E diele, 13.06.2021, 06:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Gardhet

E hene, 06.07.2009, 06:25 PM


Vangjush Ziko

GARDHET
               
(Ese)

Kujtoj apo shikoj gardhet e ndryshme dhe,pa dashur,më vjen ndër mend shprehja e famshme Rusoit:fajtor është ai që i pari ngriti gardhin,i vuri kufi pronës së vet.
Në vendin tim gardhe ka patur gjithandej,në malësi edhe në fushë;ndanin arat,livadhet e bashtinat.Gardhe të thurura me hunj edhe me purteka;hunjtë e të cilave,jo rrallë,shndërroheshin në kopaçe që merrnin dhe jetën e komshiut apo të vëllajt.Për një gardh bëheshin hasmë dhe fise të tëra.
Por,në vendin tim ndodhi ajo që gardhet i shkulë,i dogjë,i sheshuan me traktor.Por na dolën fajtorë edhe ata që i prishën gardhet.Për ironi të iluministit francez.Pra,historia e gardheve të vendit tim tingëllon dhe tragjike dhe komike,një farsë e historisë.
Dhe ja,këtu në Kanada,në këtë vend të zhvilluar dhe të përparuar më dolën para sysh përsëri gardhet.
Shtëpitë e qytetit, ku unë banoj,kanë të rrethuar me gardh,përgjithësisht,bashtën prapa apo edhe atë pjesë lëndine që rrethon shtëpinë nga ana e rrugës..Nuk janë gardhe të thurrura me purteka,por gardhe me dërrasa plloçake të njëllojta,të vendosura me rregull dhe me simetri,të lyera vetëm me vaj liri ose me bojë vaji të bardhë.Nëpër të çarat midis dërrasave,që këmbehen njëra me tjetrën,mund të shikosh edhe lëvizjet e siluetës së komshiut.Degët e bimës kacavjerëse të komshiut mund të varen pas gardhit të përbashkët si baluke apo si gërsheta të gjelbër nga ana jote.Kurse degët e pishës sate zgjaten lirisht e bëjnë hije mbi bashtën e tjetrit.Ti mund të ulesh familisht në mbrëmjet e verës në verandë rreth tavolinës dhe të pish një lëng apo të surbitësh një kafe.Komshiu mund të ndezë barbequi-në dhe era e bërxollave,që piqen në skarën e saj,mund të ngacmojnë oreksin tënd.Ketrat e zhdërvjelltë bredhin lirisht nga njëri gardh në tjetrin.Ulen zogjtë dhe cicërojnë për ty dhe për komshinë.Dhe të duket sikur gardhet nuk ekzistojnë,sikur janë pjellë e fantazisë sate konservatore,që ka diçka nga Rusoi dhe nga Lenini,nga iluminizmi dhe komunizmi.Këto gardhe duket sikur janë kot,siç janë paravanet në një dhomë gjumi.
Gardhet edhe mund të mos ishin.
Por edhe mirë që janë.Nuk dua të besdis edhe të më besdisin.Pavarësia e njeriut është ligj.Jeta ime është jeta ime.Jeta e tjetrit është e tija.Që të mos ketë asnjë keqkuptim,gjelbëron gardhi.
Por gardhi është gardh.Dhe,kur gardhon një gjë,domethënë,e veçon.Veçimi do të thotë edhe vetmi.Edhe indiferentizëm.Edhe mospërfillje.
Këtë vetmi nuk besoj se e kanë sjellë gardhet.Se atëhere duhet t'i dënonim si Rusoi.
Por,as heqja e tyre,nuk do ta prishte këtë vetmi.Siç mësonte Lenini.
Nuk kishte as rrezik që të sillte katrahurën e kolektivizimit,të bashkësisë së pabarabartë ose të rrëmujshme,të frikshme,dyshuese, që e provuam ne qytetarët e socializmit!
Edhe,po të mos ishin këto gardhe,në një qytet të tillë kaq të madh,ka një gardh të padukshëm,që është indiferentizmi.Komshiun e ke pranë dhe nuk e njeh.As ai s'të njeh.Ti ke erdhur nga Europa.Ai ka erdhur nga Azia.Tjetri është nga Amerika latine.Komshiu përbri nga vendet arabe...Temperamente.Zakone.Kultura të ndryshme.Që të bashkëjetojnë,duhet të respektojnë vetveten dhe njëritjetrin.Liria ime është deri atje ku nuk shkelet liria e tjetrit.
Pra,u dashkan dhe gardhet.Gardhet e drunjtë.Dhe gardhet e pashkruara në ndërgjegjen e vetë njerëzve.Gardhet-ligje morale dhe qytetare.
Këto gardhe janë simboli i kësaj lirie,pavarësie,barazie dhe...vetmie të pranuar qetësisht nga të gjithë ne banorët e botës së sotme moderne.


(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora