Kulturë
Cikël poetik nga Neki Lulaj
E enjte, 15.03.2012, 08:55 PM
Neki Lulaj
MESHARI
Mesharit ia numërova
Vargjet dhe heshtjen
M’u duk se u takova
Me Buzukun
Shkallëve të koridorit romak
Në Bibliotekën e Vatikanit
Fola me plakun u urtë.
I dehur
Me pluhur yjesh
U takova edhe me
Mikel Marulin
E gjeta
Formulën e Pagëzimit
She Pal Engjëllin
Që digjej nga përmallimi
Për studiusit e rinj
Në pritje
Për zogjtë e shqipeve
Të praruar
Me pupla zanash..
Më pyetën nga erdhe
M’u lidh gjuha nyje
Thash jam biri i arbërit
Jetoj në Dukagjin
Mysafir i shpirtit
Në Bibliotekën
E shtratit intim
Ku dergjet Meshari
Që s’plaket kurrë -
Burim i pashtershëm
I kombit tim....
Nga stendat e heshtjes
Vitrinë e prarur
Më thërret
Ungjilli i Buzukut
Pa më merr në duar
E më dërgo atje
Ku shekujt e presin
Dritën time në Tiranë
Bijtë e shqipes
T’i shoh të bashkuar
Sa herë më ftojnë
E vijnë të buzëqeshur
Të më vizitojnë....!
IDIL MËKATI
Ju mekatarë
Pa më leni
Në gjumin e përjetësisë
Në rehatinë time
Isha Teolog i shpirtit
Me gjak Shqipërie
Më leni të qetë
Në shtratin e lindjes
Eshtrat të më prehen
Në tokën e arbërit
Gjumin gjumë dua ta bëj
Mos u tallni o burra
Me eshtrat e mia
Se ju dënon etika
Ju gjykon shqiptaria
Ju mallkon historia
Klithi zëri i teologut
Lart nga gjithësija.
Kur anadollakët
Ia nxorrën eshtrat nga varri
Gjëmoi qielli nga mëkati
U hodhën buzë Prishevkës
Qenjtë luajtën me eshtra
Dhe aty u ngrit xhamia.
Mallkoi Pjetër Bogdani
Dorën gjakatare
Bekoi truallin e Arbërit
Ku rriti shatin djaloshar
Dhe natyrën e ndritur
Që i dhuroi margaritarë.
Zotërat e ndalën shiqimin
Mbi hatanë e asaj dite
Kur korbat e krimit
E nxorrën nga varri
Dhe eshtat e Trimit
Zvarriteshin rrugëve të Prishtinës
Qenjtë e pamëshirshem
Luanin lojën e tërbimit.
SHALLI I ERËS
Kur na u shkri
Akulli i shekullit
Heshja e bloi dhembjen
Urata e bekuar
Ngjyrë i dha bukurisë
E jetë fjalës.
E pluhurin e moçëm
E ngarkuam
Me qerre kuajsh
E karroca fluturash
E varrosëm nën qershi
Pakë patëm ngelur
Por jeta
Ishte një sihariq
Që u përtëri.
Ai ishte aty
Se kishte arritur i pari
Me qerren me katër rrota
Të vuajtjes
Me shallin e erës
Shekullin e pagëzoi ngjallje
Jetë i dëshiroi gurit e drunit
Me pak fjalë
Dhe me shumë dashuri....!