E marte, 04.08.2020, 08:36 AM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: O Qose, hiq ''mjekrren fallso''...!

E diele, 26.06.2011, 03:58 PM


O QOSE,  HIQ  “MJEKRREN  FALLSO“..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Fjala „qose“ në fjalorin e Gjuhës Shqipe shpjegohet: “Burrë që nuk ka qime në faqe dhe në mjekër…Fytyrë qoseje.“ (fq. 1618).

Shqiptari kur i ka thanë një burri “qose”, ia ka thanë të gjitha! Ndërsa ju, Rexhep Qosja, nuk di nga e keni trashigue mbiemnin, mbasi burrë shqiptar që i thotë vetes qose, as nuk kam njohë, as nuk kam ndigjue... Qosja mund të jetë mashkull, por “Burrë” jo!

Para pak ditësh keni shkrue një artikull: “Berisha, skenarist i gjenocidit”... Nuk e kam ndër mend me hy në mes të komunistëve për me nda “davatë” tueja...mbasi kur të “takoheni” në ndonjë kongres partije, me siguri do të përqafoheni si internacionalistë...me pikpamje të përbashkëta, dhe, në vesh, do t’i pëshpëritni shoqi – shoqit: “S’e kisha me ty!”... E vërteta ashtu asht! As ti, as ai, që i drejtoheni, “nuk dini çka asht GJENOCIDI!” Asnjeni nuk keni pasë fatin me e provue! Edhe hapjen e “Pavijonit të Gjenocidit” në vitin 1996, ti nuk e paske ditë...deri tashti!! Dhe tashti, mbasi ke pyetë veten: “...a po shoh mirë? A po shoh mirë apo më bëjnë sytë? I heq syzet, i fshij kujdesshëm, i vë prapë dhe ngrejë kokën e shikoj prapë televizionin: shoh prapë çka kisha parë pak më parë: PAVIJONI I GJENOCIDIT... unë e harrova gati plotësisht çështjen e "gjenocidit", që shqiptarët paskan bërë ndaj vetvetes në kohën e komunizmit...” Atëherë edhe ishe kujtue se hapja e atij pavjoni asht për “biznes”, se shpejt po fillojnë me shkue edhe turistët vizitorë në Tiranë. Edhe kjo asht një tjeter e vertetë. Kryesore sot për ju asht interesimi i madh që “akademikët shqiptarë” kanë për biznesin. Aq je marrë mendësh nga turizmi, sa ke harrue fare “çeshtjen e gjenocidit”, “...që shqiptarët paskan bërë ndaj vetvetes në kohën e komunizmit...” Prej “Qoses” njeriu pret gjithëshka! “Shqiptarët” paskan ba Gjenocid ndaj vetvetes...e kjo shprehje e jotja, o Qose, përsëritet kushedi sa herë..! Madje edhe me paturpësi vazhdon: “... më parë sesa gjykimit të shëndoshë e larghedhës i detyrohet gjykimit të errësuar, dritëshkurtër politizues”. Një shprehje që përputhet vetem me mendimin dhe veprat e të gjithë “akademikëve” të kohës së komunizmit, dhe si pasojë, kjo mënyrë të menduemi vazhdon edhe sot ndër pseudointelektualët shqiptarë.  Kur një mendje e mbrapshtë kërkon me mbulue poshtërsitë e veta, ajo punon me çthurë edhe mendjet e të tjerëve. Ja edhe pyetja juej ma poshtë: 1. A është shkruar në histori për ndonjë popull, i cili mund të ketë bërë gjenocid ndaj vetvetes? Atyperaty kujtohesh për budallallekun tand dhe mohon vetveten: “Deri sot nuk kam lexuar të ketë ndonjë popull të tillë, i cili ka bërë gjenocid ndaj vetvetes.” Nuk e di se a ishe me gjyslykë apo pa gjyslykë, po me mjekërr sigurisht po, ndonse justifikohesh me vllaznit tuej, të cilët ju për ato vepra i keni quejtë bijtë e “Baba Stalinit”, e aty kërkon edhe strehën si bir i denjë i tij: “Por rusët nuk kanë themeluar as farë instituti, as farë muzeu, as farë pavijoni në kuadrin e farë institucioni a muzeu për gjenocidin e rusëve ndaj vetvetes.” E, simbas teje, as na nuk duhet të tregojmë se çka kanë ba jugosllavët, ruset dhe anadollakët komunistë Enver Hoxha e Ramiz Alia ndaj Shqiptarëve dhe gjithë Atdhetarëve tanë, që ti  “akademisti” Qose, këta tradhëtarë barbarë e katilë ke dhe guximin e pafëtyrësinë dhe i quen “Shqiptarë”!

Por Qosja e vazhdon misionin e vet: “A mund të thuhet se në Shqipërinë komuniste kishte program politik dhe shtetëror për zhdukjen e pjesëtarëve të ndonjë bashkësie racore, të ndonjë shtrese shoqërore, të ndonjë bashkësie etnike, të ndonjë bashkësie fetare apo të pjesëtarëve të ndonjë përkatësie tjetër?” Dhe paturpësia arrin deri në kulmin e saj, kur edhe vetpërgjegjet: “Jo. Program i tillë nuk është zbuluar deri sot sepse një program i tillë nuk ekzistonte - kurrë në Shqipërinë komuniste a jokomuniste.” Mos jeni edhe ju një nga hartuesit e atyne programeve, që sot i mohoni, përderisa shtiheni se nuk e dini se në Shqipni edhe pulat janë zhdukë me program, e jo ma njerëzit?

Ju pyetni: 3. A mund të thuhet e të faktohet se dhuna shtetërore në Shqipërinë komuniste ka sjellë gjenocid ndaj shqiptarëve... ndaj ndonjë bashkësie fetare, ndaj pjesëtarëve të ndonjë shtrese shoqërore a të ndonjë përkatësie tjetër?- Jo. Kurrë. Në Shqipërinë komuniste ushtrohej dhunë ndaj vetjeve të ndryshme, të cilët më pak a më shumë shkelnin ligjet shtetërore, mohonin ideologjinë, politikën a rendin në fuqi, por dhunë masive për dëbim a zhdukje ndaj çfarëdo bashkësie a grupi etnik, racor, fetar, klasor e të tjera nuk kishte. Në kohën e komunizmit kufijtë e Shqipërisë shtetërore ruheshin jashtëzakonshëm, ku e ku edhe me tela të elektrifikuar, sa prej armikut të jashtëm aq për të penguar largimet vetjake a grupore të qytetarëve të Shqipërisë në vende të tjera, që mund të ndikonin në dobësimin demografik të vendit. Hajde, ta krahasojmë sjelljen e këtillë të regjimit komunist, i cili bën çmos që t'i mbajë nënshtetasit në vendin e vet, duke u dhënë punë po thuaj të gjithëve, me sjelljen e regjimit të sotëm, i cili bën çmos që sa më shumë shqiptarë të shpërngulen në botë, qoftë për t'u krijuar ashtu hapësirë punësimi anëtarëve të partive në pushtet, qoftë për të marrë sa më shumë dërgesa financiare prej atyre të shpërngulurve...”

Po ti, o Qose, ma nxorre Enverin edhe atdhetar, mor ma paç faqen e zezë e pa lesh, mor mjekërr Lenin, se me të thanë e provosh në fëmijët tuej, asht mëkat, joqë ndoshta qosja s’ ban fëmijë. Po harrove se të gjitha piramidat kufitare janë të lame me gjakun e pastër të Rinisë  Shqiptare në kerkim të Lirisë?!.. Apo do me i tregue botës se as Ramiz Alia, miku i yt i dashtun, nuk ka gisht në Gjenocidin komunist, kur vriste fëmijë në piramida në 1990?!

Në vitin 1970 ju keni shkue në Tiranë, kur keni dashtë me u ba me “tituj të lartë” dhe shpjegon: “Për t’i siguruar përmbledhjet e tij (Asdrenit) jam detyruar të shkoj dy herë në Bukuresht e, pastaj, në Tiranë në janar të vitit 1970, që të hetoj lëndën për të dhe për krijimtarinë e tij në Arkivin e Shtetit dhe në Bibliotekën Kombëtare (Gazeta shkodra viti 2007 Interviste R.Qosja). Po nuk shpjegon, si shkove ti në Shqipni? Kush garantoj për ty? Kujt i sherbeje ti dhe si garantove sigurimin e shtetit shqiptar me të lejue me hy në arkiva atje?! Po kush mundte me ardhë e me hy në Arkivin e Shtetit apo të Bibliotekës Kombëtare pa kenë spijun 24 karatësh i garantuem në Ministrinë e Mbrendëshme në Tiranë, o spijuni Qose?

Ajo që ju ngacmon nervat ju, o Qose, në atë sallë 800 metrash katrorë të Muzeut mu në qendër të Tiranës, nuk asht as mungesa e Sali Berishës, as e Ismail Kadaresë në Pavion të Gjenocidit, as andja e jote me i ba të ditun se aty e kanë vendin edhe ata.

Berisha dhe Kadare ishin edhe komunistë e sigurisht edhe të angazhuem direkt ose indirekt me sigurimin e shtetit komunist, kuptohet nga detyrat dhe përgjegjësitë e tyne. Unë nuk disponoj dokumenta për zhdukje njerëzish nga ana e tyne, mbasi nuk i kam pa dosjet e tyne. Dij se Kadare mund të përfshihet në Genocidin komunist kulturor me librin e tij “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” të botueme në vitin 1991 dhe jo me “Dimnin...”, pra gati 20 vjet mbasi ju keni akuzue Poetin tonë Kombëtar se: “At Gjergj Fishta ishte klerik fashist”, në librin tuej “Kritika letrare”. Aso kohe qellimet e veprave tueja i sherbenin një qellimi, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Këte e vërtetojnë edhe sot botimet e vëllimeve të helmit të dy vendeve tona me të cilat keni helmue Rininë Shqiptare në gjithë Boten.

Nëse ata të dy, tue u ndodhë pranë oborrit të Enver Hoxhës, si të përkdhelun të tij, kanë krye genocid tue u angazhue me partinë dhe sigurimin komunist, siç i akuzoni ju, po ti nga Prishtina, çka deshte që i sherbeve Enver Hoxhës 20 vjet para tyne..? E jo vetëm kaq, por nëse mbas 1991 shumë vetë kanë kërkue me iu shmangë “detyrave” të vjetra, ju po vazhdoni prap sot me kene idhtarë i genocidit komunist, përderisa vazhdoni me u shpërblye nga po ai “fondacion” i Enver Hoxhës, tue propagandue se “...në Shqipni nuk asht krye Gjenocid”.

Ju i drejtoni Berishës një pyetje: “Po ti ku ishe atëherë... pse nuk e kundershtove ....se mund të dënoheshi me 1 a 5 apo10 vjet burg...?” Nuk di cili kod penal i ka këta dënime!

Se ku ishte Berisha do të përgjegjem unë (pa i marrë leje atij): “Ai ishte endè me saruqe e brakesha dhe me xhup të bardhë leshi... mu në mes të Tiranës, kurse ti Dr. Prof. në Universitetin vëlla të Prishtinës, ku ai dhe ti keni marrë titujt e dekoratat...” Po ti ku ishe, o Qose, në cilat labirinte të spijunëve komunistë të Tiranës, të Prishtinës, apo të spijunëve serbë në Beograd, që nuk po e di as sot e as kurrë se ku shkonin ata fatzezë që guxonin me mendue se jo me kundërshtue diktatorin Enver Hoxha apo pasuesin e tij Ramiz Alia?

Pikërisht këto pyetje janë një sherbim tjetër që kryeni ju, o Qose, sot, ndaj errësimit të Gjenocidit, mbasi kushdo që dyshohej vetem se asht tue “mendue” me kundërshtue Enver Hoxhën, hante plumbin, o Qose, e këte ti e di mirë, por do me i tregue botës sot se “Ata që u pushkatuen ishin fajtorë...dhe se nuk janë pushkatue Asnjë të pafajshëm ...” përderisa, thue se ata që guxonin e kundërshtonin diktatorët dënoheshin vetëm 1 a 5 apo10 vjet burg, pikërisht atëherë kur fëmijët 14 vjeç interrnoheshin dhe plakeshin ndër kampet e shfarosjes tue kenë të pafajshëm. As këte që ngjante me fëmijët 14 vjeç në Shqipni, o Qose, nuk e queni Gjenocid komunist!? Asht vendim i vonë o Qose, asht aprovue nga Kuvendi Popullor me dt. 26 Qershor 1979...Lexoje dekretin Nr. 5912 mbi interrnimet dhe dëbimet e Fëmijëve 14 vjeç në “Republiken Popullore Socialiste të Shqipërisë”...që për ty as ky nuk asht Gjenocid!!

Thirrja e jote duhet t’ ishte: “Hiqni atë Pavijon Gjenocidi, sa nuk janë “kujtue” me rreshtue edhe emnat, veprat edhe dosjet tona në shërbim të atij Gjenocidi komunist e barbar..!” Atij Pavijoni nuk keni sesi me i shpëtue asnjë, o Qose, prandej hiqe atë mjekërr!

 

Shenim: Artikullin e plotë të Rexhep Qoses drejtue kryeministrit “Berisha, skenarist i gjenocidit”, mund ta lexoni në Balkanweb

Melbourne, Qershor 2011.

Pjesa e parë. (vazhdon...)



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora