E shtune, 27.04.2024, 06:02 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Panorama: Tragjedia e Gërdecit

E enjte, 20.03.2008, 04:56 PM


Gazeta po boton sot bisedën e përgjuar të një afere armësh multinacionale, ku për fatin tonë të keq, personazhe kryesore...


... janë biznese shqiptare, krerë institucionesh shqiptare, si dhe zyrtarët dhe familjarët e krerëve të shtetit. Përgjimi, që ka më shumë se katër muaj që qarkullon në tavolina të ngushta, që u përfol gjatë në mbledhjen e djeshme të Kuvendit për tragjedinë e Gërdecit, është e kobshme. Eshtë e njëjta bisedë për të cilën një gazetar amerikan po bën një shkrim lidhur me trafikun e armëve. Gazeta, pas përfoljes së djeshme, investigoi dhe arriti ta siguronte, çuditërisht, shumë lehtë transkriptimin e saj. Sot po botojmë të plotë të gjithë përgjimin e siguruar, në të cilin përfshihen firma amerikane të tenderuara nga departamenti i shtetit, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe dy biznesmenë shqiptarë.
Biseda është përgjuar me një telefon NOKIA nga Kosta Trebicka, biznesmen shqiptar, pronar i firmës “Xhoi” në Tiranë. Në të flasin Trebicka dhe Efraim Diveroli, President i kompanisë AEY, Inc me qendër në Miami. Biseda fokusohet rreth një tenderi për shitjen e fishekëve në Afganistan, nga kompania amerikane e kontraktuar nga Departamenti i Shtetit. Geri Kokalari, një figurë e njohur e komunitetit shqiptaro-amerikan,i ka dërguar një shkresë ish-kryeprokurorit Sollaku dhe kryeprokurores së re Ina Rama. Në këtë letër ai tregon të gjithë detajet e aferës së armëve dhe përgjimit të bërë në Tiranë. Sipas Kokalarit, AEY Inc, kompani e bazuar në Miami, që merret me biznesin e metalit dhe riciklimit të tij, fitoi një kontratë 300 milionë dollarë me qeverinë amerikane për të furnizuar me armë ushtrinë afgane. (Kontrata mund të shikohet në internet në linkun
(http://www.defenseindustrydaily.com/...anistan-03152/). Duke qenë se ushtria afgane përdor armë të prodhuara nga Rusia, atëherë firma amerikane duhet të siguronte armatim të këtij lloji. Ky armatim, në shumicën e rasteve prodhim rus dhe kinez, gjendej me shumicë në vendet e Lindjes dhe në Shqipëri. Amerikanët janë përpjekur të shmangin Rusinë nga blerja e municioneve. Për këtë arsye, firma amerikane me pronar Efraim Diveroli, kontakton me MEICO, agjencinë e eksport-import të armëve në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë për të siguruar municionin. Në letrën e tij, Kokalari shkruan: “Sipas biznesmenit shqiptar Kosta Trebicka, pwrfaqwsuesi i AEY pasi kontaktoi me Ylli Pinarin, drejtorin e ‘MEICO’-s, u informua që municionet duhet të blihen nga agjenti i ‘Meico’-s, “Edvin”, një kompani qipriote, që me ç’di unë është në pronësi të një biznesmeni zviceran, të cilin z. Trebicka e ka identifikuar si z. Henri Tomei”. Roli i firmës ‘Edvin’ nga Qipro ishte vetëm që të faturonte AEY dhe pastaj të paguante ‘Meico’-n për municionet”. Pra, një hallkë mes MEICO dhe AEY, për transaksionet financiare. Sidoqoftë deri këtu duket gjithçka në rregull. Por, firmës amerikane i doli një problem me ambalazhin e fishekëve. Sipas Kokalarit, “duke qenë se ambalazhimi ishte në gjuhën kineze dhe shumë i rëndë (gjë që do të shtonte shumë koston e transportit në Afganistan), AEY kontraktoi me një kompani që të bënte riambalazhimin. Për këtë arsye, AEY bëri një kontratë me ‘Xhoi’ SHPK, firmë që është pronë e Kosta Trebickës”. Këtu fillon edhe zbulimi i aferës së madhe. Duke qenë nënkontraktor i amerikanëve, Trebicka kishte mundësi të shikonte edhe transaksionet bankare të të gjitha blerjeve. Sipas Kokalarit: “Pasi Xhoi filloi punë me këtë projekt, Trebicka mësoi nga faturat që ai merrte te Banka Amerikane e Shqipërisë, municioni po blihej nga ‘Edvini’ për 22 dollarë për 1000 fishekë dhe pastaj i shitet AEY për 40 dollarë për 1000 fishekë”. E thënë më thjeshtë, kompania nga Qipro, që MEICO e përdori si lidhëse me kompaninë amerikane, i blinte nga Shqipëria fishekët me një çmim 22 dollarë dhe ia shiste amerikanëve me një çmim 40 dollarë. Në këtë mënyrë, duket e habitshme përse MEICO përdor një firmë të tretë në kontratën mes saj dhe amerikanëve, duke shtuar, ose më saktë duke humbur vetë 18 dollarë për çdo 1000 fishekë. Zbulimi i kësaj duket se fillon edhe çarjen e madhe mes kontraktorëve. “Trebicka thotë që Diveroli protestoi te Pinari për ndërmjetësimin e detyruar të ‘Edvinit’ në transaksion dhe për çmimin e fryrë si dhe kërkoi një takim me ministrin Meidiu. Sipas Trebickës, kërkesa e Diverolit u hodh poshtë. Më vonë Diverolin, e çuan në një takim me Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe një burrë tjetër të paidentifikuar, dhe në këtë takim iu sugjerua që nëse Diveroli nuk do të bashkëpunonte me ‘Edvinin’, kontrata e tij ishte në rrezik. Më vonë, mbase në një përpjekje për ta frikësuar, Trebicka më tha që, Pinari i tha Trebickës që ai duhet ta mbante gojën e mbyllur, sepse njeriu i tretë i paidentifikuar ishte Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit Sali Berisha”, thekson në letrën e tij Kokalari. Në bisedën e mëposhtme, Ylli Pinari përpiqet të shmangë Trebickën nga puna e tij me ambalazhimin e municioneve. Këtë punë, sipas letrës së Kokalarit, Pinari përpiqet ta kalojë në duart e Delijorgjit. Kjo ka qenë arsyeja që Trebicka ka incizuar bisedën e tij me Diverolin. E gjithë afera është në rritjen e çmimit. Pra, MEICO, e cila ishte kontaktuar nga firma amerikane AEY, Inc, nuk pranon t’i shesë vetë fishekët, por fut në mes një tjetër hallkë, që është firma qipriote, e cila fitonte gati 100 për qind të çmimit vetëm si ndërmjetëse. Këtu dyshimi i amerikanëve dhe tentativa e tyre për të negociuar çmimin, siç del në bisedë, kërcënohet deri në prishjen e kontratës. Bëhet fjalë për furnizimin e trupave afgane me kontratë të shtetit amerikan. Nga ana tjetër, Pinari, duke kuptuar që Trebicka kishte zbuluar aferën e rritjes artificiale të çmimit, përdor kompaninë e Delijogjit si kërcënim për heqjen e tij nga tenderi. Trebicka, për të gjetur një pikë mbështetje, përgjon bisedën mes tij dhe presidentit të kompanisë amerikane, si një mundësi për të mos u përzënë nga Ylli Pinari. Në përgjim përfshihen edhe emri i djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, si garant për të gjithë aferën si dhe komentohet rëndë si mafioz drejtori i “Meico”, Pinari.

Teksti i pergjimit

Kjo bisedë është regjistruar në Shqipëri nga Kosta Trebicka me një celular “Nokia”.

Emrat e përmendur
Efraim Diveroli
President i kompanisë AEY, Inc me qendër në Miami.
Kosta Trebicka
Biznesmen shqiptar, pronar i firmës “Xhoi”.
Ylli Pinari
Drejtori i “Meico”, agjencia e eksportimit të armëve në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Henri Tomei
Me nënshtetësi zvicerane, pronar i firmës “Evdin” me qendër në Qipro.
Mihal Delijorgji
“Biznesmen” shqiptar.
Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë.

Shkëlzen Berisha
I biri i Sali Berishës.

Përgjimi 1
Trebicka: Çfarë po ndodh me mikun tënd Pinari?
Diveroli: Nuk e di, ti më trego, a e bëre marrëveshjen me të për kutitë?
Trebicka: Nuk dua të bëj marrëveshje me të, ti e di se ai është një horr, ti vetë më pate thënë se ai është një mafioz, apo jo?
Diveroli: Mendoj se po, ose ai është mafia ose mafia po e kontrollon atë. Ai është një problem më vete, por problemi kryesor është se unë nuk kam asnjë zgjedhje për të bërë. Më duhet të bëj një marrëveshje me të. Qeveria amerikane është në pritje të produkteve. Nuk mund të marr asnjë vendim.
Përgjimi 2
Diveroli: Çfarë po ndodh me këtë gjënë e rrezikshme këtu.. (bisedë e padeshifrueshme për Pinarin...) OK, Kosta, kompania që po bën paketimin mund të kërkojë të blejë materialin tënd paketues. Më duhet të prish marrëveshjen.
Trebicka: Cila kompani është kjo, është akoma Delijorgji?
Diverolli: As nuk e kam idenë fare, po presim që Pinari të na japë detaje në lidhje me këtë kompani. Do të bëj maksimumin që kjo shitje të realizohet...
Përgjimi 3
Diveroli: ...(Disa biseda për shërbimet, që ai është i supozuar të bëjë për Diverolin). Jam treguar 100% i ndershëm me ty. Nuk ta hoqa unë këtë punë. E kupton këtë? S’kam lidhje fare me këtë çështje. Edhe pse Pinari më ka pyetur, madje më ka bërë presion, unë s’e kam mbështetur asnjëherë një vendim të tillë. Jam shumë i mërzitur dhe shumë i shqetësuar.
Trebicka: Është duke punuar ende me Henry Tomein?
Diveroli: Mendoj se është ende duke punuar Henri. Unë jam ende duke punuar me Henrin. Më duhet të punoj me Henrin. Unë po punoj me Henrin.
Përgjimi 4
Diveroli: Unë jam ndryshe nga Henri, nuk mund të bëj shaka me mafien e Delijorgjin dhe me ato dreq njerëzish nga Shqipëria... Unë jam një kompani amerikane, punoj për qeverinë, të gjithë i kanë sytë nga unë. Pinari ka nevojë për një tip si Henri në këtë mes, që të kujdeset për të dhe për shokët e tij, gjë që nuk më intereson aspak. Unë nuk dua t’ia di rreth këtij biznesi, unë dua t’ia di për biznesin e ligjshëm. Kjo është ajo që unë ndjej për këtë situatë, kjo është ideja ime, ky është opinioni im.
Përgjimi 5
Disa biseda, diskutime rreth vizitës së Xhorxh Bushit në Shqipëri.
Trebicka: ... por unë mendoj se me Pinarin, shokët e tij mafiozë, Delijorgjin dhe Henrin, do të jetë e vështirë për ty që të vazhdosh përpara, pasi ata do të të krijojnë shumë probleme... Sipas gjasave unë do të ftohem në Uashington DC nga zyrtarë të CIA-s dhe nga disa miq të mi atje... Pas dy javësh do të vij në Florida që të shtrëngoj duart me ty dhe të diskutoj për marrëveshjet e të ardhmes.
Diveroli: Më pëlqen kjo, le ta bëjmë.
Përgjimi 6
Diveroli: Aktualisht, kam një marrëveshje mjaft të mirë në Serbi dhe kam nevojë për financim.... Kosta, Kosta, mbase kam një ide ... që ti mund të mbarosh së paketuari, për shembull, dy milionë e gjysmat që më ke borxh... Pinari dhe Delijorgji do të vënë re se tashmë operacioni yt është duke ecur mirë dhe mendoj se ata nuk do të duan ta prishin marrëveshjen, kështu që do ta blejnë materialin nga ty. Ata nuk kanë pse të sillen vërdallë dhe të shkojnë deri në Maqedoni për të gjetur material. Mendoj, mbase kjo është një ide e mirë. A mendon se Pinari do ta bëjë këtë punë?
Përgjimi 7
Trebicka: Kam gjetur partnerë të mirë dhe mendoj se mund ta vazhdoj punën. Unë nuk di gjë për Pinarin, Delijorgjin dhe mafien e tij. Nëse ata duan ende të punojnë me mua, unë nuk do të flas. Do ta mbaj gojën të mbyllur. Do të bëj çfarëdo që të më thuash.
Diveroli: E kuptoj... Vetëm se po të them, unë të mbroj ty dhe ti më mbron mua nga këto gjëra. Më lër të flas me Pinarin, ai e di se duhet ta bëjë ai paketimin. Sepse ai është duke të hequr nga pozicioni yt. Nëse ai nuk e bën dot këtë detyrë siç duhet, ai do të jetë në telashe të mëdha, nga të gjithë. Kështu që mbase ai do të nervozohet duke qenë se Delijorgji nuk e bën dot këtë punë, gjithsesi. Kjo është çështja më e mirë, kjo është ëndrra ime.
Përgjimi 8
Diveroli: Kështu që na duhet ta realizojmë shitjen e këtij materiali. Pastaj, të paktën unë nuk jam i ekspozuar dhe ti nuk je i ekspozuar, apo jo? Këtë herë është opsioni A, apo opsioni B. Duhet të hyjmë vetëm në njërën derë, nuk jemi të sigurt se cila është. Pse nuk shkon t’ia puthësh bythën edhe një herë atij Pinarit, tani. Telefonoje, lutju, puthe, bëj ç’të duash. Dërgo njërën nga vajzat e tua që ta q***. Ta bëjmë atë të lumtur. Ndoshta ai do të të japë një tjetër mundësi që ta bësh këtë punë. Si thua? Mbase ai nuk është i organizuar, mbase do të nervozohet - (duke folur si të ishte Pinari). Ti e di, nëse nuk e marr këtë punë, pastaj do ta humbas biznesin e municioneve. Mbase ne mund të luajmë me atë që ai ka frikë. Hajde Pinari, më jep edhe një shans tjetër. Jepini atij para, futini diçka në xhep... Dhe ai nuk do të marrë shumë. Nëse merr $ 20.000 nga ty.
Përgjimi 9
Diveroli: Unë mund ta bëj një gjë të tillë. Më thuaj nesër se çfarë do të bëhet.... Ta ndajmë, do të bëjmë planin A apo B? Unë do të flas me Pinarin, ti do të flasësh me Pinarin dhe ne do të marrim një vendim. Pastaj do të kalojmë te marrëveshja tjetër.
Përgjimi 10
Diveroli: Më shumë, më shumë, kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë...


“E vërteta e përgjimit për trafikun e armëve”

Kryeministri Sali Berisha ka folur dje për herë të parë në Parlament për një përgjim ku përmendet emri i tij dhe i të birit, Shkëlzenit, për trafik armësh.

ADI SHKEMBI

Në seancën e djeshme, e cila ishte e planifikuar vetëm për tragjedinë e Gërdecit, ka qenë deputeti i PS-së, Kastriot Islami, i cili ka folur për një shkrim që do të botohet në gazetën amerikane “Nju Jork Times” lidhur me implikimin e kreut të qeverisë në trafikun e armëve. Një përgjim i tillë qarkullon prej disa javësh në qarqet e mediave dhe ishte planifikuar që të botohej në gazetën amerikanë të mërkurën e kaluar. Por pas daljes në skenë të përfshirjes në një skandal seksual të guvernatorit të Nju Jorkut, ky shkrim pritet të botohet këtë të diel.
Në seancën e djeshme kreu i qeverisë ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që implikojnë atë dhe djalin e tij lidhur me trafikun e armëve nga Shqipëria në Afganistan, përmes një kompanie amerikane. Sipas Kryeministrit, një gazetar amerikan erdhi në Tiranë ku takoi ministrin e Mbrojtjes, të cilit i bëri të ditur se është duke hetuar një aferë municionesh. “Përpjekja e një grupi të erjonëve të muajve të fundit, të cilët sollën një gazetar për të hetuar një tregti armësh, e bërë nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në përputhje të plotë me të gjitha ligjet ndërkombëtarë dhe kombëtare. Dhe ky gazetar me gjithë ndihmën e erjonëve dhe disa të tjerëve nuk arriti dot ta botojë artikullin, se ajo është totalisht një aferë fund e krye transparente”, theksoi kryeministri dje para deputetëve. Duke treguar të gjithë këtë histori, kreu i qeverisë tha se një nënkontraktor shqiptar (Kosta Trebicka) ka takuar djalin e tij, Shkëlzenin, të cilit i ka thënë se ky i fundit i ka prishur një marrëveshje që firma e Trebickës të ishte nënkontraktor i firmës amerikane. “Në korrik të këtij viti, një person i quajtur Kosta Trebicka, takon djalin tim dhe i thotë ti më ke penguar mua te një kompani amerikane që të bashkëpunoj me të. Im bir i thotë unë s’të kam takuar ty kurrë. I thotë a mund ta sjellësh pak atë qytetar amerikan të ballafaqohet me mua këtu. I thotë po ta sjell, është në Tiranë. Trebicka nuk e sjell dot atë”, thekson më tej kreu i qeverisë. Duke u ndalur te përgjimi mes nënktontraktorit shqiptar Trebicka dhe përfaqësuesit të kompanisë amerikane, kreu i qeverisë hedh dyshime se ky përgjim nuk është i vërtetë, teksa shton se mafiozë shqiptarë kanë përdorur emrin e tij edhe në këtë rast. Sipas Berishës, këta mafiozë kanë tentuar të korruptojnë kreun e MEICO, Ylli Pinari, për të cilën, ai bëri të ditur se i ka çuar një letër edhe gazetës amerikane “Nju Jork Times”. “Diveroli nuk gënjeu, por jam i bindur që një nga këta mafiozët shqiptarë përdori emrin tim, siç e përdor rëndom dhe siç gjej çdo muaj që shkoj e paraqitet dhe thotë kam lidhje me kryeministrin. Ky është një mashtrim. Ai që fiton tender, ai merr dënimin mbrapa. E sajoj Diveroli këtë? Unë më pak tendencë kam ta besoj se e sajoi, por ia ka thënë një nga këta mafiozët për të shpëtuar dhe ndjekur rrugën e vet. Ky është i gjithë historiku, ju ftoj të merrni dosjen dhe të kontrolloni se biseda mafiozësh që kërkojnë të korruptojnë Pinarin me një tender apo me 25 mijë dollarë ato i dini ju”, theksoi më tej Berisha.


Shkëlzen Berisha: E vërteta e akuzave ndaj meje

Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit ka reaguar dje me një letër publike ndaj akuzave për implikim në një aferë armësh. Ja teksti i plotë i letrës:
Dje më dt. 19/03/2007 në dy të përditshme është botuar një letër të një individi të quajtur Gery Kokalari. Letra servir një zinxhir thashethemesh që kushdo mund t’i tjerrë për këdo dhe që nuk mbështeten në asnjë lloj prove.Duke mos u zgjatur në arsyet evidente që shtyjnë farkëtimin e shpifjeve në këto ditë fatkeqësie, dëshiroj të informoj opinionin sa vijon:
Me përgjegjësi të plotë ligjore deklaroj:
1 - Çdo pretendim apo aludim për përfshirjen time në tregti të ligjshme apo të paligjshme armësh është i pavërtetë dhe përbën shpifje.
2 – Nuk kam takuar kurrë personin, të cilit i referohet biseda (z. Diveroli) dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me të, me biznesin e tij, apo me nënkontraktorët e tij.
3 – E gjithë dijenia ime për çështjen në fjalë konsiston në këtë episod: Gjatë verës (data nuk më kujtohet), një miku im më kërkoi të prisja në takim një person të quajtur Kosta Trebicka, për një shqetësim të këtij të fundit.
Në vijim, në prani të mikut tim, për herë të parë dhe të fundit, kam takuar z.Trebicka.
Duke m’u prezantuar, z.Trebicka më sqaroi se ishte pronar i një kompanie shqiptare që pretendonte të nënkontraktohej nga një kompani amerikane, e cila kishte kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes.
Z.Trebicka ngriti pretendimin se përfaqësuesi i kompanisë amerikane i kish thënë atij se unë i kisha kërkuar kompanisë amerikane që të mos zgjidhte për nënkontraktor z.Trebicka, por një kompani tjetër. Në prani të personit që e shoqëronte, i thashë z.Trebicka se, një gjë e tillë ishte e pavërtetë; se unë kurrë nuk e kisha njohur shtetasin amerikan për të cilin bëhej fjalë; dhe se kurrë nuk i kam sugjeruar atij ose ndonjë tjetri lidhjen ose jo të kontratave në një sferë të tillë aktiviteti.
I bindur se kjo ishte thjesht një trillim, ose në rastin më të mirë një keqkuptim, i kërkova z.Trebicka ballafaqim me shtetasin amerikan, të cilit ai i referohej.
Z. Trebicka më tha se, ishte i bindur që bëhej fjalë për një spekulim dhe u largua pa organizuar kurrë një ballafaqim të tillë. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që unë kam takuar z. Trebicka. E gjithë kjo bisedë është bërë në prani të personit, i cili më kish kërkuar një takim për z.Trebicka.
4 - Vazhdoj të mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo ballafaqim me personin në fjalë apo këdo tjetër që ka pretendime të ngjashme, pasi e konsideroj investigimin në çështje të tilla si një e drejtë legjitime e kujtdo.
Por mbetem gjithashtu i vendosur për të marrë të gjitha masat ligjore të mundshme, për të mos lejuar askënd të përlyejë pa prova e fakte emrin dhe reputacionin tim dhe të familjes sime.
Në këtë kontekst inkurajoj shtypin t’i shkojë deri në fund hetimit të kësaj çështjeje, por e ftoj të largohet nga shpifjet dhe abuzimet e pabazuara në fakte.
Me respekt
Shkëlzen Berisha



Berisha: Do flas nëse më kërkon prokurorja

Mendimet e mia lidhur me shpërthimin në Gërdec do t'ia them Prokurorisë nëse do të më thërrasë, ose nëse do të ngrini komision hetimor.

ADI SHKEMBI

Kështu ka deklaruar dje në Parlament, Kryeministri Berisha, në seancën e programuar vetëm për debatin e tragjedisë së Gërdecit. Kreu i qeverisë ka larguar të gjitha përgjegjësitë e tij nga përfshirja në skandalin e çmontimit të municioneve, duke thënë se ky nuk është në tagrin e kryeministrit. Madje, për të përforcuar këtë deklaratë, kreu i qeverisë është shprehur se, "për herë të parë në jetën time kam dëgjuar emrin Gërdec më 15 mars, pas orës 12:00 ditën e katastrofës". Në të njëjtën kohë, Berisha ka folur edhe për përfshirjen e burrit të kunatës së tij, që nuk e kishte takuar asnjëherë, në punimet për çmontimin e armëve në Gërdec. "Kunata ime ka pasur një problem familjar të vetin me fëmijë të sëmurë, me shumë halle. Ka pasur një divorc para shumë vitesh, ka ndenjur në Angli në emigracion tetë vjet, është kthyer siç di unë në shtator me një bashkëshort, të cilin për fat të keq dhe unë ndjej keqardhje që nuk e takova dot asnjëherë. Për fat të keq, e kam pikëllim. Kjo është historia e një njeriu që ju ja nxirrni shofer të atij që do dalë se i kujt është dhe kush është, por që shkoi për të siguruar bukën e gojës dhe mbeti si ata viktimat e tjera", theksoi Berisha në Kuvend. Të pyetur nga gazeta, mësues të shkollës "Hurry Fultz" thanë se Muhamet Hoxha ka qenë mësues pranë kësaj shkolle, por jetonte në Gërdec dhe punonte pranë kësaj fabrike.
Hetimet
Por kreu i qeverisë në seancën e djeshme në Parlament, në replikat me të gjithë deputetët e opozitës është shprehur se edhe ai ka mendimet e tij lidhur me këtë çështje, por është zotuar të mos flasë për shkak se po vazhdojnë hetimet. Në të njëjtën kohë Berisha ka bërë të ditur se do të jetë i gatshëm të flasë për të gjitha ato që mendon nëse do të thirret nga Ina Rama. "U garantoj se më pengon hetimi, krijoni komision hetimor t'ua them të gjitha. Prokurorisë do t'ia them të gjitha po më thirri. Unë kam mendime, mos mendoni ju se s'kam mendime unë", ka deklaruar kreu i qeverisë. Sipas tij, "kjo është e para fatkeqësi që ka nisur një hetim të fuqishëm, sepse nuk janë prokurorë të kapur, politik, por ka një prokurori e cila do të zbardhë. Ju ftoj për çdo gjë të krijoni që nga ky koment komision për të bërë çdo hetim, pa asnjë lloj kufizimi. Kjo është ftesa ime. Prandaj jam rezervuar, për të mos bërë prokurorin". Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme që të hetojë në të gjitha drejtimet lidhur me këtë ngjarje, duke thënë se kjo është hera e parë që po ndërmerren kaq shpejt hetime për një tragjedi. "Fatmirësisht sot para ligjit janë vendosur përgjegjësit kryesorë të sipërmarrjeve. Para ligjit janë vendosur persona që në tërësinë e tyre dinë çdo gjë. E ftoj prokuroren të hetojë në çdo drejtim dhe të gjithë secili. E garantoj Prokurorinë, kjo është e para fatkeqësi që hetohet përnjëherë, ka pasur edhe të tjera të mëdha, por na dukeshin plebenj. Ata ishin shkodranë dhe nuk kishte peshë jeta e tyre. Kjo është e para fatkeqësi që ka nisur një hetim të fuqishëm, sepse nuk janë prokurorë të kapur, politik, por ka një prokurori, e cila do të zbardhë", theksoi më tej Berisha. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të përfaqësuesve të opozitës për të dhënë dorëheqjen, kreu i qeverisë e ka refuzuar sërish një gjë të tillë. Në replikat me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kreu i qeverisë është shprehur se, "merr zoti Meta kryesimin e komisionit hetimor dhe nis hetimin. Më fakto shkaqet dhe unë plotësisht do të qëndroj. Por s'mund të jap dorëheqjen pse kërkon ti kundërshtari im, pa asnjë argument".


Ruçi: Familjarët e Berishës në fabrikë

Deputeti socialist Gramoz Ruçi akuzoi dje Kryeministrin Berisha se familjarë të tij kanë qenë të lidhur ngushtë me fabrikën e Gërdecit. "Ju doni të tregoni se jeni dorëjashtë nga kjo histori. Municioni merrej nga malet dhe depozitohet në qendër të Republikës, ku rrezja e predhave që depozitohej shkonte 40 km. Kur u ndërprenë punimet në fabrikë gjatë vizitës së zotit Bush, edhe atëherë nuk e morët vesh që aty kishte fabrikë të rrezikshme? Aktiviteti aty ishte i paligjshëm, këtë e dëshmojnë punëtorët. Ju duhet të jepni përgjigje nëse djali juaj ka lidhje me pronarin e kësaj firme? Sepse përtej oqeanit vijnë të dhëna për një implikim të tij. Po baxhanaku juaj kishte mbetur pa punë që të punonte në fabrikën e vdekjes, apo ishte aty për të numëruar kontejnerët që hynin e dilnin prej saj? Nuk mund të shërojë plagët e kësaj fatkeqësie ai që e bën plagën", tha Ruçi. Deputeti socialist tha në Kuvend se opozita nuk e përdori politikisht tragjedinë e Gërdecit. "Por në kushtet kur qeverisja juaj edhe sot jep shfaqje të shëmtuara shfajësimi, se nuk di gjë apo nuk do largohet nga posti kryeministror, opozita nuk mund të heshtë", tha Ruçi.

Mediu: Dorëzoj dhe imunitetin

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deklaroi se është gati të heqë dorë nga imuniteti i tij si deputet dhe të jetë gatshëm për të kontribuar në zbardhjen e kësaj ngjarje tragjike. "E vërteta për këtë ngjarje nuk mund të fshihet, as të deformohet. Nuk mund të jem as unë e as ndonjë tjetër që do të ketë verdiktin e së vërtetës, por vetëm drejtësia do të jetë ajo që do të vendosë. Kam deklaruar se jo vetëm do të mbështes hetimin, por që në këtë moment do ta konsideroj veten pa asnjë lloj imuniteti. Nga dëshira e plotë për të hetuar këtë ngjarje si pasojë e përgjegjësive të mia si funksionar publik", deklaroi Mediu. Kreu i PR-së ka nisur fjalën e tij, duke kërkuar ndjesë dhe duke shprehur solidaritetin për ngjarjen e ndodhur.


Meta: Berisha premtoi internetin, por solli Sali Qametin

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i kërkoi Kryeministrit Sali Berisha të japë dorëheqjen nga posti që mban, duke e cilësuar si përgjegjësin kryesor të tragjedisë së ndodhur më 15 mars të këtij viti në Gërdec. "Sali Berisha premtoi Shqipërinë në moshën e internetit dhe na riktheu Shqipërinë e Sali Qametit, sepse fëmijët atje u sakatuan dhe u vranë duke punuar me predha në dorë dhe nuk i pamë duke luajtur në internet", deklaroi Meta. Në diskutimin e tij, Meta fajësoi shefin e qeverisë për mos marrje masash që nevojiten për shmangien e kësaj tragjedie. "Nuk e kemi ngritur gishtin ndaj tij që ditën e parë, sepse vëmendja e parë ishte ndaj njerëzve në fatkeqësi dhe te menaxhimi sa më i mirë i kësaj tragjedie. Por, edhe përmbajtja jonë u keqpërdor nga kryefajtori për të minimizuar tragjedinë dhe për të fshehur të vërtetat. Edhe sot pas kaq ditësh askush nuk jep dot një bilanc përfundimtar të viktimave, të të humburve dhe të shkatërrimeve që kanë ndodhur me këtë tragjedi. Si asnjëherë tjetër qeveria është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për këtë keqmenaxhim të situatës", theksoi Meta. Lideri i LSI-së tha më pas se, "kryeministri kërkon alternativë dhe ne ia kemi dhënë që në fillim. T'i kërkohet ndihma urgjente OKB-së dhe BE-së, për të kompensuar të gjithë dëmet materiale, të cilat nuk janë 6 miliardë lekë të reja, por të cilat janë me qindra milionë euro". Ai hodhi poshtë idenë së kjo është vepër e agjenturave të huaja për tragjedinë e Gërdecit. "Unë kam frikë se agjenturat i kemi në krye të Qeverisë, sepse unë jam i bindur që një Kryeministër si Sali Berisha, i cili të gjithë e dinë që edhe një pastruese që është në opozitë me PD në një institucion të caktuar e largon nga puna. Si mos e dinte që kishte një fabrikë të tillë çmontimi predhash dhe armësh në mes të metropolit Tiranë-Durrës. Por kështu është më se e qartë që ngjarje të tilla, jo vetëm që nuk kanë sjellë reflektimin e tij, se i ka të përsëritura, por përkundrazi. Na tha në fillim se gabimi duhet të ishte njerëzor. Por kujt do t'ia kërkojmë këtë gabim ne?! Atyre që u vranë, atyre që humbën jetën, atyre grave dhe fëmijëve që kemi parë këto ditë në televizion duke mbajtur predha nëpër duar për të çuar dy lekë më shumë në shtëpitë e tyre?!", theksoi Meta.
Më pas kreu i LSI-së bëri të ditur se pse Berisha duhet të japë dorëheqjen. "Njëkohësisht unë dua t'i kërkoj atij që të japë dorëheqjen, jo vetëm të lejojë Prokurorinë për të hetuar në mënyrë të paanshme, sepse edhe ai vetë si Kryeministër është dhe duhet të jetë pjesë e këtij hetimi dhe askush nuk do i mbushë mendjen askujt që kryeprokurorja nuk do jetë e penguar nga fakti që ai është kryeministër i këtij vendi. Duhet të largohet, jo vetëm për arsye ligjore, por edhe nga ana morale. Do apo s'do ai, ky njeri është identifikuar si një njeri që sjell tragjedi", përfundoi Meta.


“Tragjedia me ligjin e qeverisë”

Socialistët fajësuan dje në Kuvend, Kryeministrin Berisha, për tragjedinë e Gërdecit.

Aristir Lumezi

Gjatë debatit të djeshëm në Kuvend me Kryeministrin Berisha, deputeti Ben Blushi tha se tragjedia është bërë pas miratimit të ligjit të qeverisë. "Sot jam këtu për t'u thënë qytetarëve shqiptarë se qeveria e tyre i ka vrarë dhe kjo ndodhi në një ditë me diell. Një vit më parë është miratuar një ligj, i cili parashikon që tregtinë e armëve ta marrin kompanitë private. Kjo vrasje është bërë me ligj, ju keni bërë miratimin e këtij ligji. Ne e kemi kundërshtuar dhe njëri prej jush ka thënë se këtë ligj e kërkon BE-ja. Siç dëshmuan faktet, kjo kompani private mblodhi armë, ky aktivitet kryhej nga shteti shqiptar që kishte monopolin e tregtisë së armëve", tha Blushi. Duke akuzuar qeverinë shqiptare, Blushi tha se municioni dhe armët mund t'i menaxhonte në interes të shtetit vetë qeveria. "Duhej të hidhej në rruge një numër punonjësish specialistë të Poliçanit dhe t'i jepej një kompanie amatore? Pse të mos i shiste armët vetë dhe t'i fuste paratë në buxhetin e vet për investime sociale. Kjo është një mundësi për të fituar privatisht dhe kjo është arsyeja që është miratuar ky ligj", tha deputeti socialist. Blushi akuzoi Kryeministrin Berisha se ka krijuar monopolin e armëve, duke dështuar në luftën kundër monopoleve dhe trafiqeve. "Ai na akuzoi ne për monopol vaji dhe ushqimesh, ndërsa ai po bën monopol armësh. Ajo punishte e vdekjes ishte e qeverisë, armatimet që shiste kjo qeveri ishin të qeverisë. Çdo fitim i paligjshëm ishin të vetë qeverisë. Ne jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësi", tha Blushi. Nënkryetari i grupit socialist, Arben Isaraj, akuzoi qeverinë se ka përdorur dy standarde në lidhje me pronat e Ministrisë së Mbrojtjes. "Pse shitja e pjesëve të këmbimit bëhet me ankand dhe demolomi i armatimit bëhet pa ankand. Kjo është pikënisja e korrupsionit ku qeveria është aksionere", tha Isaraj. Edhe ish-sekretari i Përgjithshëm socialist, Pandeli Majko, ka përgënjeshtruar Kryeministrin Berisha për mungesë të kompetencave të tij në lidhje me armatimet e ushtrisë dhe municionet. Majko i ka treguar Kryeministrit Berisha se legjislacioni është i saktë dhe i plotë i hartuar nga partnerët ndërkombëtarë. "Nuk ka legjislacion për import-eksportin e municioneve? Ja zotëri ku e keni librin të botuar nga ekspertë ushtarakë në 2004-ën. Këto libra i kanë shkruar ushtarakët e nderuar, ku i kanë thënë që demontimi i municioneve nuk mund të bëhet aty ku e bëri qeveria jote", tha Majko. Sipas ish-ministrit socialist të Mbrojtjes, "Gërdeci nuk trajtohet si një repart ushtarak. Demontimi nuk është biznes". Majko u shpreh se opozita e sotme në asnjë formë nuk përsërit opozitën e bërë nga Sali Berisha. "Ajo që unë dua të flas me qetësi, është se si do të silleshe t'i po të ishe në opozitë. Ti do bëje namin, ti do akuzoje me vrasje me kriminelë, duke sharë në media, duke i thënë mund të dilni lakuriq po është media more zotëri", tha Majko.


Leskaj: Berisha të japë dorëheqjen
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha tha se, "është e tepërt të pretendosh nga ju që të kërkoni falje. Ju jeni personifikuar si një drejtues i një vendi të shkrumbuar. Bilanci tragjik mori ngjarje në memorien dhe shpirtin e kombit, ku ende nuk janë tharë lotët. Ju duhet të dini se detyra e një qeverie është siguria e jetës së qytetarëve. Nuk mund të rrini ende ulur në atë karrige, pasi keni shkaktuar një tragjedi të madhe, që u ka marrë jetën njerëzve të pafajshëm. E gjithë Shqipëria kërkon të bëni atë ç'ka bëri edhe ministri i Mbrojtjes. Ju e quajtët një fabrikë, por ajo ishte një barakë", përfundoi Leskaj.

Balla: Të ikë mendja e vrasjes
Deputeti socialist, Taulant Balla, i kërkoi Kryeministrit Berisha të japë dorëheqjen. "Dora e vrasjes dha dorëheqjen, ndërsa mendja e vrasjes ende qeveris", tha Balla. Deputeti socialist akuzoi kryeministrin se familjarët e tij janë përfshirë në tregti armësh. "Atij gazetarit amerikan, bodigardët e tu i thyen kamerën. Ai gazetari që ti thua se do ta botojë shkrimin, tregon se ti je i implikuar në tregti armësh. Unë akuzova familjen e zotit Berisha që është e lidhur me kazinotë e Tiranës. Ndërsa materiale të tjera tregojnë se familjarët e tij janë implikuar në trafik armësh. Balla akuzoi Berishën edhe për
qëndrimin e tij armiqësor ndaj mediave.

Ceka: Do ngremë komision
Kreu i PAD-së, Neritan Ceka, tha dje në Kuvend se "tragjedia duhej të ishte evituar". "Banorët e Gërdecit janë të interesuar përse ndodhi kjo tragjedi. Shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe të dinë se në çfarë shteti po jetojnë. Zoti kryeministër, raporti juaj ishte një zhgënjim. Ju keni mësuar për këtë qendër vdekje vetëm më 15 mars. A keni dijeni për qendrat e tjera të vdekjes? Ky është shteti që ju i premtuat shqiptarëve. Ky Parlament duhet t'i thotë zonjës Rama të bëhet zonja Di Rama që ta pastrojë këtë Parlament nga të korruptuarit. Administrata shtetërore ju ka gënjyer dhe do vazhdojë t'u gënjejë. Unë kam mbledhur firma për të bërë komisionin hetimor. Të shohim sa do e miratoni", tha Ceka.



Ngjela: Çfarë s’dini për Delijorgjin

Deputeti i pavarur Spartak Ngjela akuzoi drejtuesit e lartë të qeverisë për përfshirje në këtë biznes, e cila u pasua me një tragjedi të madhe në Gërdec. "Ciceroni që ka thënë se 'jo ai që ka pak, por ai që kërkon shumë është i varfër'. Kjo është arsyeja kryesore se ky korrupsion i madh i madh qeveritar, me familjarë qeveritarësh të lartë ra në këtë llum të madh, i cili do t'i marri me vete. Sepse kanë dashur më shumë, jo vetëm se dolën më të varfër, por shkatërruan historinë e këtij kombi dhe ja se përse", tha Ngjela. Gjithashtu Ngjela bëri një ekspoze dhe për personin që tashmë është arrestuar nga policia. "Ja kush është Delijorgji dhe kujt i takon dhe kë përfaqëson? Është kushëri i gruas së një Gonxhe, Gonxhe, e njihni ju kush është, i juaji. Disponues i madh të lejeve ndërtimi, tani e ka marrë te Parku i Autobusëve në Tiranë, tritoli plus kësaj. Jo vetëm që këtë bandit, një tregtar vdekjeje që ka ardhur duke u pasuar nga një kryeministër në një tjetër, nga një ministër në një tjetër, stafetë dhe ky njeri aktualisht është në burg. I them prokurores Ina Rama që të flasë dhe t'i bëjë atij lëshime dhe provat do t'ju vijnë dhe të rrijë e qetë. Duhet hetim ndërkombëtar", tha Ngjela. Ai theksoi se për këto gjëra do t'i drejtohet kryeprokurores Ina Rama. "Zonja prokurore, të ka ardhur rasti të hetosh një çështje, e cila do të hetohet dhe kurrë nuk do të mbetet e tillë, sepse më lejoni t'ju them a) si është e mundur që të mos dijë se në këtë qendër 12 km larg Tiranës operon një fabrikë, cila është leja; b) Si ka mundësi që nuk dihet, pse nuk dihet dhe nëse është lejuar kjo duhet hetuar", theksoi Ngjela.


Prokuroria: Duam dëshminë e Fatmir Mediut për Gërdecin

Prokuroria kërkon dëshminë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me tragjedinë e Gërdecit.

Trazhgim Sokolaj

Ish-kreu i dikasterit të Mbrojtjes, i cili tri ditë më parë dha dorëheqjen nga detyra, pritet të paraqitet ditën e sotme në Prokurori. Ai është ftuar të paraqitet me vullnetin e tij për të dhënë deklarime rreth ngjarjes para grupit hetimor të ngritur për investigimin e shkaqeve dhe rrethanave të tragjedisë së Gërdecit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se ish-ministri Mediu është ftuar të japë sqarime në Prokurori lidhur me kontratat e ndërmarrjes “Meico” për çmontimin e predhave në Gërdec të Vorës. “Prokuroria fton për të dhënë deklarime dhe shpjegime të mëtejshme rreth ngjarjes edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu”, thuhet në një deklaratë të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila u bë publike mesditën e djeshme. Sipas institucionit të akuzës, Prokuroria iu drejtua me një ftesë për të dëshmuar ish-ministrit Mediu, për shkak se ai gëzon imunitet parlamentar, çka paraqet pengesë për thirrjen e tij. Mediu aktualisht është deputet dhe kryetar i Partisë Republikane, ndërsa ftesa e Prokurorisë për pyetjen e tij është bërë vetëm pesë ditë pasi organi i akuzës filloi hetimet për tragjedinë. Gjatë këtyre ditëve, Prokuroria ka sekuestruar në Ministrinë e Mbrojtjes kontratat e ndërmarrjes së këtij dikasteri me firmën amerikane SAC për çmontimin e predhave në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec, që ishte kthyer prej disa muajve në fabrikë çmontimi. “Nga sekuestrimi i dokumenteve dhe mbledhja e të dhënave në Ministrinë e Mbrojtjes, konsiderohet e nevojshme për hetimin marrja e sqarimeve nga ish-titullari i këtij dikasteri”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas Prokurorisë, pyetjet me të cilat do të përballet ish-ministri i Mbrojtjes kanë të bëjnë fillimisht me procedurën e vendimmarrjes, e cila ka vendosur Gërdecin si zonën ku do të ngrihej fabrika e çmontimit të predhave. Grupi hetimor duket se është i interesuar të mësojë nëse në momentin e vendimmarrjes është përllogaritur fuqia e municioneve që çmontoheshin, rreziku i kësaj veprimtarie dhe nëse është marrë parasysh se gjithçka po kryhej në mes të një zone të banuar. Mediu pritet të japë sqarime lidhur me pozicionin e ministrisë në përcaktimin e firmave të kontraktuara dhe mbikëqyrjen e zbatimit të kushteve të sigurisë gjatë çmontimit të predhave në fshatin Gërdec. Prokurorët pohuan më tej se do të kërkojnë sqarime prej ish-ministrit të Mbrojtjes edhe për detaje të tjera të ngjarjes, të cilat, sipas organit të akuzës, aktualisht nuk mund të bëhen publike për shkak të sekretit të hetimeve që po zhvillohen nën drejtimin e kryeprokurorit të Tiranës, Genti Xholi.

Prokurorët në Poliçan për sasinë e municioneve të nisura në Gërdec

TIRANE – Një prokuror nga Tirana së bashku me dy hetues pritet të fillojnë verifikimet në fabrikën e prodhimit të armëve dhe municioneve në Poliçan, në kuadër të hetimeve për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec pas shpërthimit të fabrikës së çmontimit të predhave luftarake të artilerisë së rëndë. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se në fabrikën e Poliçanit, fillimisht do të verifikohet dokumentacioni lidhur me llojin dhe sasinë e municioneve që janë nisur nga aty në drejtim të fabrikës së demontimit, që ishte vendosur në fshatin Gërdec ku ndodhi edhe tragjedia. Grupi i hetimit mësohet se veç të dhënave për sasinë e municioneve do të marrë edhe informacione për fuqinë e tyre shkatërruese si dhe rregulloren për transportin, çmontimin dhe përpunimin e mbetjeve të predhave pas përfundimit të procesit të çmontimit. Lidhur me këtë fakt, mësohet se hetuesit do të marrin në pyetje me hollësi specialistët e fabrikës së Poliçanit lidhur me procedurat që duhen ndjekur dhe rregullat që duhen zbatuar gjatë procesit të demontimit të predhave. Një veprim i tillë mësohet se do të bëhet me qëllim që hetuesit dhe Prokuroria të analizojnë me imtësi mënyrën si punohej brenda fabrikës që shkaktoi tragjedinë dhe më pas të nxjerrin edhe veprimet që kanë shkaktuar shpërthimin e municioneve dhe barutit të grumbulluar aty. Prokuroria e Tiranës dje ka marrë në pyetje edhe specialistë dhe oficerë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, lidhur me repartin e Gërdecit dhe sasinë e municioneve që ndodheshin aty. Zyrtarëve të ushtrisë u është kërkuar të sqarojnë nëse kanë pasur ndonjë informacion apo raport paraprak për rrezikshmërinë që paraqiste fabrika e çmontimit të predhave në Gërdec.
tr.so


Kërkesa: “Burg pa afat” të arrestuarve për Gërdecin

TIRANE – Tre të arrestuarit për katastrofën e Gërdecit, administratori i firmës “Albademil”, Mihal Delijorgji; drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari dhe drejtori i fabrikës në Gërdec, Dritan Minxholli, pritet të përballen paraditen e sotme në gjykatë me prokurorinë për caktimin e masës së sigurisë në ngarkim të tyre. Organi i akuzës i kryeqytetit i dorëzoi dje gjyqtarit të gatshëm të kësaj jave, Asim Vokshi, kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “burg pa afat” për tre të arrestuarit, të cilët akuzohen të kenë konsumuar kundërvajtjen penale të shkeljes së rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse e djegëse. Sipas kësaj akuze, duke vlerësuar pasojat e rënda, Prokuroria pretendon se këta mund të dënohen me burg gjer në 10 vjet. Seanca në ngarkim të tyre pritet të zhvillohet në orën 10:00, kur do të shoqërohen prej policisë së kryeqytetit.
f.m.



Prokuroria: Tri pista të shkëndisë fatale

TIRANE – Shpërthimi në Gërdec mund të ketë ardhur si pasojë e tërheqjes zvarrë të një thesi të mbushur me barut mbi betonin e ashpër të oborrit të fabrikës së çmontimit të predhave. Kjo është një nga pistat mbi të cilat Prokuroria e kryeqytetit po heton për të përcaktuar shkakun e vërtetë të shkaktimit të katastrofës, që i kushtoi jetën të paktën 23 personave dhe plagosjen 296 të tjerëve. Sipas të dhënave paraprake, Prokuroria pohon se kjo mund të jetë arsyeja që shkaktoi më pas tragjedinë. Baruti i fërkuar në dyshemenë e nxehtë, stimuluar kjo edhe nga temperaturat e larta të së shtunës është ndezur, ndërsa flaka brenda pak sekondash ka përfshirë thasët e shumtë të shpërndarë në të gjithë sipërfaqen, derisa ka arritur te grumbulli i predhave dhe më pas te katër kontejnerët e mbushur përplot me barut të presuar. Shkak tjetër për zjarrin mendohet të jetë ndonjë shkëndijë e krijuar nga kandela e fadromës apo skrapamento në momentin e ndezjes. Ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që shkëndija fatale të jetë shkaktuar nga përplasja e predhave në kovën e fadromës, pasi ato ngarkoheshin njëlloj si të ishin gurë. Organi i akuzës tashmë po heton edhe në pista të tjera, sipas të cilëve shkëndija mund të jetë krijuar nga puna në çmontimin e predhave me mjete primitive, apo edhe në mënyrë të qëllimshme nga ndonjë prej punëtorëve. Aktualisht, Prokuroria i ka përqendruar hetimet në mbledhjen e provave në ngarkim të tre të pandehurve në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa do të jetë faza e dytë e hetimeve mbledhja e provave në vendngjarje apo dëshmive.
fa.ma.

Pistat kryesore


Baruti mund të jetë ndezur gjatë tërheqjes zvarrë të thasëve nëpër betonin e ashpër të oborrit të repartit
Shkëndija fatale mund të jetë krijuar nga skrapamento apo kandela e fadromës që transportonte predhat
Shkëndija mund të jetë krijuar nga hedhja e predhave të çelikta në kovën gjithashtu të çeliktë të fadromës


Gërdeci, Ina Rama kërkon ndihmë nga FBI

Hetimet për tragjedinë e shkaktuar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec, përfshijnë edhe kompaninë amerikane SAC, e cila kishte nënkontraktuar Mihal Delijorgjin për çmontimin e municioneve.

Trazhgim Sokolaj

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i është drejtuar dje ambasadës amerikane në Tiranë me një kërkesë për marrjen e informacioneve lidhur me aktivitetin e shoqërisë SAC, “Southern Ammunition Company Inc”. Lajmi u konfirmua nga zyra e Kryeprokurores shqiptare, e cila tha se Ina Rama, në shkresën drejtuar ambasadës amerikane në Tiranë kërkon ndihmë nga hetues dhe ekspertë të Byrosë Federale Amerikane të Hetimeve, FBI. “Në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u është drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-ve”, thanë burimet nga zyra e Kryeprokurores shqiptare. Sipas tyre, për të shpejtuar sa më tepër hetimet ndihma është kërkuar përmes ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë. “Nga autoritetet amerikane është kërkuar ndihmë në dy drejtime: Për marrjen e informacioneve në lidhje me shoqërinë “Southern Ammunition Company Inc” dhe aktivitetin e saj dhe për asistencë dhe ekspertizë të specializuar të ekspertëve të FBI-së në lidhje me identifikimin e kufomave, si dhe të këqyrjes dhe të analizimit të vendit të ngjarjes, si dhe bërjen e një studimi të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes”, thanë burimet zyrtare të Prokurorisë shqiptare.
Ndihma amerikane
Grupi hetimor ka pasur dyshime për firmën amerikane SAC që në momentet e para të hetimit. Deklaratat e ambasadës amerikane se kjo firmë nuk ishte përfshirë në zbatimin e ndonjë projekti të qeverisë amerikane, apo Departamentit të Shtetit, kanë orientuar më tepër dyshimet e hetuesve rreth seriozitetit të firmës SAC. Ajo në fakt rezulton të jetë zotëruese e 25 për qind të aksioneve në kompaninë shqiptare “Abla Demil” me pronar maxhoritar Mihal Delijorgjin. Kjo firmë amerikane, pas një kontrate për çmontimin e fishekëve të kalibrit të vogël, ka nënkontraktuar firmën “Alba Demil” ku kishte aksione të saj, për të vijuar çmontimin e municioneve, kësaj here jo fishekë, por predha të artilerisë së rëndë. Në këto kushte, Prokurorja e Përgjithshme, siç duket edhe nga raportimi i dyshimeve të grupit hetimor, ka kërkuar informacion lidhur me kompaninë amerikane dhe aktivitetin e saj me qëllim shtrirjen e hetimeve edhe në këtë drejtim. Kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar gjithashtu ndihmën e specialistëve dhe ekspertëve të FBI-së për verifikimin e vendit të ngjarjes, ku gjithçka është shkatërruar nga shpërthimi. Ina Rama ka kërkuar që hetuesit e FBI-së të ndihmojnë edhe në identifikimin e kufomave që janë gjetur dhe mund të gjenden nën gërmadhat e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec.
Ambasada, “ok”
Vetëm pak orë pas kërkesës së Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, ka reaguar përmes një deklarate publike, ambasada amerikane në Tiranë. “Pas shpërthimeve në Gërdec, ambasada e SHBA-së mësoi për ekzistencën e një kompanie amerikane, “Southern Ammunition Company, Inc”. (SAC) nga Karolina e Jugut. Me sa kuptojmë Prokuroria e Përgjithshme, si pjesë e hetimeve të saj, do të hetojë edhe rolin e mundshëm të SAC në këtë tragjedi. Ambasada e SHBA-ve do të bëjë çdo gjë brenda mundësive të saj për të ndihmuar në hetimin e Prokurores së Përgjithshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë. Ndërkaq Prokuroria e Përgjithshme deklaroi dje se, në hetimet për tragjedinë e Gërdecit, janë angazhuar një grup i gjerë prokurorësh nën drejtimin e Kryeprokurorit të Tiranës Genti Xholi, zv.prokurorit të kryeqytetit Genci Qana, prokurorit ushtarak Petrit Bica dhe prokurorëve Arben Dollapi dhe Etjen Kapo. Ky grup prokurorësh po ndihmohet nga dhjetëra oficerë gjyqësorë të Prokurorisë dhe policisë së Tiranës për hetimin dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mesditën e 15 marsit 2008 në Gërdec.


“Bllokohen” pasuritë e Mihal Delijorgjit

TIRANE – Prokuroria “bllokon” pasuritë e biznesmenit Mihal Delijorgji. Organi qendror i akuzës konfirmoi dje se Prokuroria po verifikon pasuritë e administratorit të firmës “Alba Demil” Mihal Delijorgji. Këto veprime po pasohen nga grupi i hetimit edhe me marrjen e informacionit nga bankat dhe zyrat e regjistrimit të pasurive”, thanë burimet zyrtare të akuzës. Në fakt zyrtarë të lartë të Prokurorisë, i konfirmuan tri ditë më parë gazetës “Panorama” se, kishin filluar veprimet me pasuritë e Mihal Delijorgjit, me qëllim mbajtjen e tyre të bllokuar deri në përfundim të procesit. Sipas Prokurorisë, nëse gjykata shpall fajtor Delijorgjin për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec, atëherë pronat që i janë bllokuar atij, sipas ligjit për përgjegjësinë penale të personave juridikë, mund të përdoren për dëmshpërblimin e personave apo subjekteve të dëmtuara nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të predhave luftarake në Gërdec. Mihal Delijorgji, njihet për aktivitetin e tij të gjerë në fushën e importimit dhe eksportimit të hekurit duke i renditur si një nga biznesmenët më të njohur në Shqipëri në këtë fushë. Prokuroria ka kërkuar informacione nga bankat dhe hipotekat për llogaritë bankare dhe pasuritë e paluajtshme në emër të tij, me qëllim bllokimin e tyre deri në përfundim të procesit hetimor. Prokuroria gjithashtu ka verifikuar gjithë dokumentacionin e firmës “Alba Demil”, duke filluar që nga regjistrimi i saj në gjykatë deri tek aktiviteti dhe aspekte të tjera të veprimtarisë së saj. Nga këto verifikime është mësuar se “Alba Demil” nuk zotëronte një licencë për çmontimin e predhave edhe pse ndërmarrja shtetërore “Meico” ia kishte “besuar” kryerjen e këtij procesi.
t.s



Dëshmitaret nga shtabi e ministria
Prokuroria e Përgjithshme tha dje se grupi i hetimit ka marrë në pyetje zyrtarë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. “Janë marrë në pyetje persona të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm që kanë dijeni për ngjarjen. Prokurorët e çështjes kanë sekuestruar gjithë dokumentacionin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe po punohet për të kërkuar akte të tjera në shërbim të hetimit”, tha Prokuroria.

Vazhdon pyetja e punëtorëve të fabrikës

Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës vazhdoi dje me mbledhjen e dëshmive nga punëtorë të fabrikës së demontimit të predhave luftarake në fshatin Gërdec. Punëtorët kanë ripohuar sërish se nuk ishin të siguruar dhe se merreshin me çmontimin e predhave pa iu nënshtruar asnjë trajnimi paraprak. Sipas Prokurorisë deri më tani janë marrë në pyetje rreth 30 punëtorë dhe ish-punëtorë të fabrikës, të cilët denoncojnë shkeljet dhe abuzimet e shumta të bëra nga firma “Alba Demil” që kryente çmontimin e predhave.

Delijorgji pa licencë, “Meico” pa kontroll

Organi i akuzës ka verifikuar se firma “Alba Demil” në pronësi të Mihal Delijorgjit dhe kompanisë amerikane SAC, nuk ishte e pajisur me asnjë licencë për kryerjen e çmontimit të predhave luftarake. Gjithashtu hetimet kanë treguar se ndërmarrja “Meico” si organi përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes në nënshkrimin e kontratës me firmën amerikane për çmontimin e predhave, nuk kishte bërë asnjë monitorim apo kontroll lidhur me sigurinë dhe zbatimin e kushteve teknike gjatë punës në fabrikën e Gërdecit.



Memia: Po vlerësohen edhe pajisjet shtëpiake

Vlerësimi i shtëpive të dëmtuara në Gërdec të Vorës do të bëhet edhe për orenditë e brendshme. “Ekspertët e ALUIZNI-t po kryejnë matjet zë për zë në banesat e dëmtuara nga shpërthimi i municioneve në fshatin Gërdec”, është shprehur dje për gazetën “Panorama”, kreu i Agjencisë së Legalizimit, Shaban Memia.

Fabiola Çela

Prej disa ditësh 200 punonjës të ALUIZNI-t, të ndarë në 40 grupe pune, janë duke evidentuar në terren dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i municioneve. Këto grupe kanë në përbërje të tyre inxhinierë ndërtimi, specialistë të agjencisë, si dhe një oficerë të ushtrisë. Ekspertët kanë evidentuar çdo dëm të banesave si p.sh., sa katëshe kanë qenë shtëpitë, cila ka nevojë të ndërtohet nga fillimi dhe cila jo, si ka qenë ndërtimi i tyre me çati me tjegull ose jo, cila ka pasur tavan të varur dhe çdo dëm i shkaktuar matet me metër katrorë. Preventivi me dëmet pasi firmoset nga ekspertët e agjencisë i dërgohen Entit Kombëtar të Banesave dhe çdo dëm do të llogaritet sipas çmimeve të nxjerra nga enti. Gjithashtu, ekspertët janë duke bërë preventivin e dëmit për orenditë e brendshme të banesave si lavatriçe, frigorifer etj.
Banesat
Në Gërdec, Marikaj dhe Marqina është bërë preventivi i dëmit për 2500 pasuri. Dëmi më i madh është shkaktuar në Gërdec, fshati që ishte dhe më afër zonës së shpërthimit. Këtu është bërë preventivi i dëmit për 480 ndërtesa, pjesa më e madhe prej tyre duhet të rindërtohet nga fillimi. Sipas Memisë, për sa i përket orendive të brendshme në këto banesa, zhdëmtimi i dëmit do të kryhet më para në dorë, ndërsa për ndërtimin nga fillimi të objekteve do të merret qeveria. “Ne po bëjmë azhornimin e terrenit me qëllim që të kryejmë një studim urbanistik për këtë zonë. Kjo me qëllim që ndërtimi i këtyre banesave të kryhet më mirë se çka qenë përpara shpërthimit”, ka thënë Memia. Ndërkohë rreth 3 mijë banesa të tjera kanë pësuar dëmtime të lehta nga shpërthimi dhe për këtë kategori objektesh qeveria e ka parë të udhës që pasi të kryhet vlerësimi i dëmit, paratë t’i marrin në dorë.
Bizneset
Nga tragjedia e Gërdecit nuk janë prekur vetëm familjarët, por edhe bizneset. Kjo, pasi në këtë zonë është përqendruar një pjesë e mirë e sipërmarrjes vendase. Sipas Memisë, ekspertët e agjencisë janë duke evidentuar dëmet edhe për bizneset. Nga 400 biznese që janë prekur gjithsej, është përpunuar dëmi për 150 prej tyre. Pas shpërthimit të municioneve në Gërdec shumë prej bizneseve që kanë qenë të përqendruar në këtë zonë kanë deklaruar se, kanë pësuar dëme me vlerë goxha të madhe.


Berisha: 50 mijë lekë për frymë në familjet e dëmtuara

Qeveria vendosi dje të japë 50 mijë lekë për frymë për të gjithë familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit. Vendimi pritet të zbatohet nga Ministra e Financave dhe të gjithë familjarët do të marrin paratë në dorë. “I kam kërkuar Ministrisë së Financave të miratojmë sot (dje) një vendim, me të cilin t’u japim familjeve me shtëpi të pabanuara një shumë prej 50 mijë lekë (të reja) për frymë, sepse ata, duke mos qenë në shtëpitë e tyre, kanë probleme dhe janë në kushte të veçanta. Në tërësi, si mesatare kjo përbën rreth 200 mijë lekë (të reja) për familje. Kjo masë merret për të lehtësuar situatën e veçantë, në të cilën ata ndodhen”, theksoi në mbledhjen e djeshme Berisha. Duke bërë një analizë të situatës pas shpërthimit, Kryeministri theksoi se ekspertët kishin gjetur larg e ishin përhapur në fshatra rreth 130 predha topi të paeksploduar dhe mund të ketë të tjera. Duke u ndalur te fondi për viktimat, Berisha theksoi se është e domosdoshme që, sikundër tani, të shfrytëzohet çdo minutë për të ndihmuar zonën e për ta nxjerrë atë nga pasojat e kësaj fatkeqësie. “Me vendim qarkullues, ne vendosëm të akordojmë një ndihmë të parë për familjet e viktimave prej 2 milionë lekë (të reja). Sot i propozoj qeverisë që familjeve të viktimave t’u lidhet pension për të humburit e tyre njëlloj si për ata që bien në detyrë. Kjo është e domosdoshme në mënyrë që, të paktën materialisht, të mund lehtësojmë jetën e tyre”. Dje, sipas qeverisë, janë numëruar rreth 400 persona të strehuar në konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. “Çadrat janë gati për t’u vendosur pranë banesave, por unë ftoj banorët që të mos vendosin aty familjet, por vetëm burrat, ndërkohë që fëmijët t’i mbajnë në konvaleshencë sa të zgjidhen problemet”.


ZMK-ja, vlerësimi i dëmit për banorët jotransparentë

“Procesi i vlerësimit të dëmit pasuror nga ekspertët e qeverisë nuk është i besueshëm për palët e dëmtuara”. Ky është konstatimi i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas ZMK-së, deri më tani, nga monitorimi i situatës në terren, procesi i vlerësimit të dëmit pasuror ka defekte juridike të jashtëzakonshme. Në komisionet e vlerësimit të dëmit, mungojnë pala e dëmtuar, prania e të cilës do të ishte e domosdoshme për një vlerësim real të dëmit. Nga të dhënat e ZMK-së, komisionet vlerësuese të ALUIZNI-t nuk kanë pasur praninë e një përfaqësuesi të familjes së dëmtuar gjatë vlerësimit të dëmit, dhe mbi të gjitha nuk ka rezultuar firmosja e një procesverbali nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar. Sipas të gjitha rregullave dhe standardeve të njohura nga ligji, ky proces i vlerësimit të pasurisë është i pabesueshëm për palën e dëmtuar, por edhe për vetë ligjin. Ky proces është i pavlefshëm sepse nuk është brenda standardeve që ka ligji.


Banori: Gjysmën e shtëpisë ma lanë jashtë inventarit

E mërkura ka qenë dita e tretë e vlerësimit të banesave, objekteve dhe ndërtesave të tjera të dëmtuara nga shpërthimi i fuqishëm i barutit dhe i predhave në fshatin Gërdec. Gjatë ditës së djeshme grupet e ekspertëve të caktuar nga autoritetet vendore kanë kryer vlerësimin e më tepër se 1000 banesave në të gjithë zonën e Gërdecit, të Marqinetit, Vorës dhe të Marikajt.

Dashamir Biçaku

Pas vlerësimit të banesave në këto fshatra, mësohet se grupet e vlerësimit do të kalojnë edhe në fshatrat e tjerë të dëmtuar, si Manëz, Palaq, Prezë, Muçaj etj. Pavarësisht vlerësimeve të kryera nga ekspertët e autorizuar, një pjesë e banorëve kanë mbetur të pakënaqur për vlerësimet. Rasim Krasniqi ka treguar se vlerësuesit nuk i kanë marrë shënim shumë orendi dhe sende të shtëpisë së tij. Ai ka pranuar të rrëfejë punën e ekspertëve në banesën e tij dhe pretendimin që ai ka pasur për këtë rast.
Rasim, a kanë ardhur ekspertët për të vlerësuar banesën tuaj?
Po, kanë ardhur sot në mesditë rreth orës 12:00. Ndenjën rreth 10 minuta, panë dhe shënuan ato që ata mendonin se duheshin shënuar. Na dhanë një formular për ta plotësuar, të cilin e kishin me vete dhe e plotësuam bashkërisht. Bënë disa fotografi në ato vende ku ata mendonin se duheshin bërë dhe më pas u larguan.
Si është vlerësuar banesa prej ekspertëve?
Nuk di të them saktësisht, por ekspertët erdhën, panë të gjitha banesat tona. Erdhën dhe hynë në shtëpinë time, në shtëpinë e vëllezërve të mi dhe të kushërinjve. Kryen punët e tyre, por vëllezërit e mi dhe të afërmit e tjerë nuk ishin këtu për t’iu thënë atyre objektet që ata duhej të vlerësonin.
A ju thanë ekspertët një vlerë paraprake se sa ata mendonin se mund të arrinte dëmshpërblimi që ju duhej të merrnit?
Në fakt nuk na kanë thënë një vlerësim se sa mendonin se mund të arrinte dëmshpërblimi i banesës time. Ata erdhën siç ju thashë dhe kryen veprimet që ishin caktuar për të kryer. Unë u kërkova atyre që të vlerësonin një pjesë të mirë të orendive dhe sendeve shtëpiake. Mund të verifikohet fare lehtë që shtëpia ime është e pabanueshme. Shikoni si është plasaritur dyshemeja dhe soleta e shtëpisë. Dritaret, dyert, dhoma e gjumit, një dhomë gatimi që kam pasur veç shtëpisë është shembur tërësisht. Çatia e shtëpisë ka rënë dhe tjegullat kanë fluturuar në rrugë, në oborr dhe si kanë mundur.
A i morën shënim të gjitha orenditë dhe dëmet që ju thatë?
Në fakt jo të gjitha. Dhoma ime e gjumit është jashtë përdorimit. Po kështu edhe të vëllezërve të tjerë. Dhoma e bukës që e kisha jashtë nuk ma vlerësuan tërësisht. Ata erdhën në shtëpi, na pyetën dhe kryen punën e tyre, por nuk na lanë një vlerësim siç ata e mendonin. Nuk dua më tepër se sa kam pasur. Por ato që i kam pasur i dua në rregull, ashtu siç i kam pasur. Këtu në këtë shtëpi nuk jetohet. Unë kam frikë të rri dhe të fle në këtë shtëpi, sepse nga momenti në moment mund të më zërë brenda.

Ndërtuesit: Brenda dy muajve do të rindërtojmë 300 banesa

Pas tragjedisë së ndodhur pak ditë më parë në fshatin Gërdec, ku si pasojë e shpërthimit të municioneve humbën jetën dhjetëra punëtorë dhe u shkatërruan me mijëra banesa, dje ka reaguar edhe Shoqata e Ndërtuesve duke ofruar ndihmën e tyre në kapërcimin e kësaj situate të vështirë. “Bordi drejtues vendosi që anëtarët e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë duke u solidarizuar plotësisht me të dëmtuarit e katastrofës të marrin përsipër të riparojnë në kohën më të shkurtër 300 banesa, të cilat kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të rënda”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Ndërtuesve. Sipas tyre, riparimi i këtyre banesave do të kryhet brenda një periudhe 1–2 mujore në varësi të shkallës së dëmtimit. Çdo firmë anëtare e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë e degës Tiranë, Durrës, Kavajë do të marrë përsipër riparimin e një objekti vetëm me vlerën e punimeve pa fitim. “Në rast se qeveria do të pranojë propozimin tonë, me një marrëveshje me grupin e emergjencës do të përcaktojë modalitetet e marrjes në dorëzim të objekteve nga ndërtuesit dhe dorëzimin e punimeve të përfunduara”, janë shprehur ndërtuesit. Në deklaratën e tyre Shoqata e Ndërtuesve i ka bërë thirrje të gjitha firmave që prodhojnë dhe tregtojnë materiale ndërtimi, që në shenjë solidariteti me të dëmtuarit e Gërdecit, të ulin çmimet 5–10% për lëndë druri, hekur, çimento, tulla, tjegulla, dyer, dritare, pllaka, etj. Për akordimin e punës me pushtetin vendor dhe ndarjen e detyrave mes anëtarëve ngriti një grup pune të kryesuar nga ing. Luigj Aleksi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë. Nga shpërthimi i municioneve në fshatin Gërdec janë shkatërruar shtëpi, shumë prej të cilave kanë nevojë që të rindërtohen nga fillimi, pasi nuk u ka ngelur më asgjë. Nga një banesë 3 apo 2-katëshe tani kanë mbetur gërmadhat e asaj çfarë ka qenë më parë. Për disa të tjera dëmi është disi më i lehtë dhe nuk kanë nevojë të rindërtohen nga fillimi, por vetëm të kryhen disa riparime në zonat e dëmtuara.

ISHP: Risk për banorët, grimcat e metaleve në ajër
Specialistët e Instituti të Shëndetit Publik nuk kanë mundur ende të analizojnë ndotjen në vatrën e shpërthimit. Kjo për arsye sigurie. Ata sqarojnë se, risk për banorët paraqesin grimcat e metaleve të rënda në ajër, por problematike situata mund të jetë edhe sa i përket ndotjes së tokës dhe ujërave nën të. “Risku i ndotjes së zonës nga shpërthimi është prezent, por asgjë nuk mund të thuhet me saktësi deri javën që vjen kur do të kryhen analizat e mostrave të tokës dhe ajrit në vatrën e shpërthimit”, sqaron Agron Deliu, specialist i ISHP-së. Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj bën me dije se, zona përreth vatrës së shpërthimit është e pandotur. Parametrat e ajrit dhe të ujit janë brenda normave të lejuara, ndërsa problem përbëjnë vetëm puset. Ky dikaster i ka ndaluar banorëve të zonës, konsumin e ujit prej tyre. Grupet e punës nga ISHP-ja do të vijojnë monitorimin e zonës, derisa në ditët në vijim t’u lejohet futja në vatrën e shpërthimit. Dje nga specialistët e drejtorisë së higjienës është bërë gjithashtu dezinfektimi i zonës, ku janë groposur bagëtitë e ngordhura për të shmangur shpërthimin e ndonjë epidemie. Ndërsa në ditët e ardhshme pritet të nisin vaksinat për tetanosin tek banorët e zonës të lënduar apo gërvishtur nga predhat.



“Alo” vëllait nga Gërdeci: Kam prerë këmbët

"Më thirri ta ndihmoja, por nuk munda. Shpërthimi i parë i kishte prerë këmbët. I dyti...".

afim imaj

Brenga që tundon dhimbshëm Ardian Malçin e ka pushtuar që mesditën e 15 marsit, çastet e katastrofës së Gërdecit. Një telefonatë e papritur e të vëllait, Ilirianit nga fabrika ku punonte me fadromë, e ka detyruar të bjerë në gjunjë e të rrijë si i mirë për minuta të tëra. Thirrjes së tij për ta ndihmuar se ndjehej keq, se po shpërthente gjithçka, i është përgjigjur me një këshillë të përgjithshme për tu larguar prej aty. Po koha nuk ka mjaftuar që Ilirian Malçi ti shmangej tragjedisë. Pas amanetit që i ka lënë të vëllait për fëmijët dhe gruan, zëri i tij ka humbur në shpërthimin fatal.
I është kthyer e rikthyer disa herë kësaj historie tragjike këto ditë Ardian Malçi teksa kërkon ditë e natë në rrënojat e Gërdecit trupin e të vëllait. Kur fletë i dridhet buza dhe hera herës ngashërehet në shpirt. Të vetmit që nuk i ndahen asnjë çast janë shokët e Ilirianit me të cilët ai punoi për pesë vite me radhë në Brigadës së Xhenios. Në ato pak fjalë që thotë për "Panoramën" dallon dhimbjen për vëllain dhe indinjatën për idiferencën e shtetit ndaj rastit të tij i cili nuk është thjesht një viktimë e rastit, por i rënë në krye të detyrë...
Si u gjend Iliriani në fabrikën e municioneve?
Iliriani ishte fadromist. Qysh në vitin 2003 punonte në batalionin xheniero-ndërtues në Tiranë. Në dy shkurt e urdhëruan për të shkuar në Gërdec, në atë fabrikën fantazmë, për të zëvendësuar njërin prej kolegëve të tij. Shkoi pa pikë hezitimi, ashtu siç përgjigjej gjithmonë ndaj detyrave që i ngarkonin. Atë ditë fadromën e tij "TC-135" e transportoi për aty Preg Gjini, me një makinë tip "Astra". Në Gërdec punoi deri në ditën e tragjedisë...
A u tregonte gjatë bisedave në shtëpi për punën që bënte?
Ai në përgjithësi fliste rrallë për punën që bënte. Megjithatë nga aq sa flisnim bashkë, më kishte kallëzuar se merreshin me municione. Më pati thënë se, ishte një punishte e sajuar që grumbullonte e çmontonte predha e fishekë. Dhe vetëm kaq. Iliriani nuk ishte specialist municioni, por një manovrator i makinerive të rënda. Kishte raste që më kishte folur për pakënaqësitë e punëtorëve të fabrikës...
Si e morët vesh shpërthimin e fabrikës ku punonte Iliriani?
Ditën e tragjedisë, të shtunën pra, unë isha në Shkodër. Aty rreth orës 12:10, një shoku im më mori në telefon dhe më tha për atë që kishte ndodhur në Gërdec ku punonte dhe Iliriani. Menjëherë mora celularin dhe formova numrin e tij, 0684042242. Me zë të ngjirur, aq sa me zor i shqiptonte fjalët, Iliriani më tha se, kishte ndodhur një shpërthim i fuqishëm brenda në punishte. Aty për aty i thashë të ikte që andej. Teksa më tha se, nuk mundej, u shkëput lidhja menjëherë. Me duar që më dridheshin e mora sërish në telefon. Këtë radhë zëri i tij ishte i mbytur krejt. Më tregoi se, kishte dhimbje të mëdha dhe shpërthimi i kishte prerë këmbët. Diçka deshi të thoshte tjetër, por pas një "Of-i" të zgjatur nuk foli më. Nga krahu tjetër i telefonit erdhi jehona e një shpërthimi mbytës. Vetëm kaq ishte gjithçka...
Ç'lidhje kishte vëllai juaj me këtë kompani, që bënte çmontimin e municioneve?
Asnjë lidhje, absolutisht asnjë lidhje. Ai ishte një punonjës i repartit ushtarak, i shtetit, pra që e kishin çuar aty të urdhëruar për të punuar me mjetin e shtetit për privatin...
Dhe paguhej nga privati?
Ai merrte rrogën në repart si zakonisht. Asnjë të ardhur tjetër. Të tjerët merrnin ato që prodhoheshin në atë punishte mafioze. Unë vetë jam punonjës i ushtrisë dhe jam dëshmitar i përdorimit të mjaft punonjësve dhe mjeteve të ushtrisë për firma të tilla private. Shteti në rastin e Ilirianit u soll shumë poshtërsisht. Duke e ditur që e kishte çuar aty në mënyrë të kundërligjshme, deshi të spekulojë dhe me fundin tragjik të tij. Fillimisht e hoqi nga lista e të zhdukurve, pastaj me ndërhyrjen e familjarëve e afishoi emrin e tij në atë listë. Po edhe në këtë rast poshtërsisht nuk e përmendi që ishte aty si punonjës i shtetit, por thjesht si një viktimë nga qyteti i Laçit.

Telefonata e fundit

• Alo, Ardian, jam shumë keq, më ndihmo...
• Ilirian, çfarë ke...
• Baruti, flaka, kanë shpërthy, ç’të bëj...
• Ik, largohu sa më shpejtë...
• Nuk iki dot, nuk...
• Çfarë...
• Nuk mundem, këmbët i kam të prera...
• Si...
• Ardia...n, Ardi...
• Alo, më dëgjon...
• Oh! Shiko fëmijtët, gruan...



Inspektori i policisë, kurim në spitalin e Janinës


TIRANE- Shpërthimi i të shtunës së kaluar në fshatin Gërdec të kryeqytetit la të plagosur dy oficerë policie dhe disa efektivë të rajonit të policisë së Vorës, që ishin nisur në drejtim të vendit të ngjarjes. Dritan Memoçi, inspektor i policisë kriminale të zonës, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij në afërsi të fshatit Gërdec, për të mbërritur në vendin ku ishin dëgjuar shpërthimet e para. Menjëherë pas tij ishin nisur në drejtim të vendit të ngjarjes edhe një furgon i grupit të gatshëm, bashkë me shefin e rajonit të policisë së Vorës, Gledion Fortuzi. Kur kanë qenë së paku rreth 300 metra larg vendit të ngjarjes, është dëgjuar edhe shpërthimi i dytë i fuqishëm dhe më pas vala e nxehtë e ajrit që kishte pasuar shpërthimin. Nga shpërthimi mjeti i inspektorit të policisë, Dritan Memoçi, është dëmtuar tërësisht dhe ai ka marrë plagë të rënda. Rreth 100 metra larg tij ndodhej edhe furgoni i grupit të gatshëm, në të cilin ndodheshin efektivë dhe shefi i rajonit të policisë së zonës, Fortuzi. Pjesëtarët e grupit të gatshëm kanë mbetur të dëmtuar lehtë për shkak të thyerjes së xhamave të furgonit nga furia e fuqishme e valës së shpërthimit. Kryepolici i rajonit ka mbetur më rëndë i plagosur, ndërsa efektivët e grupit të gatshëm më pak. "Vetëm dy minuta pasi dolëm nga makina pamë me dhjetëra mjete të braktisura, njerëz që vraponin. Mjeti i Dritanit ishte i dëmtuar dhe ai ishte pa ndjenja. Gledioni ishte i plagosur në makinë", kujton një polic i grupit të gatshëm. Sipas tij, shefi i rajonit u mundua të merrte një makinë për ta ndezur, por ajo nuk lëvizte dhe më pas ata kishin nisur të fshiheshin. Aktualisht, Fortuzi mësohet se ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, ku merr mjekimin e nevojshëm, ndërsa Dritan Memoçi ndodhet në spitalin e Janinës, ku po kurohet. Ai ka marrë plagë të rënda në kokë dhe në shpinë, ndërsa përshkruhet se është i traumatizuar nga shpërthimi dhe plagët e marra. d.b

Braktisja
Ilirian Malçi, një nga viktimat e Gërdecit, ishte punonjës i ushtrisë që aty shkoi i urdhëruar. Megjithatë në familjen e tij në Laç, ende nuk është dukur asnjë nga përfaqësuesit e shtetit. Madje, as deputeti i zonës. Në apartamentin 40 metra katrorë në katin e pestë, të një pallati në skaj të qytetit ku jetojnë me qira e shoqja dhe dy fëmijët e tij, veç farefisit janë dukur këto ditë vetëm shokët e punës. Për familjarët kjo braktisje zyrtare është e rëndë sa vetë tragjedia e Ilirianit. Eprorët e tij thonë se, ai ishte një nga punonjësit më të mirë të repartit.


“Ja 9 shkeljet në fabrikën e Gërdecit”

"Shteti shqiptar duhet të mbajë përgjegjësi konkrete për shpërthimin në Gërdec, pasi institucioni shtetëror përgjegjës për këtë tragjedi ishte Ministria e Mbrojtjes".

Ky ishte reagimi i djeshëm i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut i bërë publik nga avokati i kësaj organizate, Genci Terpo. Në deklaratën e djeshme GSHDNJ vuri theksin se në këtë fabrikë mungonin rregullat e sigurisë teknike, si dhe marrëdhëniet e punës në të ishin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Për më tepër në të kryhej demontimi i predhave të rrezikshme luftarake, nga persona që nuk e njihnin procesin e punës dhe që nuk kishin marrë trajnimin e duhur. Në deklaratën e djeshme GSHDNJ pohon se, është thellësisht e tronditur nga kjo fatkeqësi dhe i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave, si dhe mbetet e gatshme për të ndihmuar të dëmtuarit. Në ngjarjen e rëndë të shpërthimit të fabrikës u shkaktua vdekja e të paktën 17 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Nga ky shpërthim është dëmtuar rëndë edhe zona përreth, duke lënë të pastrehë 5 000 banorë.
Deklarata
Sipas GSHDNJ-së, rregullat e sigurimit teknik në garantimin me eficencë të procesit të demontimit janë shkelur nga përfaqësuesit e kompanisë "Alba Demil", në bashkëpunim me atë amerikane "Southern Ammunition Company Inc", që operonte në fabrikën e Gërdecit. "Procesi i demontimit të municioneve luftarake duhej të realizohej në një zonë larg qendrave të banimit ndërkohë që e ashtuquajtura "fabrikë demontimi" në Gërdec, ndodhej pak metra larg fshatit dhe disa kilometra larg kryeqytetit", thuhet në reagimin publik të GSHDNJ-së, ndërsa më tej shtohet se: "Fajtor në këtë rast është edhe mekanizmi i kontrollit të procesit të demontimit që duhet të ishte pjesë integrale e strukturave shtetërore, i cili nuk ka ushtruar kontrollin mbi këtë proces. Procesi i çmilitarizimit e çmontimit duhet të kryhej nën mbikëqyrjen dhe sigurinë e Forcave të Armatosura".
Siguria
Në deklaratën e djeshme avokati Terpo pohon se, pothuajse të gjithë punonjësit brenda kësaj fabrike nuk kishin marrë as minimumin e trajnimit që siguronte kryerjen e punës dhe eliminimin e rrezikut në fjalë. Sipas tij, thuajse të gjithë punonjësit e kësaj fabrike kanë punuar jashtë kritereve më minimale të marrëdhënieve të punës dhe nuk u paguheshin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. "Në këtë fabrikë demontimi municionesh të kalibrit të madh, punonin gra dhe fëmijë të mitur, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore, si dhe me natyrën e punës përkatëse që ata kryenin, ndërsa transportimi i armëve me automjete që vinin nga depo dhe nga zona të tjera të vendit, ishte i pambrojtur dhe i pasigurt", thuhet në deklaratë.
Pohimi
Në fund të deklaratës së djeshme GSHDNJ-ja i kërkon Prokurorisë, të fillojë me vendosmëri punën e saj për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e autorëve të saj, marrjen e përgjegjësive në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë nga ana e qeverisë shqiptare, me qëllimin e madh që të mbrojë çdo jetë njeriu në këtë vend. Më tej në deklaratë GSHDNJ i kërkon institucioneve përkatëse të shtetit të punojnë me përkushtim për të pastruar zonën e ndotur nga materialet luftarake, pas këtij shpërthimi në mënyrë që të sigurojë jetën normale të banorëve të zonës në kohë sa më të shpejtë. Në fund kryeministrit i kërkohet që të jetë i kujdesshëm në tonet e tij karshi mediave dhe opozitës të bashkëpunojë.
fa.ma

shkeljet sipas gshdnj

Kompania ka shkelur rregullat e sigurimit teknik
Procesi duhej të realizohej larg qendrave të banimit
Fabrika e demontimit ishte pak metra larg fshatit dhe disa kilometra larg kryeqytetit
Fajtor është Ministria e Mbrojtjes për mungesë të kontrollit që duhet të ishte pjesë integrale e strukturave shtetërore
Procesi duhet të kryhej nën mbikëqyrjen e Forcave të Armatosura
Punëtorët nuk kishin as minimumin e trajnimit
Punohej jashtë kritereve minimale të marrëdhënieve të punës dhe nuk paguheshin sigurimet shoqërore e shëndetësore
Punonin gra e fëmijë në kundërshtim me normat ligjore, si dhe me natyrën e punës
Transportimi i armëve ishte i pambrojtur dhe i pasigurt


Xhenio ndërpret kërkimet në Gërdec për shkak të reshjeve të shiut

TIRANE - Gjatë ditës së djeshme forcat xheniere dhe trupat e ushtrisë kanë kryer kërkime në disa drejtime, me qëllim gjetjen dhe identifikimin e trupave të mbetur, në ish-fabrikën e shkrumbuar në Gërdec. Kërkimet i janë afruar edhe kraterit kryesor të krijuar pas shpërthimit, por kanë qenë të vështira nga reshjet e shiut dhe ato janë ndërprerë disa herë. Oficerët dhe efektivët e xhenios, kanë mbetur të izoluar dhe me pak mundësi veprimi. Kur shiu pushonte ushtarët dhe oficerët e forcave speciale, nisnin kërkimet përmes predhave që tashmë përqafonin baltën. Kërkimet e efektivave të ushtrisë gjatë ditëve të djeshme kanë qenë edhe më të kujdesshme, pasi balta e përzier me predhat dhe djegoret e predhave të çaktivizuara mund të ruanin ndonjë bombë surprizë për efektivët e ushtrisë, që për ditë me radhë po kryejnë gërmime për të mundur të zbulonin trupa të të mbijetuarve. Efektivët e ushtrisë kanë munduar të pastrojnë një zonë që ndodhet pranë një fadrome, me të cilën mendohet se ka punuar, fadromisti Ilir Malçi, efektiv i forcave të xhenios. Kërkimet poshtë fadromës kanë qenë të rrezikshme, pasi sipas xhenierëve, fadroma ndodhet mbi një pirg predhash, që transportoheshin pas çmontimit nga punëtorët. Frika e xhenierëve ka qenë se poshtë fadromës, mund të ndodhej ndonjë predhë e pashpërthyer që mund të provokonte shpërthimin edhe të predhave të tjera. Kjo ka bërë që ekspertët të tërhiqen përkohësisht që aty për të nisur kërkimet më vonë. Kur efektivët e forcave të ushtrisë janë tërhequr për t'u ushqyer në një hapësirë të ngritur përballë vendit të ngjarjes, edhe supet i kishin me baltë. Tashmë uniformat e tyre të kamuflazhit, nuk kishin më ngjyrën e terrenit. Ushqimi ka zgjatur rreth gjysëm ore dhe pas një pushimi të shkurtër ata janë rikthyer sërish matanë përroit për të kërkuar mes predhave, tashmë të zhytur në baltë dhe llucë. Deri dje në mbrëmje vonë, ata nuk mundën të gjenin ndonjë trup, për shkak se terreni i krijuar nga reshjet mund t'i kishte fshehur edhe ata pak trupa që mund të gjendeshin mbi sipërfaqe.
d.b


Shifrat e tragjedisë


5 mijë banesa, janë dëmtuar nga shpërthimi në fshatin Gërdec, të shtunën e javës së kaluar
3500 banesa janë ekspertuar dhe vlerësuar nga grupet e posaçme të vlerësimit në fshatrat Gërdec Marqinet, Marikaj, Muçaj Prezë Palaq dhe qytetin e Vorës
17 persona rezultojnë të vdekur deri më tani nga ekplozioni, thuajse të gjithë punëtorë të fabrikës
296 është numri i personave të plagosur nga shpërthimi i ndodhur në fabrikën e çmontimit të municioneve luftarake në Gërdec
10 persona të zhdukur, është së paku numri i personave që nuk gjenden deri tani dhe që mendohet se ndodhen nën gërmadhat e ish-fabrikës
2 oficerë policie kanë mbetur të plagosur rëndë nga shpërthimi I të shtunës së kaluar, një ndodhet në gjendje të rëndë në një spital të Janinës.


Nga: Gazeta Panorama
20/03/2008


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora