E marte, 30.11.2021, 05:37 AM (GMT)

Kulturë

Flet drejtuesja e emisionit të mëngjesit në TV “Planet”, Rudina Dobi

E merkure, 02.05.2012, 04:33 PM


Ëndrra në sirtar, të bëhem aktore

 

Albert ZHOLI

 

Rudina është një nga gazetaret më të spikatura të emisionit të mëngjesit në TV “Planet”. Gjithmonë kërkuese dhe korrekte ajo ka fituar fizionominë e saj në këtë emision duke e veçuar nga emisionet simotra në televizionet e tjera dhe duke mos e lënë që të jetë një emision rutinë apo plagjiaturë. Në komunikim është e rrjedhshme dhe me kulturë, ku i ftuari gjendet para një gazetareje serioze që nuk mund të mbizotërojë në çdo moment bisedën. Motivi, i cili e udhëheq jetën e saj është : “Thjeshtësi deri në madhështi”. Sipas saj, një bukuri e ndërthurur bukur me një inteligjencë dhe shpirt të bukur, do të ishte idealja”.

 

- Gazetaria vizive dhe ajo shkruar, cilat janë të veçantat dhe të përbashkëtat e tyre?

- Të bëhesh gazetar i vërtetë sipas meje duhet të prekësh dy gjëra nga afër: terrenin dhe letrën e bardhë, për të shkruar një realitet! Të dyja kërkojnë saktësi dhe korrektësi në çdo fjalë! Sigurisht gazetaria e shkruar ndryshon nga ajo audio-vizive, secila zotëron specifikat e veta! Gazetaria në televizion nuk të jep kohë, kërkon një përgatitje maksimale dhe përballje të drejtpërdrejtë me teleshikuesin, kërkon që edhe spontaniteti të shndërrohet në ar, duhet që fjala të vishet nga magjia, dhe kjo magji për mua është tek fjala e thjeshtë, e kuptueshme që e bën të bukur dhe besueshme atë, që thua për teleshikuesin. Pa lënë mënjanë dhe fantazinë që përshkron dhe bërthamën e suksesit. E adhuroj gazetarinë e shkruar, por atë radiofonike dhe televizive i dua pa fund!

Si fillon një ditë punë për Rudinën?

- Një ditë pune, do ta kishte zanafillën në një zgjim të vështirë, shpesh herë, me vrapin për t’u bërë gati për një transmetim live prej orës 08- 11:00, për të prezantuar jo vetëm këtë format televiziv, për informimin dhe argëtimin e publikut, por edhe duke përzgjedhur me kujdes temat për diskutim, e duke gjetur gjithashtu edhe të ftuarit përgjegjës dhe njohës të temave për të cilat diskutohet! Një punë e përditshme, e vështirë, por e këndshme gjithsesi, pasi je në kontakt me personalitete të ndryshme dhe personazhe interesante! Transmetimi i bisedave sa më thjesht dhe këndshëm për publikun në mënyrë, që ato të jenë sa më të vërteta është një përgjegjësi dhe kënaqësi më vete!

Çfarë keni prezantuar për herë të parë dhe çfarë emocioni keni ndjerë?

-Hera e parë kur kam prezantuar, ka qenë në moshën 9-vjeçare, në “Radio Gjirokastra”, në një emision mbi një figurë të vlerësuar, të letërsisë për fëmijë, Tasim Gjokutaj. Asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë emocionin e madh që kam përjetuar  dhe mënyrën se si e kam përballuar, pa e ditur , që një ditë në të ardhmen time, kjo përballje e parë me mikrofonin, do të më krijonte një të ardhme si gazetare dhe moderatore të emisioneve të natyrave të ndryshme, duke më shtyrë gjithmonë e më shumë të dashurohesha me pasionin e sapozbuluar!

-Mund të flisni pak për kolegët tuaj që keni ndarë ditë të mira dhe të këqija dhe që keni sakrifikuar shumë nga orët e lira për t'ju kushtuar televizionit?

- Sigurisht, bota e televizionit ta ofron mundësinë të përballesh me ditë të vështira  dhe të lehta për t’u përballuar, të krijon hapësirat për të arritur sukses, por edhe për t’u luftuar, me kolegë të mirë rritesh profesionalisht, me kolegë të vështirë, mëson që edhe ditët e vështira, të mbizotërosh me forcë, edhe i vetëm ndonjë herë, por diçka ngelet e pandryshueshme: televizioni të njeh me njerëz që një ditë, mund të shndërrohen në miq shumë të mirë! 

-A e keni gjetur veten në një media vizive?

- Po, e kam gjetur veten në median vizive, e dua dhe më pëlqen shumë, punoj vërtetë me përkushtim për diçka që e pëlqej! Nuk më është zbehur aspak pasioni që kam patur për ekranin që prej fëmijërisë apo edhe kur fillova ta merrja seriozisht dhe ta shihja si profesionin tim të ardhshëm gazetarinë! Çdo ditë që vjen ka diçka të re për të mësuar dhe për të perfeksionuar, kështu që besoj te magjia e ekranit, pa harruar asnjëherë dashurinë time të parë, atë radiofonike!

-Një femër publike duhet të ketë histori të bukur dashurie. Ç’është dashuria për ju ?

-Dhe, në fakt kam një histori shumë interesante! Bashkëshorti im sot, dhe mbi të gjitha, miku im, shoku im prej 12 vitesh, që kur, të dy kemi qenë gjimnaziste, është dhurata më e bukur, që kam marrë nga radio! Aty jam njohur me të, edhe pse me profesione tani, shume larg njeri-tjetrit, por ajo që na bashkoi dikur, ishte një emision, ajo që na bashkon sot është ndjenja me sublime, dashuria! Ai është mbështetje e madhe për mua dhe nuk më largon kurrë nga dashuria ime për ekranin dhe profesionin tim!Pa dashurinë asgjë nuk do kishte vlerë, dhe gjithmonë do ngeleshim “njerëz të vegjël” Ajo, që na rrit është dashuria , dija dhe pjekuria e kohës, dhe jo mosha!

 -Sa kohë i kushtoni lukut?

-Jo shumë, dikur qëndroja me orë të tëra para pasqyrës, por tani më mjafton koha që i dedikoj para se të dal në ekran për transmetimin e përditshëm, të emisionit tim të mëngjesit, 3 ore live! Më pas, gjatë rasteve apo kur dal me shoqërinë, rri dhe merrem më tepër me veten, por në përditësi, më tepër, vëmendjen, e drejtoj në hapësira të tjera, që më tërheqin më shumë, p.sh të lexoj një libër, ku hapet një horizont i ri, shoh një film të pëlqyeshëm, pi një kafe në shoqëri etj..

-Ëndrra në sirtar?

-Po, e kam një, ku dua ta realizoj dhe një që kam patur dikur: Ajo që kam patur dikur, dhe ka ngel ende në sirtar, lidhet me dëshirën time për tu bërë aktore, por ekrani ma ka zëvendësuar disi( sepse duhet pranuar dhe kush punon në televizion, e di mirë, që ekrani të vesh, një maskë, të cilën e heq, sapo del prej tij, sado i vërtetë të përpiqesh, të dukesh apo të jesh), ndërsa ëndrra tjetër ka të bëj me udhëtimet, kam jo disa, shumë vende në botë që do doja të shkoja t’i vizitoja, shpresoj të vizitoj të paktën gjysmën e atyre, që më kanë mbetur pa vizituar.

-Si  ka qenë dhe si është në mendimi juaj për mashkullin ideal?

 -Unë jam e martuar me princin që ëndërroja…princi i kaltër  me një njeri praktik, të mirë, të kuptueshëm,që të ofron mbështetje, siguri, besim, dashuri të pakushtëzuar, që të jetë ndryshe nga unë, por jo e kundërta ime, kjo është mendoj. ajo që i përket kësaj botë, pastaj princat me ngjyrë të kaltër, që fluturojnë mbi kuaj të bardhë, për të arritur sa më parë pranë teje, ekzistojnë vetëm në përralla!

-Sot në shoqërinë shqiptare ka shumë debate për bashkëjetesën. Mendimi juaj?

- Nuk jam kundër bashkëjetesës,madje mendoj se, ajo ndihmon që dy persona të jenë vërtetë të sigurt, për një  njohje të thellë dhe lidhje më të sigurt midis tyre dhe që të mos shkaktohet një divorc më tej, por në momentin që institucioni i martesës zëvendësohet nga ai, i bashkëjetesës të them të vërtetën, më vjen pak keq, sepse duket sikur familjes do t’i zbeheshin vlerat. Megjithatë, të dyja kanë të mirat dhe jo të mirat e tyre, ku edhe në një shoqëri si kjo e jona tashmë, kanë filluar të kuptohen.

Motivi nga i cili udhëhiqeni në jetë?

- Motivi nga i cili udhëhiqem në jetë është: “Thjeshtësi deri në madhështi”, që për mua do të thotë: Ji i thjeshtë, pozitiv, produktiv dhe mos lëndo! Në fund vishe thjeshtësinë tënde me një buzëqeshje të ëmbël për të zbukuruar jo vetëm  ditën tënde, po dhe të njerëzve përreth! Ah, sa më mirë të mundesh, pasi në një moment të caktuar jeta na jep faturën për gjithçka!Në fakt ka shumë motive, që të rrisin përditë,por ky do të ishte një nga më të rëndësishmit dhe gjithashtu “Mos i beso diçkaje që ke në mendje, pa kaluar së pari në zemrën tënde, se herët a vonë do heqësh dore prej saj”. Gjithkush, mund të gjejë plot të tilla brenda vetes!

-Veshja e preferuar?

 - Veshja e preferuar, shumë sportive, është veshja më e rehatshme, e ndryshuar vetëm kur duhet!

Kur flasim për ushqimin, preferoni ushqim dietik?

- Ushqimi i preferuar, ka disa në fakt….karkaleca deti, patate të skuqura, apo krepa (nuk jam një amvisë e shkëlqyer, por e mirë mund ta them).

-Jeni supersticioze në jetë?

- Jam supersticioze, por jo e sëmurë! Besoj, pa u varur prej këtyre gjërave!

-Çfarë pëlqeni dhe çfarë kritikoni tek një njeri?

- Tek një njeri, pëlqej thjeshtësinë dhe jam shumë kundër shitjes me hipokrizi, të asaj që tjetri të jep të njohësh!

Duke parë pozicionin tuaj, a mendoni se femra shqiptare ka zënë pozicionin e duhur sot në jetë?

- Nuk di të them nëse femra në Shqipëri, sot ,ka zënë pozicionin e duhur në jetë, por mendoj se ende ka shumë nevojë, mbi të gjitha për një përpunim ose modifikim të plotë të mentalitetit shqiptar lidhur me femrën, në shumë aspekte, si atij të barazisë gjinore, profesionalizmit, rëndësisë në familje, e deri tek kujdesi për mbajtjen e timonit drejtë, kur është në automjet! Ka shumë punë ende, puna fillon nga mendimi dhe gjykimi i drejtë!

-Çfarë i mungon sot politikës shqiptare, parë në këndvështrimin tuaj?

- Politikës shqiptare për mendimin tim, ajo që i mungon më së shumti është transparenca, ndershmëria dhe qetësia! Edhe gjërat me të thjeshta, politika i ndërlikon ndonjëherë dhe pasojat dihet kush i vuan…

- Kush është më e rëndësishme për ju, bukuria apo inteligjenca?

 - Ehhh, një bukuri e ndërthurur bukur, me një inteligjencë dhe shpirt të bukur, do të ishte idealja, por këto janë fjalët, ku ne të gjithë themi, të gjithë duam, por jo të gjithë dimë t’i alternojmë siç duhet, të paktën kur kemi bazat! 

 - A është shoqëria shqiptare, një shoqëri maskiliste?

- Shoqëria shqiptare, mendoj, vazhdon të jetë ende një shoqëri maskiliste, për fat të keq!

Marrëdhëniet tuaja me librin?

- Marrëdhënia ime me librin mund të përkufizohet si një nga marrëdhëniet më të rëndësishme dhe të bukura që kam qysh prej fëmijërisë, e ndjej shumë mirë dhe të sigurt veten midis librave të bibliotekës time dhe jam duke menduar ta pasuroj atë, edhe me diçka që së afërmi do të marrë formën e librit tim të parë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora