E premte, 26.04.2024, 01:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Hevzi Mustafa: Shkallët (Tregim)

E enjte, 27.08.2009, 07:35 PM


Tregim

Nga Hevzi Mustafa

Shkallët

Në dhomë unë dhe vetmia. Dhimbshëm më vështronte gramafoni klasik, i cili rrotullonte një pllakë të vjetër. Lëshonte zëra të kthjellët, mua më vinin të turbullt. Si të shkoj deri në banjo? Pyesja veten derisa më hipi një dembelizëm mbi kokë. Shkova, u ktheva. Mbahesha për muri. Ecja nëpër koridor sikur të ecja nëpër frigorifer. Vetëtinte tmerrshëm mbi qytetin e tretur. Drita e vetëtimës nganjëherë e zbardhte krejt dhomën. Kisha humbur çdo ndjenjë, kur befas në dhomë m’u shfaq fqinja ime. Banonte vetëm një kat më lart. U ndesha në shkallë me të. Më puthi e kjo më hutoi pasi unë për vete gadi e kam harruar lojën tonë të fëmijërisë, kur putheshim e përqafoheshim deri në dyzetë herë në ditë. Ajo fundosej shkallëve. Flokët e verdha i valonin si flamur. Ktheu kokën e buzëqeshur. Ma bënte me dorë. I mjeri unë qyqari si nuk kalërova një herë në shtrat me të. U zhdukë edhe nga dhoma. Pa një pa dy e lëshoi toka. Ngeli para meje vetëm imazhi i shkallëve, i cili zbehej ngadal. Sa fort i dua shkallët, çfarëdo qofshin ato; të drurit, të betonit apo të hekurit.

***

Rrija me shokë rregullisht në një si kafe-bar. Mbushej përplot. Bëhej garë kush të zinte një vend e të ulej, por megjithatë më interesant ishte të rrije në këmbë. Ambienti ishte dykatësh dhe i tëri gumëzhinte si në zgjua bletësh. Ngjitej shkallëve një vajzë e bukur. Fytyrë e panjohur; thashë me vete. Mbante flokë të gjata ngjyrë kafeje. Më goditi me sytë që i shkëlqenin si dijamant. Vetëm sa nuk u rrëzova. Ka me vite që kam pritur një natë si kjo. Ka kohë që jam kalitur për ngjarje të tilla madhështore. Të dashuroj në shikim të parë, përherë e konsideroja si një punë fëmijësh të sapodalur nga rrethi i tyre meskin ose punë fshatarësh kur u shkelë këmba për të parën herë në asfalt. Por sonte po bëhem edhe fëmijë edhe fshatar edhe gjithëqka tjetër, sepse ajo e meritonte. Më kalon para këmbëve dhe goja ime vënë kapakun. U tregove i dobët bandill. I fola vetes tek po e shikoja pa ia ndarë sytë asnjë çast si i çmendur. Fillova të dyshoja mos edhe ajo e kuptoi që dikujt në katin e dytë dashtë e padashtë ia nguli një thikë mu në zemër. Prej asaj nate me hynë në gjak shkallët. Arti i të ecurit  poshtë e lart. Punë e papunë hyja në atë lokal, vetëm  të  shkilja nëpër shkallët e drurit ku shkilte ajo që u hodhë kaq lehtë e krejt rastësisht në ujrat e vetmisë sime. Mbante veshje provokative. I shihja mirë dhe me kujdes imtësirat, të cilat zakonisht më bien në sy më së pari. Gjoksi dhe vithet, e sidomos gjoksi. Shumë kohë më vonë i ngeli shprehi saherë shiheshim dikund, defilonte para meje.

***

Tani fillova të ngrohem. Defilonte nëpër dhomë. M’u përkul para këmbëve. Lutej t’ia bëja çejfin. Unë s’mund ta dalloja ç’ishte; vajzë, bushtër apo kulqedër. Dukej si vajzë derisa ishte ende në këmbë dhe spiralizonte trupin si një striptizë. Si bushtër, kur më ngjante ashtu si e kisha vetëm me të dëgjuar, se gjoja i ka ndërruar njëqind dashnorë. Kurse në tiparin e kulqedrës e fuste avulli që i dilte aty ndërmjetë gjinjëve të saj mjaft të theksuar dhe tingujt e zërit engjëllor, që vinin si prej një bote të fundosur qindra vjet më parë. Derisa unë luhatesha në mendime për të, ajo me një krenari të madhe rrezikoi. Ngriti gjunjët nga dyshemeja, bëri një hap drejt meje dhe m’u ul në prehër pasi hapi këmbët e saj të gjata afshndjellëse. Liroi flokët nga një lidhëse njëzeteshtatë ngjyrëshe. Kafshonte buzën e poshtme kur e ndjeva krejt afër, mund të them gjoks për gjoksi. Artin e kafshimit e vazhdoi në buzët e mia. Ata që shpesh kanë provuar dehjen e dinë më mirë se unë. Në ndonjë moment të papritur të kthehet një dallgë e forcës. Mua m’u kthye kjo dallgë dhe e shtrëngova sa munda. Ajo klithi, u ngrit dhe iku. Iu vura pas deri tek porta por arrita ta kapja një fluskë sapuni që më pëlciti. I përplasur në prag të derës, më kishin lëshuar këmbët. Alkooli më dilte zakonisht nga orët e para të mëngjesit. Ngrihesha i trullosur pas një gjumi të dhunshëm. I pari send që pashë ishin shkallët. Por e dinë secili apo nuk e dinë askush punën e shkallëve? Andej qe ngjitur fqinja ime, në çastin kur unë u vetëalivanosa. U mundova të shpejtoj mos më shehë dikush për të zi. Edhe ashtu nuk paska rrymë. Mbylla derën dhe pashë telefonin e heshtur. E mora në dorë sa për t’ia thyer heshtjen, para meje tani dera e banjos. Lëshova receptorin, jo në vendin e vet por të varur. Në banjo më terr se në varr. Prekja orenditë përmendësh si i verbër derisa arrita ta gjejë vrimën e ujderdhjes. E gjeta, e mbylla dhe lëshova ujin e nxehtë. Dola përsëri në koridor. Më goditnin nëpër kokë tingujt e sinjalit të hargjuar telefonik. Përplasa receptorin. M’u deshën dy minuta të plotë ta vendosja në vendin e vet.

***

Ndërmjet orës tre e katër arrita në shkollë. Atëherë fillonte mësimi. Me profesorin e Historisë u hëngrëm një kohë të gjatë. Shoqet dhe shokët e klasës nuk dinin cilin ta  konsideronin më të krisur. Ne megjithatë u fjalosëm me nxehtësi deri kah gjysma e orës. Fjalët e mia të fundit: “Duhet të hyjmë menjëherë në luftë sa do të dobët jemi, liria është në anën tonë sepse neve na mungon”, e përzunë përfundimisht profesorin nga klasa. Shokët më morën për krahu dhe dolëm të pinim, për të vazhduar tek ambullanca. Kur u ndesha në ballë me mjekun e kuptova ku më sollën.
– Këtu i shëndoshi sëmuret ndërsa, i sëmuari vjen kinse të shërohet. – Keni nevojë t’i nënshtroheni një trajtimi urgjent.
Raportin e tij e lexova ngadal në dhomën time: “Pacienti në fjalë ka aftësi të jashtëzakonshme strategjiko-luftarake, por është ngapak frikacak sepse kurrë në jetë nuk ka qenë i dashuruar”.

***

Vendosa t’i kthehesha përsëri shkollës. Ditëve të tjera kur nuk shkoja në shkollë, dilja dhjetra herë në qytet. Puna kryesore qëndronte tek shkallët e betonit në ndërtesën ku banoja. Rrija me orë të tëra në krye të shkallëve, i dehur herë me birrë, herë pa pikë alkooli, duke pritur dikënd që zakonisht nuk vjen. Por një ditë të zymtë nëntori, duke shikuar nga lart, pashë diçka që ma ndali frymën. U tmerrova. Si është e mundur! I ngrirë në vend ku isha e prisja gojëhapur. Shfaqej ngadal me fytyrën e bukur. Afroja kapakët e syve të nxjerrja para vetes një pamje më të kthjellët. Mu ndal para këmbëve. Fliste me zërin e saj engjëllor: “Ç’po ndodhë kështu me ty, këtu të lashë këtu të gjeta. Më fal por kësaj here nuk mund të puthemi, po bëhet pak si tepër ndoshta. Tung njëherë, shihemi”. Humbiste ngadal përpjetë me flokët e verdha që i valonin si flamur. Ktheu kokën e buzëqeshur. Duart i kishte të zëna me dy qese zarzavate, andaj s’ma bënte me dorë. I mjeri unë qyqari si nuk kalërova njëherë në shtrat me të. Vazhdoi të ngjitej shkallëve. U zhdukë apo më bënin sytë. Unë, sidoqoftë fundosesha.


(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora