E enjte, 28.03.2024, 01:37 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

"Festa e birres" festa qe "dehu" te gjithe

E marte, 17.07.2007, 07:54 PM


Entuziastët e birrës kanë mundur të shijojnë për tre ditë shijen e birrës tradicionale shqiptare, gjatë një feste të re popullore që ka shpërngulur njerëzit e kryeqytetit, nga rrugët plot diell përvëlues, tek kodrat e liqenit artificial të Tiranës, në atë që u pagëzua si “Festa e birrës”. Por, nëse ky festim vjen i ri për Shqipërinë dhe shqiptarët, të pamësuar me organizime të këtij lloji, “Festa e birrës”, apo ajo që në në Gjermani quhet “OctoberFest”, më popullorja në të gjithë Botën, përbënte modelin më të mirë për të mbledhur dhe stimuluar në një vend të gjithë prodhimin vendas të birrës dhe për të krijuar një atmosferë festive gjatë gjithë ditës, që në orët e para të mëngjesit deri natën vonë, për tre ditë me rradhë. Që gjermanët janë një komb që e pëlqejnë mjaft këtë pije dhe që nuk nisin ditën pa rrëkëllyer nja dy të tilla, ku është një fakt i njohur për të gjithë, por që shqiptarët ta kishin edhe ata kaq për zemër, sa ta konvertonin këtë festë tardicionale gjermane në traditë mesdhetare, kjo u pa gjatë festimeve të tre ditëve në Tiranë.

Nëse për prodhuesit e birrës vendase ky ishte një rast mjaft i mirë për të reklamuar gjerësisht produktin e tyre dhe për të përmirësuar bilancin e shitjes, për njerëzit e tjerë çfarë përbënte kjo festë? Kureshtje, dëshirë për të provuar diçka ndryshe, apo etje për të shijuar birrën? Kjo është në fakt pyetja që i kemi drejtuar mjaft prej tyre duke dashur të kuptojmë më shumë. Ajo që kemi konstatuar duke kaluar nga njëri grup tek tjetri nuk kishte të bënte drejtpërdrejtë me asnjërën prej tyre në veçanti, por në nevojën për të krijuar një motiv apo arsye. Motiv që të gëzojnë të gjithë, të krijohet atmosferë, entuziazëm, muzikë dhe kërcim për të gjithë. Prandaj ata kanë besuar tek “Festa e birrës”, ashtu siç kanë besuar tek “Dita e parë e pranverës”, apo “Nata e bardhë”, festa të reja në traditën e Tiranës, por që janë përqafuar menjëherë dhe janë bërë pjesë e kryeqytetit.

Një tende prej pëlhure të lehtë dhe shumëngjyrëshe, tavolina të gjata vendosur njëra pas tjetrës, çadrat ambulante të prodhuesve dhe tregtarëve vendas, një podium i madh për këngëtarët e ftuar, çadra ambulante të prodhuesve të produkteve të mishit që ofronin garniturën e birrës, qofte, sallam, djathë e panine, ndërsa ambulantë privatë qëndronin më larg vendfushimit të festës, me shpresën të shisnin diçka më tepër nga tezga modeste e krokanteve, për një gotë të ftohtë birre. Kjo ishte pak a shumë dekori i festës që dehu Tiranën për tre ditë, aq sa zgjati edhe festa.

Aty mund të takoje nga të gjithë: pensionistë që rrëkëllenin birrë mes tyre dhe flisnin për ngjarjet e politike të ditës, politikanë që për pak orë kërkonin t’i zhvateshin politikës e të shijonin një gotë birrë si gjithë të tjerët, familjarë të organizuar së bashku që duket se kishin harruar se ligji ndalon konsumin e saj para moshës 18 vjeç, ndaj festonin bashkë me fëmijët e tyre adoleshentë, fëmijë të vegjël që shihnin prindërit e tyre tek gëlltisnin litra të tërë birre, nëna që vraponin pas fëmijëve, këngëtarë që këndonin në skenën e impovizuara, grupe të rinjsh në garë për të arritur rekordin e mbajtjes së pijes, dhe të tjerë sehirxhinj që preferonin të pinin birra të ftohta sipas qejfit të tyre.

Nëse ka një kontigjent që nuk duhet të shkelë absolutisht në territorin ku mbretëron birra, janë fëmijët, ndërsa prindërit në mungesë të një parku provizor lodrash aty pranë janë detyruar t’i marrin me vete.

Askush nuk ka pyetur për çmimin e një birre ndaj kanë konsumuar shumë të tilla. Në këtë verë tepër të nxehtë ku temperaturat kanë arritur në 39 gradë celcius, as birrat e ftohta nuk kanë mundur të shuajnë etjen e Tiranës që përvëlonte.

Një gotë plastike birre, pavarësisht markës së saj është shitur me 50 lekë. Më lirë se në lokalet e zakonshme të Tiranës, por prapseprap jo aq lirë sa duhet të jetë në një festë popullore. Megjithëse mëngjesi nis i qeta e disi i shtruar, me kalimin e orëve sheshi i caktuar për këtë qëllim tek Kodrat e Liqenit mbushej plot dhe njerëzit nuk kishin s’e ku rrinin. Fundjava u ka dhënë atyre një mundësi më shumë që të marrin pjesë në festën më të re për kryeqytetin. Orët e drekës e zbrasin sheshin sërish për t’u mbushur në orët e pasdites dhe arritur pikun në mbrëmje, ku turma e njerëzve shumëzohet dhe bëhet edhe më e gëzuar. Pensionistët dhe familjarët ua lënë vendin kryesisht të rinjve dhe festa nuk ka të mbaruar. Entuziazëm, muzikë, kërcime, kriklla që pasojnë njëra tjetrën. Askush nuk do të largohet dhe të ikë në shtëpi, megjithëse ora ka kaluar 2 pas mesit të natës, ndonëse festa do të vazhdojë edhe dy ditë dhe njerëzit mund të kthehen përsëri të marrin pjesë në festimet e “Festës së birrës”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora