E shtune, 21.09.2019, 08:23 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Dikur ëndërr e jona që e paguanim me gjak, sot realitet që e njeh bota

E merkure, 17.02.2010, 11:00 PM


SHKREPËTIMA, KUJTIME E MBRESA NË PËRVJETORIN E DYTË TË SHTETIT FUKSIONAL TË KOSOVËS: 

DIKUR ËNDËRR E JONA QË E PAGUANIM ME GJAK, SOT REALITET QË E NJEH BOTA

Të festojmë me gëzim e me krenari, por edhe të punojmë – secili me kompetencat dhe me mundësistë e veta e të gjithë bashkë me fuqi mrekullie, ta bëjmë edhe Kosovën e Re të shenjtë e të vlefshme siç ishte Dardania Antike dhe oazë joshëse për të gjithë, si një kopsht lulesh paqeje e dashurie, të njohur dhe të përlqyer në mbarë botën.

Shkruan: Engjëll KOLIQI
 
Sot është 17 shkurti. Dardania Antike – Kosova jonë e re ka festë të madhe, kremton Ditën e vulës së pavarësisë, respektivisht shtetësinë e saj. 
Nuk dalin shumë faqe për të shkruar historinë e Dardanisë së Shenjtë dhe të Kosovës së Re, shtetit më të ri në botë, që u bë dhe po lulëzon mbi shumë varre të bijave dhe bijve të saj, të rënë shekull pas shekulli, vit pas viti, stinë pas stine... Dardania Antike që dikur përfshinte vise pothuaj te mbarë Serbisë sotme, i kishte dhënë njerëzimit personalitete të mëdha, deri në perandorë të Perandorisë Romake (Konstantini) dhe shenjtër (Shën Niketë Dardani, Shën Flori, Shën Lauri, Shën Maksimiliani etj). Të ardhur nga jugu i Polonisë së sotme, nëpër Karpate raca sllave-serbiane në shekujt VI-VII filluan të shpërndahen nëpër trojet e Dardanisë dhe mikpritjen dardano-shqiptare e shpoerblyen me terror e me tragjedi të shumta që nëpër shekuj i organizonin dhe i bënin mbi popullsinë vendore autoktone. Edhe Perandoria Otomane që mbi pesë shekuj pushtoi tokat tona, ngulfati dhe shkatërroi barbarisht, sa mundi, gjithçka frymonte shqip. Sllavo-serbianët ishin më të pamëshirshmit në tokat tona. Që nga fillimi ata donin të bëhen zotshtëpie në trojet tona. Bënë spastrime etnike në krahina të tëra dhe derdhën shumë gjak shqiptari, duke vrarë e masakruar mijëra bija e bij të tokave dardane. 
Në fund të shekullit XX, sidomos shembja e Murit të Berlinit u dha zemër popujve të vuajtur kudo në Europë dhe në mbarë botën. Atëherë edhe ne u organizuam më mirë dhe, duke i dhënë grushtin vdekjeprurës komunizit në trojet dardane, u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, që mbi trojet tona organizoi shtetin paralel dhe sistemin shoqëror paralel – në arsim, në shëndetësi, në kulturë, në sport etj. Strategët e mëdhenj – Dr Ibrahim Rugova e Fehmi Agani, me urtësi të madhe dhe me një karizmë të themi shenjtërore, ditën ta ndërkombëtarizojnë çështjen tonë kombëtare dhe të drejtën e patjetërsueshme të shtetësisë së Kosovës. Krahas veprimtarisë së ngjeshur dhe të frytshme politike-diplomatike, bëheshin edhe përgatitje për një kryengritje të armatosur – për kryengritjen përfundimtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit barbarë serbosllavë dhe për vulosjen e shtetësisë së Kosovës. Presidenti karizmatik Rugova, kishte mbledhur në Tiranë të Madhin Adem Jasharin me shokë dhe kishin shkoqitur bashkë planin strategjik për fillimin e luftës përfundimtare çlirimtare të Kosovës. Secili kishte marrur detyrat e veta dhe i  kryenin – secili me kompetencat dhe me mundesitë e veta. Në rrebeshin e akteve terroristike serbiane në Kosovë, erdhi marsi 1998, kur Adem Jashari flijoi familjen e vet, duke rënë si heronjë të përjetshëm, bashkë me prindërit – Shabanin e Zahiden, me vëllain Hamzën dhe me shumë të rinj e fëmijë të Familjes së madhe e heroike Jashari, në Prekazin legjendar të Drenicës Heroike. S’kishte ç’të pritej më. Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shtoheshin nga dita në ditë dhe shtriheshin në të gjitha viset e vendit tonë. U zhvilluan shumë luftëra të rrepta anekënd Kosovës, por sidomos në Grykën e Llapushnikut në Drenicë, në Dukagjin e në Llap. Sidomos vlen të përmenden luftërat e rrepta në Dukagjin, ku njësite të kombinuara të krahëve të ndryshëm politikë kanë bashkëpunuar dhe janë rreshtuar nën komandën e Ramush Haradinajt. Heroi legjendar Agim Ramadani i shkuli gurtë e kobit të zi në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Koshare, ku edhe muarën karaullin kufitar dhe kazermën serbiane. 
Në Lutjet e Mëngjesit të vitit 1997, në Washington, bija dardane Gonxhe Bojaxhiu – e lumturuara Nënë Tereza, ia kishte puthur dorën Presidentit Rugova publikisht dhe i ishte drejtuar Presidentit Clinton dhe burrështetasve e personaliteteve nga mbarë bota, duke thënë: “Ky është Presidenti i vendit tim të lindjes, ju lutem ma keni në kujdes dhe ma shpëtoni bashkë me popullin tim të shumëvuajtur”! 
Serbia organizonte dhe bënte shumë masakra mbi popullsinë e pafajshme dhe liridashëse në Kosovë. Në janar 1999 u bë masakra e paparë në Reçak, ku u vranë dhe u masakruan mbi 40 persona civilë të pafajshëm. Ambasadori amerikan Wiliam Walker, në cilësinë e kryesuesit të vëzhguesve ndërkombëtarë në kuadër të OSBE-së në Kosovë, arriti që të shkojë atje para autoriteteve serbiane dhe e pa masakrën. Ai alarmoi tërë botën se në Kosovë Beogradi gjakatar po masakron popullatën civile. Pa pritur gjatë, u organizua konferenca ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje (afër Parisit, në Francë), ku autoritetet e Beogradit nuk pajtoheshin me qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe nuk deshtën të nënshkruajnë kurrëfare marrëveshje paqeje. Në këto rrethana, në selinë e NATOS në Bruksel u vendos për një ndërhyrje ushtarake në Kosovë dhe më 24 mars 1999 aeroplanët që kryesisht çoheshin nga bazua amerikane në Aviano të Italisë filluan të fluturojnë dhe të bombardojnë mbi pozicionet serbiane në Kosovë dhe në pika të ndryshme strategjike në Serbi. Këto bombardime zgjatën plot 78 ditë dhe Serbia u detyrua të nënshkruajë marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, me të cilën detyrohej t’i largojë të gjitha forcat ushtarako-policore nga Kosova. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje lindi Rezoluta 1244 dhe Kosova u muar në protektorat nga OKB. Shkuan atje dhe bënë administratën civlile të quajtur UNMIK dhe sigurinë e muarën në dorë dhjetëramijëra ushtarakë të misionit to NATO-s KFOR, ku hynë edhe ushtarë nga vendet që nuk ishin në NATO.
Ishin pjekur të gjitha kushtet për të biseduar në tavolinë me Serbinë, për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe të përhershme paqësore, por për paqë, drejtësi, liri e barazi Serbia nuk donte të dëgjonte kurrën e kurrës. OKB emëroi të dërguarin special për të udhëhequr negociatat – ish presidentin e Finlandës Marti Ahtisaari. Bisedimet kryesisht zhvilloheshin në Wienë. Por autoritetet e Beogradit as që donin të gjendej një marrëveshje paqësore. Në këto rrethana absurde, ishte e logjikshme dështimi  i negociatave shqiptaro-serbe, prandaj Ahtisaari përgatiti raportin nga procesi negociator, duke propozuar si të vetmen zgjidhje të arsyeshme dhe të drejtë, pavarësinë e Kosovës, një pavarësi të mbikqyrur ndërkombëtarisht. Mbas të gjitha këtyre, më 17 shkurt 2008, në Prishtinë u mblodh Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë autoritetet qendrore të vendit tonë, si dhe të ftuarit specialë – familjet Rugova dhe Jashari e mbarë kori diplomatik ndërkombëtar dhe u shpall solemnisht pavarësia. Kosova u shpall shtet dhe u vulos me emrin e Republikës. Gëzim i papërshkrueshëm i popullit tim të shumëvuajtur!
Me kujtohet, si sot, dhe kurrë nuk e harroj atë ditë të bekuar. Bashkëvendësit e mi ishin organizuar të bëjnë kremte të madhe këtu në Lecco, por mua më dukej pak të kremtoj këtu. Doja që Ditën e parë të shtetësisë së vulosur të Kosovës ta përjetoj me njerëzit e mi, atje në vendlindje, atje ku është derdhur shumë gjak i pafajshëm për këtë shtet. Kështu pra, u organizuam dhe një ditë përpara – më 16 shkurt 2008, me gruan time dualëm në Veronë, e muarëm aeroplananin dhe shkuam në Kosovë. Ishte kënaqësi edhe në aeroport, ku shiheshin plot kosovarë të mbështjellur me flamurin tonë kombëtar. Aeroplani u stërmbush dhe shumë të tjerë mbetën në aeroport, të detyruar të kthehen e të kremtojnë këtu në mërgim, ose të nisen me makinë e të mbërrijnë nesër atje, në Kosovë.
Ky udhëtim më dukej më i lehti, më i këndshmi, më i lumturi, prej se jam në mërgim. Zemra mal m’u bë kur në Aeroportin e Prishtinës pashë mbishkrimin: “MIRËSEVINI NË REPUBLIKËN E KOSOVËS”. Për ne ishte Republikë e shtet që nga 2 korriku 1990, mirëpo ende nuk na njihte bota dhe çdo paraqitje publike në emër të Republikës së Kosovës mund të na kushtonte shumë, madje edhe me kokë e me jetën tonë. E tillë ishte Serbia. Fjala popullore thotë se nuk ka pushtues të mirë, por në rastin tonë Serbia ishte shembull tipik i së keqes, i tragjedive të njëpasnjëshme mbi trojet dardane... 

Atë të dielë të 17 shkurtit 2008 zemra më rrahte fort dhe emocionet ishin si kurrë më parë – të papërshkrueshme. Të gjithë banorët e Stubllës Krenare ishin mbledhur në Qendrën e Rinisë, ku u mbajtën fjalime solemne e u bënë urime për shtetin tonë të vulosur. Nga aty shkuam të kremtojmë edhe me koktej special, por Restoranti “Jozefi” ishte tepër i vogël për t’i zënë të gjithë. Jehonte larg kënga e haresë. Bukur dridhej vallja. Gjithnjë e më fort ushtonin edhe revolet e pushkët automatike të të pranishmëve. Kremtuam me hare deri në orët e mëngjesit. Të nesërmen mediat lajmëruan për njohjet e para të Republikës së Kosovës, nga vendet më të fuqishme të botës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të pasuar edhe vendet tjera, si Japonia, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, Shqipëria, Turqia e vende të tjera. Vendet të po e njohin shtetin tonë të Kosovës po shtohen nga dita në ditë. Deri tash na kanë njohur 65 vende, anëtare të OKB-së dhe jemi pranuar në Bankën Botërore e në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me të dhënë mendimin e vet për ligjshmërinë e Republikës së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, pritet të shtohet shumë numri i njohjeve dhe kështu të kalojnë dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së e të bëhemi anëtari i 193-të i kësaj organizate botërore, pa pasur nevojë për koncensusin e Këshillit të Sigurimit.
Në përvjetorin e parë të shtetësisë së Kosovës, as nuk munda të gëzohem, as të kremtoj, sepse mbas aksidentitn të tmerrshëm automobilistik në Slloveni të 9 janarit 2009, isha “i vdekur” (në gjendje koma) në spitalin e Lubjanës, ku me mrekulli të vërtetë mbas mbi pesë  javësh Zoti më ringjalli dhe ngadalë, por sigurtë po e marr vetin. Edhe në këtë përvjetor të dytë nuk pata fuqi fizike të shkoj e të kremtoj atje në Kosovë, por do të mundohem të marr pjesë në manifestimet që do të organizojnë mërgimtarët tanë të Shoqatës “Stublla” në Lecco dhe ata të Shoqatës “Kosova e Lirë” në S. Stefano të Milanos.
Dhe krejtësisht në fund, në këtë përvjetor të dytë – unë Engjëll Koliqi, shtetasi i Republikës së Kosovës, që shumë kam vuajtur nën thundrat serbiane dhe kam kontribuuar aq sa kam mundur, me tërë intelektin tim dhe me fuqitë e mia oratorike e financiare, i vërshuar nga emocionet, në këtë ditë tonën të madhe uroj: Kosovë e dashur, të qoftë e përjetshme dhe e këndshme për të gjithë shtetësia! Bashkë me Shqipërinë e gëzofshi përjetë të Shenjtën Iliri!



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT