Kulturë
Halil Haxhosaj: Triptik për nënën
E merkure, 14.03.2012, 08:58 PM
Halil Haxhosaj
TRIPTIK PËR NËNËN
1.
Sa herë më kaplonin sëmundjet
Nëna ofshante dhe mërmëriste
Pastaj një kokërr kripë
Ma sillte rreth kokës
Të mbërthyer në grusht
E hidhte në zjarr
Duke pëshpëritur
Plastë si kokrra e kripës
Si kokrra e kripës
Hedhur në zjarrin e vatrës
Paste syri i keq
Shërohej sëmundja ime
2.
U përbirove
Nëpër hallkat e një shekulli
Edhe në tjetrin
E nusërove një mot
As Lija e Madhe as Mortja
Nuk të lanë vërragë në fytyrë
Edhe pse të kaluan pragun e shtëpisë
Trokëllimat e shtrëngatave
T’i çakorduan
Fijet e endura shekujve
Nëna ime
Kurrë nuk njohe sulltanë as krajla
Edhe pse zërin ua dëgjove
3.
Mbrëmë derisa po flija
Më erdhi nëna në ëndërr
Me një këmishë të arnuar
Në dorë
Merre më tha
Mbështille lëkurën e prerë
Në sallën e operacionit
Sepse nuk lëngon më
I përmalluar dhe i gëzuar
Desha ta përqafoj e ta përkëdheli
Ajo iku e shndërruar në aromë
Në mëngjes
Një buçetë me lule të freskëta
E kisha të vendosur te koka
Kur u mora erë
Diçka lëvizi në dhomë
Pranvera ia çeli
Petalet natyrës