E premte, 26.04.2024, 06:13 PM (GMT+1)

Mendime

Pirro Prifti: Ateistët dhe ish nomenklatura e kuqe, dëmtues të tolerancës fetare në Shqipëri

E merkure, 03.11.2010, 08:11 PM


Ateistët dhe ish nomenklatura e kuqe, dëmtues të tolerancës fetare në Shqipëri

 

Nga Pirro PRIFTI

 

Jo më larg se para dy ditësh, ish komunisti i vendosur dhe ish shefi i ambasadës shqiptare në Neë Jork, z. Avdi Baleta (para viteve ‘90), së bashku ateiste të tjerë që komentojnë në mënyra e fjalë nga më të ultat jo vetëm tek gazeta “Koha Jonë” e ditës së dielë të dt.31/10/2010 me pseudonimet “Salo Labi Tepelenasi”, “Kolinsi” dhe “Poradeci”, por dhe në komente të disa gazetave partiake ditore apo pseudo- të pavarura gjatë gjithë kësaj periudhe, pranojnë komentet e këtyre njerëzve të cilët duhet të jenë turpi i Shqipërisë për mungesën e etikës,- vazhdojnë të sulmojnë dhe të hedhin baltë mbi komunitetin ortodoks shqiptar dhe Kryepeshkopin Janullatos duke i quajtur grekë, bizantinë që na kanë pushtuar për 700 vjet (harrojnë turqit dhe komunizmin), dhe duke formuar një koalicion të shëmtuar ant-tolerant, vazhdon t’i bëjë keq Shqipërisë  duke penguar dhe vonuar integrimin si dhe duke krijuar një klimë negative sociale në mediat shqiptare e rrjedhimisht dhe në njerëzit që i lexojnë ato.

Sikur të ishin vetëm llogje rrugaçësh dhe inate për sistemin komunist të falimentuar nuk do të shkruaja këto rreshta nëse mbrapa kësaj nuk do të qëndronte/qëndron diçka më ogurzezë kur kujton fjalët e ish-komunistit A. Baleta në emisionin e TV-Koha tek Robert Papa se “... vendosja e Fortlumturisë së tij Anastasios Janullatos në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare do të shkaktojë trazira e mundet dhe luftë në të ardhmen...”?!

Në shumë raste problemet nuk qëndrojnë si interpretohen nga këta njerëz të përzgjedhur për të luajtur rolin e kukuvajkës për fatkeqësitë e ardhshme që do t’i ndodhkan Shqipërisë, apo luajnë rolin e gjykatësit ndaj një komuniteti i cili është nga komunitetet më të civilizuara dhe më korrekti përsa i përket qoftë zbatimit të ligjit qoftë për përqindjen jashtëzakonisht të ulët përsa i përket kriminalitetit të çdo lloji. Është ky komunitet i cili është nga më punëtorët por dhe nga më të papërfaqësuarit qoftë në drejtimin legjislativ, qoftë në atë ekzekutiv apo dhe presidencial. E kjo sigurisht ka shkaktuar dhe shkakton disekuilibër në stabilitetin e vendit duke patur parasysh se shumica dërmuese e drejtuesve ish-komunistë dhe e nomenklaturës së kuqe kanë qenë dhe mbeten individët që kanë ardhur dhe vijnë nga një farefisni drejtuese si në kohën e PPSH ashtu dhe tani duke përfshirë sot pjesën militante dhe servile që e shet dhe e blen veten sipas fuqisë së klaneve drejtuese.

Po të shohim rrjedhën 20 vjeçare të ngjarjeve, Shqipëria si i vetmi vend ateist në botë u përpoq që të shkatërronte besimin fetar duke i u turrur të tre feve kryesore në vend dhe duke patur sukses në ndërmarrjen e saj ogurzezë me qëllimin që të zëvendësonte fenë një doktrinë mijra vjeçare e vulosur nga profetët përkatës në shpirtin e njerëzve duke formuar doke dhe traditat përkatëse, me marksizëm-leninizmin me një filozofi njerëzore. Rezultati ishte i ashtuquajturi “formimi i njeriut të ri”, i cili në fakt doli një dështim i plotë sepse ashtu siç thotë një filozof  i vjetër: “arsimimi i njerëzve pa normat fetare do të krijonte vetëm djaj të zgjuar”. Dhe ashtu ndodhi në Shqipëri në një pjesë të mirë të rinisë dhe popullatës të edukuar me frymën e një dogme të dështuar.

Ndërrimi i detyruar i sistemit komunist me atë kapitalist post-komunist u ndërroi lëkurën nomenklaturistëve të kuq të cilët të mbledhur nga Ramiz Alia në takimin e famshëm të intelektualëve të shquar (kuptohet atyre që ishin besnikë të PPSH)  krijoi korridore të reja për të mashtruar dhe disinformuar popullin e vuajtur për të  mbajtur pushtetin me mënyra të tjera të kamufluara në mënyrë që jo vetëm të qëndronin në krye por dhe të ndanin ish-pasurinë socialiste midis tyre. Rezultati ishte një zallamahi e madhe deri në 1997-98 kur klanet  në luftë për të ndarë pasurinë e popullit u kacafytën dhe e futën Shqipërinë në qorrsokak ashtu si në 1991-1992.

Ndodhi me fenë? Po ata ish-komunistë të cilët identik ashtu siç tha Presidenti çek Havel që: anti-komunistët më të rrezikshëm janë vetë ish-komunistët, ndërruan xhaketat demode të kuqe me kostumet qindra dollarëshe perëndimore dhe dolën papritmas demokratët më të shquar të Shqipërisë që u qante zemra për vendin e për fenë e dëmtuar rëndë.

Anti-fetarët komunistë që e filluan shkatërrimin e kishave (për çudi ishte kisha ortodokse e para që u shkatërrua në Durrës) e xhamive nëpërmjet nxjerrjes së Fletë-Rrufeve dhe grumbullimit të të rinjve të hutuar e të indoktrinuar për tu vënë kazmën objekteve fetare, po këta ish-komunistë nënshkruan dhe lejuan hapjen e kulteve fetare të ndaluara me ligje të bëra po nga ata (të ishte një autokritikë e fortë revolucionare kjo?)

Kisha Autoqefale ortodokse ishte më e dëmtuara në këtë rast sepse s’kishte fare priftërinj, gjithashtu dhe kisha motër katolike në të njëjtën gjendje ishte por Vatikani e kapi shpejt situatën dhe ndihmoi. E njëjta gjë ndodhi me fenë myslimane; komuniteti i madh mysliman u ndihmua menjëherë nga vendet islamike e pak nga Turqia. Për komunitetin ortodoks i cili vuajti jo vetëm komunizmin por dhe mungesën e priftërinjve dilema se kë do të zgjidhnin për drejtimin e Kishës Autoqefale të krijuar nga Fan Nolipas shembjes së komunizmit u zgjidh nga pranimi i Peshkopit Anastasios Janullatos një prift me origjinë greke por që kishte punuar jashtë Greqisë pra ishtenë një farë mënyre ‘internacionalist’ nga ana e ndihmës për të përhapur fenë ortodokse në botë. Kjo ndodhi dhe për shkak të mos pranimit nga kisha ortodokse shqiptare e SHBA për të sjellë ndonjë peshkop, arsye që nuk dihen dhe sot e kësaj dite. Dhe u bë mirë, sepse Fortlumturia e tij për 20 vjet rresht punoi pa pushim dhe ngriti pothuajse nga hiçi një Kishë Autoqefale Shqiptare ku meshohej shqip, ashtu siç kishin kërkuar dhe ishte shënuar në statutin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare qoftë më përpara nga Papa Kristo Negovani, qoftë nga Petro Nini Luarasi qoftë nga Peshkopi i parë shqiptar Fan Noli krijuesi shpirtëror i Kishës Shqiptare Ortodokse.

Çfarë ndodhi për këta 20 vjet? Për 20 vjet rresht ateistët dhe ish-nomenklatura e kuqe derdhi dhe po vazhdon të derdhe lot krokodili për gjoja greqizmin e kishës dhe për pjesëmarrjen e kishës ortodokse në politikë. Kjo nuk është e vërtetë aspak për dy arsye:

-Së pari, nëse pretendohet nga këta ateistë dhe ish-nomenklaturistë të kuq se “kjo është një lojë që nëpërmjet Kishës së drejtuar nga një Kryepeshkop grek, politika greke mund të marrë të ashtuquajturin Vorio-Epir e ta përfshijë në shtetin grek”- kjo ide është sa absurde aq dhe dashakeqe sepse nëpërmjet këtij disinformimi ata arrijnë që të mbajnë nën presion komunitetin ortodoks i cili është i fuqishëm, i arsimuar mirë, i integruar mirë në Europë, dhe është një konkurrent serioz në drejtimin më të mirë e më profesional të vendit për shkak të karakterit të tij shumë pozitiv dhe europian në zbatimin e ligjit dhe të dëshirës për punë; nga ana tjetër mbajtja nën presion e Kryepeshkopit Janullatos qoftë duke mos i dhënë nënshtetësinë shqiptare qoftë duke e akuzuar indirekt për gjoja përfshirjen e tij në politikën brenda vendit duke përkrahur minoritetin dhe disa individë të politikës së ekstremit grek, i mundëson ata (pra këta politikanë drejtues ish- komunistë dhe lakejtë e tyre) që të ulin e të pakësojnë forcën konkurruese të biznesit grek ndaj atij turk apo italian duke luajtur më së miri kartat e këtyre ortakëve pa dalë ata fare në skenë.

Së dyti, janë po këta armiq të kishës dhe të xhamive që kanë mbirë e kanë zënë rrënjë e nuk ikin për asnjë minutë nga TV, mediat gazetareske, e radiofonike, duke argumentuar se sa të rrezikshëm paskëshin qenë këta “grekërit” që na paskan futur si Kryepshkop Janullatos-in ‘për të përlarë tokat shqiptare’(?!). E me këtë rast këta anti-fetarë të urryer të mbijetuar që nga  koha e komunizmit e deri më sot (e që janë të gjithë o në forume drejtuese të njërës apo tjetrës parti) ose janë në pension e qaraviten për “vatanë”) arrijnë edhe një sukses për veten e tyre: na dalin si “atdhetarë e nacionalistë të thekur”, e se “po të mos ishin ata që na dalin në televizor , radio, revista e gazeta, Shqipëria do të na kishte kafshuar nga Greku”(?!)

Harrojnë këta zotërinj se e ardhmja e Shqipërisë është e garantuar në NATO.

Harrojnë këta zotërinj se komunitetet fetare në Shqipëri dhe vetë populli jeton në harmoni dhe tolerancë të plotë e s’ka nevojë për këta gjarpërinj që me qëllim nuk i u shtyp koka që pas 1991.

Harrojnë këta zotërinj se integrimi i shpejtë në BE largon dhe shuan definitivisht nacionalizmin e sëmurë e të vjetruar dhe fut Shqipërinë me ritme më të larta lindjeje se fqinjët, në ekonominë globale, duke siguruar punë, prosperitet dhe vazhdimësi;

Harrojnë këta zotërinj se duan apo s’duan ata drejtimi i vendit ose do të jetë proporcional duke ndarë tre postet kryesore të vendit sipas komuniteteve fetare, ose Shqipëria dhe trojet shqiptare mund të kantonizohen si Zvicra, nëse pabesitë e tyre zgjedhore gjatë rotacioneve politike do të harrojnë komunitetin ortodoks.

U ka ikur koha monarkistëve dhe Leka Zogut (apo ndonjë matjani tjetër atesit si A. Baleta) që mendon të vendosë monarkinë e të mbajë si shërbëtorë kaurët ortodoksë që ti shërbejnë (dhe i shërbyen mirë babait të tij) si hyzmeqarë, apo të shajnë e të hedhin baltë mbi këtë komunitet të respektuar e të fuqishëm shqiptar që ka Kishën e vet Autoqefale e cila drejtohet përkohësisht por me shumë sukses nga Fortlumturia e tij Anastasios Janullatos deri sa të dalin njerëzit potencialisht për peshkopë të ardhshëm shqiptarë, sikurse shante e hidhte baltë Mustafa Kruja duke i quajtur ortodoksët dhe kaurrët në përgjithësi si “plehra të vendit e të lidhur me komunizmin”. Komunizmi nuk erdhi nga Jugu por erdhi nga Veriu për shkak të pushtimit serb të trojeve shqiptare të  Kosovës.

Dëshëroj me gjithë zëmër që këta persekutorë të së kaluarës të mos përzihen më në çështjet fetare duke përzierë dhe interesat politike të tyre, sepse populli shqiptar e pa se çfarë dëmi të madh i shkaktoi popullit ajo marrëzi ateiste komuniste.

 

priftipirro@hotmail.com

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora