E marte, 19.03.2024, 04:45 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Zvërnec, Bukuroshja e fjetur e Vlorës

E shtune, 20.10.2007, 03:40 PM


Shkruan : Ben Andoni

Gurë-varri apo statueta e vajzës greke është rrëmbyer. Në vitin 1997, ajo ishte gjëja më e vogël, që mund të ndodhte në këtë vend. I ati i saj, doktor, nuk kishte mundur të shpëtonte. Kishte derdhur të gjitha ato, që profesioni i kishte mësuar nga Hipokrati, por më kot. Në fund kishte gjetur pajtimin. E kishte lënë në prehjen e gjelbërimit dhe në kujdesin e shpendëve të shumtë, që popullojnë këtë ishull të vogël. Kishte ikur. I qetë. Pas, qetësi. Në amshim...Një ditë, krijesat e luciferit e kishin marrë. E kishin dërguar diku gurin. Ia kishin tretur në keqësi.
Këtë nuk mund të na e shpjegojë një roje objektesh, që tash ruan Kishën e “Fjetjes së Hyjni-lindses në Manastirin e Zvërnecit. I duket si tjetër gjë. Duhet të jetë rreth 50 vjeç, ndërsa hedh sytë tutje-tëhu si për të kapur ndonjë të pabërë. Jemi vetëm: Ne dhe Ai. Bash në sheshin brenda manastirit, ku sapo kemi kaluar urën e drunjtë. Më në fund qetësohet dhe roja. Bindet se para vetes ka vetëm tre njerëz, që janë të interesuar të shikojnë manastirin, kishën dhe pyllin. Ndaj, sikur ta ketë krejt në terezi, ulet... dhe kërkon shpjegim: “Pa ta marrim shtruar. Çfarë doni?” I shpjegojmë se duam të fotografojmë dhe të shikojmë pyllin. Tund kokën, sikur do të thotë: mua doni të ma hidhni. Duket qartë se do të shtyjë shërbimin, ndërsa ne, që duam të mos na bezdisë, dhe të na krijojë mundësinë të shohim të gjithë hapësirën ku gjendet manastiri. Na bën pritë për aparatin, për diktofonin, për lëvizjen, për gjithçka. Sus. Jam unë. Sa i mjerë?-mendojmë. “Sa kot”, duhet të mendojë çapkëni i vjetër, që tashmë butaforisë së tij i ka shtuar edhe një fije bari në gojë.

Sa i pistë
Dikur ky vend ka qenë pronë e Frashërlinjve. Mit’hat bej Frashërit ia mori më pas një familje nga Kanina. Më vonë, ajo bëhet pronë e shtetit shqiptar. Ishulli i vogël prej 7 ha është një monument natyror. Në një gazetë kam lexuar se vetëm 0.1645 ha janë pronë e objektit të kultit, pjesa tjetër është monument natyror. Por, shqiptarëve, pak u bën për monumentin. Në vend të tij, janë të kënaqur me zdërhalljen në këtë mrekulli të natyrës. Ku më shumë vlerën ia provojnë, kur lëshohen të hazdisur në ditën e nderuar të pelegrinazhit. Dhe, atë ditë bëjnë qejf. Në Shqipëri pelegrinazhi është qejf, piknik..urraaaa. Kjo ka bërë që kisha të vuajë damkën e përvetësimit të gjithë mjedisit. Çdo fund-verë, falë saj bëhen kampingje me të rinj, gjë që ia ka përcjellë imazhin e mrekullisë së këtij vendi, shumë më larg. Por, gjithashtu dhe duke i sjellë probleme drejtuesve të kishës shqiptare, të cilët i akuzojnë se kanë marrë të gjithë ishullin. Jo se nuk kanë dhe ata pak siklete. Eshtë e pamundur, falë një rregulli të brendshëm, që t’i të kesh mundësi të takosh priftin. Ai nuk është, por edhe po të jetë- duhet leje që të shikosh interiorët brenda. E vërteta është se vendi është krejt i papastër dhe mungon dora e njerëzve. Ajo rregullohet disi në momentin, kur afrohet kremtimi i 15 gushtit. Por, kaq. Besimtarët e Zotit nuk e kanë shumë qejf pastërtinë, ndërsa pylli, tutje manastirit është edhe më i pistë. Kushdo mund ta provojë, po të ngjitet nga pas manastirit dhe të ikë tutje. Plastmase, mbeturina, të pëgëra që duket se nuk treten- i gjen kudo. Një tabelë akoma më e vjetër se manastiri, për hir të së vërtetës të përgatit që në hyrje me rregulloren e brendshme. Por, ndryshku dhe shëmtia e saj (e para ca kohëve) ta konfirmonte se nuk mund të bëhej më shumë. Roja ka tagër që të shoqërojë vizitorin deri brenda në manastir; Nuk lejohet futja e njerëzve të armatosur; Nuk lejohet njeri veç ditës dhe ndalohet gjuetia. Na bind kështu edhe karshillëku i rojes, që me sa duket e ka mësuar përmendsh këtë tabelë, që është e lakuar nga pas. Në ditën e festës të këtij viti, një kremtues më ka thënë se për “të nderuar”, Hyjni-lindsen, shqiptarët zbrisnin nga pylli me degë të thyera dafine. Qeshnin. Lumturoheshin. Dhe, askujt nuk i bënte përshtypje se po e dëmtonin këtë mrekulli. Kremtimi i ditëve do të thotë thjesht orgji ngrënie, ndërsa vari i Marigosë, këtij personazhi interesant, ishte i pa pamundur, që ta shpëtonte këtë zallamahi...

Ato
Këto objekte gjenden në perëndim të lagunës së Nartës, në brezin ranor, që ndan lagunën me detin. Përfaqëson një grup dunash ranore, të formuara nga veprimi i erës. Gjatësia e brezit me duna arrin disa kilometra. Ato kanë lartësi deri ne 5-6 m. dhe gjerësi deri 20-30 m. Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike. I gjithë vendi vizitohet duke ndjekur almanakët turistikë-duke ndjekur itinerarin qyteti i Vlorës-Kriporja-bregdeti i Nartës-Hidrovori. Manastiri i Zvërnecit është monumenti kulturor më i rëndësishëm në hapësirën e Nartës. Një nga arsyet për të vizituar ishullin e Zvërnecit është fakti që të shikohet ky manastir. Ai është ndërtuar më shekullin e XIII, sipas karakterit bizantin, dhe i kushtohet Shën Mërisë. Çdo 15 gusht ka një festim të kishës ortodokse me rastin e lindjes së Shën Mërisë në këtë kohë.

Drejt Zvërnecit
Po. Zvërneci nuk është shumë larg magjistralit kryesor. Si të gjitha, objektet e religjionit dhe ato kulturore-historike kudo në Shqipëri, nuk janë shumë larg magjistraleve kryesore...Por, pas kësaj rruge të gjatë që të drejton në të ashtuquajturin “Pusin e Mezinit”, nuk jemi në Lagunë. Duhet të përshkosh qetësinë e Nartës, një qytezë-fshat, me shtëpira, që i ngjajnë pa fund shtëpive të Bregut të Jonit. Ende, gratë e vjetra, që ngjasojnë me ato të Jonit, të flasin me një greqishte arkaike, ndërsa burrat e pakët nuk i sheh kurrkund. Më të rinjtë në kurbet, kurse më të vjetrit në kafene. Askush nuk di për Kompleksin e madh, por të gjithë të konfuzojnë. Në sheshin, që përbën qendrën e Nartës, gjendet një kishë, e cila është e mbyllur zakonisht. Më duket sikur i shoh sërish ato dy karrige dhe togun e hedhurinave, që i gjej gjithmonë në këtë vend dhe sërish të patrazuara. Por, nuk kemi kohë. Rendim për në Lagunë, një vend ku dikur punohej për të gjetur naftë. Njësoj sot, pretendohet që të bëhen afër Depozitat e mëdha. Sërish naftë. Sërish protesta. Dhe, jo më kot, rrugës i has plehrat kudo. Inertet. Tashmë, nuk ka rëndësi. Shumë shpejt brazat e pishave nuk do të jenë. Dikur, banorët e Zvërnecit i bën një rezistencë të mirë INA-Naftaplin, operatori kroat i kërkimit të naftës, që kishte marrë në konçesion Bllokun e Panajasë në Shqipëri. Kurse, nuk po e përballojnë dot Kompleksin e madh, që po merr jetë pak nga pak...Edhe pse Këshilli Bashkiak po i bën rezistencë, puna duket se do të marrë jetë. Fshatarët kanë heshtur. Janë paqtuar. Këtë herë ambjentalistët duken si të nënshtruar...

Invers-Kisha dhe manastiri i njohur
Rruga bëhet më strapacuese dhe shtuar me aq shumë kodrina rrugës, të nxjerr jashtë pyllit. Me një makinë të mirë për gati 20 minuta të duhet të lësh pas Nartën. Pas një traseje të gjatë, rruga i ngjitet nga shumë afër Lagunës. Në këtë vend, ajo qarkon një ishull të vogël , ku gjendet manastiri dhe kisha e kahershme e zonës. Me një pasarelë, që shkon drejt, ndërtuar nga kisha ortodokse për 60 milionë lek (?)- futesh në një ishull të mbuluar me pisha, ku gjendet kisha e ndërtuar e shekullit të XIII dhe manastiri i vitit 1636. Historianët pretendojnë se në anën tjetër të ishullit, është edhe një kishë tjetër, të cilës i kanë mbetur rrënojat. Ajo është restauruar për herë të fundit në shekullin e XVIII. Në varrezat e saj ishte varrosur Marigoja e flamurit të Ismail Qemalit, bashkë me dy fëmijët dhe pak njerëz të tjerë. Dominon mbi gurët e varrit, greqishtja bizantine. Edhe vetë kisha është bizantine, sepse është e ndërtuar me gurë dhe me tulla të asaj kohe, sipas specialistëve. Një hajat me kolona, që i ngjan “Shën Nikollës” së Voskopojës, të mirëpret në hyrjen e kishës së njohur. Por gurët janë ngrënë nga motet dhe duket se nuk do e kenë të gjatë. Një dorë restaurimi i pret akoma t’i fusë në jetë. Një tjetër, ajo e kohës, pret t’i shkatërrojë. Roja, i cili na shoqëron me një bisedë absurde në ishull, bën rezistencë pasive. Kam urdhër,- thotë. Por, na mundëson të rifutemi në kishën e manastirit. Nuk na lë të fotografojmë brenda. Eshtë kategorik. Brenda nuk ka ndryshuar shumë, por duket se kisha ka dorë dhe është e restauruar më mirë. I veçuar, roja, ruan për ndonjë padrejtësi, kurse ne gjejmë mundësinë që të shikojmë në absidën e Kishës figurat bizantine. Ky element ka mbetur pak edhe në kupolën e vogël, që është mbi kishë. Ajo që ndoshta është shumë e njohur për kishën e Zvërnecit dhe që përmendet si një gjë unikale, është një kafkë me një gjarpër dhe mbishkrimi i greqishtes bizantine, që i qëndron sipër, rrasës së varrit të një personazhi, përballë hyrjes kryesore. Eshtë varri i Kostas Karanxhas dhe ka të ngjarë, sipas Prashnikerit, që të ketë qenë një figurë shumë e njohur e lidhur me perandorët e Bizantit. “Këtu prehet Kostas Karanxha, burrë fisnik, filiz i një dere fisnike”, thuhet mbi varrin e tij. Një pjesë dafinash, që janë mbi varret e të paktëve të mbetur mbi manastir, janë shenja e plotë e paqësisë të manastirit. Pasi bëjmë një qarkore rreth tij, ai na drejton vetë drejt largimit...Njësoj kanë bërë ndoshta dhe ata. Ashtu si zbrisnin atë ditë me dafina dhe dukeshin të gëzuar se po i blatoheshin Shën Mërisë. Por mua më dhimbsen dafinat, më kujtohen fjalët e njeriut, që më ka shpjeguar pak për festën e vitit 2007.

Vetë ishulli
Ishulli i Zvërnecit është një nga peizazhet, ku paqja është e rrallë në Shqipëri. Në festën e 15 gushtit mblidhen bashkë të ikurit, lulëzojnë pemët dhe qetësohen peshkatarët. Pak më tej, në lagunën e Nartës, peshkatarët presin peshqit, ndërsa vreshtat përgatiten që nxjerrin ende atë rrushin kualitativ, që më pas prodhon atë verë të mrekullueshme, që e kërkojnë të gjithë. Pastaj, pelegrinët, prehen në ishull dhe para syve të natës i bëjnë fli gjumin dhe qetësinë- festës fetare. Në kohën e regjimit vinin fshehtas dhe e përshkonin ishullin me varka dhe depërtonin deri atje. Kurse sot, vinë në mes të ditës. Është mrekullueshëm. Ashtu, ishte bukur edhe atëherë në kohën e Anti-krishtit. Por, gjurmët e hershmërisë, sipas studiuesve, shkojnë që nga shekulli i 1 para Krishtit dhe më vonë. Duhet të largohemi. Puna e mirë veç të tjerave është kjo urë e stërgjatë 200 metra që i merr sëbashku vizitorët dhe i fut në ishull. E mirë se edhe të largon. Më 1967 bashkë me murgun e fundit që e liruan nga ky vend u dëbua për pak kohë dhe mrekullia e këtij vendi nga kujtesa. Thuhet se atje është djegur një thesar, nuk është më biblioteka e bollshme me literaturë...se kishte...
Roja është më shumë se indiferent, por tash bën dhe hokatarin. Na ngacmon pa fund dhe tallet me interesin. Na tregon për priftin, që meshon. Nga vjen dhe se duhet të hanë fëmijët... Nuk e dëgjojmë. Më nget për Marigonë, që e ka parë në film. Për ushtarakun, që është varrosur në kishë, nuk di pothuaj asgjë. Eshtë i qetë.
...
E pyesim për vajzën dhe gurin e saj. “Eh, ç’ia kini ngenë ju”, na përgjigjet, kur i dalim nga sfera e tij e logjikës. “Ta kisha ditur, një m...kisha për t’iu lënë”. I qeshim. A thua të ketë qenë ndonjë nga ata që e di, se ku është guri i vajzës greke?! Po ç’i duhet atij. E presin në shtëpi. Manastiri këtu ka qenë dhe këtu do të jetë. Eshtë viti 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora