E diele, 27.11.2022, 12:21 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Tragjedia greke

E enjte, 10.05.2012, 06:59 PM


TRAGJEDIA GREKE

Nga Frank Shkreli

Forcat politike greke dështuan këtë javë në përpjekjet e tyre për të formuar një qeveri të re.   Zgjedhjet e fundit parlamentare përfunduan në një ngërç politik pasi asnjëra parti nuk fitoi mjaft vende në parlament për të mundësuar formimin e një qeverie të re.   Kriza politike, sipas analistëve, ka giasë të keqësojë edhe më shumë gjëndjen ekonomike dhe financiare të Greqisë dhe mund të çojë Athinën drejtë tërheqjes së saj nga eurozona.   Këjo, sepse votuesit grekë nuk votuan kandidatët që pëkrahnin shkurtimet në shpenzimet qeveritare e shoqërore të imponuara nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Bashkimi Evropian me të drejtë është shumë i shqetësuar se gjëndja në Greqi mund të dalë jashtë kontrollit dhe kriza mund të përhapet jo vetëm anë e mbanë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por mund të tronditë edhe  ekonominë botërore.

Problemet ekonomike dhe financiare me të cilat përballet sot Greqia duhet të lihen tek dera  e Athinës.  Greqia ka kontribuar vet në gjëndjen e krijuar sot në atë vend, si rrjedhim i shpenzimeve të tepruara dhe të politikave    papërgjegjëshme  buxhetore e financiare.  Faje ka edhe Bashkimi Evropian i cili nuk ka mekanizma për të vendosur një disciplinë buxhetore mbi vendet anëtare.  Gjatë viteve, Greqia ka ndërmarrë masa krejtësisht të pa-përgjegjshme siç eshtë ulja drastike e moshës për pensionin.  Për më tepër,    vite me radhë, Athina sipas raporteve të ndryshme, i ka paraqitur Bashkimit Evropian  raporte financiare e buxhetore fals, sidomos në lidhje me deficitin buxhetor të vendit.  Problemet kanë ardhur duke u shumëzuar ndërsa vazhdojnë protestat e dhuna nepër rrugët e Athinës kundër marrjes së masave të rrepta financiare e buxhetore, të cilat janë të nevojshme për të dalur eventualisht nga kriza.

Evropa gjithmonë dyshonte në seriozitetin dhe disiplinën buxhetore të  grekëve, si edhe në gatishmërinë e Athinës për të zbatuar rregullat e lojës të klubit evropian.  Këto janë çështje që kanë të bëjnë me besimin dhe ndershmërinë si faktorë të marrëdhënjeve të Greqisë, por edhe vendeve të tjera, me Bashkimin Evropian, faktorë këta që më në fund do të vendosin jo vetëm marrëdhënjet e Greqisë me Brukselin, por ndoshta edhe të ardhmen e Komunitetit Evropian.

Kriza ekonomike që ka pllakosur Greqinë, fatkeqësisht ka edhe pasoja politiko-shoqërore.  Historikisht, vendeve gjatë krizave të mëdha ekonomike,  si rrjedhim u dobësohet qeveria ose që nuk kanë aftësi për të  formuar qeveri  të qëndrueshme, tentojnë tu hapin rrugën elementëve të rrezikshëm dhe ekstrem shoqërorë, qoftë të majtë ose të djathtë.    Nga ky këndveshtrim,  as Greqia nuk është një përjashtim në këtë aspekt.   Në të vërtetë , në zgjedhjet e fundit në Greqi, të djathtët ekstrem të lëvizjes, ‘’Agimi i Artë’’, shënuan fitore duke ua bërë të mundur të futen në parlament për herë të parë.  Edhe partitë ekstreme të majta shënuan fitore në krahasaim me të kaluarën.  Këjo në vetvete nuk paraqet ndonjë problem, por problemi është politika e këtyre lëvizjeje, sidomos e asaj të krahut të djathtë  karshi të huajve, të cilët ajo kërkon  si pjesë e platforms së saj, që ata të largohen nga Greqia si dhe kërkon minimin e kufijve me qëllim për të ndaluar hyrjen e emigrantëve.  Dalja në shesh e partive ekstreme greke është një situatë e krijuar në Greqi që fatkeqsisht mund të marrë proporcione tragjike me keqësimin e gjendjes ekonomike dhe të mos-stabilitetit ekonomik.  A duhet të jetë bota e shqetësuar që, sipas një udhëheqsi të komunitetit të hebrenjve në Greqi,  një parti neonaziste është tani anëtare e parlamentit  grek në Athinë, aty ku lindi demokracia?

Kriza e krijuar në Greqi, për mirë a për keq, e më shumë për keq nuk është  më një problem vetëm i Athinës.  Ky problem, mbi të gjitha, është tani në prehër të Brukselit dhe të institucioneve financiare, kryesisht franko-gjermane.  E ardhmja e Greqisë dhe fati i saj, dashtë e pa dashtë, janë të lidhura ngushtë me Evropën, por për arsye të natyrës globale të ekonomisë botërore, zgjidhja ose mos-zgjidhja e kësaj krize do të ketë pasoja për të gjithë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.  Si e tillë, është detyrë e Evropës që mbi antarët e saj të ushtrojë, ose më mirë të themi, të rivendosë përgjegjësinë personale ndaj vetes dhe shoqërisë, të ritheksoj të mirat që vinë nga puna e rëndë e çdo personi, duke nënvijuar disiplinën e tregjeve dhe duke pakësuar buxhetet qeveritare, që tani janë jashtë kontrollit.  Dhe në të njëjtën kohë, të pakësohen shpenzimet qeveritare, dhe të ulen taksat, si politika të provuara financiare që rezultojnë në rregullimin e buxheteve dhe në rritjen ekonomike, gjë që mund të mënjanojnë keqësimin e  tragjedisë greke për vet Greqinë por edhe për vendet e tjera në Evropë dhe më gjërë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora