E marte, 30.04.2024, 04:34 PM (GMT+1)

Mendime

Gani Qarri: Nismë hasjane për bashkim kombëtar

E diele, 07.11.2010, 08:57 PM


NISMË HASJANE PËR BASHKIM KOMBËTAR

Nga Gani Qarri

Tashmë sikur është ber modë, që nga individ apo grupe të ashtuquajtur të  “pakënaqurish” të  krijohen parti, shoqata apo nisma të reja të cilat aq shumë janë shtuar sa që lirisht mundë të themi se është i vetmi mall vendor i prodhuar me aq bollëk, që sikur të gjendeshin importues të interesuar ,vendi ynë do të ishte ndër eksportuesit më të mëdhenj në rajon e më gjerë,për kokë banori,për këtë far lloj malli.

 

Por ajo që i mungon vendit dhe në mënyrë të veçantë rajonit të Hasit si “ilaç” për shërimin e plagëve qindravjeçare,nën pushtim, është një NISMË qoftë edhe lokale apo rajonale për shkuljen e kufirit ndërshqiptar, në hapësirën tonë ndërkufitare e cila edhe sot e kësaj dite për fat të keq,në këtë rajon dhe më gjer, si e tillë mungon!

Kjo NISMË  do të ishte vërtet një nismë historike jo vetëm për Hasin, por si rajoni më  i prekur,në kontakt të përhershëm me ndarjen do të na  takonte pikërisht neve - Hasjanëvet nga dy anët e kufirit,iniciativa për tu çliruar nga ky “gardhë” hermetik që e pati ngul pushtuesi me dhunë mes për mes tokave tona,duke ndarë Hasin përgjysmë ,dhe shqiptarët në dysh,që para afro njëqind vitesh,por që vazhdon ti ndajë edhe sot.

 

Kufiri i vendosur me dhunë  mespërmes trojeve tona, nga pushtuesit serbo-sllav u ka shkaktuar banorëve të Hasit dhe shqiptarëve në përgjithësi, mijëra tragjedi dhe viktima të  pafajshme,duke internuar, burgosë e  shumë  sish edhe vrarë pa paralajmërim dhe pa as një faj, në kët kufi.

Shqiptarët sidomos pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së saj  duhet të ndihen shumë  të fyer, kur kalojnë para  këtij kufiri tragjik i cili edhe sot ruhet me fanatizëm...

 

Trishtimi që sillte ky përbindësh sllavë i cili për afro një shekulli,mbuloi me gjak të pafajshëm Shqiptarët,nga të dy anët e kufirit ,me vetë ekzistencën e tij, edhe sot vazhdon të ngjallë kujtime të hidhura nga gjurmët e tragjedive të së kaluarës. Ndaj mosëheqja e këtij kufiri dhe ruajtja e tij edhe më tej sikur  vazhdon të respektoj bëmat e pushtuesit,gjë që lëndon rënd plagët e banorëve hasjanë dhe të të gjithë shqiptarëve atdhetar,të cilët këtë kufi  e njohin si tragjedi pushtimi,e cila për afro një shekull u mbajt  në këmbë me vrasje dhe tradhti të shumta,një  histori tragjike kjo që erdhi bashkë me  pushtuesin,por për fat të keq edhe pas dëbimit të tij,kufirin e ruajmë ne sot,po atë kufi që me besnikërinë e paluhatshme ndaj pushtuesit, vazhdon edhe më tej të imponojë ndarjen ndërshqiptare.

 

Tanimë kur është publikuar  edhe Lista e Shqipërisë Natyrale ,është momenti i fundit për krijimin edhe të një NISME  “lokale” nga vet banorët vendor të Hasit nga të dy anëve ndërkufitare,e cila do të duhej ti bashkonte të gjithë intelektualët në rajon e më gjerë dhe të interesuarit e tjerë për të formuar një Nismë të tillë të cilën unë do ta quaja “NISMË HASJANE PËR BASHKIM KOMBËTAR” e cila do të kishte për detyrë organizimin e shuarjes së këtij kufiri përgjatë gjithë rajonit të ndarë të Hasit,dhe kështu të bëhemi shembull i mirë edhe për rajonet tjera,duke rrezatuar majtas e djathtas,në njëren anë gjer te piktakimi me FYROM-in dhe në tjetrën gjer te ai me Malin e Zi në të dy anët ku edhe takohemi me vllezërit tanë të cilët shpresojmë që edhe ata një ditë të afërt ti integrojmë,por ne me inisiativën tonë të thyejm të paktën frontin ballor me ç`rast do të arrihej edhe një nga objektivat tona kombëtare,siç është unifikimi i domosdoshëm ndërshqiptar, Kosovë Shqipëri, si hap i parë por shumë i rëndësishëm në rrugën e gjatë dhe të vështirë për krijimin e Shqipërisë Natyrale.

 

Me aktivizimin e kësaj NISME, do ti lehtësohej puna shumë edhe Listës së Shqipërisë Natyrale,të cilës edhe ne me inisiativën tonë,do ti ndihmonim  shumë,nëse do arrinim ti hiqnim kufijtë e brendshëm ndërshqiptar,dhe Lista do të merrej me rregullimin e kufijve të jashtëm kombëtar,ku presin shumë troje tona të banuara me shqiptar autokton, për tu integruar në vendin e tyre amë, Shqipërinë Natyrale.

 

Shqiptarët kanë edhe njëqind arsye tjera për zhdukjen e kësaj katrahure sllave nga trojet tyre,ngase jo vetëm banorët e brezit ndërkufitar  i kanë të freskëta tragjeditë e ndodhura,nga ky kufi,i vendosur me dhunë, para afro njëqind vitesh nga pushtuesi sllavë, tragjedi të cilat ishin të natyrave të ndryshme, por më të rëndat ishin Tragjeditë e shkaktuara përmes dhimbjeve shpirtërore nga përpjekjet e Serbisë për ti asgjësuar  shqiptarët edhe moralisht e në mënyrë të veçantë banorët lokal Hasjanë që ti detyronte ta “pranonin” kufirin e vënë dhunshëm nga ajo,duke i kthyer shqiptarët në njerëz pa dinjitet me një kufi i cili ua ndante edhe familjet më dysh.

Serbia vriste shqiptarët vendor në të dy anët e kufirit,shkaktonte shkatërrimin e shumë familjeve dhe dashurive njerëzore. mplakjen e shumë vajzave dhe djemve të cilët humbën rininë e tyre në pritje me shpresë për ditë më të mira për bashkim me të dashurit,e përjashtuar nga jeta e tyre nga ndarje kufijsh shtetëror për të mos u hapur më kurrë deri pas luftës çlirimtare në vitin 1999.

 

Shqiptarët me të drejtë,nuk e pranuan kurrë pushtimin e as këtë kufi vrastar,ndaj edhe sot, me shumë të drejtë, banorët hasjanë si edhe çdo shqiptar, tjetër i këtyre trojeve, ndihen jo vetëm të indinjuar por edhe tejet të fyer kur shohin këtu mu para hundëve të tyre, mbi ta, mbi majat e Pashtrikut legjendar, i cili ishte edhe streha e luftëtarve të të gjitha luftërave për liri dhe bashkim,në mënyrë kaq të palavdishme, të qëndroj edhe tash,ky kufi ,dikur me forcë i vendosur!

 

Por,nëse atëherë nuk mundnim ta shkulnim , çfarë kërkon sot këtu, ky kufi? ku nuk e ka vendin! mespërmes trojeve tona shqiptare.

 

Kush na ndalon sot neve në këto momente  historike për shqiptarët për të bërë diçka e cila do të mbetej e shënuar edhe në Histori,nëse niset një aksion i organizuar mirë nga vetë banorët lokal për shkuljen e këtij kufiri,gjë që ësht edhe kërkesë e kohës,dhe kështu në këtë mënyrë demokratike dhe legale të fillojmë procesin e bashkimit tonë rajonal dhe  kombëtar,që do të ishte një ngushëllim i vogël për kombin tonë të ndarë  në shumë shtete Ballkanike,dhe të shpërndarë  gjithandej Evropës, Amerikës dhe Azisë e gjithandej anë e kënd Botës..

 

Gjat gjithë kohës sa zgjati pushtimi, imponimin e tillë të ndarjes  me diktatin e forcës,nën dhunën e okupimit nuk e përjetonte askush më rënd se vetë banorët hasjanë ndaj edhe Rezistenca kundër ndarjes së Hasit dhe Kosovës nga Shqipëria, kishte filluar në Has, rezistencë kjo e cila ishte rritur, sidomos pas mbetjes së Kosovës  në pushtimin serbo-jugosllavë,kur Patriotë të njohur të Kohës nga trevat e Hasit, si Sefë Sadik Duraku nga Fshati Demjan,Ahmet Haliti nga fshati Kushnin,Miftar dhe Hajdar Maloku nga fshati Planejë,Tafë Pervizaj nga fshati Krajk e shumë të tjerë, bashkë me Patriotët kryengritës nga Hasi,Luma dhe Dibra në Shqipëri, Rrafshi i Dukagjinit dhe viset tjera gjithandej Kosovës e më gjerë, në mars të vitit 1945 në Qytetin historik të Prizrenit kishin formuar Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, (ONDSH),me qëllim të çlirimit dhe bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare me Shtetin amë Shqipërinë.

 

Luftëtarët e paepur të lirisë, kishin vazhduar rezistencën e armatosur të filluar para përfundimit të luftës, që nga shkurti i vitit 1944 deri në vrasjen e luftëtarit të fundit  në vitin 1948, kundër ripushtimit të tokave tona nga sllavët,dhe kundër ndarjes së Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare nga Shqipëria.

Ndaj një vendosmëri e tillë e luftëtareve shqiptar për bashkim kombëtar,kishte fituar edhe përkrahjen  e misionit Anglez të asaj kohe i cili ishte i vendosur në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore ku edhe bëhej rezistenca më e madhe kundër rivënies së kufijve okupues nga pushtuesi sllavë.

Sir Herds, Udhëheqësi i ati misioni, i`u kishte premtuar përkrahjen kryengritësve shqiptar dhe i kishte ftuar luftëtarët e ONDSH që të dilnin me një Program Politik dhe Platformën për bashkim kombëtar.

 

Por me gjithë luftën e vendosur të kryengritësve shqiptar,përpjekjet e tyre ishin paralizuar kur jugosllavët duke parë përhapjen e rezistencës së armatosur shqiptare,edhe në Drenicë e Gjilan dhe gjithandej Kosovës kishin ftuar brigadat komuniste shqiptare për ndihmë në "çlirimin" e Kosovës,me arsyetimin se Shqiptarët e Kosovës si “shumë” anti serb  që ishin,ishin hedhur në luftë kundër pushtetit jugosllav,duke kërkuar të bashkohen me Shqipërinë.

Pas marshimit të brigadave shqiptare në Kosovë,pushtuesit sllavë në koordinim me komunistët në Shqipëri, detyruan edhe misionin Anglezë të largohej nga veriu i Shqipërisë dhe Kosova duke lënë luftëtarët për çlirim dhe bashkim kombëtar pa mbështetje dhe të rrethuar nga çdo anë nga komunistët Shqiptaro-Jugosllav.

 

Megjithëse populli shqiptar dhe Kosova ishin ripushtuar edhe një here nga serbo-sllavia  e cila nën rrethimin ushtarako-policor me votimin e dhunshëm të mbajtur në Prizren me 1945, i kishte dhënë edhe formën juridike  pushtimit të plotë të Kosovës,në të njëjtën kohë brigadat shqiptare dhe çetnikët serbo -jugosllav, kishin filluar ndjekjen e përbashkët për zënien dhe likuidimin e luftëtareve për çlirim dhe bashkim Kombëtare.Por megjithatë rezistenca e patriotëve shqiptare në Kosovë, dhe viset tjera shqiptare, kurrë nuk është shuar tërësisht e as  nuk është ndalur ndojëherë,duke luftuar gjithmonë pushtuesin dhe duke mos e pranuar asnjëherë pushtimin,deri në çlirimin e Kosovës.

 

Në luftë kundër ripushtimit bashkë me shumë luftëtarë të tjerë nga treva jonë,kanë rënë edhe oficeri kapiten Hajdar Maloku dhe Heroina e anëve tona luftëtarja e njohur që nuk iu kishte ndarë kurrë luftës,Kade Pervizaj-Duraku.Të ndjekur nga të dy regjimet në dy anët e kufirit,një pjesë e këtyre luftëtareve në vitin 1946 ishin detyruar të emigrojnë në Greqi e vende tjera.

 

Por jo të gjithë luftëtarët kryengritës kishin pranuar ta lënë vendin e tyre as nën këto kushte përndjekje, madje ata me  përpjekjet e tyre mbinjerëzore kishin arritur edhe ta mbanin të gjallë lëvizjen për çlirimi dhe bashkimi të trojeve shqiptare,deri në vitin 1948, kur edhe ishin konspiruar, arrestuar dhe dënuar si „reaksionar“ dhe „tradhtar“ të vendit dhe ideve komuniste  me dënime kapitale, duke mos arritur kurrë ta përjetonin heqjen e këtij kufiri, lirinë dhe bashkimin e kombit të tyre,në një Shqipëri Etnike, për të cilin ata dhanë edhe jetën.

 

Vrasjet dhe ekzekutimet e shqiptarëve në këto anë, kanë vazhduar pa ndërprerë gjatë gjithë ekzistencës së këtij kufiri shqiptaro-shqiptar. Si unë ashtu edhe të gjithë banorët tjerë të rajonit ndërkufitar në Has, kemi njohur shumë nga të vrarët,të cilët ishin të afërmit tanë,të njohur apo nga rajoni,por kishte edhe hallexhi të cilët të detyruar më tepër nga ndjekjet politike në përpjekjet për të kaluar këtë kufi,ata pa asnjë paralajmërim edhe janë vrarë nga pushtuesi.

 

Nëse ka një argument për të cilin të gjithë shqiptarët me doemos duhet ta ngritin zërin dhe në mënyrë të veçantë  banorët Hasjanë, atëherë ai do duhej të ishte për heqjen sa më parë të kufirit ndërshqiptar rrëzë Pashtrikut i cili ka mbjell  me qindra vdekje,duke u kthyer në varrezë masive për shqiptarët ku vdekjet nuk kanë pushuar kurrë deri në çlirimin e vendit.

Shqiptarët duhet të pyesin se përse duhet edhe sot, ta “ruajmë” ne këtë kufi? këtë trashëgim të hidhur të lënë amanet nga pushtuesi të cilin e pati mbjellur me Vrasje shqiptarësh,!!! këtë katrahurë vdekjesh që i lëndon shqiptarët dita-ditës duke vazhduar ti ndaj ata edhe sot me cinizëm?!..

 

Ndaj edhe është momenti vendimtar për shkuljen e kësaj katrahure të vendosur me dhunë nga pushtuesi,ngase kundër  vendosjes së këtij kufiri janë vrarë shumë luftëtar nëpër kohë,shumë shqiptarë të pa fajshëm, shumë ushtarë të lirisë,dhe figura të kombit të cilëve, me ruajtjen e këtij kufiri edhe sot,atyre po u bëhet edhe një varrosje e madhe, një fyerje e rënd po u bëhet edhe të humburve, të zhdukurve, të vrarëve e të kidnapuarve nga ana e Serbisë, e cila të gjitha këto krime i bëri për ruajtjen dhe mosndryshimin e këtij kufiri  dhe për mbajtjen e Kosovës nën pushtim.

 

Mbajtja e këti kufiri, denigron edhe betejat e lavdishme të UÇK-s për çlirim nga serbia, dhe në mënyr të veqant Luftën e Koshares, ku Agim Ramadani pati shkulur shqelmuar dhe përdhosur gurët e kufirit , të vendosur nga pushtuesit sllavë.

Madje as të gjitha viktimat e kësaj lufte ende nuk janë gjendur,e ndoshta  mjerisht as nuk do të mund të gjenden më kurrë, kurse mbi jetën gjakun dhe eshtrat e tyre të humbura qëndron kërcënueshëm dhe fare i pa penguar ashtu si para pesëdhjetë dhe njëqind vitesh,edhe sot e kësaj dite,ky kufi vrastar.

 

Kam shumë dëshirë që këto fjalë të cilat e përshkruajnë realitetin e hidhur të këti kufiri,RELIKTIN e të cilit ne edhe tani e ruajmë dhe e vështrojmë me injorim të pakuptueshëm, të pranohen nga bashkatdhetarët në përgjithësi dhe banorët e Hasit nga të dy anët e kufirit në veçanti, të cilët do duhej të  merrnin kuptim të një veprimi aktiv,për formimin e një NISME PËR BASHKIM KOMBËTAR, e cila do organizonte heqjen e këtij kufiri çrrënjosjen përfundimtare të ndarjes sonë.

 

Për realizimin e çështjes në fjalë,është momenti i fundit që të formohet NISMA HASJANE PËR BASHKIM KOMBËTAR, e cila edhe nëse për fillim,arrin vetëm të familjarizojë ndjenjën e çështjes së bashkimit  ndërhasjanë, bashkimin ndërshqiptar dhe krijimit të një ndjenje të fuqishme për bashkim Kombëtar në Shqipërinë Natyrale,jam shumë i bindur se do të bënim një punë që do të respektohej jo vetëm tani, nëse ne vërtet të organizuar, dhe ashtu siq na ka hije, veprojmë në kët drejtim, Nisma jonë do të çmohej dhe shumë dhe vlersohej në mënyrën e merituar. brez pas brezi edhe në të ardhmen.

 

Unë tani do t`iu bëja thirrje të gjithë intelektualëve Hasjanë,e sidomos atyre me përvojë shoqërore,aftësi  organizative  dhe zotësi edhe në jetën politike,e në mënyrë të veçantë Deputetit të nderuar të Kuvendit komunal të Prizrenit,z. Haziz Hoda, i cili njihet si organizator i mirë dhe udhëheqës i aftë, që ti thërrasë dhe bashkoj të gjithë njerëzit e duhur, për formimin e kësaj Nisme, mëse të nevojshme për vendin dhe kohën,duke filluar së pari me  bashkimin e të gjitha fshatrave të Hasit në Kosovë dhe krijimin e një Komune të përbashkët në Has e cila është më se e nevojshme për këtë rajon, me mbi njëzet fshatra,

të ndara përgjysmë në dy bashkësi administrative Komunale,Gjakovë e Prizren,për tu unifikuar edhe me fshatrat e Hasit në Shqipëri, duke lëshuar të njejtin LETËRNJOHTIM- Dokument Identiteti ,për të gjithë banorët e Hasit dhe heqjen kufirit të vën pa dëshirën tonë nga pushtuesi,që mbanë të ndarë  jo vetëm Hasin në dy pjesë shtetërore por ndanë edhe Shqiptarët,në dy shtete.

 

E nëse edhe kështu nuk arrihet, heqja e këtij kufiri të mallkuar,për fund unë kamë një kërkesë modeste me të cilën ju bëj thirrje, të gjitha personaliteteve përgjegjëse për ngritje të një komisioni apo programi ndërshtetëror në të cilin do të investohej vetëm për  shkuljen e kësaj katrahure që pengon bashkimin tonë vllazëror dhe  kombëtar.

 

Cyrih, 6 Nëntor 2010 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora