E premte, 26.04.2024, 05:14 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Ali Pashë Tepelena - Politikani, diplomati dhe ushtaraku i vetëformuar (III)

E merkure, 23.09.2009, 08:31 PM


ALI PASHË TEPELENA - POLITIKANI DIPLOMATI DHE USHTARAKU I VETËFORMUAR

(III)

Nga Shevki Sh. Voca

Aliu pasi u emrua nga sulltani për pasha të Janinës ai me një rritëm të furishëm shtriu pushtetin e tij jo vetëm mbi krahinat e Shqipërisë së Poshtme, por edhe në viset greke të Tesalisë. Ali pashë Tepelena nuk lëkundej para asnjë akti uzurpues ose krimi në të gjithë Shqipërinë e Jugut, me qëllim që të forconte autoritetin e tij. Aspiratat dhe synimet ekspanzioniste të tija nuk kishin të ndalur. Ai brenda një kohe të shkurtër i përmirësoi pozitat e veta. Qysh në ditët e para shpalli se do të aministronte me drejtësi, do të vendoste qetësinë e brendëshme, do të ndiqte shkaktarët e trazirave dhe do të trajtonte njësoj të gjithë banorët, si shqiptarët edhe grekët, si myslimanët edhe të krishterët. Për të siguruar qetësinë vendosi garnizone ushtarake në qendrat kryesore të pashallëkut. Kundër atyre që shkaktuan trazira shpërtheu pesha e dënimit të pamëshirshëm të organeve të Aliut.                                                                                                                                                                                                         Në të njëjtën kohë Ali Pasha i kushtoi kujdes të veçantë edhe grumbullimit të të ardhurave fiskale. Për këtë qëllim vuri dorë mbi pasuritë e feudalëve të aratisur ose të burgosur, dhe mbi çifligjet e tyre së bashku me fshatrat që kishin  në derebejllëk. Pjesën më të madhe të çifligjeve e ktheu në pronë  personale. Pjesën tjetër ua shpërndau agallarëve të vet. Nga këto të ardhura u dërgoi dhurata dhe ryshfete të majme funkcionarëve të lartë të Stambollit.  Me anën e dhuratave ai largoi dyshimet e qeverisë turke dhe siguroi kështu fermanet me të cilat sulltani e njohu atë sundimtar të Janinës, ndërsa birin e tij Veli Pashën, mytesarif të Tërhallës.

      Me të hollat që grumbulloi Aliu filloi ndërtimin dhe meremetimin e kalave si dhe organizimin e një ushtrie të përherëshme e të disiplinuar. Me të përgatitur ushtrinë, Ali Pasha filloi më 1789 fushatën për zgjerimin e sundimit të vetë. Vështrimin e parë Ali Pashë Tepelena, e hodhi drejt limanit bregdetar të Artës. Arta ishte pas Janinës qyteti i dytë kryesor i Epirit. Si skelë në detin Jon, Arta lehtësonte marrëdhëniet tregëtare të Janinës me tregjet mesdhetare. Ai dëshironte të sundoi krahinat të cilat administroheshin nga funkcionarët e emruem me dekret të sulltanit.

      Pasi e nënshtroi Artën, Ali Pasha iu drejtua Toskërisë, me pretekst se do të vendoste qetësinë. Në të njëjtin vit Aliu nisi ushtritë e veta bashkë me bandat e martallozëve grekë drejt luginës së Vjosës. Gjatë kësaj fushate ai nënshtroi Konicën, Përmetin, Këlcyrën, Libohovën,dhe Tepelenën. Këto vise ishin nën vartësinë e

sundimtarit të Pashallëkut të Beratit, Ibrahim Pashë Vlorës, ( ky ka qenë daja Ismail Qemalit, Sh.V.), i cili kishte zënë vendin e Ahmet Kurt Pashës vjehrit të vetë. Midis

këtyre dyve plasi një konflikt i armatosur i cili zgjati shumë. Ibrahim Pasha u orvat t’i kthente me forcë prapa territoret e humbura, por, nuk ia doli dot. Pasoi një marrëveshje me të cilën Ali Pashë Tepelena e martoi djalin Muhtarin me vajzën e Ibrahim Pashës. Më vonë Aliu lidhi krushqi të dytë me Ibrahim Pashën duke e martuar djalin  tjetër Veliun, me vajzën e dytë të tij. Kështu dy djemtë e Aliut u martuan me dy vajzat e Ibrahim Pashës. Por, përkundër krushqis së dyfisht, veziri i Beratit nuk shpëtoi nga inati gjakpirës i Ali Pashës. Ky duke qenë një mjeshtër i madh i intrigave nga prapashpina e filloi një fushatë me plot ç’pifje kundër Ibrahim Pashës, duke bind Portën e Lartë se ky kishte marrëdhënie me Francën. Rezultati i kësaj fushate të shkurtër qe i favorshëm për Ali Pashën. Ai arriti ta kapë Ibrahim Pashën të cilin e burgosi në Janinë, i cili u keq trajtua dhe pas 12 vjetësh vdiq në burg.[31]. Tashti Ali Pasha brenda kufijve të Pashallëkut të Janinës, përfshiu viset qendrore të Toskërisë, që mori nën kontrollin e tij territoret deri tek bregdeti i Jonit.

      Ali Pasha bëri shumë vjet luftë për me shkatrrue vetqeverisjen e disa vendeve dhe qyteteve, të cilat e gëzonin shekuj me radhë, për këtë përkrahej edhe nga Porta e Lart. Në vitin 1793, Ali Pasha përfitoi nga marshimi i ushtrisë osmane drejt Shkodrës kundër Bushatlinjve për të vënë nën kontroll kazanë e Korçës dhe sanxhakun e Ohrit. Ndër betejat më të ashpra të Ali Pashës ishin ato për nënshtrimin e popullsisë së krahinës së vetëqeverisur të Sulit, për të cilën shkruam më herët, e cila qe shkatrruar plotsisht. Mbas këtyre sukseseve Ali Pasha  emrohet për bejlerbej të Rumelisë. Kjo ishte pozita më e nalt që ekzistonte në Perandorin Osmane. Zotëruesi i Janinës dëshironte me marrë edhe pashallëkun e Shkodrë, por s’pati përgjigje të favorshme se pashallarët Bushatlinj ishin bërë çifligarë të mëdhenj. Nuk bëhej të luanin dy akrobat në një tel[32]. Me një politikë të tillë, që përkrahej nga pushteti turk, Ali Pashë Tepelena ia doli në krye me sajua një krahinë të gjerë, mbi të cilën ushtronte sundimin e vet. Në këtë kohë tërë Peloponezi, Greqia kontinentale, Shqipëria e Jugut dhe një pjesë e madhe e Maqedonisë ishin nën mbikqyrjen e tij. Në të gjitha këto vise pushteti i sulltanit ishte vetëm nominal dhe Ali Pasha, si i besuem i sulltanit n’at krahinë, plotsonte vetëm disa detyrime të një karakteri mjaft të kufizuar[33].

     Ali Pasha kishte kriju një aparat administrativ të përbërë nga fëmijët, nipërit dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai ishte në pozitën e një sundimtari apsolut e të fuqishëm. Pranë kishte krijuar si organ ndihmës dhe këshillimor një Divan të përbërë prej shtatë vetësh: Thanas Vaja, Dalip Përmeti, Jusuf Arapi, Tahir Abazi, Meço Bono, Ali Gega, dhe Ilijaz Poda. Kurse një rol mjaft të madh e luante Omer Pashë Vrioni, kryekomandant i ushtrisë. Ndërsa ndihmës të Ali Pashës për punët e jashtme ishin një grup sekretarësh që njihnin

gjuhët kryesore të Evropës[34]. Këshilltarë kryesor që i mbante afër Ali Pasha ishin njerëz nga borgjezia greke e Janinës si; Stavro Çapallano, Mantho Ekonomi etj. Por kishte edhe ekspertë të çdo lloji që kishin shkue nga të gjitha anët e Evropës për me i shërbye Pashës së Janinës. Ekspert i artileris ishte Samson Cerfler de Mendelsheim i cili kishte marrë emrin Ibrahim Manzour Effendi, për të cilin kemi bërë fjalë më heret, një francez i quajtur Charbonnel, ky ishte zënë rob nga kusarët e detit dhe ishte pru në Janinë, kishte hy në shërbim të Ali Pashës si mësues në shkollën ushtarake që kishte themelue ai vet, disa Grekë dhe Izraelitë punonin si sekretarë. Ushtria e Ali Pashës rekrutohej në mes të Shqiptarëve të çdo feje dhe krahine, ashtu edhe në mes të Grekëve, ndërsa aventurjerë të shumë kombësive mbushnin radhët e këtyre trupave mercenare.[35]. Pra Aliu kishte krijuar  një ushtri të re mbi bazat e parimeve ushtarake evropiane, e cila përbëhej nga këmbësoria, kalorësia, artileria dhe një flotë e vogël luftarake, me detarë himariotë, ulqinakë dhe grekë. Në kohë paqe pashallëku kishte një ushtri prej 15000 vetësh. Ushtarët rekrutoheshin me detyrim dhe me pagesë. Në kohë lufte numri i tyre, sipas rastit, dyfishohej ose trefishohej.  Përveç ksaj, Aliu kishte ngritur punishte për prodhimin e barutit dhe fabrika për derdhjen e topave.                                                       

     Në dallim nga pashallarët e tjerë, ai krijoi armën e policies dhe rrjetin e informacionit, shef i të cilit ishte Tahir Abazi i cili varej drejtpërdrejt nga veziri. Ai kishte organizuar një rrjetë të gjerë informatorësh të shpërndarë jo vetëm në krahinat e ndryshme të pashallëkut por edhe në oborret e sundimtarëve fqinj, në pallatin e sulltanit dhe në kryeqytetet e shteteve të mëdha të Evropës[36].

      Duke marrë parasysh,  se ushtria e tij përbëhej prej një larmie të struktures etnike dhe fetare, ai  fuqin kryesisht e mbështeste tek shqiptarët. Pothuajse e gjithë kasta drejtuese dhe komandantët e ushtrisë që ishte nën urdhërat e tij, ishin shqiptarë. Meqenëse shumica e popullsisë së rajonit i përkiste sektit mysliman bektashian, Ali Pasha e intensifikoi veprimtarinë e tij në fushën fetare dhe kështu i hapi rrugë  përhapjes së mëtejme të Bektashizmit në këtë rajon. Nga njëra anë, ai zhvilloi marrëdhënie personale me bektashinj, kurse nga ana tjetër, ndërtonte për ta teqe nëpër fshatra ku i dërgonte dervishët bektashi për t’i përgatitur si pasues të tyre. Në këtë kohë marrëdhëniet në mes bektashinjve dhe sultan Mahmutit II ishin tensionuar, dhe Ali Pasha përpiqej të  përfitonte nga kjo, duke iu dalë në përkrahje bektashinjve me qëllim që të  fuste nën kontrollin e vet institucionin e Jeniçerëve[37].

     Aliu kishte arkën e pashallëkut dhe atë personale. Arka e Pashallëkut mbante të ardhurat nga sipërmarja e taksave, të timareve, ziameteve dhe mukatave, kurse ajo

personale  merrte të ardhurat nga pronat, çifligjet, dyqanet, fabrikat dhe një pjesë të të ardhurave nga taksat shtetërore. Ai zakonisht i dërgonte Stambollit, pjesën që i takonte.

Thesari i pashallëkut, çelsin e të cilit e mbante vetë Aliu, ishte përherë plot. Në shpenzime Ali Pasha tregohej kursimtar i fortë. Asnjë shpenzim i buxhetit të pashallëkut nuk kryhej pa dokument të aprovuar prej Aliut. Në varësi të qëllimeve që i kishte vënë vetes, Aliu u përpoq, të shfrytzonte në dobi të vet gjendjen e vështirë të pushtetit qendror dhe të krijonte lidhje me armiqtë e shtetit osman. Ai mori në sipërmarrje të ardhurat e skelës së Artës, e cila i siguronte pashallëkut daljen në det si dhe taksat e qytetit të Korçës[38].

    Kushtet në të cilat gjendej n’at kohë Perandoria Osmane, forcimi i luftërave dhe i lëvizjeve kombëtare te popujt e Ballkanit dhe situata e ndërlikuar në Europë, në kohën kur Bonaparti depërtonte me shpejtësi kah Moska, si duket shkonin në favor të Ali Pashës. Prandej ai në krahinën e vet zbatonte të gjitha masat që i ndërmerte atëhere një

sundues i vërtet. Në ato vende ku shtrihej sundimi i tij ai, vendosi gjygje, bëri mbledhjen e tatimeve, themeloi postën, përpiqej me ndihmue disa degë të zejtaris dhe ndërmuer një mori masash tjera. Përveç vetes dhe fëmijëve të tij, ai nuk lejoi kategorikisht asnjë pjesëtar të kastës ushtarake që të bëhej pronar çifligjesh tokësore. Kjo situate krijoi një hendek të madh në marrëdhëniet midis Ali Pashës dhe fshatarëve që punonin në këto çifligje[39].

    Në veprimtarin e vet politike, Ali Pasha mbështetej në pushtetin qendror, derisa më në fund ai nisi me i kundërshtue edhe vetë sulltanit. Kështu, ai nuk e muer parasysh urdhërin e sulltanit që t’i dërgonte ushtri kundër Mahmut Pashë Bushatit, vezirit të

Shkodrës. Por, Ali Pasha u përpjek me të gjitha forcat që të dobësoi autoritetin e vëllaut të Mahmut Pashës, Ibrahimit. Meqenëse, një pjesë e popullsisë myslimane e qytetit të Shkodrës kishte rebelu kundër Bushatlinjëve, atëhere në krye të kësaj opozite u gjend Ibrahim Pasha i cili personalisht shkoi në Stamboll dhe kërkoi ndëshkimin e të vëllait.Për këtë qëllim Ali Pasha  ndihmoi fiset e Mirditës, në përpjekjet e tyre që të shkëputeshin prej pushtetit t’Ibrahimit, e madje në këtë drejtim ia duel në krye. Ibrahim Bushati i cili pas  vdekjes së vëllait Mahmutit e zuri kolltukun e valiut të sanxhakut të Shkodrës, ashtu që sundimi prap vazhdoi të ruhej në duart e familjes Bushati. Ky ishte njeri i sulltanit, pra, ishte proosman. Por, përkundër ksaj ai arriti që të fitojë mbështetjen e popullsisë vendase.

     Ibrahim Pasha vdiq në vitin 1810, ndërsa në vend të tij erdhë Muastfa Bushati, me të cilin Ali Pashë Tepelena kishte lidhje miqsore. Ali Pasha e kishte dhënë mbesën e vetë, Aishe, e cila ishte e bija e Veliut dhe pashë i Trikallës, për Mustafa Bushatin. Kronistët shkruajnë se kishte qenë darsëm e madhe me nja tremijë darsmor, ku  në tri ditët e para të darsmës, ishin regjistruar 15000 krerë bagëti e imët dhe 500 kuaj e mëshqerra. Të gjitha këto dhe shumë barrë me stofra e ushqime, ishin peshqeshe për martesën e Aishesë,

mbesës së Vezirit, me Mustafa pashë Bushatliun[40].  Ali Pasha bëshkë me Mustafa Bushatin hartuan një plan me të cilin kishte me u sigurua  një llojë autonomie për viset e

Shqipërisë. Por, ky plan nuk u realizue, për shkakë të interesave personale dhe të aspiratave partikulariste  të ndërlikuara. Midis këtyre dyve u krijua një rivalitet, pasi që

Ali Pasha i Janinës pas pak kohe në vitin 1812 ndërmori inkursione ushtarake për zgjerimin e territoreve  të tij në dëm të pashallëkut të Shkodrës. Marrëdhëniet e Mustafa pashës me sulltanin kundër Ali Pashës përfunduan me rrënien e pashallëkut të Janinës[41]. Mustafa Pasha qëndroi ngushtësisht me sulltanin deri në Luftën ruso-turke 1828-1829[42].

[31]“Historia e popullit shqip” I, fq. 417-418. Ismail Qemali, vep.. e cit..fq.22, dhe T. Zavallani….fq.153.

[32] Nexhip Alpan-Nesim Kaç, në vepr..  e cit. më lart, fq48.

[33] Ali Hadri-Milan Perkaj, “Pasqyrë e histories nacionale shqiptare”, fq.73; Peter Bartel “Albanci”, fq.76;                                                                                                                                                   ..  I. Qemqli…vep..cit..fq23.       

[34] Grup autorë, “Historia e popullit shqiptar-për shkollat e mesme”, fq.130.

[35] T. Zavallani…fq.155-156.

[36] “Historia e Popullit Shqiptar” I, fq.434-435; Petrika Thëngjilli “Historia e Popullit Shqiptar 395-1875”, fq.282.

[37] Për këtë më gjerësisht në: S. Gylqe, vep..e cit…qf.174-175; B. Musliman…fq.94-95; N. Alpan-N. Kaçi….fq.48; N. Bozbora…fq.106-107; Nathalle Clayer, “Miti i Ali Pashës dhe Bektashinjtë”, në RILINDJA, e shtunë,17 mars 2001 fq.21.

[38] Petrika Thëngjilli, vep.. e cit..fq.283.

[39] N. Bozbora…fq.107.

[40] Sabri Godo, vep..e cit..fq.229.

[41] N. Bozbora, vep e cit..fq.104.

[42] M. Perkaj-A. Hadri, vep..cit..fq.75.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora