E shtune, 27.04.2024, 12:15 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Muri i Berlinit nuk ra, u rrëzue

E merkure, 10.11.2010, 07:21 PM


Muri i Berlinit nuk ra, u rrëzue

 

Nga Ardian Ndreca, Shekulli

 

Ata që e kujtojnë mbramjen e datës 9 nandor 1989, kur nepërmjet televizionit italian ndoqëm çastet drithmuese të rrëzimit të Murit famëkeq të Berlinit, si e gjithë bota, mbajnë mend ndoshta edhe atmosferën e tendosun që nisi me u krijue në Shqipnin komuniste, në vendin ma të çmendun të Lindjes komuniste.

Megjithatë Muri i Berlinit nuk ra, atë e rrëzuen nji seri faktorësh të ndërlikuem e bashkëveprues që përcaktuen ramjen e palavdishme të komunizmit. Ndër ma të randësishmit ishin vendosmënia e presidentit Reagan dhe gara e armatimit që e lodhi BRSS deri në gjunjëzim, kontributi i Papës Gjon Pali II dhe mbështetja e tij ndaj Solidarnostin, falimentimi i sistemit ekonomik komunist, zhgënjimi i miliona qytetarëve dhe i vetë komunistave të vendeve të Lindjes etj.

Muri i Berlinit ishte paradigma e nji mënyre konceptimi të jetës socialiste, që synonte me nda me thikë dy realitete antagoniste: botën kapitaliste dhe atë socialiste. Asnji ballafaqim dialektik nuk mund të siguronte ma fitoren e socializmit, vetëm izolimi dhe politika e demonizimit të kundërshtarit mund të ruente disi ekuilibrin e mbrendshem. Në nji vend si Shqipnia, ku po plakej nji brez i rritun dhe i edukuem krejtësisht nën komunizëm, pra që s'kishte njohtë asnji sistem tjetër politiko-shoqnor, injoranca dhe keqformimi ishin në nivele marramendëse. Kishte sish që besonin me të vërtetë se Shqipnia mund të thyente NATO-n apo mund të zmbrapste nji sulm jugosllav, kishte asish që besonin me devotshmëri të sinqertë në premtimet dhe në rezultatet që shpallte udhëheqja shqiptare. Çdo nivel i jetës, prej kooperativave bujqësore e deri në universitete kishte demagogët e vet të paguem prej regjimit për me keqformue njeriun e ri shqiptar.

Ai 9 nandor 1989 shënoi goditjen e parë ndaj atij sistemi të neveritshëm, të përbamë prej fanatikësh, oportunistash dhe budallenjsh, edhe pse shumë prej tyne do të mbijetonin me sukses në sistemin demokratik.

Atë nandor qytetarët gjerman nisën nji revolucion të matun demokratik, ndërsa Erich Honecker, Erich Mielke dhe aparati i tyne tashma prej dekadash përfaqsonin reaksionin dhe mendësinë e çmendun pa rrugëdalje të sistemit komunist.

Të mos pajtohesh me të keqen, me shtypjen, me diktaturën, do të thotë të jesh revolucionar. Në fakt po ata marinarë të Kronštadt-it që në vitin 1905 ishin ngritë kundër pushtetit carist, që në 1917 kishin kontribue në fitoren e revolucionit, do të ngriheshin në mars të vitit 1921 kundër pushtetit të sovjetëve. Po ai shpirt revolucionar do të hidhte në revoltë me 17 qershor 1953 puntorët e Berlinit, Leipzigut, Jenës, Halle-s, do të mbante gjallë shpirtin e rezistencën aktive antikomuniste deri në gjysmën e viteve '50 në vendet balltike, në Ukrainë, në Rumani dhe në Shqipni, do të zbonte në vitin 1956 në Hungari qeverinë komuniste, do të realizonte në 1968 pranverën e Pragës, do të udhëhiqte në Gdansk në verën e vitit 1980 puntorët e kantiereve detare, do të lante me gjak në qershor të 1989 pjacën Tien an Men.

Për Berlinin data 9 nandor 1989 ishte vijimi i 17 qershorit të 1953. Atë mbramje të 9 nandorit 1989, nën murin e rrëzuem, nji plak gati i përqafuem me violonçelin e tij përhapte tingujt e Bach-ut para qindra njerzve që në heshtje ndigjonin të emocionuem. Ishte ma i madhi violonçelist i botës, Rostropovi?, që kishte rend, aq sa mund të rend nji plak, me i këndue fitores së lirisë mbi terrin e diktaturës.

Tashma tanket sovetike nuk mund të shkelnin ma mbi trupat e berlinezëve, guximi i të cilëve ndezi shpresat edhe për vendet tjera të bllokut të Lindjes. Megjithatë ajo lëvizje nuk pati nji udhëheqje, nji grupim intelektual, ajo ishte shprehje spontane e revoltës qytetare ndaj regjimit diktatorial të çiftit Honecker-Mielke. Mbas pak javësh, me 20 dhjetor, puntorët e Timishoarës do të fillonin revolucionin e tyne kundër diktaturës, dhe pak javë ma vonë, me 14 janar 1990 nji grup puntorësh shkodranë do të organizonte demonstratën e parë antikomuniste që do të çante murin stalinist të regjimit të Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Atë vjeshtë të fundit të viteve '80 nuk po rrëzoheshin muret e nji shtëpie të dashun, por ato të nji burgu të urryem, e megjithatë mbrenda njerzve ai mur vijoi me mbijetue: në nostalgjinë fëmijnore për parajsën komuniste që s'kishte ekzistue kurrë, dhe në urrejtjen komuniste ndaj komunizmit, që do të na pengonte me pa infiltrimet e njerzve të regjimit në demokracinë e brishtë shqiptare.

Nji copë e atij muri reziston gjithnji, i mbajtun gjallë me tendera, me pushtet publik, me demagogji, me fanatizëm. Ndërsa ne vijojmë me kujtue me mall çastet e rrëzimit të Murit berlinez, pa u kujtue se rruga jonë në të përpjetë ende s'ka mbarue.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora