Kulturë
Sinan Kamberaj: Aedi i fundit i Syriganës
E premte, 16.03.2012, 08:41 PM
Sinan Kamberaj
Aedi i fundit i Syriganës
(Sak Hamitit, në pesëdhjetëvjetorin e vdekjes, si dhe të gjithë lahutarëve të brezit të tij që e shpëtuan nga harresa Eposin Shqiptar)
1.
Heu, lum për ty, o i Lumi Zot!
Ai po zbriste gurores teposhtë Gjytetit
Haprëndë me Lahutën e tij nën sjetull
Ia kish mësy Kullës së Kamer Loshit
Hije i kish vrragë e moçme - mbi vetull!
Tashmë te Vidhi i Kodrës Dielli kish le
“Shumë po shëndrit', heu po nuk po nxe‘…”
Në një dasmë të madhe Saku po shkonte
Dhe një hall të madh sonte seç ma kish -
Bashkë me motrën e Gjergj Elez Alisë
Që po i rrinte t'vëllait mbi kry tash nëntë vjet
Kish m’ia lidhë nëntë plagë në trup Atij
M’u ndeshë kish sonte me Bajlozin e Zi
Me furi nga Deti, heu seç na kish dalë -
Dhe haraç e donte Ajkunën e Bardhë!
O, zemra t’këndoftë, o Sak Hamiti!
Një udhë t’gjatë me Mujin kish m’e marrë
Shtatë konaqe larg deri n’Kotorre t’Reja
Gjallë a vdekë - s'kish çare pa e nxjerrë
Halilin, atë kreshnik-çapkën të Jutbinës -
Që shitu' ma kish Tanusha vetullfiskajë
Këmbë e duar Djali - lidhur me zingjire
Në të errëtat Zindane të Krajlit - jesir!
Heu, lum për Ty, o i Lumi Zot!
2.
Isha i vogël atëbotë dhe s'kuptoja
Kush me kë kaq egërsisht luftonte
Kush po mbrohej e kush po sulmonte
Kush ish Gjergji, kush Bajlozi i Zi
Ç'punë po i del Sakut me Shtatë Krajli?
Dhe vështroja nga trapazani i Odës
Ulur këmbëkryq Sakun sa një lis
Me tirq bardhsibora - në krye plis
Tek i magjepste sonte njëqind krushq
Me një kangë të gjatë që s'kish fund
Veç Zoti e di thoshin moshën e saj -
Saku këndonte dhe burrat e uronin
Sa më shumë që i bënte ata me vaj!
Heu, t’lumtë goja, o Sak Hamiti!
3.
Ai s'dinte ç’është letërsia gojore
Epi, Balada e Legjendat ç’janë -
Diçka dinte për nji Burrë me Orë
At Gjergj Fishta, i thoshin, le në Malësi
Q'e kish thurë në vargje një Kunorë
Dh'e kish hedhë mbi kreshta t'Thethit
Orët e Liga mos me e prekë me dorë!
O, zemra t‘këndoftë, o Sak Hamiti!
Ai e mbështeti veshin mbi Lahutë
“Heu, lum për Ty, o i Lumi Zot!“
Tashmë s'dihej ishte dasmë a mort
Kush kaq dhimbshëm o po vajtonte -
I njaj Lahute harku, apo Saku vet‘…
Dhe zëri i Tij përplasej në Gjytet!
Dhe jehona kthehej - Ooo!
Avdi, o Vëlla i Motrës, Ooo!
Cubat ia kishin përdhos' vathin Avdisë
Pragun shkelë e mshelë derën e sh'pisë
Motërzezës, zemrën seç m'ia kishin tha
Se vra ia kishin, oh seç m'ia kishin vra
Avdinë, Ooo, të vetmin Vëlla!…
Ata grabisnin desh me kumbonë,
Gjithë gjanë e gjallë digjnin stane
Kullosave të blerta varg e varg
Bregut të Cemit deri në Vraninë
Kokat e çobanëve trofe ia çonin
Cubat e Zi - Knjazit n’Cetinë!
4.
Sak Hamiti këndonte e i mallkonte
Hajdutët mizorë e grabitçarë -
Po diçka më të madhe po mbronte
I Urti Plak Sak - Aedi Lahutar!
5.
Ai e mbështeti mbi sanraç Lahutën
Kish mbaru' i Dramës Akt' i Parë -
Murat Loshi tash e kish marrë Fjalën
Tek po e shkundte llullën në tangar!
“Paska dalë, po thonë, maleve nji ordi -
Murgj, n'krye t'tyne nji sakat - Karaxhë i Zi
Fytyrë-mejt-duhmë-mort-mjekërrpala
Po gjezdiskan cubçe grykave va e m'va
Kalirojkan bjeshkëve tona shteg e m'shteg
Prej Rugove - në Shalë deri në Kelmend
I mbledhkan kangët tona e po i çojkan
Përtej Tunës po i fshehkan n'nji shpellë
Ku po i dredhkan me çekiç po i rrehkan
E po i tredhkan sllavisht n’kovaçhanë
N’vi t’sabahit - pa ra rrezja e Diellit
Po bërtitkan: 'Tash këto - tonat janë'!
Dhe po i kthejkan prapë në Bjeshkët Tona
Po jua jepkan me zor t’shkretëve lahutarë -
Shqiptarë - veshë n'tirq e n'plisa të bardhë
Në Senicë, Bihor e në Jeni Pazar
Me i këndu' - po, por jo n'gjuhë t'tyne t'parë"!
6.
Isha i vogël atëherë dhe nuk e kuptoja
Pse i vidhnin këngët, kush kish aq fuqi
T'i tërhiqte zvarrë grykave me borë -
Qindramijëra vargje - t’thurura kurorë!
Ç'kanë me këngët tona gjith' këtë armiqësi
Si nuk iu dhimbeset, oh, ajo bukuri!
Dhe e përfytyroja - Lahutarin Sak
Si do t'i këndonte - këngët t'lame n'gjak
Vargje t'sakatosura pa u pasë hile e hak!
*
Saku këngë t'huaja - s'këndon sa t'jetë gjallë
Se kot nuk ma kishte - atë vrragë në ballë!
7.
Vonë e kam kuptuar ç’mbronte i Urti Sak!
Pse me aq tërbim këndonte - Lahutari Plak
Pse e sillte në Odë gjithë atë bubullimë -
Gjëmët e Dragobisë, t'Shkëlzenit vetëtimë!
Ç'rrapëllimë shkaktonte me atë trok atllarësh
Kullën seç e dridhte me vring’llimë hanxharësh
Ortiqet e Bjeshkëve po i shembte në Det
Si Kreshnik po i dilte, heu - Zot Epit të vet!
O, zemra t’këndoftë, o Sak Hamiti!
M'u desh të vija gati n'moshë të Tij
Ta kuptoja pak t' Sakut dhembshuri!
Ndonëse si Ai - nuk e ndjej as sot
- Heu, lum për Ty, o i Lumi Zot!
Peng më ka mbetur, s'arrij dot ta di
Ç'mister fshihte Saku n'Lahutën e Tij
Tek i çartej n'këngë, ajo shenjë në ballë
Nga i binte Troja, mos e dinte, vallë ?
Tek e njihte Kodin e vargut kreshnik
Dhe vet' kish latuar një vargmal epik!
Gjithçka do t'ketë ditur Saku Lahutar
Ai vetë mund t'ishte i sakti dëshmitar:
Kush ka ardhë i fundit kush ishte i parë
Në Bjeshkë të Jutbinës deri te Peshteri
Në ç'gjuhë kish folë Muji, Gjergji e Omeri
Kur Bajlozët e Detit - i kapnin rob shpesh
Me Orë e Zana - n'ç'gjuhë merreshin vesh?
8.
Krushqit na u shfaqen te Dardha e Çitakut
Nusja n'kali t'Bardhë - si Ajkuna e Sakut
Vinte prej Prekazit - t'kuq, ma kish duvakun -
N'Kullë t'Kamer Loshit - me përtëri Konakun!
Heu, lum per Ty, o i Lumi Zot!
9.
Mbrapa Sapaçit Hana kish perëndue
Dasmën Saku e linte me gjelat e parë
Me Lahutë nën sjetull e nishan mbi vetull
Sak Hamit Plaku - i Madhi Lahutar!
Ai po ngjitej, haprëndë seç po ngjitej
Mendueshëm gurores Gjytetit përpjetë
Si Aedët e Motit - kur linin betejat -
Epikisht i thinjur - Sak Homeri vetë!
(New York, mars 2012)