E marte, 30.04.2024, 08:31 PM (GMT+1)

Mendime

Avni Halimi: Dosjet plagjiat

E shtune, 06.11.2010, 08:58 PM


Dosjet plagjiat

 

Plagjiat do të thotë përshkrim i tërësishëm i një teksti ekzistues dhe vjedhje e autorësisë së atij teksti! Kush mund të dijë se Gjenerali i ushtrisë së vdekur është plagjiat i iks personit i cili ka vënë emrin e vet si autor i librit? Do ta zënë të gjithë ata që e kanë lexuar Gjeneralin e Kadaresë

 

Nga Avni Halimi

 

Këto ditë, kryesia e BDI-së, e tronditur nga Dosjet me nofkën “MAMA”, “VUJKO”, “STRELAC” dhe “IBAR”, doli me një konstatim i cili në vete ngërthente një porosi mjaft shqetësuese, me intonacion komunist: “Sulmi mbi kryesinë e BDI-së është sulm kundër integritetit dhe identitetit të Shqiptarëve të Maqedonisë”! Pa dyshim, mbase çdo shqiptari i ka ardhur keq për atë që u publikua mbi këto dosje e që u fol për personazhet e tyre, por, në asnjë mënyrë nuk do të thotë që kjo keqardhje të lejojë identifikimin e çdo shqiptari me strukturën udhëheqëse të kësaj partie! Është jo korrekte madje edhe shumë e rrezikshme që çdo shqiptar të identifikohet me BDI-në! Sulmi mbi këtë parti qenka sulm edhe mbi identitetin e vetë shqiptarëve të Maqedonisë?! Pretendim tepër shumë komunist!

 

Konstatimet nonshalante

 

Asnjë shqiptari kurrë mos i ndodhtë që të jetë nën lëkurën e personazheve të këtyre dosjeve, sepse, është e papërballueshme! Edhe hero edhe kodosh nuk shkon! Nuk mundet që një njeri, personalitet, t’i gëzojë këta dy epitete! Njëra patjetër që duhet të eliminohet! Me qëllim që edhe më tej të mbeten vetëm me epitetin “heronj të gjallë”, anëtarët e kryesisë së BDI-së që e gjetën veten nën ato nofka, u ngutën dhe, sipas të gjitha gjasave, me ultimatum kërkuan nga shërbimet sekrete të vendit, nga arkivi shtetëror si dhe nga komisioni për lustrim, që “ta zbardhin” vërtetësinë e këtyre dosjeve! Gabim fatal i udhëheqësisë së BDI-së! Shërbimet sekrete dhe “luftëtarët kombëtarë” gjithnjë janë në armiqësi dhe, sado që mund të arrihet ndonjë paqe mes tyre, në esencë armiqësia mbetet e palëkundur. Puna e do që për momentin shërbimet sekrete të jenë në funksion të koalicionit qeveritar, ndaj dhe, së këndejmi, për një kohë rekorde doli përgjigja “dosjet janë fotokopje dhe plagjiat”! Këtë përgjigje e dha po kaq shpejt edhe kryetari i  komisionit për lustrim. Domethënë, organet gjegjëse si dhe ky farë kryetari, brenda 2-3 ditëve i kaluan të gjitha dosjet, mbi 20 mijë të tilla dhe, meqë nuk gjetën askund dosjet origjinale, atëherë “këto dosje janë të pavlefshme, fotokopje dhe plagjiat”! Pas këtyre përgjigjeve të shërbimeve sekrete, pa dyshim, në të mirë të udhëheqësve të BDI-së, të njëjtit sikur u rehatuan shpirtërisht dhe sakaq në mbledhjen e fundit formuan komision i cili do të merret me këtë çështje, me atë se kush janë falsifikatorët e këtyre dosjeve, nga erdhën, kush i distribuoi, kush i përfoli! Po çka nëse edhe pala tjetër (ata që janë të bindur në vërtetësinë e këtyre dosjeve) formojnë komision për ta hulumtuar vlerën e pazarit eventual për përgjigjen kaq poshtëruese të shërbimeve sekrete maqedonase.

 

“Çka mund të pritet prej...”

 

Kryesia e BDI-së në fakt do të duhej të formonte vetëm një komision, komisionin për bisedime ultimative me qeverinë e Gruevskit: ose të shkakrohen nga detyra të gjithë ata që e dhanë atë përgjigje aq poshtëruese ose prishet koalicioni duke shkaktuar prishje të rëndë të marëdhënieve ndëretnike! Sepse, të konstatohet se dosjet janë (falsifikat) fotokopje dhe plagjiat, është një kredi e papërballueshme për secilin lider e politikan, sado i fuqishëm të jetë ai! Ndërsa nëse pajtohesh me një përgjigje aq nonshalante do të thotë ta japësh prapanicën me qera!

Fjala plagjiat në rastin konkret është lojë sa tallëse aq edhe fyese për tërë udhëheqësinë e BDI-së, ose është fjalë e re dhe si e tillë e pakuptueshme për ta! Plagjiat do të thotë përshkrim i tërësishëm i një teksti dhe vjedhje e autorësisë së atij teksti! Kush mund të dijë se Gjenerali i ushtrisë së vdekur është plagjiat i iks personit i cili ka vene emrin e vet si autor i librit! Do ta zënë të gjithë ata që e kanë lexuar Gjeneralin e Kadaresë. Pra, kur një person bën përshkrimin e një vepre me ngjarje e personazhe, me pikë e presje, themi se ka bërë plagjiat! Kush merr guximin të thotë se dosjet “Mama”, “Vujko”, “Strellac” e “Ibar” janë plagjiat duhet të ketë parasysh se është tallur me një strukturë të rëndësishme politike si dhe ka dhënë sinjal se të njëjtat dosje i ka lexuar dhe se ekzistojnë diku!

Komisioni i udhëheqësisë së BDI-së i formuar enkas për ta zbardhur çështjen e këtyre dosjeve, do të duhej të kërkonte përgjegjësi edhe për një konstatim fyes që u shpreh nga ana e shërbimeve sekrete të vendit. U tha se “disa elemente që gjenden në këto dosje nuk përputhen me ato që ekzistojnë nëpër dosje origjinale, siç është vendi i vulosjes, vendi i nënshkrimit”! Nëse fjala “disa” nxirret nga një tërësi e ndërtuar do të thotë se elementet e tjera janë në rregull, ë!

Udhëheqësit e BDI-së duhet urgjentisht të këndellen dhe të reagojnë ashpër kundër këtyre konstatimeve paushalle, amatore, tepër të dëmshme, konstatime që e vulosin epitetin “kodosh” për secilin të apostrofuar nëpër ndeje e media! Ky reagim duhet të bëhet për hir të simpatizantëve dhe anëtarëve që aderojnë në BDI!

Te masa normale, e pa ngarkuar as politikisht e as emocionalisht (kjo masë është e konsiderueshme ndër shqiptarët tanë) përgjigjet dredharake të shërbimeve sekrete maqedonase kanë ndikuar shumë më tepër se sa vetë afera e dosjeve. Tani imazhi negativ për integristët po shtohet gjithnjë e më shumë! Çdo qëndrim, vendim apo ligj që do të jetë diskriminues për shqiptarët, do të ketë reagimin “ç’mund të pritet prej...”!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora