Kulturë
Baki Ymeri: Transparencë lirike me xhama të tejdukshëm
E diele, 18.03.2012, 04:22 PM
TRANSPARENCË LIRIKE ME XHAMA TË TEJDUKSHËM
Nga Baki Ymeri
Adnan Mehmeti është njëri nga personalitetet më të jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptar në Amerikë. Ai është poashtu një poet i shkëlqyer. Vargu i tij ka peshë, forcë, ide, maturi, dhe një shprehje të brishtë e të fuqishme, në të njëjtën kohë. Duke apeluar te mjetet letrare, siç janë epiteti, krahasimi, metafora, duke i njohur çështjet e stilistikës letrare, poeti din të krijojë përfytyrime të vlefshme estetike, poezitë e tij duke dhënë përshtypjen e tabllove të pikturës në fjalë, me ngjyra të gjalla, duke peshkuar detaje të rëndësishme dhe një aspekt të realitetit. Biografia e kofshëve të mia, sipas poeteshës rumune Mirela Lungu, dhe Historia lakuriqe, sipas vokacionit burrëror të këtij poeti shqiptar: “Më mori për dore,/ Më shtriu në krevat,/ Lakuriq/ Mësuam historinë e njëri-tjetrit”. Duke kaluar nëpër Londër, i fanitet harresa dhe symbyllur dashuroi, kur dafinat ishin tharë në kurorë, kur e kuptoi se kishte harruar, sytë për t’i hapur (2006). Në vargun e tij, të mbrujtur me konotacionet e lirikës patriotike, meditative dhe erotike, nuk ekziston monotoni, ambiguitet, apo mungesë perspektive në spektrin e opusit të tij letrar. Duke e përshkruar refugjatin shqiptar, vragë la fjala, kur trimi e dha besën, se te e dashura e tij do të kthehet.
Poeti i admiron shqiptarët ngado që janë. Atdheu sipas tij është vatra e Perëndisë. Konform vlerësimeve kritike, lirikën e tij e zotërojnë përfytyrimet mbi hapësirën, vendin, kohën dhe dritë-ngjyrën. Vëllimit të tij më të ri, Ndajfoljet e vendit, ia shton vlerën një parathënie briliante e Fatmir Terziut nga Londra (Disimietria perceptuese dhe filozofia “sekrete” e numrave në poezi), si dhe katër ciklet me 168 poezi: Me kuajt e erës përtej detit, Zgjedhja e vendlindjes, Trillet e dashurisë, Adresa ime numër 74, Në cep të diellit, Mbretëresha e zemrave të zgjuara, Letargjia, Vend Perëndie, Diellin e kam futur në xhep, Dashuri e vazhduar, Festa larg atdheut dhe Ecje vertikale. Duke notuar në kuadrin e përmbajtjes me titujt e vjershave, konstatojmë se poetin e josh deti dhe buzëqeshja e Misisipit, San Antonio dhe pemët e rrëzuara, Çamëria jonë, Ylli i Afërditës dhe arbëreshët, Kalaja e Ulqinit dhe zjarri që nuk shuhet, Skënderbeu në Bujanoc dhe betimi i ushtarëve ilirë, kushtrimi dhe malli që djeg, këpucët e vjetra dhe shtëpia me xhama të tejdukshëm...
Adnan Mehmeti dëshmon një fantazi inteligjente, duke zgjedhur kategori të qarta në fushën e shpirtit, duke patur një platformë të gjerë frymëzimesh, si dhe një shije të veçantë për shprehje koncize. Fakti që arrin të krijojë koncepte, domethënë filozofi, edhepse e anashkalon sqenarin e vargut me rimë, poeti krijon një strukturë moderne të shprehjes së lirë, përmes një stili të zgjedhur, të kontrolluar, elegant dhe hijerëndë, pa u bërë pre e klisheve klasike dhe retorikës monotone. Edhe algoritmi i poemave, ciklet ku janë përfshirë, titujt e tyre, si dhe motive tjera metaforike, të stilit e të tekstit, i japin veprës respektive koloritin e një sinqeriteti të jashtëzakonshëm që rilind në mënyrë sublime nevojën për të vërtetën që e duam dhe që e imagjinojmë, për momentin duke shfletuar vetëm disa tituj: Ecje vertikale, Lojë magjike, Dëshirat e dështuara, Anijet ilire, Në pritje të Skënderbeut, Dëshira dashnorësh, Nëna e poetit, Me Nolin në Boston, Rikthehem në histori, etj. Apo strofa të shkëputura si “Në shtëpinë me xhama të tejdukshëm/Varroset turpi i tyre;/ Ata nuk vlejnë më shumë/ Se historia e një morri.” (162).
Poeti është një qenje e brishtë që ka të drejtë, porsi ushtari i lirisë, ta konsiderojë veten si një gur kulle. Atdheu sipas tij është “Vend Perëndie”, ndërsa Skënderbeu: “Mburojë e Arbërisë”. Gjeografia sipas poetit është “një shtojzavalle e pakapshme”, kur “hartat barten me trenin e fundit të ditës,/ me pasagjerë që nuk flasin gjuhën e ikjes.” (107). Duke u karakterizuar përmes koherencës dhe ekspresivitetit, përfytyrimet dhe analizat e tij janë të matura, të pjekura, ledhatuese dhe me një logjikë joshëse. Lekturimi i Ndajfoljeve të vendit na zbulon një autor me një shpirt të lirë, të hapur, të ekuilibruar, me një qëndrim relaksant, i zhveshur nga çfarëdoqoftë paragjykimi. Vargjet e tij flasin për rëndësinë e gjallërimit në një univers unik, real dhe estetik. Adnan Mehmeti është një poet i implikuar në përditshmërinë tonë, që përshkruan çdo gjë që sheh, madje edhe ate që e dëgjon, duke e kthyer shikimin mbi përmbajtjen e shpirtit të tij, duke u shndërruar kështusoj në një poet autentik, me personalitet, origjinalitet, dinjitet dhe identitet.
BOX
Adnan Mehmeti u lind më 15 korrik 1964 në Letovicë të Bujanocit (Lugina e Preshevës). Më 1989 u diplomua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë viteve 1990-1995 punoi mësues në Zvicër, kurse nga viti 1995 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, anëtar i Shoqatës së Poetëve Amerikanë dhe PEN Qendrës Amerikane. Është kryeredaktor i revistës letrare "Pena" dhe ka themeluar shtëpinë botuese "Adriatic Press". Adnan Mehmeti është fitues i disa çmimeve letrare, ndër të cilat: "Pena e artë", me të cilën e ka dekoruar Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, "Pulse" The Literatury Magazine of Lamar University - Beaumont, fitues i çmimit, "Sezai Surroi" etj. Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë, si anglisht, spanjisht, rumanisht dhe suedisht. Është i përfshirë në disa antologji poetike. Veprat letrare: "Bota e mendimeve", aforizma, Tiranë, 1996
"Diellin e kam futur në xhep", poezi, Tiranë, 2001, "Ikje nga vetmia", poema, Tiranë, 2004, "Leave the door open", poezi, Dallas, 2005
"Gjekë Marinaj, më shumë se poet", monografi, Nju Jork, 2007, "Deti në mes", poezi, Nju Jork, 2008, “Ndajfoljet e vendit”, poezi, Tiranë, 2011.