Kulturë
Shefik Shkodra: Demoniane
E diele, 18.03.2012, 04:20 PM
SHEFIK SHKODRA
DEMONIANE
1.
Mos u lodh nga barra, qëndro
nga të reshurat e papritura stinës
argati mendon në të korrura
shkëmbi i madh që s’luan vendi
e godet mbi si meteorit qielli.
Pusitë në rrugë të ngrehura
sikur ngarendnit hovshëm fëmijë,
do herë si përgjumur sheshit
si diçka me harresë a në besë
me dallditë djaloshare
S’ishe larg provës në hapa
kur dëshiroje bregun e hidhur
e e dashuroje për hir qytetarie
Sfinga e gjallë natë e ditë
te shkallët rrugë ka zënë zikeqe
harqet e urës po i kallë rrëmujë
deri në zhdukje ndërtimtarësh
Lej rrenat, mos u mërzit, dashuro –
pak guxim si gacë në zemër !
2.
Mbi tubë gurësh një nga një –
Mundi nisi shtruar në mur
Dhe një dige të pa kaluar –
Ndërgjegjja po ikë nga stomi
Godina s’mbërrin mbi brigje
me dashuri naive e këngë
me durim e djersë –
me shpirt në dhëmbë
gjithë ajo peshë
ngarkuar mbi kurriz.
Pak ndihmesë
Vëllezërit një nga një
për një obelisk
kur të fshihen vuajtjet
mbi kokë e mbi shtëpi
s’e harron atë fat njerëzie
dhe koka është muruar
se ka prejardhje ashti
po e ngrit dheun pa fjalë
nën këmbë ka mbetur
gjaku s’harrohet kurrë
mbi maje dielli e rrezon
atë teshë, trungu i rëndë
e shmang mendjen
me kërshëri pyetjesh –
legjenda hesht e s’rrëfen,
çfarë kurban godine
demoni kërkon?!