E enjte, 28.03.2024, 11:19 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Hadrianopojë, në qytetin e vetëm ku gaboi perandori i madh

E shtune, 25.08.2007, 04:27 PM


Shkruan : Ben Andoni

Hadriani, që njihet si perandori ndërtues gaboi me Hadrianopolin. Po, gaboi”, më përsërit para fytyrës arkeologu i bindur. Pastaj qesh. “Nuk e llogariti Drinon”, më sqaron. Andej nga hedh sytë, ai, arkeologu Vladimir Qirjaqi, nuk shikoj gjë. Ndërsa, ai, shumë. E kap mëdyshjen time. “Kur fryhet Drino këtu bëhet nami, por ata që nuk e dinë, nuk e kuptojnë fare”, shton sërish vetë. Në fakt, Drino, ka qenë armiku më i madh i Hadrianopolit, jo shumë larg Gjirokastrës. Jo luftrat, jo koha, por ai vetë Drino. E ka mbathur me aluvione qytetin, ndërsa teatri që është në mes të fushës së stërmadhe pas Sofratikës, edhe nga pak metra nuk duket. Eshtë kaq i padukshëm, saqë një nga njerëzit me të cilin shoqërohemi, nuk reagon fare para gërmimeve “modeste” të Hadrianopolit. Nuk zbret nga makina. “Ky është Hadrianopoli”, na qesëndis.
...
Në këtë përvëluese vere, pak metra më tutje, arkeologët e Universitetit të Macceratës, arkeologët e Gjirokastrës me Vladimir Qirjaqin dhe Theodor Bilushin bashkë me zv/rektorin e Gjirokastrës Bektash Mema punojnë. Ka ekskavatorë dhe arkeologët italianë gjysma me bluzat e stamposura të Universitetit dhe gjysma mes-e-lart zhveshur punojnë. Qirjaqi të drejton menjëherë nga punimet. Eshtë i zhveshur, ndryshe nga Mema dhe Bilushi, që kanë veshje korteziale. Mema me tiranda, sikur të jetë ndonjë pedagog britanik dhe Bilushi me veshje pranverore. I ngacmoj për fshatarët, që pak kohë më parë, kanë dëmtuar qytetin. “E lemë- më thotë, sepse nuk dua t’i fryjmë”. Në fakt, gazetarët e qytetit të Gjirokastrës- pak javë më parë janë shprehur se qyteti po dëmtohet dhe është në rrezik. Alarmi i tyre ishte me vend. Më pas kanë heshtuar. Për rreth 25 ditë, ekspedita e përbashkët, e cila drejtohet për palën italiane nga prof. Roberto Perna, dhe për palën shqiptare nga arkeologu Vladimir Qirjaqi, kryen gërmimet në këtë zonë. Perna i brishtë dhe si i frikësuar bindet dhe flet menjëherë për gazetarët me një anglishte, jo për tu pasur zili. “Ku je i stacionuar”-e pyes. Më drejton me sy tek bluza. “Ke të drejtë. E ke të shkruar”- i përgjigjem. Shkëmbejmë buzëqeshje. Duket që është njeri studimesh, por ngulur në punën e tij. Kaq duhet të jetë bota e tij. Mbetet shumë dashamir...
Ku u punua
Gërmimet e këtij viti krijuan në sipërfaqen para teatrit një zonë të gjerë arkeologjikë, e cila mund të vizitohet lehtësisht. Brenda saj kanë dolën në dritë struktura muresh, dysheme, kanalizime dhe shumë elementë të shembur, të cilat për herë të parë bëjnë të mundur studimin e fazave të jetës së qytetit të madh, që nis me themelimin në periudhën e Hadrianit (shek.II pas Krishtit) dhe që vazhdon të paktën deri në shek. VI pas Krishtit. E reja duket se, specialistët e Universitetit të Kamerinos me anë të mjeteve moderne remote sensing janë duke studiuar gjithë zonën, përfshirë edhe nekropolin.

...Roberto Perna, me bluzën përfaqësuese të shkollës së tij dhe koordinator italian i misionit, shprehet si zakonisht se “qëllimi i këtij misioni është promovimi i shkëmbimeve kulturore me objektiv formimin e personelit shqiptar të specializuar në sektorin e arkeologjisë...”. I kërkoj të na flasë më thjesht: “Jemi duke punuar në këtë hapësirë në afërsi të Teatrit. Kemi gjetur gjëra interesante, por shpresojmë që nga gërmimet në teatër që të gjejmë dhe të përcaktojmë hapësirë nga njëra anë në tjetrën. Unë mendoj se është pjesa qendrore e qytetit dhe, më vonë, nga disa analiza- do të shikojmë se ku është i gjithë qyteti. Ne kemi punuar në këtë hapësirë dhe kam idenë se në këtë vend jemi për të parë dhe për të konfirmuar këtë hapësirë. Mendoj se teatri nuk është në qendër të qytetit, por pak më i shmangur në perëndim ...Ky është një qytet romak. Kemi teatrin dhe...Ende nuk e dimë se çfarë lloj qyteti është sepse jemi duke punuar. Ideja ime është që nuk ka qenë një qytet i vogël por i madh dhe shumë interesant dhe që i takon më shumë periudhës së vonët të Romës dhe afrimit e Bizantit”. Perna më pas hesht. Duket që duhet të ndjekë një ekskavator, të cilin e ndjek me shumë kujdes për punët masive. Eshtë viti i dytë i gërmimeve dhe ky arkeolog i periudhës greko-romake ka punuar dhe në Greqi. Bashkë me profesor Memën në Gjirokastër, shpreson që të fillojë një kurs arkeologjie, që do të fillojë vitin tjetër në këtë universitet...

Italianët me shqiptarët
Ishte një vijim i gërmimeve të dy viteve të kaluara, në bazë të Protokollit të bashkëpunimit, nënshkruar ndërmjet Institutit Shqiptar të Arkeologjisë dhe Universitetit të Maceratës, Itali. Së bashku me arkeologët e këtij universiteti ishte edhe një grup specialistësh të Departamentit të Gjeomorfologjisë të Universitetit të Camerino-s, disa specialistë të restaurimit, arkitekturës dhe botanikës nga Rajoni i Markeve si dhe një grup studentësh të Universitetit të Gjirokastrës. Me këtë të fundit Universiteti i Maceratës ka nisur një bashkëpunim shkencor dhe didaktik i pasqyruar konkretisht te tre Protokollet e Bashkëpunimit, ku vendin kryesor e zë fillimi pranë Universitetit të Gjirokastrës në vitin e ardhshëm akademik i një Kursi Diplomimi dyvjeçar në “Arkeologji dhe Administrim të Pasurive Arkeologjike”.

Pjesa shqiptare
Homologu shqiptar në këtë projekt, arkeologu Vladimir Qirjaqi, më tërheq, por duket se e ka vështirë që të flasë shumë. “Ky mision zyrtar italian i arkeologjisë, i treti në Shqipëri pas atyre në Foinike dhe në Durrës, është fryt i një bashkëpunimi disavjeçar midis Drejtorisë Rajonale të Monumenteve me Rajonin e Markeve, Itali”, më sqaron. Vladimir Qirjaqi bëhet më i qetë, por i qetë se është mbi një perlë të arkeologjisë. “Ne besojmë që ky vit do të jetë viti i lidhjes fizike të teatrit me pjesën tjetër të qytetit. Para 20 vjetësh kanë zbuluar teatrin, ndërsa punimet tona kanë zbuluar pjesë interesante të qytetit dhe ne besojmë se ky vit do të sjellë suksese me zbulimin e Forumit si elementi arkitektonik më interesant i periudhës romake, kohës kur edhe është ndërtuar ky vend...
Jemi duke vazhduar që të punojmë me këtë pyetje dhe kur kemi zbuluar pjesë interesante. Tani po punojmë në teatër, pastaj do punojmë në nekropol dhe nëse do dimë Forumin edhe do të manovrojmë”. Ndjek një punëtor shqiptar që më shikon me përtim, ndërsa i bezdiset një arkeologu italian që punon në vend të tij. Italiani gërmon, ndërsa punëtori shqiptar mban qesen. E mban sikur të ketë të depozituar ndonjë skeptër mbretëror. Por, ka vetëm qeramikë. “Çfarë referencash ka të tjera”, pyes-Qirjaqin. “Referenca antike është vetëm Tabula. Ajo, që u jepej pushtetarëve romake dhe ushtarëve që në këtë vend ishte qyteti i madh i Hadranit. Zbulimi ynë e vërtetoi këtë. Ne kemi realizuar rrethimin e tij që nga teatri, i cili është 365 metra...Në momentet e vështira të përmbytjes së teatrit, kujtojmë se ai ka qenë një qytet interesant në qendër, por fatkeqësia është se është afër Drinos dhe ai të përmbyt. Ky i fundit ka mbathur qytetin”.

Bektash Mema zv/rektor i universitetit të Gjirokastrës do të flasë. Por e lë për në fund. Nuk e kuptoj si mund të jesh aq mirë i veshur në këtë vend, ku temperatura, jo në hije duhet t’i ketë kapërcyer të 45ºC. “Kemi dy vjet që kemi një bashkëpunim interesant me universitetin e Manceratës dhe është një figurë interesante, si profesori italian Adriano Cani, që është bërë promotor i kësaj pune. Ai duke shfrytëzuar ekspeditën në Hadrianopul ka përkuar me idenë tonë që të mendohet për trashëgiminë në Drino, i cili është një laborator, ku mund të trajnohen studentë shqiptarë dhe të huaj. Kemi tre vjet që trajnojmë studentë në Maccellata, pastaj këtu në Hadranopojë. Por, edhe ne kemi një kontigjent studentësh të interesuar, qoftë për të mbushur profesoratin e Gjirokastrës por edhe për punë të tjera, që duhet të merren në të ardhmen me Luginën e Drinos. Flitet për një kurs dy vjeçar dhe pastaj dhe një master me diplomë të përbashkët nga dy universitetet. Bashkëpunimi i italianëve është bërë si rezultat i disa faktorëve këmbëngulës i IM e IA dhe fakultetit të Gjirokastrës dhe Institutit italian..Profesor Adriano Cani ka qenë një kumbar i kësaj pune. Ai është atasheu shkencor dhe i përgjigjet të gjitha ftesave tona për aktivitete. Synimi është që të bëhet evidentimi i sa më shumë pjesëve të qytetit, që shkojnë nga teatri në Forum dhe pastaj në nekropol në varrezën antike...për të parë kufizimet...”.Çlirohet më në fund. Duket se u qetësua, që më tregon të gjithë bashkëpunimin. “S’qenke për punë sot”, e nguc...

Rrëzohet teza për themelimin e Hadrianopolit?!
Por arkeologët shqiptarë dhe italianë duket se e plotësuan qëllimin e tyre. “Është një ekspeditë shumë e suksesshme, që ka zgjidhur një nga problemet e datimit të Hadrianopolit, në shekullin e parë para Krishtit, fillimisht si një stacion i thjeshtë i rrugës Apolloni- Nekropolis dhe më pas shndërrimin e tij si qytet nga perandori romak Hadrian në shek. II pas Krishtit, kohë në të cilën është ndërtuar edhe teatri. Më parë mendohej që kishim një teatër në mes të fushës, tani e dimë fare mirë që është një teatër në një vend publik dhe këtu duken qartë gjurmët e godinave, qoftë të qytetit të sapondërtuar, por edhe gjithë historinë e qytetit pas kësaj kohe deri në rindërtimet kur qyteti mori emrin Justinianopolis dhe faza e fundit, që është më e vona kur qyteti merr prapë emrin Hadrianopol, por tashmë si një qendër peshkopate.” Profesor Ceka ka bërë me këtë rast para medias edhe një sintezë të punëve në këtë qytet, pak ditë më vonë. “Teoria se qyteti është zhvendosur në kalanë e Melanit dhe është kthyer prapë, është rrëzuar tashmë plotësisht. Pra, në këto njëmijë vjet, qyteti është zhvilluar në të njëjtin vend, i lidhur qoftë me kontrollin ekonomik që kishte mbi zonën e pasur përreth tij, si dhe me rrugën që kalonte mes përmes kësaj lugine”.
Tashmë e ardhmja kuptohet. Arkeologët italianë dhe ata shqiptarë janë duke përgatitur një projekt për shpalljen e Hadrianopolit, Park Arkeologjik Kombëtar. Kohë më parë, ata duket sikur e ndodhën këtë, kur bënë një aktivitet të madh kulturor dhe realizuan Bakantet në këtë vend.
Në të vërtetë: Kërkimet gjeofizike kanë zbuluar që disa qindra metra nga qendra janë muret rrethuese, komplekse të tjera monumentale që janë vërtetuar si dhe nekropoli, që do bëhen pjesë e këtij parku dhe njëkohësisht pjesë e kërkimeve të mëtejshme arkeologjike.
...
Por, kaq. Deri atëherë duhet sërish punë dhe përpjekje. Shumë përpjekje.
“E dimë ku është nekropoli, por duam elementë të veçantë që të gjejmë periudhën e ndërtimit. Kemi varre monumentale të asaj periudhe dhe duam të gjejmë inventarin, që është depozituar në varrezë. Kemi një ripërdorim të këtij vendi, por me një nivel më të ulët Civilizmi në shekullin e VI. Hadrianopoli është zhdukur për shkak të përmbytjeve..Perandori i madh Hadriani ka dështuar në përplasjen e tij me lumin. Nëse në vende të tjera fitoi, beteja me Drinon dështoi. Më vonë është ndërtuar një qytet i ri në një vend të pashkelur, me një plan urbanistik me monumente fantastike nga arkitektët më të mira, por fuqia e perandorit ka dështuar, sepse Drino e përmbyti në shekuj. Nuk ka ringritje të qytetit, por ka ripërdorim. Ka kisha ka banesa dhe funksione të tjera. Ka disa shenja, që mendohet se mund të ishte një qendër episkopale, por për këtë dyshojmë”, përsërit Qirjaqi.
...
Jam kurioz të flas me punëtorët shqiptarë. Dy syresh kanë gjetur një cep dhe rrinë indiferentë. Më qahen për pagesat. Për kohën. Ndërsa, vetëm rrinë dhe shikojnë. E mëshirojnë një shokun e tyre, që i mban qesen një arkeologu italian, i cili punon kokëulur. Italianët punojnë. Pa zë. “Skllavëri moderne” alla shekulli XXI. I pyes për dëmtimet. Nuk më përgjigjen. Më rreshtojnë dhe mua tash te armiqtë.
Largohemi, ndërsa në Sofratikë ndalojmë për të marrë pak ujë. Minoritarët nuk begenisin të flasin shqip, ndërsa çmimet për udhëtarët e rëndomtë i mbajnë si në Bashkimin Evropian. Një vajzë e bukur bashkë me pronaren, greqisht- më mbushin mëndjen se kaq është. Nuk më duhet. Hadrianopuli zhduket në largësi...Eshtë vera e vitit 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora