E shtune, 27.04.2024, 04:18 PM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Kush ma i pari bani...

E hene, 24.08.2009, 07:18 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

KUSH MA I PARI BANI…

Pikërisht në orën gjashtë të mbrëmjes në kafenenë e italianit, aty afër kambanares së kishës  në Stolberg, takohen pensionistët e Tetovës. Po e kërkove ndonjërin prej tyre, do ta gjesh aty, po nuk e gjete, ta gjejnë ata që rrinë aty, si  Sytkiu, Ibrahimi, Shafiu, Ahmeti, Beshiri, Afeti, Musafeti e kush jo tjetër. Disa janë të rregullt, disa të herëpashershëm, e disa të tjerë të rrallë, sidomos ata që janë kthyer në Tetovë dhe vijnë ndonjëherë këndej. Edhe unë i takoj një mbrëmje aty, derisa përpara kanë filxhanat e kafesë, ndërsa në dorë mbajnë telefonat mobilë, se dikush i thërret, ja djemtë, ja nuset, ja nipat e mbesat. Derisa i shikoj pasi më kanë bërë vend në tavolinë, si nëpër ëndërr më kujtohet  ajo kënga e vjetër “Kush i pari bani…” dhe, mundohem ta di cili është prej këtyre i pari që shkeli në mërgim, në këtë skaj të botës. Padashtas më sillen në mendje vargjet:

Tri ditë ymër pata
Në këtë tokë fallgjore,
Edhe k’to të shkretat    
Në kurbet na i more!

    Cili është i pari? Nexhmi Rexhepi? Jo. Ai duket më i moshuari, por jo. Ibrahim Ibishi, jo se jo.  Sytki Rexhepi ? Jo. Kadri Bexheti që ka ikur në Tetovë i pensionuar, jo. Mund të jetë edhe ndonjëri që është më i ri përnga mosha, por më i pari mund ta ketë shkelë tokën e huaj. Jo e jo. I pari, më thonë, është Xheladin Halili nga Bozofca. Ai qysh në fillim të viteve gjashtëdhjetë kishte ardhur në Gjermani dhe tash është i pensionuar. Jeton në Tetovë dhe kthehet ndonjëherë këndej, këndej ku i ka kaluar ato “tri ditët e shkreta”. Ai i ka  çelë udhë Bozofcës për të ardhur një pjesë deri në Stolberg të Gjermanisë, e që disa janë shpërndarë varësisht prej vendeve të punës, të biznesit etj. Të gjithë kanë ngritur familjet dhe kanë zgjeruar pasuritë. Dikush në Tetovë, dikush në Gjermani, e dikush në të dy vendet. Por edhe pse gjatë në dhé të huaj, ku iu kanë lindur e rritur fëmijët, shumë pak ose fare i kanë  përzier familjet me të huaj. I kanë gjetur nuset ose djemtë nga Tetova dhe kanë zgjatur lozën familjare shqip. Po pas Xheladin Halilit, cili punën e kishte filluar në minierë në vitin 1964, dy vite më vonë, në Gjermani vijnë edhe Nexhmi Rexhepi dhe Halil Halili. Një vit më vonë, Xheladini merr edhe vëllain më të madh, Enver Halilin, që tash është i pensionuar.. Nexhmiun e kemi përballë në ndejën e mbrëmjes që për pensionistët fillon në orën gjashtë të mbrëmjes. Ai ka ardhur aty ku ka marrë pensionin e merituar dhe Stolbergun dhe rrethinat e tij, i njeh që nga rinia. Këtu, pos që ka lënë pjesën më të madhe të jetës, ka krijuar edhe shtratin e sigurt për t’u kthyer sa herë ka ndonjë punë ose kur don të rrijë me muaj të tërë. Njërin djalë, atë të madhin, e ka në Tetovë, ndërsa tjetrin, Idrizin, në Stolberg. Në Gjermani, na thotë lala Nexhmi, vij kur bora rëndon mbi shpatullat e Sharrit. Netët i kaloj te djali, ndërsa ditën dal shëtis me shokët e dikurshëm, me ata të cilët në ditët e rënda kurbetçare kam ndarë të mirën dhe të keqen, gëzimet dhe dëshpërimet, sukseset dhe vuajtjet. Kur kemi ardhur në fillim, nuk kemi menduar se do të rrimë gjatë, por ja, dalëngadalë, këtu i morëm fëmijët dhe tash, na janë bërë edhe nipërit e mbesat, që pos  që kanë lindur këtu, po rriten dhe po shkollohen këtu, pra në Gjermani. Por lidhjet i mbajmë ngushtë me ta. Pjesë të familjes në Tetovë dhe pjesë të familjes në Gjermani që kemi, komunikojnë lirshëm mes vetes dhe festat familjare i bëjmë bashkë, kështu që i zbusim dallimet mes pasardhësve. Djali im, Idrizi, me ndihmën e Lirim Destanit ka bërë një kualifikim të nevojshëm profesional dhe, tash sa vite ka punë të mirë, stabile, në njërën nga fabrikat më prestigjioze të Stolbergut, në Prymmetal. Pranë Nexhmiut, kemi atë burrin më me përvojë në mërgim, Halil Halilin. Atij sikur nuk ia ka lënë puna dhe pesha e mërgimit. Duket shumë vital, i mbajtur dhe i freskët, ani që vite të tëra ka kaluar këndej në punishtet gjermane. Krenar është për mirëqenien familjare që e ka krijuar me mund të madh dhe me nder.
    Ahmet Shabani, që po ashtu iu bashkohet ndejave të mbrëmjes, herët ka nisur udhët e mërgimit. Pas ca kohe kur kishte bërë punë në Beograd, ku dimrit, ajo era e fortë, Koshava, si i thonë andej, ta çan gjoksin, derisa shokët po shkonin ta kalonin një pjesë të dimrit në Tetovë, ky ia mësyn Zvicrës. Thoshin se ka më shumë para në Zvicër, flet Ahmeti. Me të dalë këndej, pra në Europë, jo vetëm pagat, por edhe kushtet e jetës ishin shumë më të mira se në Beograd apo qyteteve e katundeve të Vojvodinës ku bënim punë. Dalëngadalë filluan të vijnë edhe të tjerë. Edhe unë pastaj erdha në Gjermani. Fillova punë në ndërtimtari, në qytetin Leverkuzen, afër Këlnit. Atëherë aty kisha më shumë kolegë pune nga Kosova. Vit pas viti dhe këtu u moshuam. Kur jemi këtu, mendjen e kemi në Tetovë, e kur jemi atje, mendja na rrin këtu. Tash si të pensionuar, nuk mund të merrni vendim që të ktheheni andej, i themi. Jo lalës! Tash jemi moshuar dhe na ka hyrë frika nga pak. Këtu jemi mësuar me motin, me shërbimet e ndryshme, e më së shumti me shërbimet shëndetësore. Kur jam në Tetovë, një ftohje të vogël po ta përjetoj, mendja më shkon këndej. Po ashtu, tash edhe fëmijët që janë rritur, i kemi këndej me punë dhe ne jemi ata që nuk mund të jetojmë ndaras, ani që kanë ardhur këto kohët moderne, si po thonë.
    Shafi Abazi na rikthen te mosha e rinisë, te njomësia e saj. Ne nuk kishim  si të shkolloheshim. Ishim njerëz të paperspektivë në atë drejtim. Rrethi i jetës po ngushtohej në Malësi, atje mbi Tetovë. Për ta mbajtur jetën në ato shpatije të Sharrit, duhej bërë punë, jo vetëm në fshat, por larg, në viset ku mund të bëhej pak fitim. E si dihet, paratë dhe pushteti ishin në duart e sllavëve dhe në pjesët nga jetonin ata. Kështu rinia e shumicës prej nesh filloi nëpër stacionet e trenave, ku bëhej ngarkim-shkarkimi  dhe punët e tjera. E fillonim me Shkup e me Gjevgjeli dhe, kalonim në Beograd e në Vojvodinë. Por sado që punonim pa ndalë, nevojat e familjes shtoheshin. Punë për punë, më mirë për ne që u hapën udhët nga Europa. Njëri pas tjetrit gjetëm punë dhe u sistemuam edhe me familjet. U hapën perspektivat edhe për fëmijët tanë që po vinin në jetë. Kështu e mbërrimë edhe pleqërinë në dhe të huaj, por edhe patëm çka të lëmë pas. Ne me punë e me sjellje kemi fituar të mirat materiale dhe tek vendësit kemi fituar respektin si njerëz të ndershëm dhe punëtorë të përkushtuar. Në mesin e vendësve kemi bërë miq të shumtë.
    Me bashkatdhetarët e vet ndonjëherë bashkohet edhe Destan Destani, i cili tash punon në Trier.  Ai qysh në vitin 1969, bashkë me vëllain, Myqeremin, vjen në Gjermani. Pas dy viteve punë në sharra, ku bëhej gjysmëfabrikimi i drurit, ai për të ardhura më të larta kalon në një punë më të rëndë, në deponinë e hekurishteve, kurse Myqeremi kalon në  fabrikën Prym dhe, njëkohësisht vazhdon të punojë edhe ne sharra,  jashtë orarit. Me shumë mund, Destani arrin të bëhet edhe udhëheqës i punës, te Firma Thomas, ku realizon të ardhura të  mira dhe bëhet njeri me prestigj në vendin e punës. Atij në Stolberg i lindin edhe tre djem. Por, në vitin 1978, firmës ku punonte Destan Destani i vdes pronari dhe normalisht, e njëjta shkon në falimentim. Me këtë rast vjen një firmë nga Trieri dhe e blen gjithë makinerinë e firmës së falimentuar. Por firma e falimentuar vështirë të mëkëmbej pa Destanin. Kështu, atij i ofrohet një rrogë e dyfishtë dhe kalon në Trier. Atje i lind edhe djali i katërt Dalifi, që trashëgon emrin e gjyshit. Por Destani, me gjithë fitimet e mira në punë, vëmendjen e përqëndron te shkollimi i fëmijëve.Kështu djali i madh Ramadani kryen Fakultetin e Mjekësisë dhe specializon kardiologjinë, ndërsa Hasimi aftësohet për automekanik. Djali i tretë, Selami, ndjek rrugën e vëllait të madh Ramadanit dhe studion mjekësinë, e më i vogli, Dalifi, studion në Fakultetin Ekonomik. Pa marrë parasysh se Stolbergu me Trierin kanë një largësi mbi 100 kilometra, Destani vjen fundjavës te bashkatdhetarët dhe gjithë aktivitetin e tij humanitar dhe kulturor e zhvillon me vite në Stolberg. Të gjithë njerëzit që i njohin vëllezërit Destani, thonë se ata janë gojëmbël  shumë të afërt e të dashur, jo vetëm ndër vete, por me të gjithë shqiptarët.
Në këndin e majtë të kafenesë së italianit, Beshir Ramadani, me mall e me dashuri flet për jetën në Bozofcë, duke rikthyer kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë se hershme. Bozofca, thotë ai, është fshati i fundit që  i është ngjitur malit më së largu nga Tetova. Në anën tjetër të Sharrit më afër e ka Prizrenin se Tetovën. Ne edhe tregun e kemi bërë në Prizren. Jeta në Bozofcë ishte e mirë por nevojat shtoheshin me kohën. Mbaj mend punët e vekut, ku gratë punonin ditë e natë për shtrojë e mbuloje dhe për veshje. Gjithçka kishim vendore. Janat, qilimat, këmishat, dhe veshjet e trasha të trupit. Por jeta u mbush me halle. Patëm edhe njerëz që ia mësynë Turqisë dhe nuk u kthyen kurrë. Nuk prekën më pragun e shtëpisë. Ndërsa ne që vetëm punuam dhe me punë ruajtëm trojet, u kthyem. Bëmë shtrat për veten dhe për familjet. Kush më herët e kush më vonë. Pas Xheladin Halilit, Nexhmi Rexhepit dhe Halil Halilit, erdhën edhe Mahmut Mahmuti, Qazim Shabani, Rrahim Ramadani, Musafet Ramadani, Afet Farizi, Xhevxhet Ramadani, Destan Destani, Nadi Rexhepi e shumë të tjerë që kanë sjellë këtu edhe shokë edhe familje. Tash jemi bërë shumë. Të gjithë jetojmë në harmoni.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora