E premte, 26.04.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Hajredin Isufi – ‘’Feja dhe Flamuri’’ - Dom Nikollë Kaçorri (II)

E premte, 11.11.2011, 10:04 PM


Në prag të Ditës së Pavarsisë:

 

HAJREDIN ISUFI:

“FEJA DHE FLAMURI” – (Pjesa - 2)

- Dom Nikollë Kaçorri -

 

(Shënime kritike nga Daniel Gàzulli)

 

2. FILLIMET E VEPRIMTARISË PATRIOTIKE

 

Nëse në pjesën e parë, ate me titull “Parathanje”, folëm shkurt për vlerësimet dhe reflektimet e Prof. Shaban Sinanit mbi librin e Hajredin Isufit “FEJA DHE FLAMURI”, në shkrimin e sotëm po kalojmë menjëherë tek veprimtaria atdhetare e Imzot Kaçorrit. Kjo nuk asht një zgjedhje e imja, por e historianit tonë, që fëmininë, përgatitjen e Imzot Kaçorrit në Universitetin e Propaganda Fide në Romë e deri sa Ai emnohet meshtar në Durrës, i kalon me një gjysëm paragrafi. Asht një zgjedhje e vetëdijëshme. Nuk ka qenë synimi i Autorit të hartojë një biografi të atdhetarit të shquem, por thjeshtë të dokumentojë veprimtarinë e tij, pse nëpërmjet paraqitjes së figurës së Imzot Kaçorrit pasqyrohet ma së miri vetë historia jonë prej fundit të shekullit XIX e deri në Luftën e Parë Botënore. Dora doras ai dokumenton e na befason se si asht lanë pothuej në harresë për gati një shekull ky vigan i atdhetarisë.

Mbasi përshkruen shkurt gjendejn e Durrësit në fund të shekullit të XIX, ndalet tek vendi e roli i dy institucioneve klerikale të krishtena, ku nuk i shpëton dot një kandvështrimi tepër klasik për historiografinë tonë: sikur ata  funksiononin thjeshtë në shërbim të kësaj apo asaj fuqie të huej, por shqisa prej historianit e ban të kthjellohet shumë shpejt e të pohojë se “Fusha e parë e betejës u bë lëvizja arsimore”, e se “Porta e Lartë lejonte çdo institucion klerikal dhe çdo fuqi të huaj, duke përfshirë  dhe monarkitë ballkanike, të organizonin shkolla në gjuhët e tyre në të katërt anët e perandorisë. Përkundrazi, hapja e shkollave shqiptare dhe përdorimi i shkrimit shqip në sistemin arsimor .... ishte rreptësisht i ndaluar”. Pra, beteja arsimore, ku kleri katolik, si dëshmohet në mbarë vendin, jo vetëm përpiqej e hapte shkolla, edhe me ndihmë të Austrisë, në gjuhën shqipe, por mbi të gjitha të shërbenin ato për edukimin atdhetar, sepse, siç e pohon edhe Hajredin Isufi, qellimi i meshtarëve katolikë ishte që “krahas ushqimit shpirtëror, që merrnin në kishë, të ushqeheshin edhe me ndjenjën e atdhetarisë, që për fenë katolike, feja dhe atdheu janë të pandarë” (nënvizimi im, DG). Me këto fjalë mendoj se Autori ka dëshmue qartë e premë kujt i shërbente Kisha Katolike; e natyrisht, meritë ka historiani ynë që në titullin e librit “FEJA DHE FLAMURi”.

Në të njejten kohë shkollat turke kishin si synim themelor “të fanatizonin me anën e doktrinës islamike .... të osmanizonin me anën e kulturës turke, nxënësit shqiptarë të fesë muslimane”, ndërkohë që shkollat ortodokse i konsideronin nxanësit e tyne me kombësi greke, megjithëse, siç pohon konsulli austro-hungarez Ippen në një relacion drejtue Vjenës, “Ortodoksët e Durrësit ... nuk janë në shërbim të propagandës greke”.

Në këtë kontekst, kur deskriminimi i shkollave katolike e i çdo veprimtarie atdhetare ishte tejet i egër, fillon veprimtarinë e tij si mësues, përveç se meshtar, Imzot Kaçorri.  Ai ishte emnue meshtar në Durrës në vitin 1893 dhe menjëherë, vetëm mbas një viti, pra më 1894, vihet në shërbim të shkollës shqipe të hapun nga Vjena, ku përveç mësimit të shkrimit të gjuhës shqipe, si dëshmon një prej nxanësve të parë të tij, pak vite ma vonë edhe ai mësues në shkollën katolike, Agostin Serreqi,  se Imzot Nikollë Kaçorri “ishte i pari që na kalli në zemër atdhedashuninë”, e se “.... ai e trajtoi shkrimin shqip ... si mjet që do ta çonte vendin drejt përparimit dhe popullin shqiptar drejt bashkimit, në luftë për lirinë e atdheut”.

Për herë të parë Autori na sjell dokumenta se përçapjet për një alfabet të përbashkët, veç përpjekjeve të Shoqnive “Bashkimi” e “Agimi” në Shkodër, përkatësisht të drejtueme prej Imzot Prengë Doçit dhe Imzot Lazër Mjedës, nuk asht Kongresi i Manastirit në nandor 1908, por në mënyrë të institucionalizueme, qysh me  Konferencën e Gjuhësore të Shkodrës, e quejtun për t’u fshehë nga pushtuesit turq, Konferenca e Arqipeshkvive (të Shkodrës, Durrësit e Shkupit), që u mbajt nga 30 prilli deri me 7 maj 1902. Nuk asht rasti me u ndalë tek punimet e kësaj Konference të injorueme nga historiografia, por duem të theksojmë rolin thellësisht atdhetar që kishte ajo konferencë. Të mos harrojmë se në atë kohë, ndërsa lejohej shkrimi në çdo gjuhë tjetër, “... shkrimi shqip dhe botimi i librave shqip, ishte i ndaluar dhe cilido , që e thyente këte urdhëresë, ndiqej dhe dënohej rëndë”. E megjithate, edhe në ato kushte të randa, vetëm Shoqnia “Bashkimi” arrijti të botonte jo pak, por plot 35 tituj librash shkollorë dhe letrarë në gjuhën shqipe!

Me dokumenta arkivore Autori vërteton rolin e Imzot Kaçorrit në përhapjen e librit shqip në Durrës e rrethina, të gazetave të pakta shqip që vinin nga shoqnitë e mërgimit, prej “Albania” e Faik Konicës, e sidomos ato që i dërgonte miku i tij Shahin Kolonja. Përhapja e gazetës “Drita” shërbeu edhe ndër ortodoksë e muslimanë edhe si abetare për të mësue shkrimin shqip. Të gjitha këto, e tue marrë në sy edhe rreziqet që vinin prej kësaj pune, i kishte marrë përsipër Imzot Kaçorri.

Veçanarisht ai solli për herë të parë nga Vjena librin e botuem atje në gjuhën shqipe “Historia e Shqipnisë” qysh në vitin 1899.  Libri shpërndahej në Durrës si trakt i vërtetë, tue kalue dorë më dorë, por njëkohësisht të bahej nxitje libri edhe për mësimin e shkrimit e leximit të gjuhës sonë.

Tue qenë se shumica e popullit nuk dinte të lexonte, Imzot Kaçorri vetë, ashtu edhe bashkëpunëtorët e tij ma të afërt si Stef Kaçulini, lexonin këtë libër në grupe të vogla njerëzish, në mënyrë krejtësisht sekrete, me qellimin e vetëm edukimin atdhetar të popullit.

I vendosun në veprën e tij atdhetare, ai këtë libër e dërgoi deri në zonat ma të thella malore; atje ngarkoi për leximin e tij meshtarët që vareshin nga Arqipeshkvia e Durrësit.

Autoritetet turke nuk mund të mos vinin ore këtë rizgjim të ndërgjegjes kombtare, prandaj, përveç propagandes zyrtare fe – komb (nënkupto: muslimanë – turq), jo vetëm nuk penguen, por nxiten e bashkpunuen në përhapjen e gazetes greke “Astir”, që shpërndahej lirshëm e falas, gazetë me tendenca të theksueme antishqipatre, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si shërbim i drejtpërdrejtë që Patriarkana i bante Stambollit.

Asht shumë domethanëse që populli patriot i Durrësit, përfshi edhe pjesën ortodokse, e braktisen me përbuzje këte fletushkë mjerane.

Ky dështim i plotë i bashkpunimit haptas ndërmjet Portës së Naltë dhe Patriarkanës së Stambollit ishte vepër e Imzot Kaçorrit dhe i nderimit që populli atdhetar i Durrësit kishte për meshtarin e vet.

Pranë tij, në çdo hap e në çdo rrezik, nuk u gjenden vetëm bashkëpunëtorë besimtarë katolikë, por edhe të besimeve të tjera, prej të cilëve nuk mund të la pa përmendë mikun e tij Saida Kërtusha, prej të cilit kemi, gjithnjë simbas kujtimeve të bashkëpunëtorëve ma të afërt të Imzot Kaçorrit, thanjen lapidare: “Nderi dhe liria mbrohet dhe fitohet me gjak..”.

Nuk kishte si të ndodhte ndrysh: Durrësakët, jo vetëm katolikët e paktë që jetonin aty, por edhe ortodoksët e muslimanët, shikonin tek biri i urtë e trim i Lurës, Imzot Nikollë Kaçorrin, udhëheqësin e tyne, çka nuk do të vononte ta provonte edhe me vepra të mëdha atdhetare për liri, një ndër faqet ma të bukura të historisë sonë, siç ishte Kryengritja e Kurbinmit, edhe kjo e anashkalueme në historiografi.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora