E diele, 28.04.2024, 09:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngë kanagjegji nga Malësia e Gollakut

E enjte, 15.03.2012, 08:59 PM


Nga folklori ynë:

 

KËNGË KANAGJEGJI NGA MALËSIA E GOLLAKUT

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Në ritet e dasmave, fejesave dhe martesave në Malësinë e Gollakut, pa dyshim se ritet e të bërit të vajzës me vaj, apo siç quhet ndryshe “qitja e shamisë”, para se të shkojë nuse , shënon aktet më të dhimbshme dhe më tragjike në traditat dhe zakonet popullore të kësaj Malësie .

Sipas traditave dhe zakoneve të kësaj Malësie , në vitet e më hershme , si ditë më e mirë për martesën konsiderohej dita e Enjte, si ditë e shenjtë , ditë e mbarë dhe natë e madhe . Më vonë, me fillimin e shkollimit te të rinjve dhe me fillimin e punësimit të popullatës së kësaj treve , filloi të praktikohet dite e Diele, si ditë më e përshtatshme për ceremonitë e dasmave , nga se kjo ditë ua mundësonte pjesëmarrëjen në dasma që të gjithëve .

Ritet e të bërit me vajë , apo qitjes së shamisë së vajzës e cila do të shkonte nuse , kanë pasur një orar shumë të gjatë dhe kompleks për familjarët të cilët do ta përcillnin vajzën e tyre për nuse . Ceremonia për përcjelljen e vajzës për nuse, në fshatrat e Malësisë së Gollakut, dikur, po qe se ajo do të shkonte nuse ditën e Enjte, do të zhvillohej sipas këtij orari:

1. Ditën e Hëne , kah mesdita , vajza do të bëhej me vaj, apo di t’i qitej shamija e vajit. Gjatë qitjes së shamisë mbi kokë dhe fytyrë nga ana e ndonjë kunate – nuse, apo nuse e të afëmëve , vajza do të protestonte dhe kundërshtonte ashpër kundër qitjes së shamisë. Pastaj, me shami mbi kokë, duke qajtur me zë të lartë dhe të trishtueshëm dhe e veshur me rroba të vajzërisë (qiknisë) , ajo do t’i merr ngrykë të gjitha gratë, bijat, mysafiret dhe anëtaret e familjes së saj , duke qajtur gjithnjë me zë të lart dhe nën rrokjen çuditëse :”Uh!Uh!Uh!Uh!”

Pas këtij rundi  të parë të marrjes ngrykë, vjen ceremonia e zdeshjes së rrobave të qikënisë dhe veshja e rrobave të nusërisë, të cilat po ashtu zdishen dhe vishen me një vaj shumë të madh dhe protestime të vazhdueshme nga ana e vajzës e cila do të bëhet nuse .

Kjo ceremoni zgjatë deri kah përfundimi i ditës dhe pastaj gratë, nuset, bijat dhe vajzat e ardhura jashtë rrethit të ngushtë familjarë, do të shpërndahen nëpër shtëpitë e tyre, kurse mysafireshat , bijat e shtëpisë, mikeshat ... do të mbeten mysafire në shtëpinë e vajzës .

2.Dita e Marte, quhet “Dita e qitjes së vajzës nëpër kojshi”, ku që në orët e para të mëngjesit dhe gjatë tërë ditës, vajza që do të shkojë nuse, e shoqëruar me bijat e shtëpisë dhe  familjaret e saj, do të shkojnë radhazi derë më derë nëpër kojshitë e gjithë lagjes, për t’i marrë ngrykë dhe për t’u përshëndetur me ta . Tërë kjo shëtitje nëpër kojshitë e lagjes shoqërohet me vajin e vajzës me zë të lartë , nën rrokjet:”Uh!Uh!”...Nëpër kojshi, vajza do t’i merr ngrykë të gjithë anëtarët e familjeve prej më të vjetrit deri tek më i riu dhe pos tyre, ajo do ta merr ngrykë edhe derën e oborrit , derën e shtëpisë, pragun e shtëpisë, magjen e bukës, oxhakun e bukës dhe verigun e oxhakut...

3.Dita e Mërkure, quhet “Dita e grave”, apo “Dita e çejzit të vajzës”, ku që në orët e para të mëngjesit ekspozohet i tërë çejzi i saj, për ta parë gratë, nuset dhe çikat të cilat do të vijnë gjatë ditës nga të gjitha fshatrat për rreth.

Në mbrëmjen e së Mërkurës , po sa të hahet darka , vazhdon ceremonia e vuarjes së kënës së vajzës e cila do të shkojë nuse, apo siç quhet ndryshe:”Nata e kanës”, përkatësisht “Kanagjegji i çikës”. Në këtë ceremoni marrin pjesë të gjitha familjaret e shtëpisë, bijat e shtëpisë, gratë e lagjes, mikeshat, vajzat, nuset, plakat...etj.

Nata e vuarjes së kanës së vajzës, apo “Kanagjegji”, është nata më e dhimbshme, më pikëlluse dhe më tragjike, ndër të gjitha ceremonitë e të bërit me vaj të vajzës që do të shkojë nuse .

4. Dita e Enjte , është dita kur vajza do të shkojë nuse tek burri i saj . Këtë ditë, që nga orët e para të mëngjesit fillojnë përgatitjet e çejzit, përgatitja e vajzës , rregullimi, zbukurimi dhe veshja e saj më solemne .Pra se të përcillet nuse, vajza e bërë me vaj, do të përshëndetet duke i marrë ngrykë që të gjithë anëtarët e familjes së saj, të gjithë të afërmit dhe të gjitha bijat e mikeshat e shtëpisë .

Përcjellja e vajzës për nuse , bëhej në dy mënyra :

1. Po qe se familja e djalit që do të martohet është pak më afër përkah tereni , atëherë qerrja e nuses do të vinte në shtëpinë e vajzës për ta marrë nuse.

2.Po qe se familja e djalit që do ta marrë nusen është nga një teren i largët, atëherë familja e vajzës do t’ua përcjell deri kah mesi i rrugës për t’ua ndihmuar krushqve rrugëtimin e gjatë .

Po qe se dasma e martesës së djalit do të bëhet ditën e Diele, atëherë orari i vajit të vajzës do të organizohet në këtë mënyrë:

1.E Enjte = Qitja e shamisë dhe bërja e vajzës me vaj ,

2.E Premte = Dita e qitjes së vajzës nëpër kojshi ,

3.E Shtunë = Dita e grave dhe çejzit të vajzës si dhe mbrëmja e vuarjes së kënës, apo kanagjegji dhe

4.E Diele, përgatitja dhe përcjellja e vajzës për nuse .

Tani, po i kthehemi “Natës së vuarjes së kënës”, apo “Natës së kanagjegjit të vajzës”, e cila do të shkojë nuse , për të parë se çfarë këndohet në atë mbrëmje dhe çfarë atmosfere zhvillohet gjatë kësaj ceremonie . Për ta pasqyruar sa më real se çfarë këndohet gjatë kësaj mbrëmje, ne kemi mbldhur një numër të konsiderueshëm të këngëve të cilat u këndohen vajzave gjatë kësaj mbrëmje dhe tani do të bindemi se sa atmosferë e rëndë zhvillohet gjatë asaj mbrëmje, çfarë vaji bëhet, çfarë vajtimesh bëhen dhe kështu me radhë.

Para se të hymë në analizat dhe prezantimin e këngëve të këtij cikli, vetëm të shtojmë edhe një fjalë të pleqve të kësaj Malësie , të cilët thonë:”Vaji i vajzës kur shkon te burri dhe këngët që i këndohen asaj gjatë kësaj mbrëmje , i shtynë edhe gurët e lisat e malit për të qajtur!”

Kënga me të cilën po e fillojmë këtë cikël , shpreh mllefin e vajzave – shoqeve me të cilat është rritur vajza e cila po shkon nuse , me të cilat kanë lozur e kënduar gjithmonë sëbashku dhe me të cilat dikur kishin lidhur besën për të mos u ndarë kurrë në mes veti . Mirëpo, vajza që po shkon nuse , tani e ka thyer besën dhe është mashtruar pas veshmbathjeve të nusërisë me të cilat do t’ua kthejë shpinën përgjithmonë dhe do të shkojë tek burri i saj për ta filluar një jetë krejtësisht të re :

 

A E DIN MOTËR KUR TË VOGLA ISHIM

 

A e din motër, na kur të vogla ishim-o,

Gjithmonë bashk-e, oj, lujshumë e rrijshim-o?!

 

Kur u rritëm e u bamë të mëdha-e-o,

E dham besën, e moj,mos me u nda-e-o!

 

Ti, moj motër, oj besën e theve-o,

Edhe neve, oj, shpinën na e ktheve-o!

 

Ktheve shpinën, ja ke nisë po kesh-e-o,

Për najllanin, oj, qi e ke vesh-e-o!

 

Natën e Kanagjeqit , pos të tjerash, është zakon që vajza e cila do të shkojë nuse t’ua lë në muret e shtëpisë nga disa gishta kanë për kujtim familjarëve të saj, me qëllim që ata sa herë t’i shohin gjurmët e gishtrinjëve të vajzës së tyre , t’a kujtojnë dhe të mos e harrojnë . Në këngën vijuese këndohet për gishtrinjët e kanës të cilët vajza do t’ia lë për kujtim babait të saj :

 

KAJË MOJ MOTËR, KAJË ME MALLË

 

Kajë, moj motër, kajë me mallë –

Çka po i len babës për mallë?

 

-Po ja la pesë gishta kan –

Se takamin ja kam  lanë!

 

Ngjiti, motër, renë me renë –

Sa herë ti shohin – le t’përmenë!

 

Në radhë do të këndohet nëna, të cilës vajza do t’i lë për kujtim pesë gishta kanë mbi muret e shtëpisë. Numri maksimal i gishtërinjve të kanës është numri 5 , aq sa i ka dora , por për ata të cilët janë paksa më të largët se sa prindërit dhe familjarët, nuk do t’u lihen në maksimum 5 gishta kanë :

 

KAJË MOJ MOTËR KAJË ME MALLË

 

Kajë, moj motër, kajë me mallë –

Çka po i len, nanës, për mallë?

 

-Po ja la pesë gishta kan –

Ndihma e jeme e ka lanë!

 

Ngjitja, oj motër, edhe ni pikë –

Le t’kujtojnë qi je mahitë!

 

Kajë, oj motër,kajë me mallë –

Çka po u len vllaznve për mallë?

 

-Po ja u la pesë gishta kan –

Hyzmeti i jem i ka lanë!

 

Ngjiti, motër, renë me renë –

Sa herë t’i shohin, kan me t’përmenë!

 

Kajë, oj motër, kajë me mallë –

Çka po u len motrav për mallë?

-Po ja u la pesë gishta kan –

Loja e jeme i ka lanë!

 

Ngjiti,motër, pa pritue –

Sa herë t’i shohin,kan me t’kujtue!

 

Kur vajzat dhe bijat e shtëpisë konsiderojnë se vajza e cila po bëhet nuse , nuk po qanë aq sa duhet , atëherë përmes këngës ia përkujtojnë këtë harresë dhe ia bëjnë me dije se koha për t’u larguar nga shtëpia po i afrohet . Në rastet kur ato që këndojnë, dyshojnë se vajza nuk po qanë me lotë të vërtetë, atëherë ia kërkojnë mindilin për të dëshmuar se a është i lagur , apo jo! Në rastet kur dikush prej bijave të shtëpisë nuk është e pranishme në Kanagjeqin e vajzës, këngëtoret do t’ia propozojnë një tjetër bijë që ta marrin ngryk në vend të asaj që ju mungon :

 

ANI KAJË SYLBIJE

 

Ani,kajë Sylbije, ani kajë se shkove,

Ani,dy herë ngryk,moj, ani nuk na more!

 

Ani, kajë Sylbije, ani n’shami t’mnasht-e,

Ani, ka e ke pas-e, oj, shoqe ma t’dashne?

 

Ani, kajë Sylbije, ani kajë e plas-e,

Ani, çka janë çika, e moj, çiti jasht-e!

 

Ani, çiti jasht-e, o, n’hajat të shpijes,

Ani, mshojau grusht-e, o, në rruezë të shpinës!

 

Ani, si mos t’kajshë,moj motër, na të njohum,

Ani, çit’ mindilin, motër, na ta shohum!

 

Ani, kajë Sylbije, ani n’hylajllik-e,

Ani, n’ven t’Xhezides, motër, ka e merr ngryk-e?

 

Ani, merr Hazbijen, ani, fort shtërngoe,

Ani, me loçkë t’zemrës, motër, ti loçkoe!

 

Në momentet kur vajza e bërë me vaj , ndodhet diku në ambientet e oborrit të shtëpisë, këngëtoret do t’i përkujtojnë rrethojat e oborrit (avllinë) , ku dikur sëbashku me nënën e saj pjeknin flija .

Përmes këngës, ia përkujtojnë emrin e asaj që ia ka qitë shamijen e para (Hajkuna), për të cilën e thërrasin që në shenj ndëshkimi ta qesë përjashta nga dhoma!

Për ta detyruar që të qajë edhe më shumë, do t’ia përkujtojnë kohën se në shtëpi të babës është vetëm edhe një mbrëmje dhe vetëm edhe një mëngjes :

 

ANI KAJË MOJ MOTËR TU AVLIJA

 

Ani kajë, moj motër, tu avlija –

Po t’thrret nana, me qitë flija!

-Kur mi pa o dy duert me kanë –

Hajri yt, bijo, m’paska lanë!

 

Kajë, moj motër, kajë e mejë –

Kajë me lot e mos na rrejë!

Si t’na rrejsh’, moj, na të njohim –

Qit mindilin na ta shohim!

 

Kajë, oj motër, n’shami t’mnasht –

Kit Hajkunën, qite jasht!

Qite jasht e mshilja derën,

Se qajo ta ka nisë poterën!

 

Kajë, moj motër, hej aman,

Se te baba, edhe qit aksham!

Kajë, oj motër, hej Allah,

Se te baba, edhe ni sabah!

 

Qëllimi kryesor i vajzave , apo bijave të cilat i këndojnë këngë vajzës e cila do të shkojë nuse , është që përmes këngëve ta detyrojnë atë që të qajë sa më shumë, por jo vetëm atë, nga se nga këngët e tilla vështirë se do të përmbahet kush nga të pranishmet pa u dërmuar së derdhuri lotësh !

Përmes këngëve të këtilla, këngëtoret do t’ia rikujtojnë vajzës të gjitha të kaluarat, kujtimet dhe gëzimet e përjetuara gjatë vajzërisë së saj, duke filluar nga lojërat e çinisë , rrobat e çinisë, lojërat e Shën Gjergjit, lojërat e Bajramit, shoqet më të dashura , hajatin e shtëpisë, hajatin e hambarit, hajatin e çilerit ...etj. etj.

 

ANI SI KE KTHJELLT O NA U PRISH MOTI

 

Ani, si ke kthjellt, o, na u prish moti,

Po na kan Sylbija, pa pikë loti!

 

Ani, si mos t’kajsh, moj, na të njohim,

Ani, qit mindilin, moj, na ta shohim!

 

Ani, kajë Sylbije, n’hajat t’shpisë,

Ani, a tu dhimt loja e çiknisë?

 

Ani, kajë Sylbije, n’hajat t’çilerit,

Ani, a tu dhimt loja e Shin Gjergjit?

 

Ani, kajë Sylbije, n’hajat t’hamarit,

Ani, a tu dhimt loja e Bajramit?

 

Ani, kajë Sylbije, n’hajat me kashtë,

Ani, ka e ke pasë shoqe ma t’dashne?

 

Ani, kajë Sylbije, n’shami t’mnashtë,

Ani, çka janë çika qiti jasht!

 

Ani, qiti jasht e nxini ngusht,

Ani, ka tri herë mshojau me grusht!

 

Ani, kajë Sylbije, n’hajat të shpisë,

Ani,dishi teshat e çiknisë!

 

Kënga vijuese , tregon momentet e para të çartjes së bistekëve të vajzërisë , me qëllim që flokët e vajzës që do të shkojë nuse të ngjyrosen me kanë :

 

BISMILAH TU ÇART BISTEKI

 

Bismilah, tu çart bisteki,

T’la çiknija e t’la lezeti!

 

Kajë Hyrije, kajë e plas,

Se çiknija s’t’vjen përmas!

 

Përmes këngëve të Kanagjegjit, përpos vajtimeve , nuk do të mungojnë as mallkimet për ato të cilat ia çartën vajzës bistekët , ia hoqen rrobat e vajzërisë dhe ia hoqen shaminë e vajzërisë :

 

KUSH TA ÇARTI MOTËR BISTEKIN

 

Kush ta çarti, motër, bistekin –

Motrës tane, duert ju thefshin!

 

Kush t’i hoç dimitë prej kamës –

Qysh s’i erdh gjynah prej nanës?!

 

Kush ta hoq shaminë prej kreje –

Qysh s’i erdh gjynah prej teje?!

 

Gjatë ceremonisë kur vajzës e cila do të bëhet nuse , i zhvishen rrobat e vajzërisë dhe i vishen ato të nusërisë, këngëtoret përmes këngës do ta thërrasin që ajo të protestojë ashpër kundër këtyre veshjeve dhe stolive, siç janë : dimijat , xhemperi, vathtë e veshëve , unazat e gishtave , këpucat , avlija ...por më në fund, ato ia bëjnë me dije se kështu gjithmonë ka qenë adet dhe që të gjitha vajzat kanë dalë nga shtëpia në këtë mënyrë :

 

SI NE NGOFSH TI HATRIN TONË

 

Si ne ngofsh ti, hatrin tonë –

Dimitë veshun, ti me i lanë!

 

Si ne ngofsh ti, hatrin tonë –

Xhamperin veshun, ti, me e lanë!

 

Si ne ngofsh, ti, hatrin tonë –

Vathtë ne vesh, ti me i lanë!

 

Si ne ngofsh ti, hatrin tonë –

Kët unazë në gisht me e lanë!

 

Si ne ngofsh ti, hatrin tonë-

Kunrat n’kamë, ti me i lanë!

 

Si ne ngofsh ti, hatrin tonë –

Avlinë n’krye, ti me e lanë!

 

Kshtu, moj motër, asht adet,

Kshtu kan dalë të rejat krejt!

 

Vargjet e këngës vijuese tregojnë momentet e mbledhjes së shoqeve , bijave dhe mikeshave të shtëpisë , në rastin kur vajza sapo është bërë me vaj dhe për dallim nga herat tjera, kur ajo ju fliste e buzëqeshur, e gëzuar dhe duke i marrë ngrykë që të gjitha, tani ajo nuk do të ju flet dhe në vend të buzëqeshjes do t’i pret me vaj e lotë në sy :

KAJË OJ MOTËR N’ AVLI T’ VERDHË

 

Kajë, oj motër, n’avli t’verdhë –

Tana shoqet tu kan mledhë!

 

Pse s’po u flet si ktyne herë –

Po i kqyrë shtremtë kur po hynë n’derë?!

 

Le, me gojë qi s’po ju flet,

Po ka ni ven, pse s’po ja u çet?!

 

Kajë,oj motër,n’peshqir me pika –

T’kena pasë bajrak nër çika!

 

Po kanë Hyra, po kanë, po kanë –

Dushkun n’male po na e thanë!

 

Dushku i malit, thahet vet –

Na ka lanë Hyra, lezet!

 

Kajë, moj motër, duert e bardha –

Burrin tan, ta plastë e dala!

 

Gjatë ceremonive të vajit të vajzës, kanagjeqgjit të saj , përveç këngëve pikëlluese e vajtuese, nuk mungojnë as këngët satirike përmes të cilave në mënyrat më të ndryshme do të përqeshen vjehërria e vajzës ku do të shkojë nuse, përqeshet vendi, shtëpia dhe burri i saj :

 

OJ SHAHO ÇKA ME T’ KALLXUE

 

Oj Shaho, çka me t’kallxue –

A e din, ku kie me shkue?

 

Ata e kan ni maçorr –

Nuk kan bashqe, as s’kan oborr!

 

Kan oborrin, kun pa thurë –

S’ki ku del, as për me u pshurrë!

 

Përveç mallit të madh për ndarjen nga prindërit, vëllazërit, motrat dhe familja, në këngët e Kanagjegjit , me të madhe i këndohet edhe mallit për ndarjen e vajzës nga shoqet e veta me të cilat e ka kalua jetën rinore dhe i ka përjetuar shumë gëzime :

 

KUR T’ MËRZITESH HYRË PËR SHOQE

 

Kur t’ mërzitesh Hyrë, për shoqe –

Kapi teshat e lidhi n’boshqe!

 

Lidhi n’boshqe e dil n’oborr –

Thuej burrit, hajde e çom!

 

Hajde çom, se jam mërzitë –

Janë dalë shoqet, mue me m’ pritë!

 

Momente të vështira pikëlluese paraqiten përmes vargjeve të këngëve të cilat i këndohen vajzës me rastin e ndarjes dhe përshëndetjes së saj të fundit me shtëpinë e saj ku është lindur e rritur bashkë me prindërit e saj , pastaj kujtimet ku ka larë rrobat bashkë me kunatat e saj, momentet kur kanë pjekur flija sëbashku e në veçanti momentin kur nëna e saj e humbur nga malli e mërzija për përcjelljen e vajzës së saj, sillet rreth e rrotull nëpër shtëpi, duke e humbur kontrollin e saj psikik :

 

KAJË OJ MOTËR N’ PODINË T’ KASHTËS

 

Kajë, oj motër, n’ podinë  t’ kashtës –

Hallashtisu me shpi t’babës!

 

Kajë, oj motër, n’podinë t’sanës –

Hallashtisu me shpi t’nanës!

 

Kajë,oj motër, tej kah dreka –

T’thrret kunata me la petka!

 

Kajë, oj motër, tej kah iqindija –

T’thrret kunata me qitë flija!

 

E ka marrë nana, ni grusht kashtë,

E po t’lypë mrena  e jashtë!

 

Vajzat , apo bijat të cilat në vazhdimësi do të kujdesen për t’i kënduar këngë pikëlluese vajzës e cila do të shkojë nuse , nuk do të harrojnë që t’ia përkujtojnë të gjitha momentet më pikëlluese të jetës. Kështu që , përmes këngës vijuese , ato do t’ia përkujtojnë vajzës mallin për nënën, mallin për babën , mallin për vëllezërit dhe mallin për motrat e saj, duke e udhëzuar atë se si mund t’a heq mallin për ta në momentet e caktuara :

KUR  T’ MERR MALLI ME THIRRË NANË

 

Kur t’ merr malli, me thirrë nanë –

Dil në derë e kqyr n’kit anë!

 

Kur t’merr malli për vllazni –

Dil në derë e kqyr karrshi!

 

Kur të merr malli për babën –

Dil n’dritare e kqyre xhadën!

 

Kur të merr malli për motër –

Dil n’hajat e kqyre kodrën!

 

Përmes këngëve , këngëtoret do t’ia bëjnë me dije motrës, apo shoqes së tyre e cila do të shkojë nuse , se ajo çikë nuk do të bëhet më kurrë në jetë dhe se që nga kjo ditë, ajo më nuk do të ketë gëzime , as  sevda, prandaj nuk duhet t’i kursej as lotët, as vajin për këto gjëra që do t’i humbë për jetë e mot:

 

KAJË MOJ MOTËR KAJË PA DA

 

Kajë, moj motër, kajë pa da,

Se ti çikë nuk bahesh ma!

 

T’ka lanë lojë, t’ka lanë sevda,

Veç ni t’parnë kur t’vishë me ba!

 

Edhe at’ t’parnë si për kjamet –

Herë ni natë e herë dy net!

 

Ni kaderr, atje me kan –

T’parnin gjysë, motër, ta lanë!

 

Kënga në vazhdim, na i  përshkruan në formë satirike momentet psikike të vajzës e cila do të shkojë nuse dhe që nga vaji, malli dhe atmosfera e krijuar , ajo nuk e di se cila është nëna e vet, cili është baba i vet, apo cilët janë vjehrria e vet :

 

KAJË MOTRO N’ AVLI TË VERDHË

 

Kajë, motro, n’ avli të verdhë –

Po t’thrret nana, teri n’derë!

 

Nuk asht nana, oj budallë,

Po asht vjehrra, ka ardhë me t’marrë!

 

Kajë, motro, n’avli të verdhë –

Po t’thrret baba, teri n’derë!

 

Nuk asht baba, oj budallë,

Po asht vjehrri, ka ardhë me t’ marrë!

Edhe kënga vijuese , ka tone satirike përmes së cilës këngëtoret ia përqeshin kuajt e familjes së dhëndrit , me të cilët do të vijnë për ta marrur nuse. Theks të veçantë i japin motiveve të dasmave të cilat bëhen gjatë stinës së dimrit, kur në Malësi do të ketë borë shumë dhe nuk mund të dilet lehtë :

 

KAJË MOJ MOTËR N’ SHAMI T’ HOLLË

 

Kajë, moj motër, n’ shami t’ hollë –

U kishin metë kualt në borë!

 

N’kofshin metë, o hiq s’po m’dhimen,

Pse po marrin nuse n’ dimën?!

 

Në momentin kur krushqit dhe qerrja e nuses do të vijnë në oborrin e shtëpisë së vajzës për ta marrë nuse , krijohet një tollovi e madhe nga nxitja për ta përgatitur nuses sa më shpejt dhe nga angazhimet për t’i pritur krishqit (miqtë) sa më mirë.

Edhe në këto momente të fundit të vajit të vajzës, do të përshkruhet hutia dhe humbja psikike e vajzës e cila , gjoja, është e habitur nga ky kallaballëk dhe nuk po e di se çfarë po ndodhë në oborrin e shtëpisë së saj :

 

PO KAN HYRA NËPËR OBORR

 

Po kan Hyra, nëpër oborr –

Ç’asht, oj nanë,gjith ky taborr?

 

-S’asht taborr, as s’asht ordi,

Prapashtica, po t’marrin ty!

 

Kajë, moj Hyrë, e bërtit fort,

Laje mindilin krejt me lot!

 

Plot me lot e leje te nana,

Mos e ço te ata bejana!

 

Kënga që pason më poshtë, na e tregon qartë kohën se kur do të fillojë ngjitja e kanës për vajzën e cila do të shkojë nuse . Pra, ajo fillon ditën e Mërkure , në orët e pas darkës, ose ditën e Shtune , në orët e pas darkës . Kjo është njëra ndër këngët e para që i këndohet vajzës në orët e para të mbrëmjes së Kanagjegjit dhe përmes vargjeve të saj, këndohet bukuria e vajzës që kur ishte vajzë në shtëpi dhe bukuria e saj në vendin ku do të shkojë nuse :

 

ÇOU MOJ ÇIKË E KQYRE HANËN

 

Çou moj çikë, e kqyre hanën –

A u ba vakti me e ngjitë kanën?

 

Ngjitet kana me pika-pika,

T’ka pasë nana, bajrak nër çika!

 

Ngjitet kana me pika t’kuqe –

Po t’çon nana, bajrak nër nuse!

 

Ngjitet kana me pika t’mëdha,

Po t’çon nana, bajrak nër gra!

 

Përmes vargjeve të këngës , këngëtoret do t’ia përkujtojnë vajzës e cila do të shkojë nuse , se çka është dera e huaj dhe fisi i huaj ! Pastaj, do t’ia përkujtojnë momentet e vajzërisë në kohët kur kanë ngrënë molla e dardha së bashku!

Pastaj , do t’ia përkujtojnë momentin e përshëndetjes dhe ndarjes së vajzës nga shtëpia e babës, ndarjes nga shtëpia e nënës, ndarjen nga lojërat e Bajramit...Megjithatë, ato i premtojnë se nuk do ta harrojnë kurrë dhe do ta vizitojnë sa më shpesh në derën e huaj ! Ato, prapëse prapë i propozojnë që të mos ndalet duke qajtur , nga se nuk është duke shkuar mysafire tek dajtë, por tek burri ku duhet punuar shumë dhe nuk mund të luhet e të qeshet sikur në shtëpinë e familjes së saj :

 

DERA E HUEJ OJ MOTËR T’ SHTIN ME PLASË

 

Dera e huej, oj motër, t’shtin me plas-o,

Ani,ta çet guhën,motër, hiç pa e pas-o!

 

Kajë Hazbije – pshellakun me toja-o,

Kaje venin, motër, ku ke marue oja-o!

 

A e din motër, na kur hangshumë dardha-o?

Çou, kallxoja nanës, duert e bardha-o!

 

A e din motër, na kur hangshumë molla-o?

Çou, kallxoja nanës, duert e holla-o!

 

Ani, kajë Hazbijo, n’stog të tallës,

Ani, ti mier meç, oj, shpija e babës-o!

 

Ani, kajë Hazbije-o, n’stog të sanës,

Ani, ti mier meç, oj, shpija e nanës-o!

 

Ani kajë Hazbije, o, nër hije t’hamarit-o,

Ani evlida, oj, loja e Bajramit-o!

 

Derë për dere, oj motër, do t’kërkojna-o,

Derën tane, oj motër, kurr nuk ta harrojna-o!

 

Mu kan si Hazbija-o, mytna tu’ kajt-o!

Mos kujto, oj motër, qi po shkon tu dajt-o!

 

Nuk po shkon tu dajt’, oj motër, me keshë e me lue,

Po, po shkon te burri, oj motër, ani, me punue!

 

Edhe kjo këngë tregon kohën e fillimit të qitjes së kanës së vajzës në mbrëmjen e Kanagjegjit, ku tregon edhe mjetin për ndriçim, pra llampën e vajgurit dhe protestën e vajzës kundër ngjitjes së kanës :

DIL MOJ ÇIKË E KQYRE HANËN

 

Dil, moj çikë, e kqyre hanën,

A u ba vakti me e ngjitë kanën?!

 

N’koftë ba vakti me e ngjitë kanën,

Ktheu, hi mrena e shkyme llamën!

 

N’koftë ba vakti, kanën me e ngjitë –

Brit’ tri here, sa t’mujsh me britë!

 

Sa për ta relaksuar pakëz atmosferën e zymtë, mallin, lotët, vajin dhe mërzinë e të gjitha të pranishmeve , tani këngëtoret do ta këndojnë një këngë satirike, përmes të cilës vajzës e cila do të shkojë nuse do t’ia lavdërojnë plakat, prindërit vëllezërit , motrat dhe kushërirat, kurse do t’ia përqeshin të gjithë akrabanë e burrit të saj, me të cilët do të gjendet në shoqëri gjatë natës së ardhshme :

 

EDHE SONTE RRIN ME PLAKA

 

Ani, edhe sonte rrin me plaka –

Ani, nestërproma me hallajka!

 

Ani, edhe sonte rrin me bija,

Ani, nestërproma me rraspija!

 

Ani, edhe sonte rrin tu baba,

Ani,nestërproma rrin me zhaba!

 

Ani, edhe sonte rrin tu nana,

Ani, nestërproma me zdralana!

 

Ani, edhe sonte rrin me vllazni-e,

Ani, nestërproma me dilinxhi-e!

 

Ani, edhe sonte rrin me motra,

Ani, nestërproma me kaçurota!

 

Ani, edhe sonte rrin me kusherina,

Ani, nestërproma rrin me shkina!

 

Vajzat këngëtore të Kanagjegjit, do të shprehin mallin e tyre për përfundimin e lojërave të tyre bashkë me shoqën e tyre e cila tani do të shkojë nuse. Që nga momenti i lyerjes së duarve dhe flokëve me kanë, aty ka përfundura edhe kënga në mes tyre:

 

JESHIL E KULLOSË

 

Jeshil e kullosë, oj motër,

Jeshil e kullosë,

Loja na u ka sosë, oj motër,

Loja na u ka sosë!

 

Jeshil e livadh, oj motër,

Jeshil e livadh,

Kanga na u ka nalë, oj motër,

Kanga na u ka nalë!

 

Loja na u ka sosë, oj motër,

Kanga na u ka kputë,

Qysh at’ natë, mori motër,

Qi i leve durtë!

 

Përmes këngës, vajza që do të shkojë nuse do të kritikohet si e pamëshirshme ndaj nënës të cilës po ia kthen shpinën dhe po e lenë të vetmuar, pastaj përse po e lenë shtëpinë e vetmuar, duke ia nënçmuar burrin dhe rrobat të cilat ai ia ka qua për nusëri:

 

KAJË OJ MOTËR, QYSH E BANE KTAHEN?

 

Kajë, oj motër, qysh na e bane ktahën –

Qysh nuk nejte edhe sivjet me nanën?!

 

Kajë, oj motër, ule jelekun –

Qysh pe len ti, nanën vetun?!

 

Kajë, oj motër, ule shaminë –

Qysh pe len ti, vetun shpinë?!

 

Si n’ja ngofsh hatrin kti veni –

Hiçi teshat e ati qeni!

 

Malli dhe vaji do të merr përmasa edhe më pikëlkuese në rastet kur vajza që do të shkojë nuse është jetime , të cilës ia ka vdekur babai dhe tani ajo nuk ka se kënd ta merr ngrykë në vend të babait të saj :

 

KAJË OJ MOTËR LOTIN FIJE- FIJE

 

Kajë, oj motër, lotin fije-fije,

Me m’kallxue çfarë malli kije?

 

-Malli i jem, oj motër, asht i madh;

Me e pasë babën gjallë- e ngryk ta marr!

 

Se nga vaji aq i madh që bëhet nga ana e vajzës që do të shkojë nuse, gjatë ditëve të vajit, e në veçanti Natën e Kanagjegjit, fitohet përshtypja se edhe dushku e bari po thahen , këtë e pranojnë edhe vetë këngëtoret në rastet kur ato binden se vërtetë vajza po qanë pa hile . Në këtë raste ato nuk harrojnë që ta përdorin edhe satiren në këngët e tyre , duke ia përqeshur vajzës vendin se ku do të shkojë nuse, familjen e burrit, të cilët përshkruhen si të pa mëshirshëm ndaj grave të veta, aq sa po qe se do të ngushtohen për para – ata do t’i shesin edhe gratë:

 

KAJË E KAJË LOTËT SI THANË

 

Kajë e kajë, lotët si thanë,

Dushk e bari po na i thanë!

 

Dushku e bari thahet vet,

Se kjo Mina, na la lezet!

 

Kajë, oj Minë, lotin gogël,

Po t’çojmë nuse, n’sheher t’vogël.

 

N’sheher t’vogël, n’sheher t’largtë –

Si t’ngushtohen – i shesin gratë!

 

Po thotë  Mina – kuku për mue,

Si t’ngushtohen – m’shesin mue!

 

Njëra ndër këngët më të njohura satirike që këndohet gjatë Natës së Kanagjegjit, në Malësinë e Gollakut , pa dyshim se është kënga që do ta lexoni në vijim. Përmes vargjeve të kësaj kënge , pamëshirshëm satirizohet familja e dhëndrit ku do të shkojë nuse vajza e ngjyrosur me kanë  e cila qanë me lotë plot katër ditë rresht. Përmes vargjeve të kësaj kënge, familja e dhëlndrrit paraqitet si familje jevge , e cila nuk ka tepsi, saç as  kusi për të gatuar  , por që ato i kërkojnë nëpër kojshi:

 

KAJË EMINE, KAJË E KUP

 

Kajë Emine, kajë e kup –

Po t’çojmë nuse, nër magjup!

 

Nër magjup, nër hashkali –

Nuk kan saç, as s’kan tepsi!

 

Nuk kan saç, as s’kan tepsi,

S’kan verig, as s’kan kusi!

 

Ty, t’çet vjehrra me lypë n’kojshi –

Me na e qitë për darkë ni fli!

 

Mos dil, motër, me lypë n’kojshi

Mos t’i dhashin, ungju e rri!

 

Si n’ardhtë vjehrra me t’bërtitë –

Kape lagraçën e theja krytë!

 

Shtinja thojt e plase n’fyt,

Rrok gjylpanën e nxirrja sytë!

 

Pas këngës satirike , këngëtoret sërish iu kthehen këngëve të vajtimit, përmes të cilave vajzës e cila shkon nuse , ia përkujtojnë njerëzit e vdekur, ose ato që nuk kanë mundur të jenë prezente në dasmën e saj , për arsye të ndryshme, duke i parashtruar pyetje përmes këngës se kënd do ta marri ngrykë ajo, në vend të tyre?!

Pa dyshim, se këngët me tematika të këtilla krijojnë nostalgji dhe vaje të mëdha tek të gjitha gratë dhe mysafiret e pranishme në Kanagjegj . Atmosfera bëhet edhe më e rëndë, në rastet kur vajza thirret për të qarë për nënën e vdekur , të cilën nuk e ka për ta marrë ngrykë dhe në vend të saj nuk di se kënd ta merr ngrykë , nga se mallin e nënës nuk mund t’ia shuaj askush tjetër në këtë botë :

 

KAJË FATIME N’ HYLAJLLYK

 

Kajë Fatime, n’hylajllyk,

N’ven t’Xhemilës, ka e merr ngryk?

 

Merr Sabrijen e loçkoe,

Mirë e mirë me lot vajtoe!

 

Kajë Fatime, me krye n’votër,

Dil po t’thrret vllau n’at kodër!

 

Hajde, oj motër, me m’nimue,

Ngjiti kijet  me livrue!

 

Hajt, more vlla, çka je tuj m’thanë,

Nihma e jeme, ty, t’ka lanë!

 

Kajë Fatime, me krye n’prezore,

Se po t’nien nana, nër vorre!

 

Kajë, moj motër, n’at jelek,

Mallin e nanës, sun pe hjek!

 

Pas këtij vaji e mallëngjimi tepër të madh, prapë radhën do ta ketë kënga satirike përmes të cilës sërish do të thumbohet karakteri dhe vlera e familjes së burrit për të cilin vajza do të shkojë nuse :

 

KAJË HAZBIJE, KAJË SE SHKOVE

 

Ani, kajë Hazbije, kajë se shkove,

Ani, t’ka pasë baba, zojë Gjakove.

 

Ani, zojë Gjakove, zojë Gillani,

Ani, tash po t’çon te serbijani.

 

Ani, serbijani pak ma i zi-e,

N’Natë t’Bajramit, pret ni thi-e!

 

N’Ditë t’Bajramit, pin raki-e!

Ani, janë qyqana e kallajxhi-e!

 

Ani, s’kan verig, as s’kan kusi-e,

Ani, nuk kan maxhe, as s’kan tepsi-e!

 

Ani, n’ven t’kusisë, e vnojnë ni vorbë,

Ani, n’ven t’verigut e vnojnë ni tojë!

 

Ani, me çue nalt, nuk po vlon vorba,

Ani, me ungjë poshtë, ju soset toja!

 

Ani, kajë e kajë, ti,hiç pa pra,

Ani, se ti çikë nuk bahesh ma!

 

Ani, kajë Hazbije, kajë e kup,

Ani, po t’çojmë nuse nër magjup!

 

Edhe kjo këngë në vazhdim trajton mallin dhe mungesën e personave të cilët mungojnë në dasmën e përcjelljes së vajzës për shkaqe të ndryshme, ose për shkaqe të vdekjes :

 

KAJË HAZBIJE N’ HYLAJLLIK

 

Ani, kajë Hazbije, n’hilajllyk-o,

Ani, për n’ven t’hallës, ka e merr ngryk-o?

 

Ani, do ta marr-o, tezën, ta loçkoj-o,

Se mallin e hallës, ani s’mun pe shkoj-o!

 

Ani, kajë Hazbije, ani, n’bylyzyk-o,

Ani, n’ven t’Sylbijes, ani, ka e merr ngryk-o?

 

-Do ta marr Zelihen, ani, ta loçkoj-o,

Mallin e Sylbijes, ani, s’mun pe shkoj-o!

 

Kënga në vijim, trajton mallin e vajzës që shkon nuse për mixhën e vet, të cilin nuk e ka të pranishëm për ta përcjellur dhe për ta marrë ngrykë, nga se ai kishte migruar që moti në shkretëtirat e Anadollit :

 

KAJË HAZBIJE , FLOKËT FIJE -FIJE

 

Kajë Hazbijo, flokët fije-fije;

Ani, cillin mall, oj, motër, ti ma kije?

 

-Ani, malli i jem, oj, motër, malum-mal;

S’e kam loçko-mixhën, ani, ngryk me e marrë!

 

Ani, do ta marr-o, hallën, ta loçkoj-o,

Se mallin e mixhës, ani, s’mun po e shkoj-o!

 

Në vazhdim, do të shohim se për kënd do ta marri malli më së shumti motrën e cila do të shkojë nuse dhe për çka brengoset ajo, kur do t’ia kthej shpinën vëllait të saj, nga se nuk do të ketë se kush t’ia çojë bukën te livadhi, te ara dhe mbi të gjitha , nuk do të ketë më se kush t’ia shtrojë as sofrën e bukës :

 

KAJË  MOJ ÇIKË – KAJË PËR BARI

 

Kajë, moj çikë – kajë për bari,

Për ka t’merr ma s’forti malli?

 

-Për vllaun tem qi asht ma i madhi,

Kush mi çon bukë te livadhi?!

 

-Për vllaun tem, qi asht pa lara,

Kush m’ia çon bukën te ara?!

 

-Për vllaun tem, qi met pa motër,

Kush m’ia shtron bukën në sofër?!

 

Jo rrallë , në këngët e Kangjegjit, pos vajtimeve, do të këndohen edhe këngë mallkimi ndaj familjarëve të dhëndrit dhe vetë dhëndrit , për të shprehur mllefin për faktin që ata po ua marrin motrën, bijen, shoqën më të dashur:

 

KAJË MOJ ÇIKË E ÇOJE PUSHKË

 

Kajë moj çikë e çoje pushkë,

Sod ni javë ti metsh vejushkë!

 

Kajë moj çikë me lotë si gurrë,

Sod ni javë ti metsh pa burrë!

 

Kajë moj çikë me dy shamija,

Sod tri ditë t’dekshin vjehrrija!

 

Kur t’vjen baba me t’marrë n’t’parnë –

Ta bjen kerrin për me t’marrë!

 

Edhe kënga në vijim ka karakter mallkues dhe nënçmues ndaj dhëndrit që po ua merr motrën . Shpeshherë këngëtoret përmes këngës e thërrasin motrën e tyre e cila po shkon nuse , që të ulet dhe të qajë për jetën (“zhivotën”) e saj aq të lumtur që e ka kaluar gjatë viteve të vajzërisë në gjirin e dashur familjarë :

 

KAJË MOJ ÇIKË E KPUTE TRANIN

 

Kajë, moj çikë,e kpute tranin,

Nuk je kan për Fadil – qyqanin!

 

Kajë, moj çikë, e ule tokën,

Ungju n’shkam e vajtoe zhivotën!

 

Oj zhivotë, e mjera çikni,

Shumë sevdanë e kam pasë në ty!

 

Kajë moj çikë, në dy shamija,

T’kishin dekë të dy vjehrrija!

 

A e din motër, kur shkojshumë n’mledhije –

Llaf e gaz, nuk mujshumë me u ngi-e?!

 

Kënga vijuese , na i përkujton momentet e fundit të vajit dhe qëndresës së vajzës që shkon nuse në gjirin e saj familjarë . Në këto momente të ndarjes së vajzës nga shtëpia, familja dhe vendlindja e saj, këngëtoret përmes këngës do t’ia përkujtojnë vajzës që të mos del nga shtëpia pa ua kërkuar hallallin dhe pa u përshëndetë me nënën, babën, motrat dhe vëllezërit e saj :

 

KAJË MOJ ÇIKË E SHKUNE MALLIN

 

Kajë moj çikë, e shkune mallin,

A ja ke marrë nanës, hallallin?

 

Kajë, moj çikë, përskej tarabës –

A ja ke marrë hallallin, babës?

 

Kajë, moj çikë, te pragu i votrës –

A ja ke marrë hallallin, motrës?

 

Kajë, moj çikë, te dera e ahrit –

A ja ke marrë hallallin, vllavit?

 

Kajë moj çikë, në dimi t’bardha –

Kush ju del shoqeve  përpara?

 

Këngëtoret në Kangjegjin e vajzës që do të shkojë nuse , do të kujdesen që në momentet kulmore të vajit dhe pikëllimit , ta ndërrojnë atmosferën me ndonjë këngë satirike, ku në shënjestër do të jenë gjithmonë familjarët e burrit të saj (dhëndrit) dhe kritika se përse vajza po e lenë nënën e saj për një burrë :

 

KAJË MOJ ÇIKË FLOKËT BISTEKË

 

Kajë, moj çikë, flokët bistekë –

Dy vjehrrija t’paskan dekë!

 

Kajë, moj çikë, lotët gurrë-gurrë –

Qysh e le nanën, për burrë?!

 

Pas satirës , sërish do t’iu kthen kujtimeve dhe përjetimeve të vajzërisë me anë të këngës , ku do t’ia përkujtojnë momentet më të gëzuara dhe më të hareshme gjatë festave të Shën Gjergjit dhe atyre të Bajramit :

 

DITËN E SHIN GJERGJIT

 

Ditën e Shin Gjergjit, ti mos dil me kajtë,

Na për hatër tanin – s’dalum me u luhatë!

 

Ditën e Bajramit, mos dil me bërtitë,

Na për hatër tanin – s’dalum me u shetitë!

 

Gjatë këndimit të këngëve të Kanagjegjit, vajzat këngëtore vështirë se do ta harrojnë ndonjë moment, apo incert të jetës pa ia përkujtua vajzës përmes vargjeve të këngës . Ja një shembull , ku ato do t’ia përkujtojnë shoqës së tyre shaminë e vajzërisë, të cilën e ka bartur mbi kokë dhe tani nuk do ta bartë më :

 

KAJË OJ MOTËR FLOKËT RRAFE – RRAFE

 

Kajë, oj motër, flokët rrafe-rrafe,

A tu dhimt’ peshqiri bojëkafe?!

 

-Mue mu dhimt’ vallahi, boll,

Po ma hiqen shoqet me zor!

 

Si ma hiqen, s’ju ra mirë –

Vinë me nejtë – s’kan qysh me thirrë!

 

Në momentet kur do të afrohet koha e ardhjes së krushqëve për ta marrë vajzën (motrën) për nuse , vajzat këngëtore do t’ia përkujtojnë këto momente edhe përmes këngës, duke ia bërë me dije se po e pret flamuri dhe dasmorët në kodër.  Këto momente të ndarjes së vajzës nga nëna, baba, vëllezërit , motrat, të afërmet , kushërirat... janë ndër momentet më të vështira dhe më të pikllueshme .

Këtu lihen edhe amanete të ndryshme , siç është amaneti për ruajtjen e vendit ku ka qëndruar vajza, amanetin për motrën tjetër që të kujdeset për pritjen e të vëllait, kujdesin për lulet e kopshtit ...etj.

 

 

KAJË OJ MOTËR LOTIN GOGËL

 

Kajë, moj motër, lotin gogël,

Se pot’pret bajraku n’kodër!

 

Le të pret e le t’pëlset,

S’mun po ndahet prej nanës s’vet!

 

Kajë, moj motër, n’shami t’bardhë,

Çka po u len shoqeve për mallë?

 

-Po ja u la ka ni gisht kanë,

Venin tem thatë mos me ma lanë!

 

Kajë, moj motër, n’dimi t’bardha,

Kush t’i del vllaut përpara?

 

Leja motrës, amanet –

Le ta përcjellin, qysh e ke përcjellë vet!

 

Po vinë lulat ty u vjetrue,

Po vjen t’parni ty u rrallue,

 

Vinë vllaznija tuj t’harrue,

Vjen pleqnija tuj t’shkatrrue!

 

Kënga vijuese , paraqet momentet e para te të bërit me vaj të vajzës, apo të qitjes së shamisë, ku përmes këngës ia bëjnë me dije vajzës se përse i janë mbledhë gjithë ato shoqe, nuse, çika, gra, bija... nga se atë do ta përcjellin nuse tek burri i saj .

Përmes kësaj kënge , gjithashtu i bëhet me dije vajzës se që nga dita e sotme e kanë lënë lojërat, argëtimet , shërbimet ndaj babës, ndihmat ndaj nënës , rrugët për mysafirllëqe tek tezja, tek dajallarët, si dhe lojërat e veçanta me shoqet e saj :

 

KAJË MOJ ÇIKË  N’ SHAMI T’VERDHË

 

Kajë moj çikë, në shami t’verdhë,

Tana shoqet tu kan mledhë!

 

Tu kan mledhë, tu kan tubue,

Ty, te burri po donë me t’çue!

 

Kajë moj çikë, në derë t’hamarit,

Ty, t’ka lanë loja e Bajramit!

 

Kajë moj çikë, për rreth akshami,

Po t’thirrë baba, te takami!

 

Kah moj çikë, kah jacija,

Po t’thirrë nana, me pjekë flija!

 

Kajë moj çikë, dimitë e bardha,

Tu ndalue rruga te daja!

 

Kajë moj çikë, dimitë e zeza,

Tu ndalue rruga te tezja!

 

Kajë moj çikë, dimitë me pika,

Tu ndalue loja me çika!

 

Përmes vargjeve të këngës vijuese , këngëtoret do ta këshillojnë motrën e tyre e cila do të shkojë nuse , që të mos mërzitet për familjen e saj, nga se shpesh do t’i  çojnë  vëllezërit e saj për ta marrë në të parnë :

 

KAJË MOJ ÇIKË E KAJË ME MALLË

 

Kajë moj çikë e kajë me mallë,

Çojna Bacin, ty me t’marrë!

 

Bacit t’madh nuk i ka hije,

Çojna t’dytin n’ven zotnije!

 

Bacin e dytë e ngucë kolli,

Çojna t’tretin n’ven sokoli!

 

Vajzat këngëtore , do ta nxisin vajzën që do të shkojë nuse që të qajnë aq shumë, sa ta këpus kollanin rreth trupi të saj , duke qarë për jetën (“zhivotën”) dhe sefanë  e saj të vajzërisë e cila nuk do t’i kthehet më kurrë në jetë :

 

KAJË MOJ ÇIKË KPUTE KONOPIN

 

Kajë, moj çikë, e kpute konopin,

Ungju n’shkam e kaje zhivotin!

 

Oj, zhovotë, e zeza çikni,

Shumë sefajen e kam pasë në ty!

 

Radhën sërish e ka një këngë satirike, por kësaj radhe në thumb të kritikës do të vihet vajza e cila do të shkojë nuse, për “mashtrimet” e saj që t’i skuqi duart e bardha me kanë dhe lënien e nënës për një burrë!

Por , vajza do të arsyetohet me argumentet se është e lodhur me vite të tëra duke e punuar çejzin e saj dhe duke i pritur familjarët e burrit të saj, të cilët në vazhdimësi i kanë sjellë para për t’u çejzuar dhe më nuk mund t’i duronte ardhjet e tyre me numër të madh në familjen e saj :

 

KAJË MOJ ÇIKË LOTËT SI ARRA

 

Kajë, moj çikë, lotët si arra,

Qysh na i kuqe duert e bardha?!

 

-Unë i kuqa se s’pata çare,

Vjet për vjet um prujshin pare!

 

Kajë,moj çikë, lotët gurë-gurë,

Qysh e le nanën, për burrë?!

 

-Unë e lash se s’pata çare,

Vjet për vjet um prujshin pare!

 

-M’prujshin pare vejt për vjet,

Herë ka dhetë, herë ka nizet!

 

Përmes këngës, vajzat këngëtore do të mundohen që ta mëshirojnë vajzën e cila do të shkojë nuse, që të heq dorë nga shkuarja nuse dhe t’i lutet nënës që së pakut edhe një natë të mos ia qesin kanën !

Pastaj do t’ia përkujtojnë lulet e kopshtit për të cilat më nuk do të ketë se kush të përkujdeset , për ta kthyer këngën në satirë ndaj babës, të cilin e etiketojnë se gjoja po e përzenë vajzën e vet nga shtëpia !Vajza që është bërë me vajë, këndohet se e mashtruar se gjoja , ajo po kujton se po shkon tek dajët dhe nuk po e di se çfarë do ta gjejë! Pasi i tregojnë të gjitha faktet e vërteta se çfarë do të ndodhë me te dhe ku është duke shkuar, prapë e kthejnë këngën në pikëllim të thellë, duke e pyetur vajzën se kënd do ta merr ngrykë në vend të nënës e cila i ka vdekur dhe tani ajo do ta dëgjojë vajin e vajzës së vet vetëm nga varri i zi:

KAJË MOJ ÇIKË – LUTE NANËN

 

Kajë moj çikë, lute, lute nanën –

Edhe sonte mos ma ngjitni kanën!

 

Kajë moj çikë, në prag të derës,

Kujna ja le, lulat e verës?

 

-Ja lash motrës, amanet –

Me i kqyrë mirë, si kur jam kan vet!

 

Kajë moj çikë, lotër si gruni,

Çka pat baba, qi t’përzuni?

 

-Um përzuni, se ju pata mërzitë,

Bajram-um-Bajram, um kan lypë!

 

Po kan çika e s’po don me kajtë -

Po kujton e mjera, qi po shkon te dajtë!

 

Nuk po shkon te dajtë, për me lue,

Po, po shkon te burri, me punue!

 

Kajë moj çikë, në shami t’bardhë,

Udha e dajëve tu ka ndalë!

 

Tu ka ndalë,tu ka shkurtue,

Nuk t’len burri, për me shkue!

 

Kajë moj çikë, me krye n’prezore –

Nashta t’nien nana nër vorre!

 

Për t’ia larguar pakëz mendjen dhe mallin për nënën e vdekur, tani vajzës që do të shkojë nuse , do t’ia këndojnë burrin me vargje shumë satirike me të cilat do t’i përqeshin me figurat më të çuditshme me qëllim që t’ia qesin paksa vetin prej hujit:

 

KAJË MOJ ÇIKË ME LARI

 

Kajë, moj çikë me lari,

Burrin tan, ta njoh, ta di!

 

I ka çelet, tej mi sy,

I ka gushat, sa ni kusi!

 

Çka ban çeli, kur t’dalin vera?

-I kruen çelet, nëpër therra!

 

Çka ban çeli, kur t’bjen shi?

-I kruen çelet me kashagi!

 

Çka ban çeli, kur t’bjen borë?

-Nisë e i kruen çelet me dorë!

 

Po i kruen çelet e po i çet copë,

Po i shkon gjaku teri n’tokë!

 

Satira do të vazhdojë edhe ndaj babait të vajzës, i cili përshkruhet si njeri koprrac , i cili nuk ka dashur që t’ia blejë vajzës së vet një xhemper për festën e Bajramit dhe nga ky motiv , ai do ta “përzë” vajzën e vet nga shtëpia :

 

KAJË MOJ ÇIKË ME LOT SI GRUNI

 

Kajë, moj çikë, me lot si gruni –

Çka pat baba, qi t’përzuni?

 

-Ai, m’përzuni,se ju mërzita,

Ni xhamper, për Bajram, unë ja lypa!

 

Këngët satirike , do të vazhdojnë me përqeshjen e vendit dhe familjes së burrit, ku do të shkojë vajza për nuse, duke ia përqeshur edhe shtëpinë të cilën ia përshkruajnë si një shpellë , në të cilën bashkëjetojnë edhe pulat, delet, qengjat dhe sorrat :

 

KAJË MOJ ÇIKË ME LOT SI KRUE

 

Kajë, moj çikë, me lot si krue,

E mjera ti, ku kije me shkue!

 

E mjera ti, ku kije me rrnue,

Tu ni mal e tu ni prrue!

 

N’do jazbina tuj timue,

Pikin lenat tuj gatue!

 

Glacojnë sorrat tuj flutrue,

Pshurren kingjat tuj blegrue!

 

Vajzat këngëtore të Kanagjegjit , do ta shprehin mllefin për ndarjen e shoqës , apo motrës së tyre vetëm përmes këngëve satirike, ku në radhë do të jetë thumbimi i karakterit të dhëndrit (burrit të motrës), i cili përshkruhet si çoban e pelave dhe  rojtar i pulave për të cilat nuk është i aftë që t’i ruaj pa ia grabitur kaçubeti :

 

KAJË MOJ ÇIKË NË DIMI T’VERDHA

 

Kajë moj çikë, në dimi t’verdha,

Burri yt, po shkojke me pela!

 

Kajë moj çikë, n’shami me lula,

Burri yt, po shkojke me pula!

 

Po shkojke me pula,

S’mun po i ruejke i shkreti,

Krejt me ren nër çuba –

Ja hangke kaçubeti!

 

Pas humorit dhe satirës, sërish do t’iu kthehen motiveve të vajtimit dhe pikëllimit, duke ia kujtuar vajzës lulet e kopshtit të cilat do të thahen pa përkujdesjen e saj, duke ia përkujtuar vendlindjen të cilën po e le të vetmuar pa vajzën e cila dikur e hijeshonte me pshellakun e zi dhe shamijen që e mbante të lidhur nën fyt :

 

KAJË MOJ ÇIKË NË PRAG TË DERËS

 

Kajë, moj çikë, në prag të derës,

Kujna po ja len lulat e verës?

 

Lulat po ja la, unë, motrës amanet –

Me mi kqyrë ma mirë se vet!

 

Kajë, moj çikë, në trapazan,

A po t’dhimet ky vatan?

 

Ky vatan,vatani yt,

N’pshellak t’zi,shaminë nër fyt!

 

Me at’ ditë qi tu qitë shamija –

T’la lezeti e t’la çiknija!

 

Kënga vijuese e përshkruan momentin e të bërit me vaj të vajzës e cila do të shkojë nuse, e cila nuk po i pret shoqet e veta si që i priste përpara e buzëqeshur dhe e gëzuar, por sot po i pret me vaj e me poterë :

 

KAJË MOJ ÇIKË N’SHAMI T’VERDHË

 

Kajë, moj çikë, në shami t’verdhë,

Tana shoqet t’u kan mledhë.

 

Pse s’po u flet si ktyne herë –

Po u del para me poterë?!

 

Kajë, moj çikë, kajë me za –

Se pej nanës, po dojnë me t’da!

 

Kajë, moj çikë, o hiq pa pra,

Si te nana, nuk knaqesh ma!

 

Vajzat që këndojnë për Kangjegj të vajzës e cila do të shkojë nuse, sikur angazhohen me tërë fuqinë e tyre krijuese dhe imagjinatave, që përmes këngëve të tyre ta detyrojnë vajzën që të qajë sa më shumë, madje edhe të gjitha gratë, nuset, bijat dhe çikat që i përcjellin ato këngë gjatë Kanagjegjit. Ato në vazhdimësi do t’ia përkujtojnë luhaçat dhe lojërat e Shën Gjergjit, ndarjen nga shoqet e saj për një burrë dhe lakmia për të shkuar në derë të huaj, prej ku do t’i bartë mallë që të gjithë familjen , shoqet dhe farefisin :

 

KAJË MOJ ÇIKË, PËRMALLOJE KAÇËN

 

Kajë, moj çikë, e përmalloje kaçën;

Për Shin Gjergj – kush na e vnon luhaçën?!

 

Po ja la luhaçën, motrës, amanet –

Le ta vnojnë, e t’knaqet, si e kam msue vet!

 

Kajë, moj çikë, e përmalloje gurin;

Qysh na le - e more burrin!

 

Kajë, moj çikë, me lotë si ujë;

Çka i lakmove derës s’hujë?!

 

Dera e hujë asht shumë e ranë;

Mallë i kie babë e nanë!

 

Në vazhdim, vajzat këngëtore , do t’ia vajtojnë motrës së tyre që po shkon nuse: lulet e verës, arat ku ka herrë e punuar me vite të tëra, rrobat e çinisë të cilat po i len shkret në tavan të shtëpisë me të cilat do ta shuajnë mallin vëllezërit e saj, sa herë që t’i shohin :

 

KAJË MOJ ÇIKË, LULA E FLETËS

 

Kajë, moj çikë, lula e fletës,

Kujt ja le lulat e verës?

 

Ja lash motrës, amanet –

Me m’i ruejt ma mirë se vet!

 

Kajë, moj çikë, në shami t’verdhë,

Po t’kajnë arat, kah i ke herrë!

 

Kajë, moj çikë, n’hajat të shpisë,

Ku i le teshat e çiknisë?

 

Unë i lash në tavan t’shpisë,

Veç për mallë të krejt vllaznisë!

 

N’tavan t’shpisë, unë i kam qitë,

Le t’bjen n’menë, nanë, qysh m’ke rritë!

 

Ja lash motrës, mori nanë,

Shumë u ba marak me m’përzanë!

 

Përmes këngëve të Kanagjegjit, vajzës që do të shkojë nuse , do t’ia vajtojnë edhe shoqet nga të cilat po ndahet, ndarjen nga nëna, do t’ia vajtonë edhe duart e bardha të cilat tani i ngjyrosi me kanë deri edhe tek thonjtë e duarve :

 

KAJË MOJ ÇIKË, MOJ KALLAMOQE

 

Kajë, moj çikë, moj kallamoqe,

Kush po t’dhimet ndër kto shoqe?

 

U kput rrushi pej rrajës s’vet –

U nda çika pej nanës s’vet!

 

U kput rrushi pej hardhisë –

U nda çika, pej çiknisë!

 

Kajë, moj çikë, se u bane nuse –

Duert e bardha, t’i bajmë t’kuqe!

 

Kajë, moj çikë, se u bane bi –

Thojt e bardhë, t’i bajnë të zi!

 

Nga vajtimi , sërish do të kalojnë në këngët satirike, në mënyrë që sado pak ta balancojnë vajin me pjesë humoristike , ku kësaj radhe do t’ia përqeshin vajzës që do të shkojë nuse – vjehrrinë për të cilët edhe e porosisin që të mos i dëgjojë, as respektojë, nga se sipas tyre , ata nuk e meritojnë respektin për faktin se ua kanë marrë shoqen – motrën e tyre për nuse :

 

KAJË MOJ ÇIKË, MOJ MOLLË E FTUE

 

Kajë, moj çikë, moj mollë e ftue –

Mjera ti, nanë, kujt i thue!

 

Mos i theuj ti,vjehrrës-nanë,

Po thuej - breshkë me katër kamë!

 

Kajë, moj çikë, moj mollë e ftue –

Mjera ti, babë, kujt i thue!

 

Mos i thuej ti, vjehrrit – babë,

Po thuej - qen me katër kamë!

 

Kur t’thotë vjehrra – mjeli loptë!

Kap gërrshantë e preja floktë!

 

Kur t’thotë vjehrra – fshije sobën!

Kap gjylpanën e kepja gojën!

 

Kur t’thotë vjehrra –fli me qitë!

Kap lagraçën e theja britë!

 

Kur t’thotë vjehrri – ama ni gacë!

Theja kryet me lagraçë!

 

Kur t’thotë vjehrri – piçma ni kafe!

Vloje xhezën, qitja  n’lug qafe!

 

Kur t’thotë vjehrri me ja la duert –

Rrasja mirë me ni tërfurk!

 

Kur t’thotë vjehrri me ja la kamtë –

Rrok legenin e theja dhamtë!

 

Vargje satirike i këndohen nganjëherë edhe vajzës e cila do të shkojë nuse, se gjoja atë e kanë mashtrua rrobat e reja dhe dimijat me lule. Por, megjithatë, motrat , shoqet dhe dashamirët (dashmorët) do ta mbajnë përgjithmonë në zemër  dhe nuk do ta harrojnë kurrë:

 

KAJË MOJ MOTËR E NIEJU TE URA

 

Kajë, moj motër, e nieju te ura –

T’kan mashtrue dimijat me lula!

 

Kajë, moj motër, nieju n’xhade t’madhe –

T’kan mashtrue dimitë “Dreniçare”!

 

Kajë, moj motër, e nieju n’oborr –

Se t’kem n’zemër, shumë dashmorë!

 

Dashmorë jem, e dashmorë t’kena;

Mas dy dite, ma nuk jena!

 

Një këngë karakteristike humoristiko – satirike të cilën e kemi hasur tek këngët e Kanagjegjit , është ajo që trajton një temë shumë interesante përmes të cilës lavdërohen djemtë fshatarë (katundarë) dhe përqeshën djemtë qytetarë(sheherli) :

 

KAJË MOJ MOTËR N’SHAMI T’BARDHË

 

Kajë, moj motër, n’shami t’bardhë,

A don sheherli, a don katundarë?

 

-S’e due sheherlinë, çehren si xhenaze;

E due katundarin, si limani taze!

 

S’e due sheherlinë- çehren si magjupi;

E due katundarin - gushën sikur pllumbi!

 

E due katundarin, qi rrin n’kafehane,

Krejt ja kan inati se asht pa behane!

 

N’kafehane rrin - rakinë nuk e pin,

As s’e luen kumorin, e as nuk e din!

 

Në momentet kur fillon vënia e kanës mbi pjesët e trupit të vajzës e cila do të shkojë nuse , nga mllefi , vajzat këngëtore do satirizojnë vjehrrin e motrës – shoqës së tyre, duke e përshkruar atë si njeri koprrac dhe varfanjak , i cili nuk iu ka sjellë kanë me sasi të mjaftueshme :

 

O AHMET TY  TU KALLTË SHPIJA

 

O, Ahmet, ty,tu kalltë shpija –

S’na ke pru kan, sa për bija!

 

O, Ahemet, shpisë t’i daltë flaka –

S’na ke pru kan, sa për plaka!

 

Ni grusht kan – ni kalanicë,

Me i lye bebat n’prapanicë!

 

Para se të fillojë ceremonia e ngjitjes së kanës, vajzat këngëtore do t’ia përkujtojnë vajzës që do të shkojë nuse , momente kur i ndihmonte nënës për t’i larë enët dhe për t’i shërbyer mysafirët. Për këtë, ato do ta lusin vajzën që të qajë me zë deri sa ta shuaj edhe llampën e vajgurit me të cilën ndriçohej dhoma ku po zhvillohej ceremonia :

 

KAJË OJ ÇIKË KAH AKSHAMI

 

Kajë, oj çikë, kah akshami –

Po t’thrret nana, te takami!

 

-Kuku nanë, duert me kanë,

Krejt ymyti i jem ty t’ka lanë!

 

Kajë moj çikë e shyme llamën –

U ardhë vakti me ngjitë kanën!

 

Bjeri nanës, nër aman –

Mos t’i zhytin, gishtat me kanë!

 

Tani përmes këngës satirike, do t’i thumbohen kunatat e motrës e cila do të shkojë nuse, për ta hutuar atë, se gjoja ia paskan vdekur kunatat:

 

KAJË OJ ÇIKË NË DY ÇERAPA

 

Kajë, oj çikë, në dy çerapa –

T’kishin dekë nja dy kunata!

 

Për kunata, mos majë zi,

Qit xhamperin mi dimi!

 

Prapë , përmes satirës do t’i përqeshet vendi ku do të shkojë nuse motra – shoqja e tyre:

 

KAJË OJ ÇIKË MOS KAJË PËR MUE

 

Kajë, oj çikë, mos kajë për mue,

Kaje venin, ku ki me shkue!

 

Te ni mal e te ni përrue,

T’trishtojnë ujqit tuj lurue!

 

Prej humorit dhe satirës, sërish do t’i rikthehen vajtimit, por kësaj radhe do t’ia vajtojnë motrës – shoqës, dajën të cilin nuk pati fat që të përshëndetet me te dhe ta marri ngrykë, para se të shkojë nuse :

 

KAJË OJ MOTËR – FLOKT FIJE FIJE

 

Kajë, oj motër, flokt fije-fije,

Cillin mallë, motër, ma kije?

 

-Malli i jem, sa ni livadh –

Dajën tem, ngryk s’un pe marr!

 

Motivet e vajtimit në këngët e Kanagjegjit, janë aq të shumta sa nganjëherë janë edhe të tepruara. Merrni me mendë kur vajtohet edhe për luhaçat të cilat vajza që shkon nuse po i len dhe në vend të saj, do të luhaten vajzat tjera të cilat për mallë të saj, do të këndojnë këngë:

 

KAJË MALIQE PËRMALLOJE KAÇEN

 

Kajë Maliqe – përmalloje kaçën,

Si po shkon – ku pe len hulaçën?

 

Na hulaçën, kur ta vnojna –

Renin tan, nuk e harrojna !

 

N’ren tan, ungjum e pushojna,

Për mallë tanë, ni kangë e knojna!

 

Kënga vijuese shënon një motiv shumë prekës, nga se trajton një vëlla të vogël,  i cili është hutuar nga këto vaje dhe nga këto këngë e që nuk po e di se motra e tij po i bëhet nuse, por ai mendon se ajo ose po përgatitet për të shkuar mysafire tek dajët , ose po përgatitet për të shkuar në shkollë:

 

KAJË OJ MOTËR N’QAT KOSTIM

 

Kajë, oj motër, n’qat kostim,

Ti, po shkon e vllavi yt s’pe din!

 

Kur po t’sheh, vllavi, ty kajtë –

Po kujton qi po shkon te dajtë!

 

Kajë, oj motër, n’shami t’hollë –

Kujton vllavi qi po shkon n’shkollë!

 

Kajë, oj motër, n’dimi basëm –

Kujton vllavi qi po shkon n’darsëm!

 

Në rastet kur vajzat këngëtore do ta shohin se motra e cila po shkon nuse , është kapluar me të madhe nga mërzija e nostalgjia, ato do të mundohen që ta qetësojnë duke i dhënë gajret dhe duke i premtuar se vëllezërit e saj do t’i shkojnë shumë shpesh në vizita dhe do ta marrin në të parnë :

 

KAJË OJ MOTËR,MOS U MËRZIT

 

Kajë, oj motër, mos u mërzit;

T’vinë vllaznija dit’ për dit’!

 

Njani n’derë, tjetri n’kapixhik;

Dil, oj motër, e merri ngryk!

 

Këngët këshillimore dhe satirike nuk do të pushojnë në llogari të vajzës e cila është bërë me vaj për të shkuar nuse . Ajo do të këshillohet që të qajë e të mos prajë, nga se kurrë më nuk do të përjetojë lezete, sefa e kënaqësi sikur në gjirin e dashur familjarë dhe në mesin e shoqeve ku është rritur. Po ashtu, ato përmes këngës ia bëjnë me dije vajzës që do të shkojë nuse , që të mos mashtrohet se do të shkojë tek dajët si mysafire , por do të shkojë tek burri ku do të jetoj deri në fund të jetës së saj :

 

KAJË XHEMILE HIQ PA PRA

 

Kajë Xhemile, hiq pa pra,

Si je sod, nuk bahesh ma!

 

Kajë, oj motër, pej marifeti,

Me ditë t’ sodit t’ ka lanë lezeti!

 

Ti, n’dash kajë, oj motër, n’dash mos kajë;

Qi asht mirë – mos majë uzdajë!

 

Po priton Xhemilja, me ja nisë me kajtë;

Po kujton e mjera, qi po shkon te dajtë!

 

Nuk po shkon te dajtë, për tri net’;

Po, po shkon te burri, sod e nimi vjet!

 

Edhe përmes këngës vijuese , vajza që do të shkojë nuse do të këshillohet që të mos mërziet për shoqet e veta dhe për nënën, nga se për te do të kujdesen vëllezërit e saj, të cilët do të shkojnë për ta marrë në të parnë herë me motoçikletë e herë me veturë (dramë):

 

KUR T’ MËRZITESH MORI MOTËR

 

Kur t’mërzitesh, mori motër,

T’merr malli për shoqe –

Hin e lidhi, mori motër,

Tana teshat boshçe!

 

Lidhi teshat, mori motër,

Edhe dil n’oborr,

E çojmë vllavin, mori motër,

E t’merr me matorr!

 

Kur t’mërzitesh, mori motër,

T’merr malli për nanë –

E çojmë vllavin, mori motër,

Edhe t’merr me dramë!

 

Këngët satirike me të cilat përqeshet dhe përulet dinjiteti i familjes ku do të shkojë nuse motra – shoqja e këngëtoreve të Kanagjegjit, nuk kanë të ndalur. Ato përmes figurave dhe krahasimeve më të çoroditura , ia përshkruajnë vendin, shtëpinë, gjendjen e varfër ekonomike , si dhe bashkëjetesën me kafshët shtëpiake brenda një dhome, që vende – vende dikur kjo dukuri ishte edhe realitet:

 

MJERA TI E MJERA,OJ ÇIKË

 

Mjera ti, e mjera, oj çikë,

Ku kije me shkue –

Te ni mal e te ni përrue,

T’pikin lenat, motër, tuj gatue!

 

T’pikin sorrat, tuj glacue,

T’lodhin pelat tuj baglue!...

Merri, oj motër, e qiti n’tepsi –

E maroja vjehrrit ni tatli!

 

Pas satirës së mprehtë figurative , tani këngëtoret do ta thërrasin vajzën e bërë me vaj, që të qajë për nënën të cilës po ia kthen shpinën dhe po e le të vetmuar, të cilës më nuk ka se kush t’i ndihmojë që të pjek flija e as kush ta shoqërojë për të biseduar me te:

 

KAJË OJ MOTËR KAH IÇINDIJA

 

Kajë, oj motër, kah içindija,

Po t’thirrë nana, me pjekë flija!

 

Nuk po t’thirri me m’nimue,

Po po t’thirri me nejtë me mue!

 

Me të njëjtat porosi, do t’i kërkojnë që të qajë për nënën, të cilës nuk ka ma se kush t’i ndihmojë për të larë rroba (petka), të qajë për babën , të cilit më nuk ka kush t’ia bëjë hyzmetin dhe t’ia pjek kafen :

 

KAJË OJ MOTËR, KAJË KAH DREKA

 

Kajë, oj motër, kajë kah dreka –

Po t’thirrë nana, me la petka!

 

Kajë, oj motër, kah akshami,

Po t’thirrë baba, te takami!

 

Kur t’i pa duert me kan –

Hyzmeti yt, bi, m’paska lanë!

 

Në momentet kur dikush nga vëllezërit e vajzës e cila është bërë me vaj dhe po përgatitej të shkonte nuse , dëshiron që të takohet me motrën e vet për t’u përshëndetur me te , vajzat këngëtore përmes vargjeve të këngës do ta thërrasin motrën e përvajshme që të del deri në derë dhe të takohet me të vëllain :

 

KAJË OJ MOTËR N ‘ SHAMI T’ VERDHË

 

Kajë, oj motër,  n’ shami t’verdhë,

Dil, po t’thirrë vllavi në derë!

 

Kajë, oj motër, e mos mejë,

Kajë me lotë e mos na rrejë!

 

Si t’na rrejsh ti – na të njohim,

Qit mindilin na ta shohim!

 

Rastet më të pikllueshme , më rrëqethëse dhe më vajtuese gjatë këngëve të Kanagjegjit të vajzës e cila do të shkojë nuse , do të krijohen në momentet kur vajzat këngëtore do t’ia përkujtojnë shoqes – motrës së vet, njerëzit e afërm të cilët nuk janë prezent në dasmën e saj, për arsyera të ndryshme si që janë sëmundjet, dergjat, vdekjet, kurbeti, ushtria e shumë raste të tjera .

Kënga në vijim , trajton mungesën e mixhës së vajzës e cila po shkon nuse. Mixha i vajzës së bërë me vaj, bashkë me të gjithë familjarët e tij, gjendet i migruar diku larg në Turqi dhe përkundër mallit e dëshirës shumë të madhe, ai dhe familjarët e tij nuk janë në mundësi që të vijnë dhe ta përcjellin mbesën e vet e cila do të shkojë nuse :

 

NA KA ÇUE MIXHA FJALË

 

Ani, na ka çue , loçko - mixha fjalë-o ,

Ani, thuej Hazbijes, hiç mos kaj-o!

 

Ani, fort për ty, malli m’ka marr-o,

Ani, pasha Zotin, s’muj’ me ardh-o!

 

Ani, jam n’Turki, e s’mujë me ardh-o,

Me i thanë mesës teme – Udha e mar-o!

 

Ani, na ka çue , loçko-halla, fjalë-o ,

Ani, thuej Hazbijes – mos t’um kajn-o!

 

Se jam shkue n’Turki, e s’mujë me ardh-o,

Me i thanë motrës teme – Udha e mar-o!

 

Ani, se n’Turki, moj motër, ne, na dogji  malli –

Ani, qysh  u  ndam, moj motër, ani, na për s’gjalli?!

 

Ani, me u nda njeri,oj motër, o, pej trojeve t’veta,

Ani, me u nda n’darsma, oj motër, ani, me nda n’deka!

 

Vaji , vajtimi dhe pikëllimi në Kangjegjin e vajzës, nuk kanë të ndalur. Për ta nxitur këtë vaj deri në qiell, këngëtoret nuk lënë anash pa i përmendur dhe kënduar motivet më të prekshme jetësore , si qç janë: nëna e vdekur e vajzës e cila nuk është prezente për përcjelljen e vajzës së saj për nuse, por që vajin e saj do ta dëgjojë nga varri! Baba i vetmuar dhe i hutuar nga mërzija në bashqe.Dajallarët e migruar në Turqi.Vëllai i cili është në kurbet në Gjermani dhe nuk është prezent në përcjelljen e motrës së tij për nuse ... Nga këto rrethana , nga vaji i vajzës do të thahet dushku dhe bari, nga se atë nuk do të ketë as kush të shkojë për ta marrë në të parnë :

 

PO KAN ÇIKA ME KRYE N’PREZORE

 

Po kan çika, me krye n’prezore –

A po e ndien nana, nër vorre?!

 

Po kan çika, me krye n’dritare –

A po e ndien baba, në bashqe?!

 

Po kan çika me krye n’avli –

A po e ndiejn dajtë në Turki?!

 

Po kan çika me lot n’shami –

A po e ndien vllau n’Gjermani?!

 

Po kan çika me shami t’bardhë –

Kush m’i thotë,tash:”Udha e mbarë?!”

 

Po kan çika – po thahet bari,

Kush do t’shkon me e marrë s’pari?!

 

Vetëdijesimi i vajzave për t’u shkolluar dhe për t’iu ikur martesave të hershme për të mos u dërmuar nga punët e rënda fizike, sa vjen e shtohet. Këtë ndjenjë, vajzat këngëtore do t’a shprehin edhe përmes këngës me të cilën ia përkujtojnë vajzës e cila do të shkojë nuse, se çka do ta pret pas martesës së hershme dhe se më mirë do të ishte sikur ajo të shkonte në shkollë, se sa të plaket para kohës nga punët e rënda të cilat do t’ia qesin edhe lëkurën në tokë:

PSE NUK SHKOVE N’SHKOLLË,OJ MOTËR

 

Pse nuk shkove n’shkollë, oj motër,

Ti me u shkollue?

Po shkove te burri, oj motër,

Shati me t’dërmue!

 

Ani, se te burri, oj motër,

Tybe, t’dërmon shati,

Ani, të bjen lkura, oj motër,

Edhe të bjen shtati!

 

Ani, për ni verë, oj motër,

Tuj herrë e tuj korrë;

Ani ki me u plakë, moj motër,

Ki me u ba si sorrë!

 

Sipas zakoneve dhe traditave në Malësinë e Gollakut, vajza që bëhet me vaj për të shkuar nuse, gjatë katër ditëve sa zgjatë dasma e vajit – vajza nuk ka të drejtë që të flas e bisedojë me askënd, pos vajit dhe marrjes ngrykë te të gjithë të parnishmëve .Kjo heshtje , do t’i iritojë tej mase shoqet dhe motrat e saj, të cilat nuk e kanë imagjinuar se do të vijë një ditë, kur nuk do të mundën të bisedojnë e komunikojnë me shoqen – motrën e tyre:

 

TANA SHOQET TU KAN MLEDHË

 

Kajë moj çikë, në shami t’verdhë,

Tana shoqet tu kan mledhë!

 

Tana shoqet tu kan mledhë –

Pse s’po u flet si ktyne herë?!

 

-Nuk po u flas, se m’kan idhnue,

Se s’po vinë me nejtë me mue!

 

Qito lula, t’kan mashtrue,

Po vinë lulat ty u vjetrue!

 

Vjen opçina, tuj t’harrue,

Vjen merzija, tuj tu shtue!

 

Pa dyshim , se momenti më i pikllueshëm gjatë ceremonisë së përcjelljes së vajzës për nuse , është çasti kur vajza do të përshëndetet përfundimisht me anëtarët e ngushtë të familjes së saj: nënën, babën, motrat dhe  vëllezërit e saj, moment ky aq i prekshëm , sa që vajzat këngëtore e krahasojnë me ndarjen e një bime – peme nga trungu i saj .

Në këtë moment të ndarjes së vajzës nga familja e saj, këngëtoret do ta përkujtojnë mungesën e saj , si krah i tharë për punët dhe ndihmën për nënën, mungesën e saj për hyzmetin dhe nderimin ndaj babës, mungesën e saj për punët dhe kënaqësitë me motra si dhe mungesën e saj për vëllazërit të cilëve më nuk do të ketë se kush t’ua rregullojë odën e mysafirëve :

 

VISHNJA PREJ RRAJËS THAHET

 

Vishnja prej rrajës thahet-o,

Vajza prej nanës, po ndahet-o!

Qaje moj nane, bijën-o,

Se s’ka kush ta fshinë, ty ma, shpijën-o!

 

Vishnja prej rrajës thahet-o,

Vajza prej babës, po ndahet-o!

Qaje mor’babo, bijën-o,

Se s’ka kush ta ban, ty, sajgijën-o!

 

Vishnja prej rrajës thahet-o,

Motra prej motrës po ndahet-o!

Qaje moj motër – motrën-o,

S’ka kush ta qëndisë ty, pavotën-o!

 

Vishnja prej rrajës thahet-o,

Motra prej vllaut, po ndahet-o!

Qaje, more vlla, ti, motrën-o,

Se s’ka kush ta shtron, ty ma, sofrën-o!

Se s’ka kush ta fshinë, ty ma, odën-o!

 

Këngë të Kanagjegjit të vajzave në Malësinë e Gollakut, por edhe në të gjitha krahinat tjera shqiptare, ka me qindra dhe me mijëra, por përmes këtij studimi dhe analizave , u munduam që sado pak ta pasqyrojmë një traditë të vjetër të trojeve tona, në mënyrë që gjeneratat e vjetra të mësojnë sado pak për vlerat kulturore të së kaluarës sonë historike .

Në fund, po cekim se këto tradita dhe këto këngë i takojnë vetëm një të kaluare jo të largët, por që në ditët e sotme këto tradita dhe këngë , fatmirësisht , më nuk përdoren dhe nuk praktikohen .

 

*****

Këngët i mblodhi, i shënoi dhe i analizoi : Demir Krasniqi, i lindur në fshatin Tugjec, të Malësisë së Gollakut – komuna e Kamenicës, më 10.02.1950.

Me profesion është arsimtar i kulturës muzikore, këngëtar dhe rapsod popullor, krijues, mbledhës i folklorit muzikor, gazetar hulumtues dhe publicist i më se 30 veprave me karakter kulturor . Jeton dhe vepron në Gjilan .

 

Gjilan, më 15.03.2012.



(Vota: 7 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora