E premte, 26.04.2024, 01:31 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Zenun Pajaziti: I ftoj qytetaret te cojme mesazhe paqeje ne bote

E marte, 05.02.2008, 07:00 PM


I FTOJ QYTETARËT TË ÇOJMË MESAZH PAQEJE NË BOTË

Nga Vedat Vllasaliu / Petrit Musolli - Java

JAVA: A jeni përgatitë për Shpalljen e Pavarësisë?

Zenun Pajaziti, minister i Brendshem ne Qeverine Thaci
Zenun Pajaziti: Kosova po shkon pakthyeshëm drejt shpalljes së pavarësisë dhe kjo do të bëhet në koordinim të plotë me partnerët tonë ndërkombëtarë. Si e ka cekur Kryeministri Thaçi dhe PSSP-ja z.Ruecker, në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit, Kosova është e gatshme për hapin e ardhshëm që është shpallja e pavarësisë dhe është e gatshme për të vepruar si shtet i pavarur.

Kosova ka vite që është e përgatitur për të funksionuar si shtet, tanimë kanë mbetur vetëm procedurat ceremoniale për shpalljen e pavarësisë, e cila do te pasohet nga njohja e shpejtë nga partnerët tanë në Washington dhe vendet kryesore të BE-së.

JAVA: Si do të menaxhoni me situaten e sigurisë nëse ajo cenohet, sidomos nga komuniteti serb të cilët shumëherë kanë kërcënuar se do të reagojnë në forma të ndryshme nëse shqiptarët shpallin pavarësinë?

Zenun Pajaziti: Nuk e përjashtojmë faktin se do të ketë njërëz që nuk do të pajtohen me realitetin që do të krijohet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe kjo mund të reflektohet edhe në situatën e përgjithshme të sigurisë në vend. Por ne jemi të përgatitur  që së bashku me strukturat relevante vendore dhe ndërkombëtare të ruajmë rendin dhe qetësinë në Kosovë për të gjithë qytetarët pa dallim.

JAVA: Cilat janë masat konkrete? Na specifikoni?

Zenun Pajaziti: Çdo strategji e strukturave vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë është e mbështetur me plan veprime konkrete te cilat do te zbatohen në rast të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

JAVA: A ka mundësi të na e përshkruani “Operacionin Statusi”?

Çka përmban, si është planifikuar të zbatohet. Në çka është përqëndruar…?

Sa pjesëtarë të policisë do të jenë të përfshirë në këtë operacion?

Zenun Pajaziti: Hartimi i planeve të tilla dëshmon qasjen tonë proaktive për të ruajtur rendin dhe qetësinë në Kosovë në këte periudhë të rëndësishme. Në këte plan janë paraparë disa masa preventive që të sigurohemi që situata të mos eskalojë. Ne jemi vigjilentë, por nuk besojmë se do të ndodh asgjë e jashtëzakonshme. Sidoqoftë, në rast se ndodh e kundërta institucionet e Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë përgjegje adekuate për situata të tilla.

Ndërsa, jo vetëm policia, por ne po punojme me tërë mekanizmat institucional që të kemi një mobilizim të përgjithshem që në diten e shpalljes së pavarësisë dhe tutje Kosova të dërgojë mesazhe pozitive në mbarë botën. Në këte kontekst, ftoj edhe qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen kësaj fryme dhe të ecim së bashku përpara. 

JAVA: A jeni konsultuar me KFOR-in dhe Policinë ndërkombëtare për zbatimin e këtij operacioni? Kush do ta udhëheqë këtë operacion: kosovarët apo ndërkombëtarët? Cili do të jetë bashkëveprimi me KFOR-in dhe Policinë ndërkombëtare?

Zenun Pajaziti: Raportet me KFOR-in dhe Policinë ndërkombëtare janë në nivelin me të lartë të mundshëm. Ne kemi kontakte të vazhdueshme dhe të gjitha planet operative janë të harmonizuara në mes strukturave vendore dhe atyre ndërkombëtare. Ne jemi koshientë për përgjegjësitë tona dhe në bashkëpunim me partneret tanë ne do të sigurohemi që secili të jetë në krye të detyrës. Jo më kot ne kemi ndjekur qasjen e shpalljes së koordinuar të pavarësisë.

JAVA: Nëse serbët në veri shpallin pavarësinë e veriut, si janë kërcënuar në rast se Kosova shpall pavarësinë, si do të reagoni?

Zenun Pajaziti: Besoj se çdokush është i vetëdijshëm për parimet e Grupit te Kontaktit për tërësinë territoriale të Kosovës. Kosova do ta shpall pavarësinë në tërë territorin e saj dhe si e tillë do të njihet nga SHBA, BE dhe shume vende tjera.

JAVA: A keni ndonjë strategji si do të veproni në veri apo thjesht do t’ia leni KFOR-it të mirret me këtë situatë dhe ju do të jeni vetëm vëzhgues?

Zenun Pajaziti: Ne kemi strategji dhe plane operative në bashkëpunim me KFOR-in. Ne kemi marre garancitë e nevojshme nga KFOR-i për sigurimin e tërë territorit të Kosovës.

JAVA: Pjesëtarët serbë të SHPK-së a do të shërbejnë në vendbanimet serbe e sidomos në veri kur të shpallet pavarësia – apo a keni frikë se ata mund të dezertojnë dhe të solidarizohen me qytetarët e veriut dhe vendeve tjera të banuara me serbë – të cilët parashikohet se do të kundërshtojnë dhe protestojnë kundër shpalljes së pavarësisë? A janë të trajnuar këta policë për raste të këtilla?

Zenun Pajaziti: SHPK-ja është një institucion multietnik dhe të gjithë pjesëtarët e saj pa dallim kryejnë përgjegjësitë e tyre konform ligjit. Nuk dua të bëj dallime dhe të krijoj dualizma brenda vet SHPK-se. Zërat për dezertim të pjesëtarëve të SHPK-se nga rradhët e komunitetit serb më shumë janë në rrafshin spekulativ. Sidoqoftë, ne i konsiderojmë institucionet si të shenjta dhe çdo sulm mbi to do të jetë i papranueshem dhe ne do të jemi të pakompromis ndaj të gjithë atyre që ndërmarrin akte që janë në kundërshtim me ligjin.

JAVA: Zakonisht në çdo protestë situatën e kanë udhëhequr ndërkombëtarët?

Zenun Pajaziti: Do theksoja edhe njëherë se përgjegjes për sigurinë në Kosovë janë SHPK-ja, KFOR-i dhe Policia e UNMIK-ut. Përgjegjësitë e tyre janë të ndara dhe të kjarta. Por ne ndajmë interesa dhe përgjegjësi të përbashkëta.

JAVA: Ju i keni ftuar serbët që të bashkëpunojnë më ngushtë me institucionet kosovare për ndërtimin një të ardhme europerendimore. A mendoni se mundet të realizohet kjo duke pasur parasysh të kaluemën e shqiptarëve dhe serbëve?

Zenun Pajaziti: Nuk bëj apele të tilla po të mos kisha besuar se një gjë e tillë është e mundshme. Është botërisht e njohur aspirata e qytetarëve të Kosovës, për një shtet të pavarur e sovran, të integruar në sturkturat Euro-Atlantike. Se kendejmi, konsiderojme se Pavarësia e Kosovës është vetëm fillimi i fundit dhe jo përfundim i tërë procesit. Misionin do  ta shpallim të përmbushur ditën kur anëtarsohemi në Bashkimin Europian. E ardhmja europiane nuk do te mbetet peng e së kaluarës.

JAVA: Në disa anketa me serbë –ata janë shprehur se nuk i besojnë SHPK-së, a mendoni se do të bashkëpunojnë me ju si keni kërkuar ju nga ta?

Zenun Pajaziti: SHPK-ja është duke u funksionalizuar dhe është duke i ngritur kapacitetet e veta për ushtrimin e përgjegjësive. Ne jemi të përkushtuar që të sigurohemi se SHPK-ja të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim. Ndërsa edhe roli i qytetarëve është jo më pak i rëndësishëm. Ata duhet të bashkëpunojnë dhe t’i besojnë SHPK-se, në mënyrë që të sigurojmë një ambient të qetë për të gjithë.

JAVA: A ka mundësi që qytetarët e Kosovës të provokohen nga shteti i Serbisë kur të shpallet pavarësia? Nëse ndodh kjo a do të ballafaqohet edhe SHPK-ja me këtë situatë spo jeni këshilluar nga KFOR-i që të mos reagoni dhe ta leni komplet në duar të KFOR-it këtë situatë. A e keni diskutuar më KFOR-in dhe policinë ndërkombëtare si do të reagoni në një situartë të tillë edhe pse kjo është një pyetje hipotetike – por shumë e parashikueshme?

Zenun Pajaziti: Është për keqardhje që Serbia ende po vazhdon me një qasje e cila nuk ndryshon shumë nga parktikat e kaluara. Kosova po shkon pakthyeshëm drejt shpalljes së pavarësisë dhe kjo do të bëhet në koordinim të plotë me partnerët tonë ndërkombëtarë. Ne do të levizim përpara dhe do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë si dy shtete fqinjë në të ardhmen. Por në asnjë rast nuk do të lejojmë që të cenohet siguria e qytetarëve të Kosovës dhe këte do ta bëjme në bashkëpunim me KFOR-i dhe mekanizmat tjerë relevantë.

JAVA: A keni zhvilluar takime edhe me qytetarë shqiptarë të Kosovës se si të reagojnë në ditën e shpalljes së pavarësisë? Duke u bazuar në përvojat e festimeve të mëhershme shpesh dijmë me huq si me festue në mënyrë normale?

Si me e normalizue festimin e shpalljes? A keni ndonji plan-program?

Zenun Pajaziti: Ne fillim të intervistës e ceka se jemi në pregaditje të procedurave ceremoniale për shpallje të pavarësisë. Ne po mbajme takime dhe vizita në të gjitha anët e Kosovës dhe me të gjitha komunitetet. Poashtu, i bëj thirrje edhe mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi që të kultivojnë këte frymë të sjelljes me dinjitet si vlera civilizuese të botës së qytetëruar.

E tërë bota është duke përcjellur me vemendje zhvillimet në Kosovë. Ne duhet të kemi kujdes se çfarë mesazhi dërgojmë te miqtë tanë.

Ne i ftojme qytetarët e Kosoves të na bashkohen në angazhimet tona dhe të festojmë këte akt historik me dinjitet. Ne kemi qenë dinjitoz, kemi sakrifikuar, çdo qytetar i Kosovës ka hise në këte proces historik, prandaj si të tille duhet të sillemi edhe në ditën e shpalljes së pavarsisë së Kosovës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora