E premte, 26.04.2024, 05:09 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Të ngarkuar me shovinizëm dhe etnocentrizëm

E merkure, 18.11.2009, 11:00 PM


Të ngarkuar me shovinizëm dhe etnocentrizëm

Nga Valon Kurtishi

E lexova me shumë vëmendje dhe interes shkrimin e gazetares simpatike Maja Mihajlovska në gazetën Vreme, e shtunë/dielë, 7-8 nëntor 2009, me titull, “Të ngarkuar, por jo me gjuhë”, dhe mbeta i befasuar nga mungesa e vizionit dhe e shikimit të drejtë të rrethanave shoqërore në këtë vend. Ajo që dy shtetas të një shteti të njëjtë europian nga dy bashkësi të ndryshme etnike në vitin 2009, komunikojnë dhe në të ardhmen ndoshta do të komunikojnë vetëm me gjestikulime, është vërtet një fenomen i çuditshëm dhe brengosës, i papranueshëm për standardet dhe praktikat europiane dhe përtej. Por për këtë nuk janë fajtorë shqiptarët dhe iniciativat e tyre për bojkotin e orëve të gjuhës maqedonase. Për këtë nuk janë fajtorë as bashkëmoshatarët e tyre maqedonas e as kombi maqedonas. Kjo situatë e këtillë e çuditshme kur një bashkësi e madhe etnike si ajo shqiptare e di dhe detyrohet ligjërisht ta mësojë gjuhën maqedonase, kurse nga ana tjetër një bashkësi tjetër e madhe etnike si ajo maqedonase nuk e flet dhe as që përpiqet ta mësojë gjuhën shqipe, është absurde dhe njëkohësisht shumë jologjike dhe irracionale në mes të Europës, anno domini 2009. Kjo situatë e çuditshme kur në një shoqëri faktikisht dyetnike, bashkësia shqiptare e flet dhe e di gjuhën maqedonase, kurse bashkësia maqedonase nuk e njeh gjuhën shqipe çon drejt getoizimit të atyre që nuk e njohin gjuhën e tjetrit. Paradoksalisht por shumë e vërtetë, kultura maqedonase vetë-izolohet përmes imponimit të gjuhës së vetë në të gjitha sferat e jetës bashkësive tjera, të cilët sipas ligjeve të faktorëve të ndryshëm historikë jetojnë si autoktonë në këtë shtet me histori të “gjatë” 18 vjeçare. Kjo situatë interesante, kur shtresa të gjera të një shoqërie nuk janë aspak të interesuara për ta mësuar dhe në shumë mënyra e urrejnë kulturën dhe vlerat e bashkëqytetarëve, bashkëfshatarëve, kolegëve të tyre nga jeta e përditshme është një ngarkesë e qartë me shovinizëm dhe etnocentrizëm, për të mos numëruar tani edhe “izma “ të tjerë me kuptim negativ.
Tani sa i takon administratës shtetërore apo asaj publike në përgjithësi. Ajo që ka nëpunës të rinj të pranuar të cilët nuk e njohin gjuhën maqedonase nuk është aspak në rregull. Edhe unë pyetem gjithashtu se si do të punojnë ata në institucione dhe si mund ta kryejnë punën më me sukses. Por unë pyetem gjithashtu që, si është e mundur që nëpunësit shtetërorë të mos e njohin gjuhën e dytë zyrtare në vend e cila sipas kushtetutës është “ ajo gjuhë që e flasin se paku 20% e popullsisë”, pra gjuhën shqipe? Pikërisht kjo është tragjedia e madhe këtu. Unë jam i sigurt që 99% e nëpunësve shtetërorë nuk e kuptojnë fare gjuhën e dytë zyrtare apo shtetërore, dhe thjesht nuk e kuptoj si i kryejnë këta në mënyrë efektive dhe efikase punët e tyre zyrtare në qytete të tilla si Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Ohri, pjesë të Shkupit ose edhe në Manastir, Prilep, Veles, Shtip, Krushevë. Në Maqedoni çdokund kemi shqiptarë, maqedonas dhe një numër të bashkësive tjera shumë më të vogla etnike. Kur të gjithë zyrtarët shtetërorë do ta dinë gjuhën e 25% të popullsisë së vet do të gjendet ilaçi për administratën publike. Për të mos thënë se shqiptarët në IRJM nuk janë ai 25% zyrtar por më shumë se 35% të numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Një ilaç të tillë kanë gjetur të gjitha shtetet europiane me përbërje etnike të përzier të popullsisë. Në gjithë Europën, përveç Greqisë e cila si një diktaturë e njohur nacional-shoviniste nuk pranon ekzistencën e asnjë pakice kombëtare, ka vetëm katër shtete me përzierje më të madhe etnike të popullsisë. Ata janë Belgjika, Zvicra, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia. Në tre vendet e para ka nga tre gjuhë zyrtare (në Belgjikë dy) të detyrueshme për të gjithë ata që kërkojnë një vend pune në administratën shtetërore. Shikuar në përqindje, shqiptarët në Maqedoni janë më të shumtë në numër se të themi italianët dhe francezët në Zvicër ose kroatët në Bosnjë dhe Hercegovinë. Pikërisht për këtë, Maqedonia e cila është në rrugë për në Bruksel duhet të aplikojë standarde brukseliane për këto problematika. Nuk mund të shkohet në Europë me standarde shoviniste dhe mesjetare të gjuhëve zyrtare dhe jozyrtare, më të vlefshme apo më pak të vlefshme. Maja pyetet se pse bashkësia sërbe dhe bashkësia që ajo e quan “turke” nuk protestojnë kundër këtij vendimi qeveritar. Por bashkësitë sërbe dhe bashkësia inekzistente e a.q “turke” të dyja bashkë nuk bëjnë më shumë se 3% nga numri i përgjithshëm i popullsisë së Maqedonisë. Edhe shqiptarët në luginën e Preshevës nuk kërkojë që nëpunësit shtetërorë në Zemun apo Novi Sad të flasin gjuhën shqipe pasi ata janë vetëm 1% nga numri i përgjithshëm i popullsisë në Sërbinë fqinje. Pra, numrat e popullsive luajnë rol dhe janë të rëndësisë vendimtare në konteste të tilla. Sa më takon mua personalisht, do i kisha anuluar të gjithë kufizimet në përqindje për të “drejtat” e bashkësive etnike. Por shqiptarët nuk janë aspak fajtorë për një zgjidhje të tillë. Ishin vetë maqedonasit ata që i imponuan këto zgjidhje për të “drejta etnike” në bazë të përqindjes së popullsisë. Vetë maqedonasit e imponuan kufirin famoz prej 25% të cilën pseudo-politikanët tanë gjysmë analfabetë e pranuan madje si normë kushtetuese.
Mësimi i gjuhës angleze nuk duhet ngatërruar me çoroditjet ekstremiste tipike ballkanike. Ai, njëjtë si teknologjia e informacionit është i nevojshëm si për fëmijët maqedonas ashtu edhe për ata shqiptarë. Për këtë, ne kërkojmë ose të hiqet gjuha maqedonase si ngarkesë artificiale e fëmijëve shqiptarë, ose le të ngarkohen gjithë bashkë në mënyrë proporcionale. Pra, gjuha maqedonase si gjuhë e parë zyrtare, gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare dhe anglishtja si gjuhë botërore (lingua franca) të mësohen njëkohësisht nga klasa e parë fillore.  
Pikërisht për këtë, Byroja për arsim, në pajtim me kushtetutën dhe me ligjet, në pajtim me praktikën europiane dhe në interes të bashkëjetesës, tolerancës dhe njohjes më të mirë të tjerëve, duhet që ti “gatitë” programet mësimore ashtu si i bëjnë në Bashkimin Europian. Kështu, gjuhët maqedonase dhe shqipe të mësohen nga klasa e tretë ose e pestë nga të gjithë nxënësit e këtij vendi.
Atëherë edhe ministri i arsimit nuk do të ngatërrohet me vendimet dhe me fjalët e veta dhe as marrëdhëniet ndëretnike nuk do të ngarkohen apo përkeqësohen. Atëherë nuk do të kemi getoizim të askujt në Maqedoni, pasi të gjithë do të ndjehen të barabartë dhe do ta shikojnë këtë vend si të tyrin.  Unë vetë personalisht për momentin nuk ndjehem si i barabartë në këtë republikë të re, pasi e di se në asnjë vend tjetër europian përveç Maqedonisë, gjuha e 25%(në realitet më shumë se 35%) të popullsisë nuk mund të mos jetë gjuhë zyrtare në gjithë territorin e shtetit të dhënë.
Por kjo është vetëm një element nga diskriminimi i madh, gjithëpërfshirës dhe i kudondodhur i popullit shqiptar në Maqedoni. Shpresoj sinqerisht, që gjenerata e re pjesë e së cilës jemi unë, Maja dhe shumë bashkëqytetarë të tjerë me forca të bashkuara do të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe do ti mbyllim njëherë e përgjithmonë këto forma irracionale dhe absurde të diskriminimit, për një të ardhme më të mirë për gjithë ne.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora