E diele, 27.11.2022, 12:44 PM (GMT)

Kulturë

Salvator Bushati: Gjuha është e të gjithëve dhe për të duhet të kontribuojnë të gjithë

E merkure, 21.03.2012, 06:54 PM


Intervistë me Akademik Prof. Dr. Salvator Bushatin, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Gjuha është e të gjithëve dhe për të duhet të kontribuojnë të gjithë

Nga Albert ZHOLI

Prof. Bushati, ndoqëm me vëmendje analizën vjetore të veprimtarisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë/ASHSH për vitin që lamë pas dhe t’ju them të drejtën jam i entuziazmuar për raportimet tuaja interesante dhe me kontribute në procesin e kërkim-zhvillimit e të fushave përparësore të vendit në përgjithësi; për të cilat do të duhej kohë t’i përfshija në një intervistë të vetme. Ajo që do të desha të di nga ju si Sekretar Shkencor i ASHSH është se si e vlerësoni veprimtarinë e saj në lidhje me gjuhën shqipe?

Akademia e Shkencave e Shqipërisë/ASHSH - problematikat dhe veprimtaritë në lidhje me gjuhës shqipe e konsideron si një nga fushat prioritare ku duhet punuar në mënyrë të pandërprerë për ruajtjen e pasurimin e vlerave të saj, pastrimin e përditësimin e vazhdueshëm të gjuhës sonë amëtare. ASHSH në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës/ASHAK, që prej vitesh ka ngritur Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe/KNGJSH dhe drejtohet nga dy Bashkëkryetarë (respektivisht nga ASHSH dhe ASHAK). Vitin e kaluar (siç është bërë e ditur edhe në media), u realizua një “rifreskim” në përbërje dhe në strukturën organizative të tij, duke e plotësuar atë me anëtarë të rinj, për një gjithpërfshirje sa më dinjitoze me specialistë më në zë të gjuhës shqipe, nga institucionet shkencore. Këto janë: Qendra e Studimeve Albanologjike, universitetet në Shqipëri, Kosovë e Diasporë (Maqedoni e Itali). Gjithashtu, u krijua edhe një Kryesi e Këshillit Nderakademik të Gjuhës Shqipe, e cila (bazuar në një rregullore të saj) do të koordinojë më mirë punën e KNGJSH me institucionet kërkimore-shkencore, institucionet e politikëbërjes, medias e më gjërë, në mënyrë që produktet e saj shkencore e aplikative të arrijnë të bëhen të prekëshme e të përdorëshme, si pronë e gjithë shoqërisë shqip-folëse.

Prof. Bushati, cilat do të jenë veprimtaritë e ASHSH për gjuhën shqipe gjatë vitit 2012?

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ka bërë përgatitjet për zhvillimin mbledhjes së parë për vitin 2012, e cila, është mjaft tërheqëse dhe besoj se zhvillimi i saj do të shënojë dukshëm një fillim të mbarë në drejtim të punëve, që përputhen me prioritetet dhe planifikimet, që kanë për këtë qëllim edhe institucionet e specializuara në fushë të gjuhës shqipe. Në muajin Mars është planifikuar në Tiranë zhvillimi i takimit të KNGJSH, i cili do të shpalosë programin e tij që parashikon aktivitete me ritme më të shpejta krahasuar me një ngadalësim që u vu re disa viteve më parë për këtë problematikë. Nga ana tjetër, theksoj se në të ardhmen do të punohet për një bashkëpunim dhe harmonizim shumë më të mirë të të gjithë aktorëve që trajtojnë këtë problematike në shkallë vendi e më gjerë.

Problematikat e gjuhës nuk duhet të jenë objekt, që të mbeten mbyllur brenda vetëm KNGJSH e institucioneve të specializuara. Gjuha është e të gjithëve dhe për të duhet të kontribuojnë të gjithë, ta mësojnë e pasurojnë të gjithë në veprimtarinë e tyre të përditëshme. Interesi për gjuhën është te popullata në tërësi. Në fund të fundit, nga zhvillimi i historisë njerëzore kemi mësuar se sapo njerëzit të sigurojnë mjetet për të jetuar, ata mund të bashkëjetojnë, e kjo bëhet e mundur vetëm falë gjuhës. Duam dhe duhet, që njerëzit ta përjetojnë gjuhën në mënyrë më entuziazmuese. Njerëzit e duan gjuhën e tyre, dialektet e tyre të komunikimit, u intereson etimologjia e fjalëve apo origjina e emrit të qytetit të tyre, kuptimi i emrit të fëmijës së tyre; disa kanë dëshira të luajnë në ndonjë lojë “rebus/quiz” të gjuhës, etj.......

Profesor, çfarë mund të na thoni për këtë problem?

Po ja, përshëmbull, para disa ditësh ishte dita e Shën Valentinit, për të cilën, si për çdo festë u shkrua e u fol në mediat e shkruara e televizive, dhe them se u bë mirë. Shoqëria është e ndjeshme ndaj festave, por pa bërë ndonjë gabim të madh, do të pyesja që sa e dinë se çfarë shënon, pas një jave data e 21 shkurtit? Ajo ditë është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amëtare. Është përkujtimi vjetor i vlerave që mbart shumëllojshmëria e gjuhës amëtare dhe gjuhësisë.

Kjo ditë është shpallur nga UNESCO-ja më 1999 në përkujtim të 21 shkurtit të vitit 1952, kur disa studentë të Palestinës u vranë gjatë manifestimeve të tyre në përpjekje për t’u njohur nga shteti palestinez gjuha etnike Bangla. Datë tjetër, gjithashtu që lidhet me këtë problem është edhe 26 shtatori, Dita Europiane e Gjuhëve. Kuptimi që merr kjo datë është më i madh se vetë emri. Është përkujtimi vjetor i gjuhëve që fliten në Europë, inisiativë kjo e Këshillit të Europës më 2001 (që u ndërmorr nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës), ku morën pjesë përfaqësues nga rreth 45 vende europiane. Katër vite më pas, në SHBA, Këshilli Amerikan i Mësuesisë dhe Gjuhëve të Huaja organizoi Vitin e Gjuhëve të Huaja Afrikane bazuar mbi Mësimdhënien e Gjuhëve të Huaja. Më 2006 Akademia Afrikane e Gjuhëve caktoi Vitin e Gjuhëve Afrikane të Bashkimit Afrikan. Më pas, një nga më të mëdhatë prej këtyre aktiviteteve ishte Viti Ndërkombëtar i Gjuhëve, 2008.

Atëhere, sa nga data që ju përmenda është në dijeni shoqëria jonë? Dhe nëse po, çfarë bëjmë ne për t’i përkujtuar ato? Shumë mësues gjuhe në të gjithë botën i përkujtojnë këto ngjarje të shënuara. Megjithatë, janë një numër i vogël krahasuar me milionat që janë në dijeni të ekzistencës së Shën Valentinit. E po kështu edhe ne në Shqipëri, nuk jemi kaq të sensibilizuar për këtë problem madhor...

Duhet bërë diçka konkrete që vështrimi i publikut të orjentohet drejt ndërgjegjësimit për ruajtjen e vlerave në gjuhë kundrejt indiferencës që jo pak vihet re tek ne.

Ndoshta, madje, pa e ekzagjeruar, do të thoja që edhe një muze apo galeri për gjuhën nuk do të ishte kurrë i tepërt për t’u planifikuar. Ne nuk kemi asnjë vend ku njerëzit mund të njihen me historinë e gjuhës e të shikojnë se si ka evoluar ajo. Nuk kemi asnjë hapësirë ku mund të ekspozohet historia e plotë e gjuhës, si funksionon gjuha shqipe e si ka evoluar, dialektologjia e gjuhës shqipe e veçoritë dhe pozicioni i saj ndër gjuhët e botës, me vlera të mëdha kombëtare, e pse jo më tej, në shumëllojshmërinë gjuhësore në botë. Është e nevojshme që të njihen brezat si kanë shkruar e recituar, kënduar e vallzuar për bukurinë e gjuhës shqipe. Nuk duhet harruar se sot njihet që janë të rrezikuara rreth 3000 gjuhë e që në çdo dy javë në botë një gjuhë vdes!

Çfarë duhet të bëjmë më pas?

Me sa di, ende edhe në shumë vende nuk ka një tipologji të ndërhyrjes dhe të praktikës më të mirë për t’i përshtatur ato që tashmë janë të vlefshme në disa fusha të gjyhësisë të tilla si psh, mësimdhënia e gjuhës dhe patologjia e ligjëratës. Të paktën këto çështje njihen dhe kërkimi vazhdon. Edhe te ne, KNGJSH i konsideron në punën e tij. Është përgjegjësi e jona, hendeku që ekziston ndërmjet ndërgjegjes akademike në lidhje me këto çështje dhe asaj të publikut. Çdokush që punon në fushën e ruajtjes të vlerave në përgjithësi e po kështu edhe në atë të gjuhës, do t’ju tregojë se krijimi i lidhjes midis këtyre dy pjesëve është një sipërmarje e vështirë. Ky është sektori ku sipas meje duhet të fokusohet vëmendja jonë. Kështu psh, lëvizja ekologjike është konsideruar si një e tërë gjatë këtij shekulli në përpjekjet për ta sjellë botën në gjendjen aktuale të ndërgjegjësimit rreth rreziqeve me të cilat përballet bota bimore dhe shtazore.

Duke patur parasysh periudhën kohore, arritjet gjuhësore të përfituara nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit kanë qenë mjaft me vlera, falë përpjekjeve të institucioneve e individëve. Një progres i madh është bërë në lidhje më tre kriteret, në se mund t’i quajmë kështu, që duhen përmbushur për të patur parasysh në ruajtjen dhe progresin e gjuhës.

Së pari, duhet të ketë një interes vertikal, nga poshtë lart, që do të thotë që vetë bashkësia gjuhësore duhet të dëshirojë ekzistencën, dhe madje të shëndetëshme të gjuhës që flet. Ka mjaft të dhëna se si sjellja karshi këtij fakti mund të menaxhohet mirë dhe energjitë mund të kanalizohen për të siguruar që kjo të ndodhë. Është po aq e vërtetë që ne kemi mësuar nga gabimet tona përsa i takon kësaj çështjeje. Kjo, referuar ecurisë së ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe, sidomos në dekadat e fundit.

Së dyti, duhet të ketë një interes vertikal edhe nga lart poshtë: qeveritë lokale dhe qëndrore duhet të jenë në harmoni me filozofinë e rivitalizimit të gjuhës dhe të mbështesin realizimin e punëve që kryhen në këtë kuadër. Ky drejtim lart-poshtë përfshin gjithashtu edhe mbështetje që duhen kërkuar nga organizata politike ndërkombëtare, që kanë në misionin e tyre të tilla veprimtari, si UNESCO dhe Këshilli i Europës.

Megjithatë, asnjëra nga këto lëvizje vertikale nuk është e mjaftueshme pa kriterin e tretë - paratë, sepse, dihet që zbatimi i politikave ka koston e tij, e sidomos për periudha afat-shkurtra.

Nga ana tjetër, duhet të theksoj, që ne nuk na kanë munguar e nuk na mungojnë burimet njerëzore të specializuara në fushën e gjuhësisë, të cilat zhvillojnë veprimtarinë e tyre si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Numri i kapaciteteve në këtë fushë është shumë i madh dhe ata janë të njohur nga komuniteti për kontributin e tyre në fushën e gjuhësisë.

Profesor, Ju lutem cili është opinioni juaj në lidhje me ndërgjegjësimin për problematikat e gjuhës ?

Në të vërtetë jam optimist dhe jo nihilist, por shumë pak njerëz janë të ndërgjegjshëm për ekzistencën dhe rëndësinë e problemit, krahasuar me nevojat aktuale dhe ndjeshmërinë e çështjes. Kjo, pasi gjuha duhet vlerësuar si një nga pasuritë më me vlerë aplikative, shkencore e të trashëgimisë kulturore mbarëkombëtare e më gjerë, në multi gjuhët e botës. Une e dashuroj gjuhën shqipe dhe përpiqem ta përdor atë në të gjithë dimensionet e saj. Madje, edhe në komunikime të lira përdor me dëshirë edhe dialektet, pasuritë dhe vlerat e çmuara të gjuhës sonë.

Në lidhje me ndërgjegjësimin publik, përgjigjja e pyetjes së mësipërme është - se ka shumë njerëz të cilët duhet të ndërgjegjësohen/binden që çështja e gjuhës është një problem madhor. Duhet më tepër punë se thjesht punët rutinë në këtë fushë. Psh mund t’u japim publikut të gjerë në nivele të ndryshme, leksione dhe të shkruajmë libra, por për të mos qënë naivë: edhe sikur një prej këtyre librave të shitej, do të bëhej fjalë përshembull vetëm për njëmijë kopje, prandaj, ka nevojë për strategji të tjera me anë të të cilave të arrihet masa e gjerë e njerëzve.

Do të veçoja katër mënyra kryesore për ta angazhuar publikun në këtë çështje: median, artet, internetin dhe programet shkollore. Mendoj se të katërta këto mënyra kanë nevojë për një përpjekje sitematike në procesin e ndërgjegjësimit të publikut për ‘ekologjinë gjuhësore’ në të njëjtin nivel me çështje të tjera.

Progres është bërë përsa i takon përdorimit të medias në mbështetje të kësaj çështjeje. Më ka bërë përshtypje interesi i disa sektorëve të saj në lidhje me këtë. Disa artikuj janë publikuar në disa revista e gazeta, por t’u them të drejtën, kanë qenë të fokusuara në debatet e hapura për standartin e gjuhës ndërmjet gjuhëtarëve e jo për sensibilizimin e popullsisë (për përdorimin e saj në të folurin e përditshëm, shkrimet, reklamat etj). N

Nuk do të analizoja marrëdhëniet me TV shumë personalisht. Ka arësye pse drejtuesit e televizioneve nuk pëlqejnë programe mbi gjuhën. Një e tillë është se gjuha është tepër abstrakte dhe komplekse. E thënë me humor (por që siç thotë populli gjysma e tij është e vërtetë), ndodh që edhe ndonjë vendim-marrësi të departamentit të programacionit t’i kujtohet koha kur mësonte gramatikën në shkollë edhe “vuajtjet” që duhet të kalonte për mësimin e saj.

Mund të themi se ky problem e ka domethënien e vet në detyrat që ne duhet t’i vëmë vehtes në përmirësimin e pedagogjisë së të mësuarit të gjuhës shqipe. Ata tremben gjithashtu të merren me këtë tematikë dhe përgjithësimi i temës nuk i përshtatet kërkesave televizive ashtu si komedia, apo çështjet e ditës. Ata i tremben edhe faktit që qasja akademike mund të shkaktojë një kolaps te të menduarit e njerëzve. Unë këtë problem e shoh pak ndryshe. Nëse përmbajtja e programit është e goditur, atëherë cilësia është e sigurt. Atëherë, edhe drejtuesi do ta trajtonte këtë çështje me përparësi dhe kënaqësi si diçka të mirë.

Nga ana tjetër, nëse duam një mjet që përcjell mesazh te të gjithë njerëzit në mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë dhe angazhuese, atë e gjejmë te arti. Duhet bërë maksimumi për ta shfrytëzuar këtë mundësi. Nëse duam që situata të shikohet ashtu siç është, artistët mund të na ndihmojnë më shumë se kushdo tjetër. Vazhdimisht hasemi me njerëz që na ndihmojnë në këtë çështje si shkrimtarët, poetët e aktorët. Nëse duam të tërheqim vëmendjen karshi dallimit midis medias dhe artit, mund të përmendim Ezra Pound-in teksa thotë: ”Letërsia është lajmi që mbetet lajm”.

Thënia që unë preferoj më shumë është nga B. Disraeli në parathënien e novelës së tij, Coningsby: “...romani, për nga tiparet që mbart ka më tepër mundësi të ndikojë te opinioni...”.

Rruga që shtrihet përpara nesh është nëpërmjet artit, në kuptimin e gjerë të saj duke përfshirë gjithçka që mund të ndijohet: vizuale, verbale, shije, dëgjim. Çdo gjë që ne mund ta quajmë artistike. Përsëri, këtu kemi një hendek tjetër. Ne si akademikë nuk kemi shfrytëzuar sa duhet fushën e artit, dhe artistët (në kuptimin e gjerë të fjalës) nga ana e tyre nuk kanë shprehur interesimin sa duhet për ne. Sipas meje, kjo është një pikë tjetër ku ne duhet të shpenzojmë energjitë tona krijuese. Nga bota e artit të shprehurit (drama, poezia romanet, novelat) mund të presim rezultate më pozitive.

Besoj se arti është një burim i pashtershëm që mund të eksplorohet dhe që na ndihmon të bëjmë atë çka mund të bëhet. Kemi nevojë për artistët që të arrijmë të finalizojmë këtë iniciativë në dy fushëza kryesore, ku dhe impakti mund të jetë më i madh, shtëpia dhe shkolla.

Si të arrijmë të ndërgjegjësojmë masën e njerëzve për ekzistencën e kësaj krize në shtëpi? Njoh vetëm dy mënyra për ta bërë këtë; interneti dhe arti. Interneti ka shumë informacione, por nuk është i pasuruar e përditësuar per të përballuar kërkesat. Dhe, si i tillë mbetet ende një burim tani për tani jo kryesor në qëllimin tonë. Arti hyn nëpër shtëpitë tona në çdo formë, qoftë përmes radios apo televizorit, CD, DVD, lojrave elektronike, kalendarit, zbukurimeve në mur, pikturave, romaneve, kartolinave, mesazheve (poema në formë mesazhesh qarkullojnë shumë midis të rinjve sot). Ka mjaft mënyra për t’u eksploruar. Një shembull mjaft intrigues kam hasur në një kalendar të titulluar ”Pse të studiojmë gjuhët?” (Why study languages?) - të Qëndrës për Gjuhët dhe Gjuhësinë të Universitetit të Southampton-it...

Po shkolla, Profesor, ç’drejtime duhet të ketë në kuadër të kësaj problematike?

Ka nevojë së pari, për mësues shumë të mirë gjuhe të cilët, të nxisin dashurinë për shkrimin dhe të folurit e saj korrekt te nxënësi, ta bëjnë atë sa më tërheqëse. Nevojitet gjithashtu, që të rritet serioziteti i testeve të nxënësve. Ka përpjekje të këtij lloji, por ka ende shumë për të bërë lidhur me cilësinë e mësimdhënies, disiplinimin mbi kërkesën e llogarisë, luftën kundër notave fiktive, korrupsionin, etj. Fëmijët tanë përgjithësisht shkruajnë me gabime. Këtë e sheh duke filluar që në mesazhet e telefonisë celulare, etj. Ata janë të bombarduar nga gabime elementare gjuhësore të medias vizive si dhe asaj të shkruar dhe mësojnë një gjuhë shumë të deformuar... Ky është një dëm i madh për individin dhe shoqërinë tonë.

Drejtshkrimi dhe të folurit korrekt i gjuhës shqipe duhet të trajtohet fuqishëm nëpër programet mësimore dhe të diskutohet në klasë. Kjo duhet të jetë e detyrueshme. Jo më kot gjuha shqipe është futur edhe në shkollën e mesme. Respektimi i gjuhës shqipe duhet të jetë temë që trajtohet kudo dhe kurdoherë në shkolla. Të ketë edhe ditë të veçanta, shfaqje apo panaire, apo diçka të tillë. Projektet artistike vijnë mjaft në ndihmë këtu. Kam parë psh punime artistike nga fëmijë të moshave të ndryshme të drejtuara nga mësues të biologjisë që përshkruanin zhdukjen e jetës së egër. Ishte në faqen e parë të gazetës lokale. Pse të mos kemi edhe ne ekspozita të tilla mbi gjuhën shqipe?

Të gjithë mësuesit duhet ta bëjnë këtë gjë duke ju ofruar nxënësve të tyre materiale dhe shembuj konkretë. Sa prej nesh kanë shkruar mbi shumëllojshmërinë gjuhësore për fëmijë? Roli i fëmijëve karshi çdo ‘eko-linguisti’ është i qartë. Ata janë prindërit e brezit të ardhshëm. Kështu, realiteti socio-gjuhësor i transmetimit në breza varet së pari prej tyre - fëmijëve. Ata mund të entuziazmohen rreth gjuhës së tyre amëtare dhe shumëllojshmërisë së saj, ose të jenë të shtrënguar në entuziazmin e tyre. Mbetet që të jemi optimistë rreth skenarit për përdorimin korrekt të gjuhës.

Së fundi, kërkohet që përdorimi i gjuhës në median e shkruar dhe vizive si dhe në institucione të tjera publike, t’i nënshtrohet kritereve të detyrueshme, që janë produkt shkencor i institucioneve të specializuara të gjuhës. Nga kjo një rëndësi të dorës së parë merr kualifikimi i stafeve përkatëse.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora