E premte, 26.04.2024, 08:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Vaso Papaj

E diele, 17.07.2011, 07:08 PM


Vaso Papaj

 

 

Kronikë kryeqytetase

 

Një zile e çmendur  ore më tremb  herët mëngjes

Tirana ende përgjumur, makinat tërë vesë

Kafeja më e hidhur, është kur vetëm pihet

Ndërkohë, tymi i cigares në mushkëri më fshihet.

 

E marr me ngutje xhinsat, hedhur  mbi karrike

Dy grushta ujë syve, që mos të kem dremitje

Flokëve një krëhër dhe gjithçka tani ësht’ gati 

E kthej gotën e qumështin, të lënë atje tek rafti.

 

Ndryshon jeta gjithnjë, më shumë i ngjan betejës

E  kam shumë më të lehtë, se gjer tani jam njejës

Por për betejë jam gati, ngjasoj me ushtarak

I ngjitur bark më bark, n’ urbanin për Laprakë.

 

E për të mos mbetur vetëm, si ëndërr kujtoj seksin

Provoj ca prekjeje dore, çdo prekje m’shton oreksin

Shoferi shfrenon radion. “…njëzetepes’ gërshetat…”

Unë , vajzën pranë përpij, nga koka gjer te themrat.

 

E zbres te kioska e shtypit, një sy...lajmet e mbrëmjes

E ndonse ngjaj i ftoht,indiferent nuk jam ndaj dhëmbjes

Kronikë e zezë dhe rozë, jepen emër për emër,

Për fatin tim të mire, e kam ende një zemër.

 

Luftohet  në Irak, fëmijë  për  jetë  cunguar

Nga  mediat  vijnë  orteqe lajmesh të shkrumbuar 

I ftohtë  jam këtë herë, indiferent edhe ndaj dhëmbjes

Një  rresht më s’u lexoj kronikave të mbrëmjes.

 

Ministra të përfolur, të ndjekur nga drejtësia

Dhe britma opozitare: Të ikë qeveria!

Kronikë me shesh beteje, e hedh vështrimin shtrembër

Për fatin tim të mire, e paskam prapë një zemër.

 

Dhe dielli edhe hëna më vijnë nga prapa Dajtit

Kur kthehem në shtëpi, i them “shpejtohu” hapit

E le të vijnë, të ikin, nuk e besoj të ndreqem

N’urbanin e mëngjesit, pas kthesës do të tretem.

 

 

Bie borë

 

Bie borë

Ti nuk do të vish këtë mbrëmje

Bie borë

Nuk do të shihemi, e di

Qyteti fle, mbulohet me të bardhë

Zemra ime ndrydhet në vetmi.

 

Bie bore

Nga qielli lehtë lehtë

Në rrugën time të shkretë

Të paktën një zë

E ndjej se po vdes

E ti s’më je pranë

Më kot po të pres.

 

Këtë mbrëmje nuk do të vish

Më është mbrëmje e zbehtë!

Dhe bie borë, ta dish’

Nga qielli lehtë lehtë.

 

 

Periferi

 

S’ keni qenë kurrë përtej

Një bot’ e re ësht’ duke u lindur

në periferi.

Atje ku edhe qielli është i shpifur

Ku lindja ka shumë dhëmbje

Por ka dhe shumë fëmijë,

 

Heronjë të vegjël ngjajnë

Bijë të së mundëshmes.

Për një buzëqeshje

i bëjnë luftë së pamundëshmes.

Ndonëse zhele të ndyra mbajnë,

më të mirë se ne do ta  kenë fatin

Drejt së mirës do ta mbajnë vrapin

Mes vdekjes dhe jetës do të dine të kapin

Jetën e re

Dhe nuk do të thonë kurrë:Vdekje, ku je?...

 

Bijë të rrugës  janë

Do tu zgjohet një ditë

dëshira e çuditshme për të ikur prapa diellit

Gjersa t’i ngrohë edhe ata

E tua fshijë rrufeshëm dhëmbjen

Me peshqirët e qiellit

 

Të njoh mirë periferi!...

Të jetosh tek ti, është si të luash kumar

Ku mbrekullia është një bukë më shumë

Me votën e lirë sekserët bëjnë pazar

Ndonëse zgjedhje me standarte…

Hajde,  jepi dum.

 

Je shtëpia ime, periferi

 ku gjithçka i ngjan një filmi western

Pluhur dhe varfëri

Këtu s’ka kurrë Krishtlindje,as Bajram,

as Vit të Ri

Mërzia këtu nuk ka mëshirë

Po ka shumë shpresë

Dhe  bijtë e së mundëshmes,

ndonëse me zhele, më lenë mbresë.

Më të mirë se ne do ta kenë fatin

Drejt së mirës do ta mbajnë vrapin

Mes vdekjes dhe jetës do të dine të kapin

Jetën e re

Dhe nuk do të thonë kurrë:Vdekje, ku je?...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora