E enjte, 23.09.2021, 06:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Rruga imagjinative e shpirtit lirik

E enjte, 25.08.2011, 08:36 PM


RRUGA IMAGJINATIVE E SHPIRTIT LIRIK

 

Me rastin e gjashtë vjetorit të vdekjes së autorit Murat Isaku, 24 Gusht 2005

 

Nga Remzi Salihu

 

Me “drithma” kohe kalove përmbi "blanë" mendimi. Tinguj zërash sfidues dolën nga thellësia e kraterit të vuajtjeve. U përballe me shpifje, ndjekje, e përndjekje stinësh të acarta. Me plagë të damkosura në trup kujtese, nëpër rrebeshe vitesh trishta kërkoje rrugën e diellit, rrugën që  të çonte ka humusi i veçantë i gjuhës arbërore. Je rebeluar për autoktoninë e fjalës dhe mendimit të ngjeshur përball stuhive që venë e vijnë në “Vijnik” kushtrimi, si shakullinë e gjatë “gërshetash” përmbi tokën e lashtë të “Reckajve”. Për sharaxhijtë vuajtjeve që sjellin tingujt e sakrificave të tyre nëpër ashpërsitë e stinëve të sheshtinës״, me rrebeshe politikash shtypësish. I pa përkulur drejt së vërtetës ״Egjërave״ dhe përgojimeve të marra. Ndërtove kullë gjuhe metaforash që sjell shumëkuptimësi në kala mendimesh. Ke  shkruar dhe ke predikuar dijen në kohën kur sheshonte dhunë ekstremizmi politik i ngërthyer me varfërinë e tolerancës, nëpër autoktoninë e lëndinave dhe shpatijeve të lashta shqiptare. Ke ngritur ״Dolli për gjërat e humbura״. Je barikaduar në këngë  dhe vargje për të mbrojtur qenësinë dhe identitetin shqiptar. Me gjuhë metaforash e ironie përmbi ״Unazën e djerrinës. Nuk mbete "Flakë e vonuar״, për t’i shëruar ״Plagët״ e qenësisë sonë, nga sulmet e dhunës dhe zhdukjes. Ke pasur përgjegjësi për të vazhduar amanetin e traditës kombëtare nga pakuptimësitë e historisë së vrazhdë që sjellte fatin dhe fatkeqësinë e kësaj ane.

Në këto potpuri të fuqishme veprash dhe idesh që na ke lënë, shohim vetveten, shohim vrazhdësitë dhe kthjelltësitë e kohës. Unë, tanimë kur ju më shëmbëlleni parasysh me një gjuhë e stil caktuar, nuk dua të largohem nga kjo shumësi tekstesh, nga kjo përvojë sakrificash, ku fati dhe fatkeqësia na rrethon për çdo ditë, ose më konkretisht sa shumë ose sa pak njeriu prej vetes ose prej të tjerëve është i ndjeshëm kur kalon nëpër etapa ekstreme të kohës, ose nga diktatura që të përndjekë gjatë tërë jetës. Murat Isaku na tregon dhe na rrëfen, se si jetohet në një histori, që një njeriu nuk mund ta dijë rrugën se si do të mbaroj fundi i tij. Ai na tregon se çka quhet jeta në të kaluarën e si do ta jetosh në të  ardhmen. Poeti bëhet një impuls produktiv për gjeneratat që vijnë pas tij, që si koncept rebelimi pala shqiptare kundrejt palës tjetër jo shqiptare ka vuajtur shumë gjatë historisë. Ai nxit gjeneratat që të shkruajnë një histori të re të popullit, pa u habitur e frikësuar nga e kaluara e zymtë. Ai na mëson se si ta ndriçojmë errësirën e së kaluarës, e cila ishte e përhirtë dhe e egër, e që të mos kthehet kurrë në këto vise e troje.

Vepra e tij është një porosi për të vërtetën e papërshkrueshme të fuqisë dhe sakrificës. Ai e ka dhënë imazhin e bukur të krijimtarisë së vet, ka dhënë një ekspedicion shpirtëror letërsisë, e cila vjen me shumësi vëllimesh nga përvoja e madhe jetësore, e cila nuk është kurrgjë tjetër për pos një sqarim dashurie për vendin tokën dhe rrethin ku jetoi.

 

2

Gjithçka  vibron në zemrën e njeriut për jetën, natyrën,  kohën  dhe hapësirën,  ajo vjen papandehur si “drithmësi” një temë, apo një motiv që e shtynë njeriun të meditoj dhe vegoj drejt shtigjeve të ashpra të jetës. Por ky meditim për t’u shfaqur stilistikisht nëpër fjalë  është i rëndë, si pesha e jetës, sepse fjala nga fjala dhe gjuha nga gjuha dallohet dhe si e tillë të bën ose nuk të bën për vete. Në këtë shtegtim lirik e epik gjendet edhe kujtesa realiste e autorit dhe mbarëshkrimi i tij. Në asnjë vend tjetër nuk mbushet zemra e njeriut, sikurse në shtimugun e lirizmit poetik të tij. Me këtë gjini e shtimung të ngjeshur letrarë plotësohen gjysmë hapësirat e reflekseve vargëzuese të këtij nën qielli të mugët e të kthjellët. Midis vargjeve shëmbëllejnë mendimet për fotografitë, ngjyrat, njerëzit, fisin dhe farefisin, për zhurmën e cila zhvillohet dhe tkurret në tinguj e ritëm të brendshëm njëkohësisht. Kështu,  Murat Isaku na tregon neve kopshtin e shpirtit, ai madje na sjellë imazhin fanar të përshkrimit, tamam ashtu si ndonjë mendim i çiltër  në pasqyrimin e kohës që shpërthen nga zemra duke vizatuar fotografi të shumëllojshme të jetës rurale dhe asaj urbane. Poeti me sy shtegtari kalon nga fjala në fjalë, nga krahasimi në krahasim, për të krijuar muzikalitetin që në gjuhën e poezisë quhet ritëm.

Poeti dhe njeriu, dashuria dhe vendlindja, janë temat dhe motivet e autorit që veprojnë së bashku. Njeriu dhe ambienti, njeriu vlera e tij, njeriu si viktimë tërësore e historisë dhe zhvillimeve globaliste të universit mbeten preokupime të përhershme.

Ndjeshmëria e praruar me një frymë melankolike është materia e poezisë së Murat Isakut. Ajo vjen nga aspekti social i njeriut. Ajo dhimbje shoqërohet në tërësinë e krijimtarisë poetike, nganjëherë ajo është mjaftë e theksuar edhe si ndjenjë tërësore kolektive e shoqërisë njerëzore. Toni kritik vjen si imponim  i vëzhgimit të pastër të kuptimit të gjërave dhe rrethit ku jeton. Ajo bëhet si lidhje e ngushtë midis unit dhe qasjes së ambientit, që ka krijuar poeti në vete, madje  shijen për perceptim të ambientit dhe shkathtësisë për të dhënë imazhe tërheqëse të formës së gjuhës poetike. Autori e ka parasysh njeriun e kësaj ane. Malsorin. Ai tipizon me vëmendje subjektin lirik e epik të rrethit ku vepron, madje edhe ״e gjen me dajren në duar״ ditëve të tregut, e sjell atë në skenë. Shumë poezi bëhen ״blanë״ kuptimi që lënë ״plagë״ të pashlyeshme lexuesit për të bukurën dhe të keqen. Nëse njeriu asociacion veten si urrë kaluese për njerëzimin, që lidh dy brigjet e jetës dhe vdekjes nëpër lumin e pa fund të sakrificave jetësore. I tillë është poeti, hap shtigje mbi trupin e tij, bëhet urë kuptimi ku do kalonin gjeneratat njëri pas tjetrit, si aradhë krushqish të quajtur traditë. Fjalët në poezinë e Isakut të bëjnë të vetëdijshëm se çka ndodh rreth vetes dhe e shtynë atë të mendoj se duke futur lexuesin në skenë gjykimi që ta shohë jetën nga një perspektivë tjetër të përvojës, duke i parë ndryshimet shoqërore, egoizmin, orekset për  pushtet dhe rrenën që shëmbëllen shpesh si veti jo e mir[ te  njerëzit e pa ndërgjegjshëm, kjo vjen te poeti me një ton më të ashpër për t’ia fshikulluar shoqërisë të metat dhe anomalitë e saj. Ai madje shanë cunguesit e lirisë me kokëfortësi, duke rebeluar të keqen, duke i thënë edhe ministrit se ״ju jeni hajdut me tapi, he të mirën, hë״se ״të gjithë ju jeni harama, “he majka majçina”, madje ndjekësit e përcjellsit e tij, Kuptohet se do të ma shajnë nënën shqiptare dhe Shqipërinë, kurse poeti do tua kthej duke thënë, Ore ju jeni vetëm kopila, kopila he jua kalarofsha dadat”. Tërë ky veprim e rebelim qortues e poetik vjen si një rritëm ashpër kuptimi, vjen si një gjuhë simbolike e ironike dhe me një ngjeshje kuptimore të drejtpërdrejtë. Këtë shije lexuesi e ngërthen në vete duke  e lexuar poezinë e Murat Isakut.

Poezia e tij vjen si imponim imagjinativ në kujtesën tonë për të rikujtuar të kaluarën dhe jetën e vështirë sociale e politike të njeriut. Ky ritëm na bartë nga shpirti në shpirt, nga zemra në zemër, nëpër kopshtin jetës sonë ku era truallit, humusit, kumbullës së lulëzuar, hap shtigjet e kuptimit shumëdimensional të qenies njerëzore për vendin, për  dorën e artë të kopshtarit dhe mjetit të vërtetë të  durimit, dashurisë dhe përgjegjësisë për atdheun në kohë dhe hapësirë. Nga magjia dashurisë e deri te dhimbja e shpirtit pesha mallit ngritet në evokim të përmasave shqetësuese e qortuese. Duke parë lexuesi këtë disponim të unit lirik hyn në historinë e jetës reale me një sensibilitet idilik mallëngjimi dhe ndjeshmërie për njëri tjetrin. Poeti bënë një lidhje të ngushtë midis traditës dhe modernes, midis të kaluarës dhe të sotmes. Poeti del si denoncim i kohës, duke mos u përshtatur rregullave të pushtetit, rregullave të përkuljes së mekanizmave shpifëse për ta njollosur poetin. Ai botërisht shpall veten si rrebelues nga kjo e shëmtuar e kohës, andaj edhe donë të ik figurativisht nga ky qytet, nga ky shtet që nuk të le që as flokët e veta t’i shkul pa lejen e “Pushtetarëve të mençur’’. Poeti ironizon këto rregulla të serta që duan me çdo kusht njeriun, qytetarin ta marrin në qafë. Pos fjalës që i ka mbetur borxh , poeti nuk dinë për “mëkate e borxhe’’ tjera atakuese, për të cilën e shkriu edhe shpirtin edhe jetën.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora