të vizitohej edhe nga shqiptarët e Shqipërisë, të cilët disa vite më parë shënuan pikun e preferencës së tyre për të kaluar pushimet në këtë qytet, dikur mollë e ndaluar për shqiptarët. Një shkodrane, e cila ka hapur një kafene të vogël diku në periferi të plazhit të vogël, thotë se kryesisht këtë vit kanë ardhur shumë kosovarë për të pushuar , por edhe ulqinakë, të cilët ndodhen prej vitesh në mërgim. Ka dhe shqiptarë, por jo aq të shumtë ne numër sa tre-katër vjet më parë, tregon ajo. Në fakt nuk janë të paktë shkodranët të cilët jane vendosur këtu në Ulqin. Dikush është martuar, dikush është punësur, dikush ka hapur ndonjë tregti.

Në baret e pafund buzë detit në klubet e natës, shumë këngëtarë shqiptarë interpretojnë këngë tradicionale të Shqipërisë, këngë tipike të Kosovës, këngë tradicionale të kësaj zone.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora